Barazia gjinore sipas këndvështrimit Islam (3)


Koncepti gjithëpërfshirës, definon se Islami është për mbarë njerëzimin, pa dallim gjinie, race, vendi etj., përfshirë pra edhe femrat.


Nocioni "Barazi gjinore" është imperativ i kohës në shekujt e fundit. Nëse u qasemi studimeve islame, me theks të veçantë çështjeve të femrës në mënyrë kronologjike, mund të konkludojmë se këtë terminologji nuk e hasim në referenca të hershme islame, për faktin se pozita e femrës në Islam ka qenë fare mirë e njohur në të gjitha shoqëritë. Mirëpo, kur filluan shoqëritë perëndimor të nëpërkëmbnin dhe nënvlerësonin gruan, në veçanti shoqëria franceze, nën petkun e dogmës religjioze krishtere, duke kontestuar qenien njerëzore të saj e më pas etiketimin e saj si mollë sherri, burim i të gjitha të këqijave, e ndytë dhe ndyrësirë.... etj., nga vetë perëndimorët në shekullin e tetëmbëdhjetë lindi ideja po ashtu lidhur me barazinë gjinore. Prandaj themi se vërshimi i të tjerëve mbi këtë temë, me pretendimin për t'i kthye asaj dinjitetin, ka imponuar që studiues të islamit të thonë doemos mendimin e tyre lidhur me këtë çështje. Islami barazinë gjinore e ka mbështetur mbi parime të shëndosha e të qëndrueshme, në çdo aspekt të jetës së njerëzve, emocional e social, pa marrë parasysh racën, fisin, pozitën etj.(1) 
Prandaj feja islame konsideron që këto dy krijesa kanë elemente të përbashkëta në disa pikëpamje, dhe i trajton njësoj-duke iu referuar thënies profetike: "Gratë janë motra të burrave"(2) sa kohë që, në anën tjetër, dallojnë nga tjera aspekte dhe segmente të jetës, prandaj nuk mund të jenë njësoj-duke iu referuar citatit kuranor:"E mashkulli nuk është si femra".(Ali Imran, 36) Nga kjo mund të themi që kjo afërsi që e përshkruan Islami në mes këtyre dy gjinive, në esencë i ka mundësuar secilit prej tyre atë që i ka mundësuar edhe çiftit tjetër, me përjashtim të çështjeve që specifikojnë argumentet për palët nga të dy gjinitë.(3)
Po ashtu legjislacioni islam konstaton se, në thelb, ekziston barazia gjinore në mes mashkullit e femrës duke u mbështetur në dy koncepte esenciale: Një: Ngase femra, sikurse edhe mashkulli, është e denjë për t'u ngarkuar me obligime legjislative nga Ligjvënësi, derisa ajo është në moshën madhore dhe mentalisht e shëndoshë (ndryshe nga religjionet e tjera që e përjashtojnë nga çdo ritual). Duke iu referuar thënies së Muhamedit (a.s): "Është ngritur llogaria ndaj tre personave:atij që është në gjumë derisa të zgjohet, fëmijës derisa të arrijë fazën e pubertetit, dhe të çmendurit derisa t'i kthehet vetëdija".(4)
Nga sa u theksua më sipër, përfundojmë që njeriu, qoftë mashkull apo femër, kur arrin pubertetin dhe fjalët e veprat e tij janë sipas standardeve të natyrshme njerëzore, që dëshmojnë logjikën e shëndoshë të tij, - gjykojmë se personi i tillë ngarkohet me vendime juridike sipas normave islame. Kështu, në fenë islame, edhe femra sikurse mashkulli kur i plotëson këto standarde, konsiderohet e ngarkuar me të njëjtat norma dhe obligime si dhe partneri i saj. Në vijim do të sjell disa referenca kuranore, ku Ligjvënësi u drejtohet grave sikurse burrave:
1. Thotë Allahu i Madhërishëm: "Vjedhësit dhe vjedhëses pritni duart".(El Maide, 38)
2. Po ashtu Allahu thotë: "(dispozitë obliguese është që) Laviren dhe lavirin t'i rrihni, secilin prej tyre me nga njëqind të rëna". (En-Nur,2)
3. Duke i ngarkuar me dispozita meshkujt dhe femrat, Allahu thotë: "Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet)asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare...".'(El Ahzabë, 36)
4. Kurse, gjatë premtimit për shpërblim të tyre, në Kur'an thuhet: "Nuk ka dyshim se për myslimanët e myslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertët e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e allahut e shumëpërmendëset e Allahut, - allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh".(El Ahzabë, 35)


