Dispozitat e synetisë së fëmijës në të drejtën islame (el-hitanu)

 


"Transmetohet nga Ammar bin Jaser r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Prej veprimeve të natyrshme janë: shpërlarja e gojës, shpërlarja e hundës, shkurtimi i mustaqeve, përdorimi i misvakut (larja e dhëmbëve me misvak brushë), shkurtimi i thonjve, rruarja e nënsqetullave, rruarja e vendeve të turpshme dhe synetia".(1)


Feja islame është fe që u përgjigjet rrethanave të çdo kohe dhe të çdo vendi. Sheriati islam gjithmonë i ka kushtuar kujdes natyrshmërisë së pastër të njeriut dhe kujdeset për të ruajtur pastërtinë shpirtërore dhe trupore të tij. Prandaj, duke e shikuar dhe analizuar hadithet e të Dërguarit a.s, të cilat flasin për synetinë, shohim se sa kujdes i ka kushtuar Islami këtij veprimi shumë të arsyeshëm. Në shpjegimin e këtyre dispozitave që kanë të bëjnë me synetinë a me përgëzimin e lindjes së fëmijës, ose me thirrjen e ezanit në veshin e tij, apo me prerjen e kurbanit për lindjen e tij, a me rruarjen e kokës së tij, ose të dispozitave të vënies së emrit, ose me detyrimin e bërjes synet…- të gjitha këto dispozita janë shpjeguar për një të vërtetë shumë të rëndësishme, që është: mirëmbajtja dhe përkujdesja për fëmijën qysh nga lindja, duke pasur kujdes për të qysh prej çastit kur vjen në këtë botë dhe fillon jetën këtu. Këto janë dispozita shumë të rëndësishme, në mënyrë që fëmija të jetë i shëndoshë dhe i fuqishëm, derisa të vijë koha që ai të hapë sytë dhe të shohë se çfarë e rrethon atë, të kuptojë realitetin dhe shumë gjëra që i ka gjetur në familjen myslimane, e cila e praktikon Islamin, punon sipas Sheriatit islam dhe është e angazhuar për të, duke i zbatuar obligimet e tyre që ka përcaktuar feja e drejtë islame dhe Pejgamberi a.s.. Pa dyshim, kur të arrijë t'i kuptojë këto obligime, fëmija do ta djë se prindërit e tij, si babai dhe nëna, i kanë kryer këto detyrime ndaj tij, ngase në shpirtin e tij është mbjellë Islami, besimi i drejtë dhe se i është dhënë edukata dhe morali më i dobishëm e më i përpiktë.


Argumentet që vërtetojnë ligjshmërinë e synetisë


Argumentet që argumentojnë ligjshmërinë e synetisë, janë hadithet e të Dërguarit a.s. të cilat janë shumë, po ne po përmendim vetëm disa prej tyre:
-Transmetohet nga Ammar bin Jaser r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Prej veprimeve të natyrshme janë: shpëlarja e gojës, shpëlarja e hundës, shkurtimi i mustaqeve, përdorimi i misvakut (larja e dhëmbëve me misvak brushë), shkurtimi i thonjve, rruarja e nënsqetullave, rruarja e vendeve të turpshme dhe synetia".(2)
-Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Veprime të natyrshme janë pesë: synetia, rruarja e vendeve të turpshme, shkurtimi i mustaqeve, shkurtimi i thonjve dhe rruarja e nënsqetullave".(3) Transmetohet nga Uthejm bin Kulejbi, nga babai i tij, nga gjyshi i tij, se ai kishte shkuar të Pejgamberi a.s. dhe i kishte thënë: E kam pranuar Islamin. E Pejgamberi a.s. i kishte thënë: "Rruaje kokën nga flokët e mosbesimit dhe bëhu synet".(4)


