Babai mysliman shpëton vajzën 3-vjeçare që rrezikonte të binte nga dritarja

 


Një mysliman nga Kerala, Indi, është vlerësuar si hero, pasi shpëtoi një vajzë trevjeçare që rrezikonte të binte nga dritarja e katit të dytë të një ndërtese në East London.
Ngjarja ndodhi në Ilford, mbi një rrugë tregtare të mbushur me njerëz, ku dëshmitarët panë vajzën të varur në dritare. Fëmija po përpiqej të mbahej, ndërsa poshtë ishte mbledhur një turmë e shqetësuar të cilët kishin njoftuar shërbimet e emergjencës.
Mohamed Jesil, baba i dy fëmijëve, reagoi menjëherë kur pa rrezikun. Ai arriti ta kapte vajzën gjatë rënies duke shmangur një tragjedi të mundshme.
Në një intervistë për Metro UK, ai tha se veproi instinktivisht: "Nxitova pa menduar. Si baba, thjesht reagova." Ai shtoi se nuk e konsideron veten hero: "Nuk isha i frikësuar, thjesht veprova si çdo prind."
Jesil gjithashtu tha se përvoja e tij me kriket në Indi mund ta ketë ndihmuar në momentin kritik: "Luajta kriket, kështu që ndoshta më ndihmoi në përqendrimin dhe kapjen."
Pamjet e incidentit janë shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale, duke e bërë ngjarjen virale dhe duke nxitur vlerësime për reagimin e tij të shpejtë.



Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë Barjami në Prishtinë - Intervistë me qytetarët