Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë organizoi duanë e përbashkët për haxhinjtë që këtë vit do të udhëtojnë drejt vendeve të shenjta për kryerjen e Haxhit.
Aktiviteti u mbajt pas namazit të drekës në Xhaminë e Hadumit, me pjesëmarrjen e imamëve, xhematit dhe familjarëve të haxhinjëve.
Programi nisi me leximin e ajeteve kuranore nga Esat ef. Rexha, ndërsa më pas kryeimami, Visar ef. Koshi, uroi haxhinjtë për një udhëtim të lehtë, të sigurt dhe Haxh të pranuar.
Në vazhdim, Arsim ef. Morina foli për rëndësinë dhe vlerat shpirtërore të Haxhit, duke ndarë edhe udhëzime lidhur me organizimin e udhëtimit drejt Mekës dhe Medinës.
Në përfundim të programit u bë duaja e përbashkët për shëndet, lehtësim gjatë udhëtimit dhe kthim të sigurt të haxhinjve.
Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë uron të gjithë haxhinjtë për një udhëtim të mbarë dhe Haxh të pranuar.