Norma e synetisë


Juristët islamë kanë divergjenca në mes tyre rreth Faktit nëse synetia është vepër e obliguar apo e rekomanduar. Disa janë të mendimit se synetia është vepër e rekomanduar (mustehab). Të këtij mendimi janë: imam El-Hasan el Basriju, imam Ebu Hanife dhe disa dijetarë hanbelinj. Këta mendimin e tyre e mbështesin në transmetimin e imam Ahmedit nga Shidad bin Eusi r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Synetia për meshkuj është vepër e ligjësuar, ndërsa për femrat është e rekomanduar",(5)
Ata përmendin si argument po ashtu edhe faktin se Pejgamberi a.s. synetinë e ka përmendur në hadith krahas veprimeve që është e rekomanduar të zbatohen, si: shkurtimi i thonjve, rruarja e nënsqetullave etj.. Kjo argumenton se synetia nuk është vepër e obliguar po e rekomanduar (sunnet-mustehab). Gjithashtu këta dijetarë mbështeten në atë që ka thënë imam el-Hasen el-Basriju: (Para Pejgamberit a.s,. e kishin pranuar Islamin disa njerëz: të zinj, të bardhë, bizantinë, persianë, etiopas… dhe asnjërin prej tyre nuk e kishte kontrolluar nëse ishte i bërë synet. E sikur të ishte synetia obligim, Pejgamberi a.s. nuk do të pranonte Islamin e tyre pa u bërë synet.
Kurse nga dijetarët që mendojnë se synetia është obligim, janë: Sha'biju, Rebia, Euzaiju, Jahja bin Sead el-Ensariju, Maliki, Shafiu dhe Ahmedi. Më kategoriku për këtë ka qenë imam Maliku, kur ka thënë: (atij që nuk është bërë synet, nuk i lejohet të dalë imam dhe nuk i pranohet dëshmia).
Këta dijetarë mendimin e tyre - se synetia është obligim, e mbështesin në argumente të shumta, e ne do të përmendim vetëm disa prej tyre:
(a) Transmetohet nga Uthejm bin Kulejbi, e ky nga babai i tij, nga gjyshi i tij, se ai kishte shkuar te Pejgamberi a.s. dhe i kishte thënë: E kam pranuar Islamin. E Pejgamberi a.s. i kishte thënë: "Rruaje kokën nga flokët e mosbesimit dhe bëhu synet".(6)
(b) Transmeton Harbi nga Zuhriju se Pejgamberi a.s.. ka thënë: "Kush e pranon Islamin, le të bëhet synet edhe nëse është i rritur". Ky hadith, edhe nëse është i dobët, vlen për të përforcuar kuptimin e haditheve të tjera.
(c) Transmeton Veki'a nga Salimi, nga Amr bin Hereme, nga Jezid nga Ibn Abbasi r.a. i cili ka thënë: "Ai që është i pa bërë synet nuk i pranohet namazi dhe nuk hahet mishi i shtazës që e ka there ai".
(ç) Transmeton El-Bjehekiu nga Musa bin Ismaili, ai nga Aliu r.a,. i cili ka thënë: E kemi gjetur në dorëzën e shpatës së Pejgamberit a.s., të shkruar: "Ai që është i pabërë synet, nuk pranohet në islam derisa të bëhet synet".
(d) Hitabiju ka thënë: (Për sa i përket synetisë, edhe nëse është përmendur në veprat e rekomanduara, konsiderohet si vepër e obliguar nga shumica e dijetarëve, ngase syneti është një simbol i fesë dhe se me të njihet myslimani dhe pabesimtari. Kur ndodh që në mesin e të mbyturve të pabërë synet të gjendet dikush që është bërë synet, atij duhet t'i falet namazi dhe ai të varroset në varrezat e myslimanëve).
(dh) Juristët që mendojnë se synetia është obligim, arsyetohen kështu: (Ai që është i pabërë synet, gjithmonë i ekspozohet mundësisë që të mos jetë i pastër për namaz, ngase lafsha e penisit e mbulon atë krejtësisht dhe kështu mund të mbetet urina aty dhe ai të mos mund të pastrohet. Nga kjo kuptohet se vlefshmëria e pastërtisë dhe e faljes së namazit është e dyshimtë nga ai që nuk është bërë synet. Për këtë arsye shumica dijetarëve të hershëm dhe të vonshëm mendojnë se atij personi nuk i lejohet të dalë imam për xhematin. e, për sa i për këtë namazit të tij, ai konsiderohet vetëm si person që ka arsye, d.m.th. është si ai të cilit i rrjedh urina pandërprerë).
