Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim atasheun për Çështje Fetare të Ambasadës së Republikës së Turqisë në Kosovë, z. Kadir Dinç.
Me këtë rast, Myftiu Tërnava e uroi z. Dinç për marrjen e detyrës së re, duke i dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme në mision e ri.
Gjatë takimit, Myftiu Tërnava e njohu atasheun me veprimtarinë, organizimin dhe angazhimet e Bashkësisë Islame të Kosovës në fushën fetare, arsimore, kulturore dhe humanitare, si dhe me projektet që BIK-u zhvillon në shërbim të besimtarëve dhe të shoqërisë në përgjithësi. Ai shprehu gatishmërinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të deritanishëm me institucionet përkatëse të Republikës së Turqisë, duke vlerësuar lart marrëdhëniet tradicionale të miqësisë dhe mirëkuptimit ndërmjet dy popujve.
Po ashtu, Myftiu Tërnava, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Turqisë dhe institucionet e saj u kanë dhënë Bashkësisë Islame të Kosovës ndër vite, veçanërisht në realizimin e projekteve me rëndësi për jetën fetare, arsimore dhe institucionale të BIK-ut.
Nga ana e tij, atasheu për Çështje Fetare, z. Kadir Dinç, fillimisht përcolli selamet e kryetarit të DIJANET-it, prof. dr. Safi Arpagush, e më pas e falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen e ngrohtë dhe vlerësimin e shprehur, duke theksuar përkushtimin e tij për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Bashkësinë Islame të Kosovës.
