Tregimet në Kuran zënë një vend të rëndësishëm në strukturën dhe mesazhin e tij, duke shërbyer jo vetëm si rrëfime historike, por edhe si mësime morale, shpirtërore dhe edukative për besimtarët. Përmes ngjarjeve nga jeta e pejgamberëve dhe popujve të mëparshëm, Kurani paraqet modele sjelljeje, paralajmërime ndaj devijimit dhe shpërblime për qëndrueshmërinë në besim. Këto tregime nuk janë të renditura në mënyrë kronologjike, por janë të ndërthurura me ligjërata dhe urtësi, duke u përshtatur me kontekstin e shpalljes dhe nevojat shpirtërore të lexuesit. Nëpërmjet tyre, besimtari mëson për vlerën e sinqeritetit, durimit, drejtësisë dhe për ku sh timit ndaj Zotit. I këtillë është dhe tregimi mbi urdhrin për hz. Ibrahimin që të flijojë Ismailin, birin e tij, që është një nga tregimet më të veçanta në historinë e njerëzimit. Ibrahimi i kishte dhënë një premtim Allahut të Madhëruar dhe, kur erdhi koha, iu kërkua ta për mbushte këtë premtim. Si një i dërguar që mbante edhe titullin "miku (i Zotit)", ai ndjeu peshën e këtij premtimi në zemrën e tij dhe si dëshmi e përkushtimit ndaj Krijuesit të tij, pranoi ta flijojë qenien më të dashur për të - djalin e tij. Kjo sjellje është një shprehje e epitetit të tij "Halilullah" (miku i sinqertë i Allahut).
Rituali i kurbanit
Fjala kurban rrjedh nga fjala "kurb", që do të thotë afrim, të jesh afër dhe afërsi, dhe nënkupton "diçka që bëhet mjet për t'u afruar tek Allahu". Ndërsa si term, nënkupton "ther jen në mënyrë të rregullt të një kafshe që plotëson kushte të caktuara, në një kohë të caktuar, me qëllim adhurimi".(1)
Në Islam, rreth statusit të kurbanit janë dhënë sqarime të ndryshme që dalin nga Kurani famëlartë dhe Suneti i Pejgamberit a.s., dhe në këtë kuadër janë formuar dispozita të detajuara në fushën e fikhut. Kurbani është gjithashtu një adhurim me karakter pasuror, që ndihmon në mbajtjen gjallë të vetëdijes për robërinë ndaj Allahut. Çdo therje kurbani për besimtarët është një kujtim i sprovës që përjetuan hz. Ibrahimi dhe djali i tij, përmes të cilit besimtarët duhet të marrin përvojë e mësim, se si duhet të jenë të vendosur në zbatimin e urdhrave të Zotit, dhe si duhet të jenë të qëndrueshëm në raste të sprovave të ndryshme, e si shembull është besimi dhe zbatimi i urdhrit të Ibrahimit a.s., si dhe durimi dhe respekti i Ismailit a.s.. Në lidhje me këtë ngjarje, në Kuran thuhet: "Zoti im, më dhuro mua (një fëmijë) prej të mirëve! Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm). Dhe kur arriti ai (djali), që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: "O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?" Ai tha: "O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej të durueshmëve!" E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe e përmbysi atë në fytyrë (në ballë). Ne e thirrëm atë: "O Ibrahim! Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët! Vërtet, kjo ishte sprovë e qartë." Ne e shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm. Dhe ndaj tij Ne lamë përkujtim të mirë ndër popujt e ardhshëm. Selam (shpëtim e paqe) pastë Ibrahimi! Kështu, në këtë mënyrë Ne i shpërblejmë bamirësit." (Es Safat, 100-110). Në interpretimin e këtyre ajeteve thuhet se Zoti i Madhërishëm ia bëri të qartë hz. Ibrahimit për fëmijën që do t'i lindte e që do të dallohej me tri veçori: do të ishte djalë, do të arrinte moshën për të qenë i vetëdijshëm në sjellje dhe do të ishte i dëgjueshëm. Kur Ismaili u rrit që t'i bashkohet në punë babait të vet, Ibrahimi a.s. u frymëzua prej Zotit, se duhej ta therte atë. Ai përveç që i tregoi ëndrrën, kërkoi edhe mendimin e djalit, ashtu që puna t'i vijë më lehtë. Ismaili, një djalë i dëgjueshëm dhe i përkushtuar, i tha babait të tij Ibrahimit: "O babai im, zbato urdhrin e Zotit! Nëse do Allahu, do të jem i durueshëm." Pastaj Zoti i Madhërishëm i tregoi hz. Ibrahimit a.s. se ai e kishte për mbushur ëndrrën, dhe atëherë i ati dhe i biri përjetuan një gëzim të madh. E kaluan me sukses këtë sprovë të vështirë dhe Allahu u dërgoi një kurban të madh si zëvendësim.(2)
Andaj Ibrahimi, i dashuri i Zotit, mbeti përkujtim i dalluar ndër të gjithë njerëzit që të gjithë e nderojnë, e lavdërojnë dhe i shprehin mirë njohje.
