Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur në takim nënkryetarin e TIKA-s, z. Yahya Coşkun, i cili shoqërohej nga koordinatorja, znj. Fuliya Aslan.
Gjatë këtij takimi, u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe TIKA-s.
Myftiu Tërnava i falënderoi përfaqësuesit e TIKA-s për përkushtimin, punën dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme në projekte të rëndësishme për vendin tonë, duke vlerësuar lart projektet e realizuara dhe kontributin e vazhdueshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore e fetare.
Po ashtu, pjesë e diskutimit ishte edhe projekti i radhës, restaurimi i Xhamisë së Bajraklisë në Prizren, projekt ky që synon ruajtjen e një prej objekteve me vlerë të veçantë historike dhe kulturore.
Të dyja palët shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe realizimin e projekteve të tjera në të ardhmen.