(e) Ka thënë Allahu xh.sh.: "Pastaj, ty të shpallëm: "Ndiqe fenë e drejtë të Ibrahimit…".
Pejgamberi a.s. dhe Ymeti i tij janë të urdhëruar që të ndjekin Sheriatin e Ibrahimit a.s.. Dihet fare mirë se synetia ishte përcaktuar në Sheriatin e Ibrahimit a.s.. Këtë e vërteton transmetimi nga Ebu Hurejra r.a., se Pejgamberi a.s.,. ka thënë: "Vërtet Ibrahimi a.s. ishte bërë synet kur ishte tetëdhjetë vjeç".(7) Ndërsa në një transmetim tjetër gjejmë: "Ibrahimi a.s. është i pari që kishte pritur mysafirë, i pari që kishte veshur të linjta të shkurtra (prej kërthizës deri te gjunjët), i pari që ishte bërë synet dhe synetia vazhdoi të zbatohej nga pejgamberët e tjerë dhe ithtarët e tyre, deri me Shpalljen që i erdhi Muhammedit a.s.).
Transmetohet nga Ebi Ejubi r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Katër gjëra janë prej traditave të pejgamberëve: synetia, përdorimi i aromave të këndshme, përdorimi i misvakut dhe martesa".(8)
Këto hadithe e shpjegojnë qartë se synetia është vepër e obliguar, ndërsa, për sa i përket mendimit se synetia është vepër e rekomanduar, këtë e kanë kundërshtuar këta dijetarë në këtë mënyrë:
- Për hadithin me të cilin argumentojnë se synetia është vepër e rekomanduar: "synetia për meshkujt është vepër e ligjshme, ndërsa për femrat është e rekomanduar", dijetarët e hadithit kanë thënë se është hadith i kategorisë së dobët për shkak se ka dobësi në zinxhirin e transmetimit-sened. Është rregull e njohur për juristët islamë se me hadith të kategorisë së dobët nuk vendosen dispozita në Sheriatin islam. Por, nëse mendojmë se hadithi është i vërtetë, atëherë duhet kuptuar se Pjegamberi a.s., kur ka përmendur zbatimin e synetisë, ka pasur për qëllim obligueshmërinë, sepse, kur thotë: "Synetia është vepër e ligjshme për meshkuj…", ka për qëllim ligjshmërinë e synetisë.
- Argumentimi se Pejgamberi a.s. e ka përmendur synetinë bashkë me disa veprime të tjera, që rekomandohet të zbatohen, është argumentim jo i drejtë, ngase cilësitë e përmendura në hadith nuk janë të gjitha që rekomandohet të kryhen, po prej tyre ka edhe të tilla që janë të obliguara të kryhen, si: larja e gojës dhe e hundës, kur të pastrohemi nga papastërtia. Po ashtu prej cilësive të përmendura ka që janë të rekomanduara për t'u zbatuar, si: përdorimi i misvakut, shkurtimi i thonjve - që nganjëherë është obligim - për të qenë e vlefshme pastërtia, ngase, kur të rriten shumë, atëherë midis mishit e thoit ngel ndyrësira dhe nuk mund të pastrohet. Pra, nga ky hadith del qartë se aty përfshihen vepra, zbatimi i të cilave është i rekomanduar (mustehab), dhe të tilla zbatimi i të cilave është i obliguar (farz-vaxhib).
- Për sa i përket argumentimit të tyre me fjalën e el-Hasen el-Basriut: (Se njerëzit e kanë pranuar Islamin para Pejgamberit a.s., e ai nuk i ka kontrolluar asnjërin prej tyre nëse janë bërë synet), përgjigjja është kjo: Nuk ka qenë nevoja të kontrollohen nëse ishin bërë synet, ngase arabët e atëhershëm, që të gjithë, bëheshin synet, jehudinjt që të gjithë bëheshin synet dhe vetëm të krishterët për sa i përke synetisë, ishin të ndarë në dy grupe: një grup prej tyre bëheshin synet, kurse tjetri grup nuk bëheshin synet. Ata që e pranonin islamin në atë kohë, e dinin shumë mirë se simboli i Islamit ishte të bërët synet dhe të tillët që pranonin Islamin, nxitonin të bëheshin synet, sikurse nxitonin të pastroheshin.(9)
