Shpërblimi për të devotshmit në Xhenet
"Vërtet besimtarët e devotshëm do të gjenden në kopshtet e Xhenetit dhe në lumturi, duke u kënaqur me atë që u ka dhënë Zoti i tyre, sepse Ai i ka ruajtur prej dënimit të zjarrit flakërues. (Do t'u thuhet:) Hani e pini, ju bëftë mirë (ky është shpërblimi) për atë që keni punuar! Të mbështetur në divane të renditura, dhe do t'i shoqërojmë me hyri symëdha. E ata që besuan, dhe pasardhësit e tyre i pasuan (ndoqën) në besim, Ne atyre do t'ua shoqërojmë pasardhësit e tyre dhe nuk do t'u pakësojmë asgjë nga (shpërblimi për) veprat e tyre; secili njeri është peng i asaj që ka punuar. Ne atyre do t'ua shtojmë të mirat me fruta dhe mish, që atyre ua ka ënda. Atje do t'ia kalojnë njëri-tjetrit gotat e mbushura e nuk do të ketë biseda të kota e as gjynahe. Rreth tyre do të sillen djelmosha (që u shërbejnë) sikur të ishin margaritarë të fshehur. Ata do t'i drejtohen njëri-tjetrit, (duke pyetur për punët e tyre në këtë dynja) duke thënë: Më parë, ne kemi pasur frikë në familjet tona (nga gjykimi i Allahut), por Allahu na ka dhuruar mëshirë dhe na ka ruajtur nga ndëshkimi i erës përcëlluese (të zjarrit). Ne qysh më parë i jemi lutur Atij (e kemi adhuruar Atë), Ai është vërtet Bamirës dhe Mëshirëplotë." (Et-Tur, 17-28)
Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake
Në ajetet paraprake, pamë betimet e njëpasnjëshme të Krijuesit të kësaj ekzistence madhështore, me qëllim të vërtetimit të një fakti të pamohueshëm, se pas ringjalljes, të gjithë mohuesit e Njëshmërisë, i pret ndëshkimi i rreptë në Ahiret. Ata që zemrat e tyre i kishin të ngrysura me kufër, do të jenë banorë të skëterrave, në të cilat do të përjetojnë vuajtje e ndëshkime të llahtarshme, dhe ndaj tyre nuk do të kihet aspak mëshirë. Këta përgënjeshtruan ditën e gjykimit dhe fryt i kryeneçësisë së tyre do të jetë përjetësia në zjarrin e Xhehenemit. Ndërsa, tash në këto ajete vijuese, Allahu i Gjithëmëshirshëm, na jep pamjet e një tabloje krejtësisht të kundërt nga ajo paraprake. Tash shohim vendqëndrimin e njerëzve të mirë e të devotshëm, në kopshtet e Xhenetit, duke shijuar kënaqësi pas kënaqësie, me më të dashurit e tyre. Atyre u shërbejnë shërbëtorët e Xhenetit me përkushtim e dashuri të madhe. Në këto Xhenete ata do të përjetojnë fisnikërinë më të madhe, duke qenë të nderuar si të ishin mbretër, e duke ua shkuar edhe mbretërve. Mirësitë e Allahut për ta janë të panumërta dhe janë të përjetshme.
Koment
17. Vërtet besimtarët e devotshëm do të gjenden në kop shtet e Xhenetit dhe në lumturi,
18. duke u kënaqur me atë që u ka dhënë Zoti i tyre, sepse Ai i ka ruajtur prej dënimit të zjarrit flakërues.
Besimtarët e devotshëm që respektuan urdhrat e Allahut të Lartmadhërishëm, në këtë botë, do të jenë në kopshtet përrallore të Xhenetit. Fushat e blerta të Parajsës, bukuritë e paimagjinueshme të këtyre peizazheve, që të ngjallin ndjenjën e një lumturie të papërshkrueshme, do të jenë vendbanim i përhershëm i tyre. Ne, sado që të përpiqemi ta përshkruajmë Xhenetin dhe bukuritë e tij, vështirë se do të arrijmë që t'i afrohemi përshkrimit të tij në mënyrën reale, sepse në fakt, ai është përtej çdo përfytyrimi dhe imagjinate njerëzore. Në lidhje me këtë konstatim na mjafton hadithi kudsij, të cilin e përcjell i Dërguari a.s. nga Zoti Mëshirëplotë kur thotë: "Kam përgatitur për robërit e Mi të devotshëm (shpërblime në Xhenet) çfarë syri nuk ka parë ndonjëherë, veshi s'ka dëgjuar ndonjëherë dhe as njeriu se ka imagjinuar atë ndonjëherë."Këtë hadith kudsij, i Dërguari i Allahut e ka shoqëruar edhe me sihariqin e ajetit 17-të, të sures "Es-Sexhde": "Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë."
