Të dhëna statistikore1:
- Emri ndërkombëtar në anglisht: Lebanon.
- Emri zyrtar: Republika e Libanit.
- Sistemi i qeverisjes: Republikan.
- Sipërfaqja: 10,452 km².
- Numri i banorëve: 4.224.000 (2009).
- Dendësia: 404 (banorë në 1 km²).
- Feja: Myslimanë 70% (afërsisht gjysma e tyre
sunitë dhe gjysma tjetër shiitë ) dhe të krishterë 30%.
- Kryeqyteti: Bejruti (llogaritet qyteti më i madh i
vendit).
- Qytete të tjera: Tripoli, Sajda, Balebek, El Buka'a,
Sur, Xhebel Lubnan, Zahle dhe En-nebtije.
- Grupet etnike: arabë 95%, ermenas 4% dhe të tjerë
1%.
- Gjuhët kryesore: arabe (zyrtare), frënge, angleze
dhe ermenase.
- Njësia monetare: Lira (paundi) libaneze, (1.00 LBP
= 0.00050 EUR).
- Data e pavarësisë: 22 nëntor 1943 (nga Franca).
- Festë kombëtare: 22 nëntori 1943 (data e
pavarësisë).
Pozita Gjeografike
Libani është një nga shtetet arabe të Lindjes së Mesme, që bie në jugperëndim të kontinentit të Azisë. Libani si shtet i pavarur llogaritet shteti më i vogël arab nga sipërfaqja tokësore, ka rreth 10,452 km2. Shteti i Libanit karakterizohet si një vend malor, që shtrihet përgjatë bregdetit malor të detit Mesdhe, me një gjatësi prej 216 km dhe me një gjerësi që aty-këtu lëviz në mes 32 dhe 56 km. Më shumë se një e pesta e vendit ka lartësinë 3000 metra mbi nivelin e detit. Terreni i Libanit, për nga veçoritë fizike, ndahet në tri seksione të ndryshme fiziografike, që janë: territori i fushave bregdetare, territori i rajoneve malore dhe territori mesatarisht i ulët i luginave. Vendi ka disa lumenj, të cilët rrjedhin në territorin libanez. Nga sipërfaqja e tërë, 10.230 km2 i takojnë zonës tokësore dhe 170 km2 i takojnë zonës ujore. Gjatësia e përgjithshme e kufijve tokësorë të vendit arrin deri në 454 km. Shteti i Libanit kufizohet me dy shtete fqinje, nga veriu e lindja kufizohet me Sirinë, në një gjatësi 375 km dhe nga jugu me Palestinën e okupuar, përkatësisht Izraelin, në një gjatësi 79 km. Republika e Libanit, nga ana perëndimore, ka shtrirje në detin Mesdhe dhe vija bregdetare arrin gjatësinë deri në 255 km. Pika më e ulët në shtetin e Libanit është në nivelin e detit, pikërisht në brigjet bregdetare të Mesdheut, kurse ajo më e larta në majat e malit El Karnetu S-sevda, që arrin lartësinë deri në 3088 metra mbi nivelin e detit.(2)
Bazuar në të dhënat e vitit 2010, Libani ka gjithsej 7 aeroporte, prej tyre 5 të asfaltuara dhe 2 të paasfaltuara. Ka dhe një numër të konsiderueshëm të porteve detare, prej tyre më kryesoret: Bejrut, Tripoli dhe Sajda.(3) Libani ka një numër të konsiderueshëm institucionesh të larta arsimore. Prej universiteteve më të njohura në vend janë: universiteti El Imam El Evzai, universiteti el menar, universiteti el Xhinan, Universiteti Islamik i Bejrutit, Universiteti Arab i Bejrutit, Universiteti Islamik në Liban, Universiteti Ndërkombëtar Libanez etj.(4)
