Allahu i Madhëruar në Kuranin fisnik thotë: "Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), përveçse si mëshirë për botët." (El Enbija, 107).
Çfarë do të thotë të edukoj me mëshirë?
Ndër ndjenjat më fisnike që Allahu ka vendosur në zemrat e prindërve është ndjenja e mëshirës ndaj fëmijëve, butësia ndaj tyre dhe dashuria për ta. Kjo është një ndjenjë fisnike që jep rezultatet më të mira dhe ndikimet më të mëdha në edukimin, përgatitjen dhe formimin e fëmijëve. Prandaj, Sheriati i ndritur ka thelluar ndjenjën e mëshirës në zemrat e njerëzve dhe ka nxitur të rriturit; si prindërit, mësuesit dhe përgjegjësit, që të zbukurohen me këtë cilësi dhe të sillen sipas saj. Kur mëshira vendoset në zemrat e prindërve dhe thellohet në shpirtin e tyre, ata do të kryejnë obligimet e tyre dhe do të përmbushin të drejtat që Zoti ua ka caktuar ndaj kujdestarisë dhe përgjegjësisë së tyre ndaj fëmijëve.
Mëshira si metodë e fuqishme edukative - jo dobësi, por fuqi shpirtërore
Nga të gjitha vlerat që përfshin sistemi i vlerave etike islame, vlera më e lartë dhe më e rëndësishme që qëndron në maje të këtij sistemi është vlera e mëshirës. Mirëpo, këtë vlerë të madhe shpeshherë e humbasim në marrëdhëniet tona të përditshme, sepse ashpërsia ka zënë vendin e mëshirës në shumë nga marrëdhëniet dhe sjelljet tona ditore.
Shembujt për këtë janë të shumtë, ndër ta: babai që është i ashpër me fëmijët e tij. Shumica e dijetarëve të edukimit pajtohen se nëse fëmija trajtohet me ashpërsi nga prindërit apo edukatorët, nëse ndëshkohet me rrahje të forta dhe qortime të rënda, nëse përbuzet dhe përqeshet vazhdimisht, kjo do të reflektohet në sjelljen dhe karakterin e tij, duke i shkaktuar ndjenja frike, tërheqjeje dhe mbylljeje në vetvete.
Dhuna ndaj fëmijëve në shtëpi, shkollë apo rrugë është një nga fenomenet më të përhapura sociale në kohët e fundit, e cila ka sjellë pasoja të shumta negative për fëmijët. Kjo kërkon që çdo njeri që ka kontakt dhe përgjegjësi ndaj fëmijëve të largohet nga dhuna. Islami i urdhëron të gjithë ata që kanë për detyrë edukimin dhe udhëzimin, e sidomos prindërit, që të sillen me moral të lartë, me butësi të pjekur dhe me sjellje të mëshirshme, në mënyrë që fëmijët të rriten me drejtësi, me guxim dhe me personalitet të pavarur. Kështu ata do të ndihen të respektuar dhe me dinjitet.
Prandaj, fëmijët duhet të trajtohen me metoda edukative që bazohen në butësi, dhembshuri dhe mëshirë. Islami me mësimet e tij të shëndosha dhe të përhershme, dhe Suneti profetik, janë të mbushura me shembuj të këtyre metodave.
Modeli profetik i edukimit
Shembujt e mëshirës ndaj fëmijëve në sunetin profetik janë të shumtë. Profeti a.s. ishte njeriu më mëshirues ndaj fëmijëve. Nga ai janë transmetuar shumë hadithe për mëshirën ndaj fëmijëve, qofshin meshkuj apo femra. Shfaqjet e mëshirës ndaj fëmijëve në sunet përfshijnë shumë forma.
Nga aspektet e mëshirës ndaj fëmijëve janë: puthja e tyre, butësia me ta, lutja për ta (dhe jo kundër tyre), drejtësia mes tyre, shpenzimi për ta, lënia e tyre të pasur (pas vdekjes), përshëndetja me ta dhe dashamirësia ndaj tyre, butësia në sjellje, si dhe mëshira ndaj fëmijëve jetimë.
Disa nga aplikimet edukative
Këtu janë disa nga aplikimet edukative më të rëndësishme që dalin nga këto shfaqje të mëshirës:
Edukatorët duhet të jenë të mëshirshëm ndaj fëmijëve, sepse mëshira është një prej cilësive të edukatorit të suksesshëm, dhe te prindërit është edhe më e theksuar. Mëshira ndaj fëmijëve është nga themelet kryesore të rritjes së tyre dhe prej bazave të zhvillimit të tyre të shëndoshë psikologjik dhe shoqëror. Nëse fëmijët rriten pa dashuri, ata mund të bëhen individë të mbyllur, që nuk bashkëpunojnë dhe nuk integrohen në shoqëri.