Këtë mendim e përforcon edhe Ibn el-Kajjimi, kur thotë se njerëzit nxitonin të bëheshin synet pasi hynin në islam sikurse nxitonin për t'u pastruar nga papastërtia. Ky mbështetet në hadithin që transmeton Uthejm bin Kulejbi, i cili është përmendur më sipër, se gjyshi i tij kishte shkuar te Pejgamberi a.s. dhe i kishte thënë: E kam pranuar Islamin. Pejgamberi a.s. i ishte drejtuar: "Rruaje kokën nga flokët e mosbesimit dhe bëhu synet". Po ashtu këtë mendim e përforcon edhe hadithi i transmetuar nga Zuhriju, të cilin e kemi përmendur më sipër, se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kush e pranon Islamin, le të bëhet synet edhe nëse është i rritur".
Pejgamberi a.s. Ymetin e vetë e udhëzonte gjithmonë për vepra, nga të cilat ka dobi e lumturi dhe që i dallon nga të tjerët. Mirëpo, Pejgamberi a.s. nuk ishte i urdhëruar që t'i kontrollonte ata që hynin në Islam, ngase hyrjen në Islam e pranonte duke gjykuar nga ana e jashtme, e, për sa u përket atyre të fshehtave, ato ia ka lënë allahut xh.sh.(10)
Shënim: Sipas mendimit të hanefitëve, është mekruh (vepër e urrejtur) të bërët synet në ditën e lindjes dhe në ditën e shtatë të lindjes, kurse sipas shafiitëve, të bërët synet në ditën e shtatë të lindjes është vepër e rekomanduar (mustehab). Këta mendimin e tyre e mbështesin në transmetimin e përcjellë nga Aisheja r.a., se i Dërguari a.s., Hasanin dhe Hysejnin i kishte bërë synet në ditën e shtatë të lindjes së tyre.(11) Ndërkaq, sipas medhehebit maliki është e rekomanduar që synetia të bëhet nga mosha shtatë e dhjetë vjeç.(12)
Në disa vise islame, sidomos në ato ku mbretërojnë temperatura të larta, praktikohet bërja synet edhe e femrave dhe juristët myslimanë janë unanimë se të bërët synet për femra është vepër e rekomanduar po jo e obliguar, me përjashtim të imam Ahmedit, i cili në njërin prej transmetimeve të tij shpreh mendimin se edhe për gratë është obligim synetia sikurse është për meshkujt, ndërsa në një transmetim tjetër përmendet se ai mendon që për meshkuj është obligim e për femra jo. Me këtë transmetimin e dytë, imam Ahmedi shfaq të njëjtin mendim me të gjithë dijetarët dhe juristët islamë, se synetia për femra është vepër e rekomanduar (mustehab) e nuk është e obliguar (vaxhib). Po ashtu me këtë mendim ai është në pajtim me atë që mendon gjithë Ymeti dhe me atë që është trashëguar gjeneratë pas gjenerate - se synetia e femrës është vepër e rekomanduar po jo e obliguar. Këta si argument për këtë, mbështeten tek Pejgamberi a.s., i cili, kur e ka konsideruar të ligjshëm synetin në Islam, e ka veçuar për meshkujt e jo për femrat. Po ashtu nuk është vërtetuar që Pejgamberi a.s. t'i kishte urdhëruar femrat që të bëheshin synet, përveç sa është përmendur në hadithin e përmendur më herët: "Synetia është vepër e ligjësuar për meshkujt dhe e rekomanduar për femrat". Nga ajo që vërehet qartë nga ky hadith, është se synetia është vepër e rekomanduar - e preferuar të zbatohet. Allahu e di më së miri!..(13) ndoshta urtësia në këtë është se synetia e mashkullit dallon krejtësisht nga synetia e femrës, si në aspektin e kryerjes, ashtu edhe në aspektin e vendimit të Sheriatit. Gjithashtu ata dallohen edhe në aspektin e dobisë nga synetia.