Bejruti: Ky qytet ndodhet në bregun lindor të detit mesdhe dhe, sipas statistikave të vitit 2007, popullsia e tij është mbi 2 milionë banorë. Bejruti si qytet është i vjetër dhe antik, përmendet në letrat e lashta "Amarna", që datojnë që nga shekulli XV para erës sonë, si dhe, sipas të dhënave historike, qyteti ishte i banuar që nga kjo kohë. Bejruti, për shkak të pozitës së volitshme gjeografike dhe veçorive të tjera që ka poseduar përgjatë të gjitha kohëve historike, ka qenë në shënjestër të të tjerëve. Edhe në kohën tonë bashkëkohore, shumica e objekteve vitale të industrisë, tregtisë dhe të shërbimeve të përgjithshme të vendit, janë të përqendruara pikërisht në kryeqytet. Përparimi i këtij qyteti gjatë kohëve të ndryshme ishte rezultat i kërkesave sociale, ekonomike dhe demografike të vendit. Bejruti deri në vitin 1746 ka qenë një qytet i thjeshtë, që sundohej nga njëri prej oficerëve turq në kuadër të Perandorisë Osmane. Pastaj, shumë shpejt filloi të përparonte në zhvillimin ekonomik, si rezultat i sigurisë që ishte karakteristikë e këtij qyteti, i angazhimeve të tregtarëve vendas për të avancuar qytetin, si dhe i specifikës së portit detar të qytetit, që ofronte gjithnjë siguri për të gjitha anijet, ngado që të vinin ato. Bejruti gëzon një klimë të butë, që ka karakteristikat e klimës mesdhetare. Temperaturat në këtë qytet, gjatë dimrit, konkretisht në janar, nuk zbresin më shumë se 13 gradë celsius, ashtu sikur nuk ngrihen më lart se 27 gradë celsius gjatë verës së nxehtë, që është në korrik.(5)
Historia e Libanit
Libani, në saje të gjurmëve të vjetra arkeologjike, të zbuluara në rajonet e tij, njihet si një vend antik. Libani ka kaluar nëpër periudha të ndryshme historike, i okupuar nga disa popuj të periudhës para erës sonë, siç ishin: asirianët, babilonasit, ermenasit, persianët, grekët, arabët, osmanlinjtë dhe francezët. Asirianët gjatë viteve 875 - 608 para erës sonë kishin okupuar bregun lindor të Mesdheut dhe mbizotëruan përparimin e fenikasve - popullit autokton të Libanit. Mandej, në fund të shekullit VIII para erës sonë, asirianët u dobësuan, dhe kjo u dha mundësinë babilonasve që të sundonin asirianët si dhe të themelonin një shtet të fortë në Mesopotami. Më pastaj, persianët i dhanë fund sundimit të babilonasve, kur ndërhyrja persiane i bëri fenikasit (banorët e vendit) t'u nënshtroheshin atyre. Mandej, fitoret e mbretit grek Aleksandër, të vitit 333 para erës sonë ndaj persianëve, u përshëndetën nga vendasit fenikas, kështu që fenikasit u ndikuan shumë nga kultura greke, e cila u dha atyre një karakter që i dallonte nga pjesa tjetër e popujve të rajonit. Më vonë, që nga viti 64 p.e.s. romakët ia bashkangjitën perandorisë së tyre dhe i futën nën kontrollin e tyre qytetet fenikase. Këto qytete gëzuan një zhvillim ekonomik e kulturor, dhe banorëve të qyteteve Sajda, Sur dhe Biblus romakët dhanë shtetësinë romake. ndërkaq, që nga viti 395 i erës sonë (kur u bë edhe ndarja e kishës), rajonet e Libanit të sotëm iu nënshtruan romako-bizantinëve. Në shekullin VI të erës sonë, për shkak të tërmeteve, haraçit mizor dhe për shkak të kundërshtimeve fetare, në rajonin e Libanit të sotëm ishte shkaktuar një kaos, dhe kjo kishte dobësuar Perandorinë Bizantine e u kishte hapur rrugën myslimanëve, të cilët vinin nga Gadishulli Arabik. Ebu Bekri r.a. kishte dërguar forcat e tij për të çliruar vendet e Shamit. Në vitin 636 m, komandanti mysliman Halid ibn Velid r.a. kishte mposhtur forcat bizantine në betejën e Jermukut (që konsiderohet prej betejave vendimtare në historinë islame) dhe me atë fitore ishte hapur rruga për myslimanët edhe për çlirimin e vendeve të tjera