Një edukatori që i mungon butësia, ai që është gjithmonë i vrenjtur, që e kursen buzëqeshjen, që nuk ia përkëdhel kokën fëmijës, që njeh vetëm ndëshkimin e jo shpërblimin, nuk është i përshtatshëm për edukim. Transmetohet nga Abdullah Amër bin Asi r.a., se i Dërguari i Allahut a.s., ka thënë: "Nuk është prej nesh ai që nuk e mëshiron të voglin tonë dhe nuk e njeh të drejtën e të madhit tonë. "(1)
Një njeri i tillë është në kundërshtim me sjelljen e Pejgamberit a.s., i cili bënte shaka me fëmijët dhe sillej me butësi ndaj tyre.
Edukatorët duhet të sillen me fëmijët me butësi dhe respekt, sepse kjo sjellje i bën ata të shëndetshëm në personalitet, i mëson të mbështeten në vetvete dhe ua shton besimin në vete, i edukon me dashurinë ndaj të tjerëve, me ndjenjën e bashkimit dhe vëllazërisë, si dhe i mëson të sillen me dashamirësi dhe mëshirë ndaj të tjerëve, ashtu siç janë mësuar të trajtohen.
Puthja e fëmijëve: Puthja ka një rol të fuqishëm në zgjimin e ndjenjave dhe emocioneve të fëmijës, gjithashtu ndihmon në qetësimin e shpërthimeve emocionale. Ajo krijon një lidhje të fortë dashurie mes të rriturit dhe fëmijës, është dëshmi e mëshirës që buron nga zemra dhe ndjenjat, dhe shenjë e përulësisë së të madhit ndaj të voglit. Ajo është një dritë që ndriçon zemrën e fëmijës, ia gëzon shpirtin dhe e bën më të hapur ndaj të tjerëve. Dhe mbi të gjitha, puthja është një sunet i vërtetuar nga Profeti a.s..
Transmetohet nga Aishja r.a., se disa beduinë erdhën tek i Dërguari i Allahut a.s. dhe i thanë: "Ju i puthni fëmijët tuaj?!" Ai tha: "Po." Ata thanë: "Për Zotin, ne nuk i puthim!"
Profeti u tha: "Po ç'të bëj unë nëse Allahu jua ka hequr mëshirën nga zemrat?!"(2)
Gjithashtu transmeton Ebu Hurejra, r.a., se Akra ibën Habis e pa Profetin a.s., duke e puthur Hasanin (nipin e tij), dhe tha: "Unë kam dhjetë fëmijë dhe nuk kam puthur asnjërin prej tyre." Profeti a.s., i tha: "Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet."(3)
Përdorimi i lojës dhe shakasë në edukimin dhe mësimdhënien ndaj fëmijëve
Profeti a.s. bënte shaka me fëmijët. Transmetohet nga Enesi ibën Maliku që ka thënë: "Pejgamberi a.s. ishte njeriu me sjelljet më të mira. Kisha një vëlla të vogël që quhej Ebu Umejr. Kur Profeti a.s. vinte dhe e shihte, i thoshte: "O Ebu Umejr, çfarë bëri zogthi-nugejri?"(4)
Me këtë shprehje lozonjare, Profeti a.s. i qasej fëmijëve dhe ushqente në shpirtin e tyre ndjenja të sinqerta dhe të mira, larg ftohtësisë, ashpërsisë dhe mohimit të të drejtave të fëmijës.
Një ndër të drejtat e fëmijës ndaj prindërve është që të trajtohet mirë, të edukohet me dashuri dhe mëshirë, të rrethohet me butësi dhe ndjenja të ngrohta, dhe t'i dhurohet gëzim në zemër, sepse kjo ndikon fuqishëm në formimin e personalitetit dhe zgjerimin e mendjes së tij, me kusht që të mos shndërrohet në përkëdhelje të tepërt që mund të dëmtojë seriozitetin e tij në jetë.
Profeti a.s. i gëzonte dhe i lumturonte fëmijët me mënyra të ndryshme: i priste mirë, i puthte, bënte shaka me ta, ua përkëdhelte kokat, i mbante në prehrin e tij të bekuar, u jepte ushqim dhe hante bashkë me ta. Të gjitha këto i bënte, sepse gëzimi ka ndikim të madh në shpirtin e fëmijës dhe është një mënyrë e mençur për ta bërë atë të lumtur.