Kur është obligim bërja synet?


Shumica e dijetarëve janë të mendimit se synetia është obligim kur fëmija është në moshën madhore, duke konsideruar se ai së shpejti do të jetë i detyruar për obligime fetare (mukelef), sepse, kur të hyjë në moshën madhore, duhet të jetë i bërë synet dhe do t'i kryejë obligimet fetare pa kurrfarë pengese, ashtu sikur ka urdhëruar sheriati islam.
Më së miri është që kujdestari i fëmijës ta bëjë synet fëmijën në ditët e para të lindjes, në mënyrë që, kur të fillojë të mësojë e të kuptoj, të jetë i bërë synet dhe të mos ketë brenga se duhet të bëhet synet. Argument është se më së miri të bëhet synet në ditët e para të lindjes, është transmetimi i Bejhekiut nga Xhabiri r.a., i cili ka thënë: "Pejgamberi a.s. ka prerë kurbane për Hasanin e Husejnin dhe i ka bërë synet në ditën e shtatë të lindjes". Pjesa dërrmuese e dijetarëve mendojnë se është më së miri që fëmija të bëhet synet sa më i vogël.


Cila është urtësia e të bërit synet?


Synetia ka shumë urtësi në aspektin fetar dhe dobi të mëdha për shëndetin, të cilat i kanë vërtetuar shkencëtarët e mjekësisë…
Po zgjedh disa urtësi dhe dobi për t'i përmendur këtu:


Prej urtësive fetare që ka synetia, janë:


- Synetia sjell pastërtinë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kështu i mundëson myslimanit të jetë i pastër për të kryer obligimet, posaçërisht kryerjen e namazit;
- Synetia është kryesorja nga cilësitë e natyrshme, simbol i Islamit dhe imazhi i Sheriatit;
- Synetia është një prej rregullave të fesë së drejtë, e përcaktuar në Sheriatin e Ibrahimit a.s., e cila i ka mbushur zemrat me besimin në një Zot, sikurse, krahas synetisë, kishte përcaktuar cilësitë e natyrshme si: synetin, shkurtimin e mustaqeve, shkurtimin e thonjve dhe rruarjen e nënsqetullave.
Allahu për këtë ka thënë: (Shih: En-Nahl, 123 dhe El Bekaretu, 138);
- Synetia e dallon myslimanin nga pjesëtarët e feve të tjera;
- Synetia është pranim i adhurimit ndaj Zotit, zbatim i Urdhrave të Tij dhe nënshtrim i urtësisë dhe dijes së Tij.


Dobitë e mëdha shëndetësore, që burojnë prej synetisë, janë:


- Synetia sjell pastërti, zbukurim të organit dhe stabilizon epshin.
- Synetia është shumë e dobishëm për shëndetin, sepse e mbron njeriun prej shumë sëmundjeve. Mjeku Sabri el-Kabaniju, në librin e tij (Jeta jonë seksuale), përmend shumë të mira që sjell synetia, e ne po përmendim:
1- Këputja e lafshës e shpëton njeriun prej tajitësit dhjamor, prej diskustit pa shkaktuar kurrfarë dekompozimi dhe infeksioni.
2- Me këputjen e lafshës shpëton njeriu prej rrezikut të bllokimit të kokës së penisit gjatë zgjerimit të tij.
3- Synetia zvogëlon mundësitë e sëmundjes së kancerit në penis. Është vërtetuar se më së shumti kanceri i ka goditur ata që kanë pasur ngushtim nga lafsha e pahequr, dhe fare pak është i përhapur kanceri tek ata popuj që zbatojnë synetinë.
4- Nëse e bëjmë synet foshnjën, atëherë foshnja rrallëherë do të urinojë natën në gjumë.
5- Synetia ndikon te shumica e atyre që janë në moshën madhore që të mos praktikojnë masturbimin…
Synetia sjell edhe shumë dobi të tjera …
Këto janë disa dobi dhe urtësi të ligjshmërisë së synetisë, të cilat mund t'i kuptojë çdokush që ka mendje dhe sy. Po ashtu i kupton edhe çdokush që dëshiron të njohë të mirat e Islamit dhe fshehtësitë e Sheriatit islam.


Në përfundim mund të themi:


Synetia është kryesorja e cilësive të natyrshm,e(14) simboli i Islamit, imazhi i Sheriatit…Po ashtu mund të theksojmë edhe faktin që synetia njeriut i jep mundësinë që të jetë i pastër në aspektin trupor dhe i gatshëm për ta adhuruar Allahun në mënyrën më të pastër të mundshme. Prandaj myslimanët duhet t'i kushtojnë rëndësi edhe këtij veprimi të natyrshëm që e kërkon vetë jeta e njeriut. Një tjetër gjë që duhet ta ketë në mendje gjithmonë çdo mysliman, është se, pavarësisht nëse i dihen ose jo urtësitë dhe dobitë e veprimit që ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, ai duhet të jetë tërësisht i bindur se prej tyre ka dobi dhe mirësi.


 


____________________
(1) Ahmedi.
(2) Ahmedi.
(3) Buhariu dhe Muslimi.
(4) Ahmedi dhe Ebu Davud
(5) Ahmedi.
(6) Ahmedi dhe Ebu Davudi
(7) Buhariu dhe Muslimi
(8) Tirmidhiu dhe imam Ahmedi
(9) Marr nga libri "Tufetul Vedud" f. 104
(10) Edukimi i fëmijëve në Islam, kapitulli që flet për dispozitat e synetisë.
(11) Transmeton el-Bejhekiu
(12) Prof.dr. Vehbete Zuhajli: El-Fikhul Islamiju ve Ediletuhu, v.6, f. 2751
(13) Edukimi i fëmijëve në Islam.
(14) Cilësi të natyrshme janë: të shpëlarit e gojës, të shpëlarit e hundës, të shkurtuarit e mustaqeve, të përdorurit e misvakut për pastrimin e dhëmbëve, shkurtimi i thonjve, rruarja e nënsqetullave, rruarja e pjesëve të turpshme dhe synetia.


 


 


Dituria Islame 271