Islami siguron dhe mundëson të drejta të barabarta


Citati i fundit e fut gjininë femërore nën ombrellën e Islamit dhe të imanit, që aludon se ato janë të ngarkuara me dispozitat fetare me të drejta të barabarta sikurse meshkujt, dhe, në rast se ato përmbushin detyrimet legjislative, cilësohen si myslimane dhe besimtare. Sikur sqaron citati në fjalë, femrat myslimane dhe besimtare janë pjesëmarrëse, si dhe meshkujt myslimanë dhe besimtarë, në shpërblime që ka përgatitur Allahu për ta, për hir të Islamit dhe besimit të tyre, e shpërblimi është: falja e mëkateve dhe shpërblime ekskluzive.(5)
Gjithashtu, derisa femra është e ngarkuar me të njëjtat dispozita ligjore fetare, asaj i janë premtuar e garantuar lumturi, harmoni, qetësi në jetën e kësaj bote si dhe pranim i veprave, kurse në Botën tjetër - shpërblime të mëdha, siç thotë Allahu i Lartësuar: "Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër...". (Ali Imran, 195). Ndërkaq, për t'u shpërblyer mundin e tyre dyve në Botën tjetër, Allahu i përgëzon, si mashkullin ashtu edhe femrën, me këto sihariqe: "Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë mashkull a femër, duke qenë besimtar, të tillët hyjnë në Xhenet dhe nuk u bëhet farë padrejtësie".(En-Nisa'ë, 124.) Dy: Koncepti gjithëpërfshirës, definon se Islami është për mbarë njerëzimin, pa dallim gjinie, race, vendi etj., përfshirë pra edhe femrat. Në këtë formë janë paraqitur mesazhet hyjnore duke iu drejtuar të gjithë njerëzve, siç thotë Allahu në Kur'an: "Thuaj (Muhamed): O ju njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut te të gjithë ju".(El A'arafë,158.). Po ashtu thotë Allahu: "Ne nuk të dërguam ndryshe përveçse për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës të vërejtjes, po shumica e njerëzve nuk e dinë". (Sebe'ë,28).Nga citatet e përmendura, del se në nocionin ''njerëz'', sipas pëlqimit të të gjithë dijetarëve islamë, bëjnë pjesë edhe femrat,(6) si dhe dërgimi i Muhamedit (a.s.) përfshin edhe femrat sikurse meshkujt. Bazuar në referencat e deritashme, themi që feja islame u ka siguruar dhe mundësuar të drejta të barabarta të dy partnerëve/meshkuj e femra, në sfera të ndryshme...


____________________________________________
(1) Dr. Fuad b Abdulkerim elabdulkerim,Kadaja elmere'tu fi elmu'temerati ed-devlijeti, Bahithat, bot 1, 2009. v1. f. 248.
(2) Transmeton Ebu Davudi në sunenin e tij,me numër 326,Albani konstaton se hadithi është i saktë. Sunen Ebi Davud,Ebi Davud Sulejman b el Eshath es-sexhistani, ka vërtetuar hadithet Muhamed Nasrudin Albani, mektebet elmearif lin-neshri ve terzi'a-Rijad. f.45
(3) Dr.Muhamed Beltagji, mekanetu elmer'ti fil Kur'nil kerimi ve es-sunneti es-sahihati, Daru es-selam, bot. 1. 2000,f.61.
(4) Transmeton Darimiu në Sunen ed-Darimi,Muhamed b Abdullah b Abdurrahmen b el Fadl b Behram et-Temimi es-Samerkandi ed-Darimi. darul fikër el Kahire 1398 h. v2, f. 141
(5) Dr. Abdulkerim Zidan, Hukuk ve vagjinat elmer'tu fi el-Islam, f. 38-40. Muesesetu err-Rrisale, Bejrut-Liban, boti. 1. 2004.
(6) Dr. Abdulkerim Zidan, elvegjiz fi sul elfikh, mueseset err-rrisale, bot. i 5. 1996, f. 308.


 


 


Dituria Islame 272


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Përurohet projekti i mobilimit të bibliotekës së Xhamisë “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë