Drejtoria e Financave në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot një takim pune me arkëtarët e Këshillave të BI-së nga e gjithë Kosova, ku temë diskutimi ishte procesi i digjitalizimit të anëtarësisë.
Në hapje të takimit, drejtori i Financave në Kryesinë e BI-së, z. Tanseli Rogova, në emër të Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, përgëzoi arkëtarët për përkushtimin dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në menaxhimin e çështjeve financiare dhe administrative në Këshillat përkatëse. Ai theksoi rëndësinë e rolit të tyre në funksionimin e rregullt dhe transparent të institucioneve të Bashkësisë Islame.
Gjatë këtij takimi, u prezantua edhe aplikacioni i ri për digjitalizimin e anëtarësisë, i cili synon të lehtësojë procesin e evidentimit dhe menaxhimit të të dhënave të anëtarëve. Arkëtarët patën mundësinë të njihen nga afër me funksionalitetet e këtij aplikacioni, si dhe të parashtrojnë pyetje, sugjerime dhe komente lidhur me përdorimin praktik të tij. Gjithashtu, gjatë prezantimit u theksua se digjitalizimi do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit në punë dhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore për besimtarët.

