Me ftesë të Kryesisë së Xhamisë "Dituria" në Gjenevë, drejtori për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, mori pjesë në manifestimin solemn me rastin e 20-vjetorit të themelimit të kësaj xhamie.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë kryetari dhe nënkryetari i KMShZ-së, hafëz Mehas ef. Alia dhe Fehim ef. Abazi, si dhe kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, reisul ulema, hafëz Shaqir ef. Fetai. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga bashkësitë islame të Shqipërisë dhe Luginës, hoxhallarë nga Zvicra dhe vendlindja, si dhe një numër i madh besimtarësh, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe vëllazërore.
Në fjalën e tij, drejtori për Diasporë, përcolli urimet në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe të Myftiut Naim ef. Tërnava, duke vlerësuar lart përkushtimin e mërgatës sonë dhe rolin e saj në ruajtjen e fesë, kulturës dhe lidhjes me vendlindjen. Ai theksoi se shqiptarët në Zvicër janë shembull i integrimit të suksesshëm, duke dhënë kontribut të çmuar edhe në jetën publike të vendit ku jetojnë.
Në fund të këtij manifestimi, drejtori për Diasporë ndau mirënjohje për imamin e Xhamisë "Dituria", Rijad ef. Aliu, dhe kryetarin e saj, Abdyl Bekteshin, duke u dorëzuar edhe emblemën e Bashkësisë Islame të Kosovës, në shenjë vlerësimi për kontributin dhe angazhimin e tyre ndër vite.