të Shamit, përfshirë edhe Libanin e sotëm. Pastaj, në kohën e halifit Umer ibn Hatab r.a., Muavije ibn Ebi Sufjani r.a. qe emëruar mëkëmbës i Shamit, i cili përfshinte edhe Libanin. Mëkëmbësi Muavije - i cili vazhdoi të ishte mëkëmbës aty për afro 20 vjet, i cili, në fund, kishte arritur të themelonte Dinastinë Emevite dhe të bëhej halifi i parë i kësaj dinastie -, kishte kërkuar nga banorët e Libanit ndërtimin e anijeve luftarake, në mënyrë që ato anije të përballeshin me anijet luftarake detare të bizantinëve. Më pastaj abasitët, në vitin 750 m, nën kontrollin e tyre kishin marrë Shamin, përfshirë edhe Libanin e sotëm. Në vitin 1516 osmanlinjtë, përmes sulltanit të tyre -Selimit I, morën kontrollin e rajoneve të Libanit dhe të rajoneve malore të Sirisë dhe Palestinës. Më në fund, nga fundi i Luftës I Botërore kontrollin mbi Libanin sdo ta merrte Franca. Ndërkaq, më 22 nëntor 1943 Libani do të shpallte pavarësinë nga Franca, për t'u zyrtarizuar njohja e pavarësisë më 1 janar 1944. Trupat franceze do të tërhiqeshin nga Libani përfundimisht në vitin 1946.
Historia e përhapjes së Islamit në Liban
Libani përfaqëson atdheun e lashtë të fenikasve, mirëpo, që nga kohët e lashta Libani ka qenë pjesë e shteteve të Shamit (Siria, Jordania, Libani dhe Palestina). E dihet që shtetet e shamit para erës sonë kanë qenë nën sundimin e romakëve, dhe, para se të arrinte Islami, që nga viti 395 m kanë qenë nën sundimin e romako bizantinëve. Pas çlirimit të Damaskut më 15 të muajit rexhep 14h / 3 shtator 635 m, në kohën e Umer ibn Hat-tabit r.a. kryekomandanti ushtarak i myslimanëve Ebu Ubejde ibn Xher-rah r.a. ishte nisur në drejtim të Humusit (qytet në Sirinë e sotme), dhe gjatë rrugës ,më 25 rebiul ev-vel 15h / 6 maj 636 m, kishte çliruar Balebekun (qytet në Libanin e sotëm).
Më vonë zotërimet e myslimanëve u shtrinë edhe në pjesë të tjera të Shamit. Mëkëmbësi i Shamit, Muavije ibn Ebi Sufjani r.a., kishte ndërtuar flotën e parë detare islame në brigjet e detit Mesdhe në Liban dhe në vitin 28 h kishte arritur në ujdhesën e Qipros dhe e kishte çliruar atë. Pastaj flota islame u forcua në krahasim me flotën bizantine dhe myslimanët, në vitin 31h / 651 m, arritën të korrnin fitoren më të madhe detare ndaj romako-bizantinëve në betejën Dhatu S-savari, e cila kishte ndodhur në kohën e sundimit të halifit Uthman ibn Af-fanit r.a., kështu që brigjet e Libanit u bënë pikënisje për të sulmuar Kostantinopojën.(7) sipas vlerësimit të historianit të njohur bashkëkohor - Prof Dr. Abdur-rahman Esh-shuxha'ë, pas fitores së myslimanëve në jermuk, shtetet e shamit kishin nevojë për një administratë të mirëfilltë ushtarake, financiare dhe të organizuar, sikurse ishte evidente nevoja e kompletimit të çlirimeve në vendet e tjera të Shamit, qofshin në brigjet e detit Mesdhe ose dhe brenda Shamit, të cilat nuk ishin çliruar ende. Në këto rrethana, në duart e myslimanëve binin njëri pas tjetrit qytetet e Shamit, nga të cilat ishin edhe qytetet e Libanit të sotëm, si Bejruti, Sajda etj.(8) Pra, që nga ajo kohë feja Islame kishte depërtuar në zonat e Shamit dhe po përhapej gradualisht, derisa, me kalimin e kohës, në periudhat historike të mëvonshme i tërë Shami të konsiderohej vend mysliman dhe me shumicë myslimane.