Në këto Xhenete besimtarët do të jenë së bashku me profetët, dijetarët, dëshmorët dhe njerëzit e devotshëm. Në Xhenet burojnë dhe rrjedhin lumenj që të fresko jnë edhe vetëm me shikimin e tyre. Pallatet e tij janë të ndërtuara me tulla prej floriri dhe argjendi. Balta e Xhenetit është me aromë misku, kurse gurët, me të cilët janë të shtruar rrugët apo oborret e shtëpive, janë perla dhe margaritarë të çmueshëm. Në çdo anë, syri kënaqet kur sheh vezullimin e dritave që shtrijnë rrezet e tyre në kopshtet e pafundme të Xhenetit. Aromat e këndshme përhapen gjithandej, kurse frutat e Xhenetit që janë fare pranë përroskave e lumenjve, do të jenë gjithmonë të pjekura për banorët e tij. Banorët e Xhenetit ushqehen me to dhe me gjithçka tjetër që dëshirojnë, duke ndjerë gjithmonë kënaqësi të pafund. Ata nuk do të kenë as jashtëqitje, e as sekrecione hundësh, por trupat e tyre çlirohen me anë të djersës së lehtë, e cila ka aromë misku. Fytyrat e tyre shndrisin nga nuri që nuk venitet, sepse më në fund do ta shohin edhe vetë nurin e Allahut Mëshirëplotë. Ky është shpërblimi më i madh, sepse në jetën e kësaj dynjaje i besuan Atij dhe dëgjuan fjalët e pejgamberëve, dhe nuk i pasuan intrigat e shejtanit. Pikërisht këta njerëz, i Madhërishmi i ka mbrojtur dhe shpëtuar nga zjarri i Xhehenemit, në të cilin do të digjen e ndëshkohen përgjithmonë ata që nuk i besuan fjalës dhe udhëzimit të Tij.
Rreth kuptimit të pjesës së fundit të ajetit "Ai i ka ruajtur prej dënimit të zjarrit flakërues", Imam Maturidiu sjell dy mendime: i pari, se Allahu i ka ruajtur-mbrojtur besimtarët që të mos bëjnë ndonjë vepër të shëmtuar, e cila do t'ua shkatërronte Ahiretin, nëse do ta vepronin, dhe mendimi i dytë është se Allahu ua ka falur besimtarëve disa prej mëkateve nga mëshira dhe dhembshuria për ta, sepse po të mos ishte falja prej Tij, ata nuk do t'i shijonin kënaqësitë e Xhenetit.(1)
19. "(Do t'u thuhet:) Hani e pini, ju bëftë mirë (ky është shpërblimi) për atë që keni punuar!"
Xhenetlinjtë do të jenë në kënaqësi të përhershme që nuk përfundojnë kurrë. Atyre do t'u drejtohen engjëjt fisnikë me fjalët më të bukura mirëseardhëse, duke iu thënë: Hani dhe pini dhe shijoni këto kënaqësi, sepse ky është shpërblimi i merituar për ju, për hir të veprave të mira që i bëtë në jetën e dynjasë. Në mbështetje të këtij ajeti, vjen edhe ajeti 24-të, i sures El-Hakka: "(U thuhet:) Ju bëftë mirë, hani e pini për atë që keni bërë në ditët e kaluara!"
Ky është ai shpërblimi i madh, të cilin e kishin synuar dhe dëshiruar besimtarët e devotshëm, gjatë jetës në këtë botë. Tash engjëjt i përgëzojnë me këto mirësi që nuk ndalen kurrë, duke ua rikujtuar vuajtjet e tyre në këtë botë, duke ua rikujtuar se ata shpeshherë e kishin privuar veten nga të mirat e përkohshme të saj, duke mos u tunduar asnjëherë nga intrigat dhe joshjet e shejtanit, por me ndershmëri dhe përkushtim e kishin përjetuar dëlirësinë e jetës së kësaj bote.
20. Të mbështetur në divane të renditura, dhe do t'i sho qërojmë me hyri symëdha.
Ky ajet, sqaron gjendjen e lumtur të xhenetlinëjve, të cilët do të mbështeten nëpër kolltukë e divane mbretërore, që janë të zbukuruar e stolisur me ar dhe margaritarë. Këto divane do të jenë të renditur njëri me tjetrin në një rresht të vetëm, dhe kjo nënkupton rehat inë, qetësinë dhe relaksimin nga çdo brengë apo punë. Pranë vetes në shoqërim të tyre do t'i kenë hyritë e Xhe netit, bukuria e të cilave nuk mund të krahasohet me asnjë prej grave të kësaj bote. Pranë tyre, besimtari do ta ndjejë lumturinë e vërtetë, duke iu mbushur e tërë qenia me ndjenja të papërshkrueshme të kënaqësisë. Disa ko mentues të Kuranit mendojnë se fjala "zevvexhnahum" nënkupton martesën me hyritë e Xhenetit, por shumica e dijetarëve mendojnë se këtu fjala është për shoqërim, ngase në Xhenet nuk do të ketë martesë klasike me akt kurore siç ndodh në jetën e kësaj bote, por shoqërimi dhe kënaqësia me hyritë e Xhenetit është një prej dhu ratave hyjnore për të devotshmit, që të mos ndjehen të vetmuar.(2) (Allahu e di më së miri).
Imam Fahrudin er Rraziu, në lidhje me këto dy ajete (19-20), dhe atyre dy paraprake (17-18), ka ndërlidhur katër shkaqet e lumturisë së xhenetlinjëve, ashtu siç kanë ardhur të radhitura në ajetet që i cekëm, duke përmendur së pari vendbanimin që nënkupton Xhenetin apo kopshtet e parajsës, pastaj hajen dhe pijen, pastaj shtrojën dhe mbulojën dhe në fund shoqërimin dhe bashkimin me hyritë e Xhenetit.
Allahu i Madhërishëm, secilën prej këtyre kënaqësive e ka përshkruar me fjalët më të përsosura dhe kuptimplote. Fjala vjen, e ka përdorur fjalën "Fakihine"- "duke u kënaqur" për kënaqësinë e papërshkrueshme në Xhenet.
Pastaj me fjalën "Henien"-"ju bëftë mirë" ka aluduar se ushqimet dhe pijet e Xhenetit janë të përsosura për nga përmbajtja. Ato as nuk prishen e as nuk kalben, por gjithmonë qëndrojnë të freskëta dhe të pjekura.
Me fjalën "Muttekiine"-"të mbështetur" tregon gjendjen e qetësisë dhe relaksimit absolut të xhenetlinjëve, ku secili prej tyre ka divan të veçantë, enkas vetëm për të, dhe në fund fjala "Ve zevvexhnahum"-"do t'i shoqërojmë" dëfton se Ai që do t'i bashkojë me hyritë e Xhenetit është vetë Allahu xh.sh.(3)
21. E ata që besuan, dhe pasardhësit e tyre i pasuan (ndoqën) në besim, Ne atyre do t'ua shoqërojmë pasardhësit e tyre dhe nuk do t'u pakësojmë asgjë nga (shpërblimi për) veprat e tyre; secili njeri është peng i asaj që ka punuar.
Ky ajet është një prej ajeteve më shpresëdhënës dhe përgëzues për myslimanët, të cilët në Xhenet nuk do të privohen nga shoqërimi i familjarëve të tyre, prindërit, fëmijët, bashkëshortet etj.
Nëse babai ka një gradë më të lartë se fëmijët e tij, atij do t'i pranohet lutja që ta ngrit edhe ata në gradën e tij, në mënyrë që të jenë së bashku në kënaqësitë e përhershme të Xhenetit. E njëjta gjë do të ndodhë edhe nëse fëmijët kanë gradë më të lartë sesa prindërit, ata do t'i tërheqin pas vetes prindërit e tyre në këto mirësi, sepse ky është premtim i Allahut. Asnjërit prej këtyre grupeve, nuk do t'u pakësohet asgjë nga shpërblimi për veprat që i punuan në këtë botë, sepse çdonjëri është peng i veprave të tij.
