Metodologjia e Pejgamberit a.s. në zgjidhjen e problemeve

 


Islami është feja e shpirtit dhe e trupit, feja e xhamisë dhe e rrugës, feja që të gjendet në rast gëzimi dhe në rast hidhërimi. Shkurt, Islami është feja e njeriut si krijesë, i cili ka të mira e të këqija, ka dobësi, probleme dhe halle; Islami është feja e natyrës së vërtetë njerëzore. Nuk ka pasur pejgamber, që përveç ftesës për besim të pastër në Zotin e Madhërishëm dhe paralajmërimit që të mos i bëhet ortakëri Atij, e që nuk e ka pasur për detyrë edhe zgjidhjen e problemeve sociale të kohës së tij.
S'ka dyshim se shoqëria njerëzore ka ndryshuar shumë, së këndejmi edhe shoqëria e sotme nuk është ajo e kohës së Muhamedit a.s.. Nga ana tjetër, të mos harrojmë se njeriu është po ai njeri, me të njëjtin shpirt, nefs e dëshira dhe, në esencë, problemet janë pak a shumë të njëjtat, edhe pse në dukje të ndryshme. Prandaj, metodologjia e Pejgamberit a.s., në trajtimin e këtyre problemeve do të mbetet më e sakta dhe më e mira, se fundja ai ishte pejgamber i Zotit, dhe si i tillë i korrigjonte dobësitë dhe të metat e njerëzve.
Si i zgjidhte Muhamedi, a.s. problemet e njerëzve:
Zoti i Madhëruar në Kuran na porositë që të ndjekim shëmbëlltyrën e Pejgamberit a.s., duke thënë: "Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut,…"(1) Në vazhdim do të përpiqemi t'i përmendim disa veçori të metodës pejgamberike në trajtimin e problemeve sociale, që të na shërbejnë si një rrugë për ne dhe problemet e shoqërisë sonë.


1. Besimi në Zot është ilaçi më i fortë


Pejgamberi a.s., e dinte se e mira dhe e keqja burojnë nga brendia e njeriut, e dinte se edhe reforma duhet nisur dhe zhvilluar po brenda njeriut. Ai e dinte mirë se çdo njeri ka një derë nga mund të depërtosh në brendësinë e tij, ashtu siç çdo derë e ka një çelës.
Dera që përdori i Dërguari i Zotit ishte zemra e njeriut dhe çelësi që e hap atë derë, pa qenë nevoja ta thyesh, është besimi i shëndoshë në Zotin xh.sh.. Mos të harrojmë për asnjë çast, se shoqëria ku jetonte Pejgamberi a.s., nuk ishte pa probleme sociale! Njerëzit që e rrethonin, pos tjerash, ishin viktima të gjakmarrjes qindravjeçare; burrat e asaj kohe ishin të varur nga alkooli dhe vera që konsumoheshin pa masë, gratë dhe vajzat shiheshin më shumë si barrë e sikletshme e familjes dhe e shoqërisë, sesa si njerëz me shpirt. Në atë shoqëri kishte jo pak imoralitet, lojëra bixhozi, fajde, konflikte dhe hasmëri. Mirëpo Pejgamberi a.s., gjithë betejën e nisi nga mbjellja e besimit të shëndoshë. Ai u tregoi atyre se kush ishin ata e kush ishte Krijuesi i tyre, pse kishin ardhur në këtë botë e ku do të shkonin pas vdekjes…Kur ky besim filloi të mbijë e të lulëzojë, ata vetë e braktisën alkoolin,(2) për arsye se e kuptuan që është nëna e të këqijave,(3) e lanë hasmërinë që ua kishte prishur jetën dhe në vend të saj pranuan vëllazërinë,(4) braktisën bixhozin e kamatën dhe i hynë punës, iu larguan imoralitetit(5) dhe iu afruan më shumë familjes…
Duke u bazuar mbi këto fakte të prekshme, edhe njerëzit tanë, kur ta hapin derën e besimit, doemos pastaj do të shpëtojnë njëherë e mirë nga alkooli dhe droga, sepse diçka tjetër do t'ua mbushë jetën. Kështu, do t'i trajtojnë ndryshe prindërit e tyre, kur ta marrin vesh se pas respektit të Zotit vjen respekti ndaj prindërve,(6) do t'i zgjidhin më me qetësi problemet e familjes, pa përdorur dhunë e konflikt, sepse do ta kuptojnë që familja është gjëja më e shtrenjtë, dhe të shtrenjtën duhet ta mbash e jo ta thyesh…