Klima
Libani në përgjithësi gëzon një klimë mesdhetare: stina e verës është e gjatë dhe me diell, kurse stina e dimrit është e shkurtër dhe me temperaturë jo të ulëta. Përveç kësaj, majat më të larta të Libanit janë të mbuluara nga bora gjatë katër muajve të vitit, dhe kjo ofron kushte për zhvillimin e sportit dimëror në gjashtë fusha skijimi. Madje, në stinën e pranverës janë të mundshme njëkohësisht skijimi në disa zona malore të Libanit dhe noti në detin Mesdhe. Temperaturat dimërore gjatë janarit arrijnë afërsisht deri në 13 gradë celsius, kurse ato të stinës së verës nuk janë më të larta se 29 gradë celsius.(9)
Gjendja ekonomike
Libani në fushën ekonomike varet nga iniciativa individuale dhe nga pozita e tij gjeografike, për të kompensuar mungesën e burimeve natyrore. Importet dhe transferet e miliona parave që u dërgojnë familjarëve libanezët që jetojnë jashtë vendit, llogaritet si një shumë e konsiderueshme e të ardhurave kombëtare të vendit. Në saje të mbështetjes së ekonomisë libaneze në shërbimet e përgjithshme, në tregtinë dhe në dy sektorët - bankar dhe financiar, krahas tregut të lirë të monedhës, Libani llogaritet një qendër e njohur tregtare dhe turistike në rajonin e shteteve arabe. Bujqësia zë afërsisht 38% të ekonomisë së vendit, dhe është e orientuar kryesisht në kultivimin e perimeve, grurit, frutave e ullinjve si dhe në blegtori. Ndërsa industria është e përqendruar në disa degë, siç janë prodhimi i çimentos, i kabllove elektrike, i tekstilit dhe i mallrave të konservuara e i metaleve të lehta. Një kohë turizmi ka qenë nga sektorët më të rëndësishëm ekonomikë të vendit, por në një periudhë të caktuar turizmi ka ngecur për shkak të rrethanave politike dhe sociale. Megjithëkëtë, tash Libani është në fazën e aktivizimit të turizmit dhe veprimtarive të tij. Për të forcuar ekonominë libaneze, shteti ka dhënë kontribut të madhe duke ulur taksat mbi të ardhurat dhe mbi shumë prej mallrave të importuara, në mënyrë që të nxiteshin investime të reja në vend. Gjithashtu ka ulur taksat e blerjeve (TVSh-në), duke bërë inkurajimin e lëvizjes tregtare në vend, sidomos gjatë stinës së verës.(10).
_______________________________
*Përqindja e përkatësisë fetare në Liban, që përfshin atë sunite dhe shi-ite nuk është e deklaruar zyrtarisht nga qeveria e vendit, prandaj mund të dallojë nga një burim në tjetrin.
(1) Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 489. Mektebetul Adab, 2007 Kajro.Amir B. Ahmeti; Atlas i botws islame f.91. Logos-a, 2009, Shkup. Vladimir Zoto, Enciklopedi gjeografike e botës, f. 136, 137. Dasara, 2007, Tiranë.
(2)www.moqatel.com
(3) Muhammed Atris, Ibid f. 489.
(4) http://universities.roro44. Com
(5) www.al7ot.com
(6) www.marefa.org
(7) Ahmed Mamur El Usejri; Muxhizu T-tarihil Islami, f. 451. Mektebetul Melik Fehd El Vetanijeti, 1996, bot.1. Ed-demam - Arabi Saudite. (Libër i huazuar nga interneti). Dr. Muhamed Suhej Tak-kush; Et-tarihul islami (elvexhiz), f. 86. Daru N-nefais, 2008 , bot.4, Bejrut, Liban.
(8) Prof. Dr. Abdurrahman Abdul Vahid Esh shuxha'ë; Dirasatun fi ahdi n-nbuv-veti vel hilafeti r-rashide, f. 465, 466, Mektebetul Ihsan, Botimi i 6, 2009 , San'a - Jemen. Dr. Ali Muhammed Muhammed Es-sal-labi; Umer ibn Hat-tabi r.a., f. 576. bot.1 Darul Fexhr lit-turath, 2003 , Kajro
(9) www. emigrants.gov.
(10) www.emigrants.gov.
Mr. Samir B. Ahmeti