Transmeton Taberaniu nga Ibën Abasi, e ky nga i Dërguari i Allahut të ketë thënë: "Kur njeriu (burri) do të hyjë në Xhenet, do të pyesë për prindërit, për bashkëshorten dhe për fëmijët e tij. Do t'i thuhet "Ata nuk e kanë arritur gradën tënde". Atëherë ai do të thotë: "O Zot! Unë kam punuar për vete, por edhe për ta, dhe do të sillet urdhri që ata t'i bashkohen atij".(4) Ibën Abasi pas këtij hadithi, gjithnjë e lexonte këtë ajet: "E ata që besuan, dhe pasardhësit e tyre i pasuan (ndoqën) në besim, Ne atyre do t'ua shoqërojmë pasardhësit e tyre."
Kjo është mirësia e Allahut ndaj fëmijëve për hir të bereqetit të punës së baballarëve të tyre, apo mirësia e Tij ndaj baballarëve për hir të duave të fëmijëve të tyre për ta, në mënyrë që të qetësohen e prehen zemrat e prindërve me afrimin e fëmijëve pranë tyre, apo anas jelltas. Në lidhje me këtë është transmetuar nga Ebu Hurejreja të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut:
"Allahu do t'ia ngritë robit të mirë gradën në Xhenet", kurse ai do të pyesë: O Zot! Prej nga mua kjo mirësi? Allahu do t'i përgjigjet" Për hir të Isfigfarit (kërkim faljes) së fëmijës tënd për ty."(5)
Po ashtu transmetohet nga Aliu r.a., e ky nga i Dër guari i Allahut a.s., të ketë thënë:"Besimtarët dhe fëmi jët e tyre janë në Xhenet, kurse idhujtarët dhe fëmijët e tyre janë në Xhehenem", e pastaj i Dërguari a.s., e lexoi ajetin: "E ata që besuan, dhe pasardhësit e tyre i pasuan (ndoqën) në besim, Ne atyre do t'ua shoqërojmë pas ardhësit e tyre."(6)
Ndërsa, në vazhdim të sures, Allahu xh.sh. vazhdon me përshkrimin e nimeteve dhe dhuntive për të dev otshmit në Xhenet.
22. Ne atyre do t'ua shtojmë të mirat me fruta dhe mish, që ua ka ënda.
Begatia dhe kënaqësia që përjetojnë banorët e Xhe netit nuk ndërpritet dhe nuk mbaron asnjëherë. Ata do të jenë të furnizuar me ushqime dhe fruta nga më të ndryshmet. Ushqimi dhe pemët e Xhenetit janë të përgatitura enkas vetëm për ta. Në Kuran kemi shumë ajete që flasin lidhur me këtë çështje, por ne do të mjaf tohemi vetëm me një prej tyre: "Frutat dhe freskia e tij janë të përhershme." (Er-Rad, 35).
23. Atje do t'ia kalojnë njëri-tjetrit gotat e mbushura e nuk do të ketë biseda të kota e as gjynahe.
Banorët e Xhenetit shijojnë kënaqësi pas kënaqësie. Ata janë të rrethuar nga të gjitha anët me begati të shumta. Ndër to edhe pijet e mrekullueshme, të cilat as nuk dehin, e as nuk shkaktojnë humbje të vetëdijes, siç ndodh me pijet dehëse në këtë botë.(7) Gotat që ata ia ka lojnë njëri-tjetrit, duke llafosur e kënaqur mes vete, janë gota të mbushura me pije e lëngje të ndryshme. Këto pije nuk janë dehëse, prandaj nga xhenetlinjtë nuk mund të dëgjosh kurrë ndonjë bisedë të kotë, ofendim apo fjalë të rëndë, e cila konsiderohet mëkat-gjynah. Ndërkohë, në këtë botë, pijet alkoolike ia humbin mendjen njeriut, dhe ai në këtë gjendje, i dehur shanë, ofendon dhe flet fjalë të rënda, meqë më nuk është vetvetja.
Në lidhje me këto pije të Xhenetit, Allahu xh.sh. flet në shumë prej ajeteve kuranore si: "Aty do t'u shërbehet një gotë e mbushur nga një burimi i rrjedhshëm, (me pije) të bardhë e të shijshme për ata që do ta pinë. Prej saj as nuk do të trullosen dhe as nuk do të dehen. (Es-Saffat, 45-47). Pastaj: "Atyre do t'u jepet të pinë musht të pastër të ruajtur mirë, fundi i të cilit është myshku. Për këtë, le të përpiqen ata që përpiqen. Dhe ai (musht) do të përzihet me ujin e Tesnimit, nga burimi i të cilit do të pinë më të afërmit (e Alla hut)."(El-Mutaffifin, 24-29) Dhe: "Aty do të pinë gota me pije të përzier me xhenxhefil, prej një burimi të quajtur Selsebil." (El-Insan, 17-18).