2. Mësimi para qortimit


Pejgamberi a.s., ishte mësues, dhe mësuesi shpjegon para se të qortojë. Ai ishte dërguar "mëshirë"(7) dhe i mëshirshmi mundohet të rregullojë, e jo të prishë e demaskojë. Kur njerëzit i shfaqnin gabimet para tij, ai ishte mësuesi e mjeku, që në fillim ua shëronte mendjen me sqarim, e pastaj zemrën me lutje dhe dua. Kështu e bindi djalin e ri i cili kërkonte t'i lejohej imoraliteti, duke i thënë se çdo grua është nëna, motra, halla apo tezja e dikujt(8) dhe ky "dikushi" nëse është normal, nuk e dëshiron imoralitetin në rrethin familjar. Kështu e mësoi beduinin arab që urinoi në xhaminë e tij(9) duke i thënë se xhamitë janë ndërtuar për adhurim dhe lutje e jo për kryerje nevojash personale. Edhe burrave që e kishin për turp kur ju lindte vajzë, duke ju thënë se ai njeri që rrit dhe edukon vajza, ai meriton xhenetin e Zotit... Pejgamberi a.s., ua ndryshoi konceptet atyre që abuzonin me pasurinë e jetimit, duke ju thënë se kush mbështet jetimin, qoftë dhe me një ledhatim në kokë, do të jetë përkrah Pejgamberit a.s. në xhenet, duke e demonstruar me dy gishtërinjtë.(10) Pra, kështu gjithmonë duke i mësuar njerëzit se ajo që po bëjnë nuk ishte e drejtë, dhe se Zoti dëshironte për ta diçka më të mirë, Pejgamberi a.s., u bë mësuesi e mjeku i secilit.
Prandaj, edhe në shoqërinë tonë, një fjalë e ngrohtë e një këshillë e sinqertë, që ju thuhet njerëzve me probleme sociale, do të ketë ndikim për të mirë, shumë më tepër sesa fjalë të këqija, që mesa duket po kanë efekt nxitës për keq dhe efekt jo parandalues. Sado e vogël qoftë, e mira shpërblehet. Sigurisht se është gjë e bukur kur Zoti të mundëson të bësh një të mirë, e është edhe më bukur kur me atë të mirë ke zgjidhur hallin e dikujt tjetër...Kështu ke kënaqur Zotin dhe e lehtëson jetën e njeriut...
Abdullah ibën Mubareku ishte dijetar dhe pasanik i madh... Çdo dy vjet ai shkonte në haxh. Në një nga udhëtimet drejt shtëpisë së Zotit, pasi kishte kaluar një distancë të madhe nga rruga, e pa një grua që kishte mbështjellë nën sqetull një pulë të ngordhur...Ibën Mubareku e ndali dhe e pyeti gruan pse po e bënte një gjë të tillë, ajo iu përgjigj se fëmijët e saj kishte kohë që e kishin harruar aromën e mishit të zier në shtëpi... Dijetari, që njihte drejt qëllimet madhore të fesë dhe e kuptonte se kur e mira kishte më shumë vlera, pa hezituar urdhëroi shërbëtorët që të mbajnë aq para sa për t'u kthyer në shtëpi e të gjithë pjesën tjetër t'ia jepnin asaj gruaje... Pastaj, ai ngriti duart drejt qiellit dhe u lut: "O Zot! Pranoje prej robit Tënd haxhin e këtij viti"


3. Nevoja për alternativë


Njeriu është i tillë që, nëse nuk angazhohet me punë të mira, do angazhohet me të këqija. Zemra e njeriut është si ena, që nëse nuk mbushet me vlera, vetvetiu do mbushet me antivlera, mirëpo bosh nuk mbetet asnjëherë. Për këtë arsye, fryma që ka përdorur Kurani famëlartë dhe metodologjia e Pejgamberit a.s., ka qenë mosmjaftimi me ndalesa, ashtu që sjellja gjithmonë të jetë një alternativë më e hairit nga ajo që është ndaluar. Kur Zoti ndaloi alkoolin, i lejoi me dhjeta a qindra pije të tjera që nuk dehin. Kur Pejgamberi a.s., kritikoi "lypjen" dhe shtrirjen e dorës, mori në dorë një sëpatë, pasi e kishte rregulluar vetë ai dhe ia dha lypësit, që me atë sëpatë të punoj, të paktën për dy javë rresht. Kur ndaloi kamatën nxiti tregtinë, kur ndaloi imoralitetin nxiti për martesën. Po ashtu, kur ndaloi racizmin urdhëroi për drejtësi të prekshme sociale, e kështu me radhë. Njerëzit shpesh edhe vetë e konstatojnë të mirën, por janë të dobët për ta pranuar, si dhe shpesh e konstatojnë të keqen, mirëpo janë të dobët për ta braktisur. Atij që është duke u mbytur nuk i mjafton vetëm qortimi pse hyri në ujë kur s'dinte të notonte, por i duhet një dorë që e tërheq dhe e shpëton nga rreziku. Mendoj se kjo është fryma kuranore dhe profetike dhe kjo duhet të jetë metoda që duhet të përdorim në trajtimin e problemeve tona sociale...


_______________________________________
1. El Ahzab, 21
2. El Maide,90.
3. El Bejhekij, në Shu'bul iman, 5586.
4. El Huxhurat, 10.
5. El Isra, 32.
6. En Nisa, 36.
7. El Enbija, 107.
8. Ahmedi, 256
9. Buhariu, 221.
10. Tirmidhiu, 1918.


 


Dituria Islame 390


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Shkolla Verore mirëpret fëmijët nga data 6 korrik