Këshilli Kantonal i St. Gallenit në Zvicër ka miratuar një mocion ndërpartiak që do të çojë në ndalimin e mbajtjes së shamisë për mësueset në shkollat publike.
Debati nisi gjatë verës së vitit 2025, kur prindërit në komunën Eschenbach kundërshtuan punësimin e një mësueseje të re e cila donte të jepte mësim duke mbajtur shami. Në fund, shkolla vendosi të mos e punësojë atë.
Pas këtij rasti, deputetë nga të katër grupet parlamentare në kanton paraqitën një mocion, duke kërkuar sqarimin e kuadrit ligjor lidhur me simbolet dhe veshjet fetare në shkollat publike.
Sipas mocionit të miratuar, Ligji për Shkollat Fillore do të ndryshohet për të ndaluar mbajtjen e "veshjeve ose simboleve me motivim fetar nga mësuesit" në institucionet publike arsimore.
Qeveria kantonale mbështeti kërkesën, por propozoi që ndalimi të zbatohej vetëm në shkollat fillore. Megjithatë, pas debatit parlamentar, Këshilli Kantonal e miratoi mocionin me 70 vota pro dhe 46 kundër.
Tashmë, qeveria e kantonit ka detyrën të hartojë ndryshimet përkatëse ligjore që do ta formalizojnë këtë ndalim.
Ndërkohë, debati mbi përdorimin e shamisë në Zvicër vazhdon edhe në nivel federal. Në mars të vitit 2026, Partia Popullore Zvicerane (SVP), e krahut të djathtë, propozoi ndalimin e mbajtjes së hixhabit nga vajzat nën moshën 16-vjeçare, një çështje që pritet të diskutohet në Parlamentin zviceran.