24. Rreth tyre do të sillen djelmosha (që u shërbejnë) sikur të ishin margaritarë të fshehur.
Xhenetlinjëve do t'u shërbejnë djelmosha të vegjë, të krijuar enkas në këtë moshë, të cilët për nga bukuria u ngjajnë margaritarëve të çmuar. E vetmja detyrë e tyre është të jenë në shërbim të këtyre njerëzve të devotshëm që me punët e tyre të mira e merituan Xhenetin dhe kënaqësitë e tij.
Allahu xh.sh. i ka përmendur këta djelmosha të vegjël edhe në disa ajete të tjera kuranore si: "Atyre do t'u shërbejnë djem përherë të rinj, që kur i shikon, të duken si margaritarë të shpërndarë." (El-In san, 19). Dhe: "Do t'u sillen rreth (për shërbim) djelmosha përherë të rinj, me kupa, ibrikë dhe gota me pije të kulluar" (El-Vakiatu, 17-18).
25. Ata do t'i drejtohen njëri-tjetrit, duke pyetur (për punët e tyre në këtë dynja).
Të ulur në këto divane mbretërore, e të rrethuar nga të gjitha anët me begati që nuk përfundojnë kurrë, duke qenë në shërbim të tyre edhe djelmoshat e vegjël sikur margaritarë. Banorët e Xhenetit do të bisedojnë në mes vete për jetën e dynjasë, për vështirësitë dhe sprovat nëpër të cilat kishin kaluar. Ata do ta rikujtojnë çdo çast të kësaj bote, duke qenë gjithmonë krenarë se e ruajtën besimin e pastër në Allahun, duke zbatuar urdhëresat që dalin nga librat e shenjtë dhe nga ud hëzimet e pejgamberëve të dërguar tek ata.
Në suren El-Hixhr, ajeti i 47-të, gjendet ky përsh krim, se si do të bisedojnë banorët e Xhenetit në mes vete: "Ne kemi hequr prej zemrave të tyre çdo urrejtje (smirë), e ata si vëllezër, në divane (kolltukë) përballë njëri-tjetrit do të qëndrojnë".
Se çfarë bisedash do të zhvillohen në mes tyre, japin shenjë edhe dy ajetet në vazhdim të sures.
26. E duke thënë: Më parë, ne kemi pasur frikë në familjet tona (nga gjykimi i Allahut), 27. por, Allahu na dhuroi mëshirë dhe na ruajti nga ndëshkimi i erës përcëlluese (të zjarrit).
Ata gjatë këtyre bisedave nëpër këto vende të larta të fisnikërisë, do të evokojnë kujtimet dhe peripecitë e tyre në jetën e dynjasë. Ata më parë kanë pasur frikë për vete dhe për familjet e tyre nga ndëshkimi i Allahut, kryesisht nga frika e bazuar se nuk do të arrijnë të kryejnë me përpikëri të gjitha detyrimet ndaj Allahut fuqiplotë, por menjëherë e pranojnë se shkak i shpëtimit të tyre nga ndëshkimi me zjarr, është mëshira e Allahut, e cila i kishte përshkuar zemrat e tyre, duke i orientuar vetëm në punë të hairit, me të cilat e arritën kënaqësinë e Alla hut të Gjithmëshirshëm, duke iu shmangur ndëshkimit me zjarr përcëllues, i cili djeg çdo gjë.
28. Ne qysh më parë i jemi lutur Atij (e kemi adhuruar Atë), Ai është vërtet Bamirës dhe Mëshirëplotë"
Besimtarët e Njëshmërisë, e pranojmë se ata i ka përshkuar mëshira e Allahut, meqë adhuruan Krijuesin e tyre,(8) ashtu siç i kishte urdhëruar Ai. Ata gjithmonë i qenë lutur Fuqiplotit që t'i mbulonte me magfiretin dhe mëshirën e Tij, dhe t'i mbronte nga mashtrimet e shejtanit, që të mos shmangeshin për asnjë çast nga adhurimi i Tij. Si shpërblim për besimin e tyre, Ai i fisnikëroi me hyrjen e tyre në Xhenet, duke u treguar Bujar, Bamirës dhe Mëshirëplotë.
