Për nder të muajit të bekuar Ramazan, një delegacion i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, i përbërë nga Ekrem ef. Simnica (drejtor për Diasporë), Hetem Sopjani (kryetar i KBI Prishtinë), Muharrem Ternava (prof. MM. Alaudin, Prishtinë), Fitim Flugaj(kryeredaktor i Radios Dodona), Fitim Gashi(përgjegjës për Haxh dhe Umre) dhe Bahri Sejdiu (imam i xhamisë së madhe Prishtinë), qëndroi për vizitë zyrtare në Gjermani nga 11 deri më 16 mars 2026.
Gjatë kësaj periudhe, delegacioni vizitoi disa qytete, përfshirë Berlinin, Hamburgun, Hanoverin, Shtutgartin dhe Minhenin, ku u prit nga përfaqësues të xhamive shqiptare dhe xhematë të shumtë.
Ata përcollën urimet e Ramazanit nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe Myftiu Naim ef. Tërnava, si dhe mbajtën ligjërata mbi vlerën e dhjetë netëve të fundit të këtij muaji. Po ashtu, falënderuan diasporën për mbështetjen e vazhdueshme dhe mikpritjen e ngrohtë.
Ndërkohë, një delegacion tjetër i BIK-ut, i përbërë nga Orhan ef. Bislimaj dhe Nehat ef. Shehu, zhvilloi aktivitete në Austri, ku vizitoi Qendrat Islame Shqiptare në bashkëpunim me Komunitetin Shqiptar të Bashkësisë Islame në Austri, të udhëhequr nga Vahidin Behluli.
Në kuadër të këtyre vizitave, delegacionet realizuan mbi 30 vizita në xhami në Gjermani dhe 8 të tjera në Austri.