Aspekti simbolik i flijimit
Një nga çështjet që trajtohet në tregimet e Kuranit dhe që ka rëndësi të veçantë sidomos për lexuesin modern, është dimensioni moral i tregimit të kurbanit, pra pse Zoti i Madhërishëm dëshironte ta sprovojë Ibrahimin a.s. përmes flijimit të fëmijës. Në këtë kontekst, në komentimin e ajetit: "Ne e shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm" (Safat, 107), theksohet se, si ndjenjë e natyrshme njerëzore, edhe Ibrahimi e donte shumë të birin, Ismailin. Për këtë arsye, Allahu e urdhëroi ta flijonte atë, me qëllim që zemra e Ibrahimit të pastrohej nga çdo dashuri tjetër përveç dashurisë për Zotin e Madhërishëm. Dhe si rezultat i gatishmërisë së hz. Ibrahimit a.s. për ta flijuar të birin, Allahu ia solli kënaqësinë e Tij dhe e pengoi flijimin e Ismailit.(3)
Kjo njëkohësisht e bën të qartë faktin se sprovat ekzistojnë për të treguar se ajo që zotërojmë si fuqi, durim, vullnet, besim apo nënshtrim është në të vërtetë më e madhe se sa që mendojmë, dhe në këtë mënyrë na ndihmojnë të zbulojmë kapacitetin tonë të vërtetë. Veçanërisht ndaj sprovave hyjnore, ku nuk duhet të reagojmë me arsyetim, por me një besim të fortë dhe vendosmëri te Krijuesi Fuqiplotë. Ashtu siç shihet në sprovën e Ibrahimit me flijimin e të birit, besimi paraqitet si një përpjekje dhe nismë e thellë që e ngre njeriun mbi atë që është universale, përtej fushës së arsyes dhe etikës. Në këtë kuptim, formimi i besimit shoqërohet pashmangshëm me përjetimin e një dileme, dhimbjeje dhe përvoje sakrifice, ashtu siç e përjetoi Ibrahimi a.s.. Pikërisht ky është kuptimi dhe qëllimi i sprovës: të heqësh dorë nga çdo gjë kalimtare për të arritur atë që është e përjetshme.
Taberiu në komentimin e ajetit kuranor: "O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej të durueshmëve!", thekson se përgjigjja që mori nga i biri, ishte përgjigjja që Ibrahimi e kishte shpresuar. Ishte një përgjigje aq e mbushur me dorëzim dhe pjekuri, sa i përshtatej vetëm gojës së një fëmije që ishte i destinuar të bëhej i dërguar në të ardhmen. Por edhe hz. Ibrahimi a.s., përveç që ishte i dërguar i Zotit, në të njëjtën kohë, ai ishte edhe një baba i mëshirshëm, zemra e të cilit rrihte nga dashuria për të birin. Babai, duke i mbajtur dorën të birit, nisi të ecte drejt vendit ku do të përmbushte urdhrin hyjnor. Kurse shejtani, duke e parë këtë skenë nga larg, pa një mundësi të artë. A mund të kishte një rast më të përshtatshëm për ta larguar një baba, një fëmijë apo një nënë nga bindja ndaj urdhrit të Allahut? Por hz. Ibrahimi, me largpamësinë e një të dërguari e kuptoi menjëherë çfarë po ndodhte. I hodhi shejtanit shtatë gurë. Por, ai nuk hoqi dorë, fliste për ta penguar, përpiqej t'i priste rrugën. Pas pak u shfaq sërish përpara tyre. Por hz. Ibrahimi nuk i dha hapësirë, i hodhi edhe shtatë gurë të tjerë. Dhe më pas, kur shejtani nuk tregoi asnjë shenjë tërheqjeje, i hodhi edhe shtatë gurë të fundit. Edhe sot, gjuajtja e shejtanit nga ana e haxhilerëve dhe vendet e njohura si "xhemre" janë një ripërjetim i kësaj ngjarjeje historike.(4)
Ajo që e bën flijimin e Ibrahimit të çmuar, nuk është akti i mbajtjes së mjetit për të flijuar të birin, por pikërisht dilema që ai përjetoi gjatë atij udhëtimi dhe besimi i lartë e nënshtrimi i thellë që arriti si rezultat i saj. Sipas këtij këndvështrimi, sprovat janë mundësi që, përmes heqjes dorë, na japin mundësinë të shfaqim vetveten. Prandaj ato janë çështje të besimit, jo të arsyes apo të etikës; për këtë arsye, është e pashmangshme që të bien ndesh me normat e arsyes dhe të moralit, madje edhe të i sfidojnë ato.
Në urdhrin për ta flijuar të birin, përveçse synohej të provohej dorëzimi, durimi dhe sinqeriteti i hz. Ibrahimit dhe i të birit, qëllimi ishte edhe zhdukja e zakonit të flijimit të njerëzve, që ishte i përhapur në atë kohë. Allahu i Lartësuar, përmes kësaj sprove të madhe, e rrëzoi plotësisht mitin e flijimit të fëmijëve, një praktikë e trilluar nga njeriu në rrjedhën e historisë, si pasojë e largimit nga udhëzimi hyjnor. Kjo ngjarje nuk kishte për qëllim vetëm arritjen e kënaqësisë së Zotit, por edhe vendosjen e hz. Ibrahimit si një model shembullor për brezat që do të vinin më pas. Ai do të përmendej gjithmonë me paqe dhe dashuri, ndërsa plotësia e besimit të tij do të mbetej një pikë referimi për të gjithë besimtarët. Megjithatë, tek Ibrahimi mbeti gjithmonë e njëjta përulësi dhe e njëjta lutje e sinqertë: "O Zoti im! Më bëj mua nga ata që falin namazin, e edhe prej pasardhësve të mi dhe pranoje lutjen time, o Zoti ynë! Zoti ynë! Më fal (gabimet) mua dhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria." (Ibrahim, 40-41).
________________________
1. El Ferahidi, Kitabu'l-Ajn, V/152.
2. Razi, Mefatihu'l-Gajb, XXIV/154; Ibën Kethiri, Kisasu'l-Enbija, I/110.
3. Tusteri, Tefsiru'l-Kurani'l-Adhim, 229.
4. Taberi, Xhamiu'l-Bejan, XXI/81.
Dituria Islame 415