Porosia e ajeteve (17-28)
- Besimtarët e devotshëm, që për asnjë çast nuk u luhatën në besimin e tyre të pastër, do të jenë përherë në Xhenet, duke shijuar begatitë dhe nimetet e Allahut të Gjithëmëshirshëm. Mirësia më e madhe e Tij ndaj tyre është se i mbrojti nga ndëshkimi me zjarr të Xhehene mit. Ata në Xhenet do të kenë ushqime, fruta e pije të ndryshme dhe do të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit nëpër divane mbretërore, duke biseduar e kënaqur. Atyre do t'u shërbejnë shërbëtorët e Xhenetit në madhësinë e djelmoshave të vegjël, të cilët u ngjajnë margaritarëve dhe perlave të çmueshme. Pranë tyre do të jenë edhe hyritë e Xhenetit, shikimi i të cilave qetëson e kënaq zemrat e xhenetlinjëve.
- Është pjesë e edukatës islame, që kur ta takojmë dikë që është ulur në sofër për të ngrënë t'i themi: Ju bëftë mirë!, duke marrë si shembull fjalët e engjëjve në Xhenet, drejtuar banorëve të tij.
- Një prej mirësive tjera të mëdha të Allahut ndaj xhenetlinjëve do të jetë ribashkimi i tyre në një vend në Xhenet. Fëmijët do t'i bashkojë me prindër ose prindërit me fëmijë, varësisht se cili do ta ketë gradën më të lartë në Xhenet. Ngrohtësia dhe dashuria prindërore, ashtu siç është në këtë dynja, do të jetë e tillë edhe në Xhenet, sepse prindërit do të kenë dëshirë që pasardhësit e tyre t'i kenë gjithmonë pranë vetes.
- Duaja e fëmijëve për prindër është e ligjësuar dhe mund të jetë një prej shkaqeve madhore, që prindi të mëshirohet nga Allahu dhe të arrijë gradat më të larta të Xhenetit.
- Secili person është përgjegjës vetëm për veprat e tij, dhe nuk ngarkohet me ndonjë barrë apo gjynah të dikujt tjetër.
- Pijet, ushqimet dhe frutat e Xhenetit, janë fruta që askush nuk i ka shijuar më parë në jetën e kësaj bote. Ngjashmëria mund të jetë vetëm në emër, por jo edhe në shije e kënaqësi.
- Punët e mira janë shkak për të hyrë në Xhenet, por jo edhe çmim i tij, sepse Xheneti është më i shtrenjtë dhe më i vlefshëm se puna e njeriut, por vepra e mirë e njeriut e pastron shpirtin, duke e bërë atë të denjë dhe meritorë të hyjë në Xhenet.
- Droja ndaj Allahut në këtë botë, do të jetë shkak i shpëtimit tonë në Ahiret.
- Banorët e Xhenetit do të kuvendojnë njëri me tjetrin duke rikujtuar çastet e kaluara në jetën e dynjasë, dhe duke qenë gjithmonë falënderues që i Madhërishmi i kishte përshkuar me mëshirë, duke i ruajtur që të mos ndjekin rrugën e shejtanit, e të ishin prej banorëve të skëterrës.
- vijon -
_________________________________
(1) Imam Maturidiu, Te'vilatu Ehlis Sunneti, Bejrut, 2004, vëll. IV, f. 594. (Redaktuar nga Fatma Jusuf el Hajmi).
(2) Et Tahri ru vet Tenviru, vell. XXVII, f. 47-48.
(3) Fahruddin er Rraziu, Mefatihul Gajb, vëll. XXVIII, f. 249.
(4) Er Rrevdud dani ilel Mu'xhemis Sagir lit Taberani, hadithi nr. 640. (redaktuar nga Muhamed Shekur Emrir), Bejrut 1985, f. 382.
(5) Shih: Et Tefsir ul Munir, vëll. XXVII, f. 73.
(6) Shih: Sidik bin Hasen el Kinux hi, Fet'hul Bejan fi Mekasidil Kuran, Bejrut, 1992, vëll. XIII, f. 225-226.
(7) El Vahidij en Nisaburi, Et Tefsirul Besit, vëll. XX, f. 493.
(8) Imam Nesefiu, Medarikut Tenzil ve Hakaikt Te'vil, Bejrut,1998, vëll. III, f. 385.
Sabri Bajgora