Ne, udhëheqësit fetarë të Kosovës - Bashkësia Islame, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Kisha Protestante Ungjillore dhe Bashkësia Hebraike - që përfaqësojmë bashkësi të ndryshme fetare, riafirmojmë përkushtimin tonë të përbashkët për paqen, dinjitetin njerëzor dhe respektin ndërmjet të gjithë njerëzve.
Ne e njohim rëndësinë e vlerave demokratike dhe nevojën për një klimë publike të përgjegjshme, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë akterëve politikë, institucioneve dhe qytetarëve që të respektojnë parimet në vijim:
1. Gjuha e respektit dhe dinjitetit
Kërkojmë përdorimin e një gjuhe të respektueshme dhe të matur në debatin publik; ndalimin e fyerjeve, poshtërimit dhe sulmeve personale ndaj të tjerëve; si dhe një kulturë dialogu të bazuar në dinjitet dhe respekt të ndërsjellë.
2. Respekti për gratë dhe vajzat
Kërkojmë tolerancë zero ndaj gjuhës seksiste ose mizogjene; refuzim të stereotipeve të dëmshme dhe sulmeve të bazuara në gjini; si dhe respekt të barabartë, zë dhe pjesëmarrje për gratë dhe vajzat në jetën publike.
3. Refuzimi i gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes
Kërkojmë mospërdorimin e gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve apo nxitjes së dhunës; respekt për diversitetin etnik, fetar dhe social; si dhe përpjekje aktive për të mbrojtur paqen shoqërore dhe besimin ndërmjet komuniteteve.
4. E vërteta dhe integriteti në jetën publike
Kërkojmë ndershmëri dhe saktësi në komunikimin publik; refuzim të dezinformimit dhe manipulimit; si dhe respekt për ligjin dhe standardet demokratike.
5. Komunikim i përgjegjshëm
Kërkojmë sjellje etike në media dhe në platformat sociale; ndalimin e abuzimit online, bullizmit dhe gjuhës poshtëruese; si dhe udhëheqje që vendos një ton të qetë dhe të përgjegjshëm.
6. Përgjegjësi e përbashkët
U bëjmë thirrje të gjithë liderëve dhe qytetarëve të respektojnë këto parime gjatë gjithë periudhës zgjedhore; të udhëheqin të tjerët përmes shembullit; dhe të punojnë së bashku për të mbrojtur strukturën demokratike dhe shoqërore të Kosovës.
Si udhëheqës fetarë, ne flasim me një zë për këtë: fjalët kanë rëndësi. Ato formësojnë sjelljen. Ato ndajnë ose bashkojnë. I bëjmë thirrje të gjithëve në jetën publike të zgjedhin respektin, të vërtetën dhe përgjegjësinë.