Shakatë me fëmijët futin gëzim në zemrat e tyre, i ndihmojnë të zhvillojnë besim në vete, të shprehin vetveten dhe të shfaqin aftësitë e tyre. Edukatori i suksesshëm është ai që e përdor shakanë në shërbim të qëllimeve edukative dhe e shfrytëzon këtë moment kur zemra e fëmijës është e hapur për të pranuar këshilla dhe udhëzime. Kjo është një nga rrugët më të sigurta drejt zemrave të fëmijëve, sepse ata janë krijuar me natyrë lozonjare dhe të dashur për lojë.
Sa më i dashur dhe shakaxhi të jetë edukatori, aq më shumë do ta duan fëmijët, do t'i afrohen dhe do t'ia dëgjojnë këshillat. Madje, marrëdhënia mes mësuesit dhe nxënësit mbetet e qëndrueshme emocionalisht dhe mendërisht për shumë vite, për shkak të urës së dashurisë dhe afërsisë që krijohet përmes shakave dhe sjelljes së afërt.
Megjithatë, kjo lojë dhe afërsi nuk duhet të shndërrohet në përkëdhelje të tepruar, sepse ajo çon në çrregullime të personalitetit dhe sjellje jo të shëndetshme. Pasojat e përkëdheljes së tepërt janë: turpi i tepruar, mungesa e vetëbesimit dhe prapambetja në krahasim me moshatarët.
Si të ndërtojmë sot një edukim mbi këtë model?
Në një kohë kur sfidat arsimore dhe shoqërore po e sfidojnë thellë formimin e brezave të rinj, rikthimi te modeli profetik i edukimit është një domosdoshmëri, jo thjesht një opsion. Ky model, që buron nga mëshira dhe mençuria e Profetit Muhamed a.s., na mëson se edukimi nuk është vetëm transmetim njohurish, por kultivim zemre dhe ndërtim karakteri.
Rikthimi te rrënjët e edukimit profetik duhet të fillojë në tri hapësira kyçe: në familje, ku fëmija e përjeton dashurinë e pakushtëzuar dhe disiplinën me urtësi; në shkollë, ku duhet të ndihet i vlerësuar dhe i udhëzuar drejt së mirës; dhe në xhami, ku përjetohet lidhja me Zotin dhe vlerat e qëndrueshme. Këto tre institucione kanë nevojë për përputhje në mesazhin dhe metodën e edukimit.
Edukatori, prindi dhe mësuesi janë bartësit e këtij modeli. Secili prej tyre është një hallkë e rëndësishme në zinxhirin e formimit njerëzor. Nëse e mishërojnë mëshirën në komunikim dhe dijen në veprim, bëhen shembuj të gjallë që frymëzojnë dhe udhëheqin me zemër. Për të pasur sukses në këtë drejtim, duhet të ndërtojmë një klimë edukative që nuk i mëson fëmijët vetëm të "dinë", por edhe të "ndjejnë", të reflektojnë dhe të ndahen me të tjerët. Edukimi nuk është vetëm për mendjen, por edhe për shpirtin.
Çfarë mund të bëjmë konkretisht?
Të lexojmë e ndajmë me të tjerët libra që flasin për jetën dhe metodologjinë e Profetit a.s..
Të nxisim bashkëpunimin midis prindit, edukatorit dhe mësuesit për edukimin e fëmijës.
Të flasim me butësi dhe të veprojmë me drejtësi.
Të organizojmë aktivitete që përfshijnë ndjenjën, mendimin dhe besimin - jo vetëm teorinë.
Ky model nuk është ideal i paarritshëm. Është thirrje për kthim te thelbi dhe një shpresë e madhe për të ardhmen.
Të rikthejmë frymën profetike në edukim
Edukimi i vërtetë nuk ndërtohet vetëm mbi fjalë e rregulla, por mbi dije dhe mëshirë. Këto dy shtylla janë të pandashme për t'i dhënë kuptim të plotë procesit të formimit të njeriut. Pa to, nuk ka edukim që prek zemrën dhe nuk ka dituri që ndriçon shpirtin.
Profeti Muhamed a.s. ishte më shumë sesa një mësues dijesh - ai ishte edukator i zemrave. Ai i mësoi njerëzit me butësi, me mëshirë dhe me shembullin e tij jetësor, duke formuar karaktere, jo vetëm duke dhënë informacione. Ai ishte përkufizimi më i lartë i edukimit me shpirt.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të rikthejmë këtë frymë në shkolla, familje dhe xhami. Edukimi që ngjizet në dritën e dijes dhe mëshirës profetike është ai që mbetet i qëndrueshëm, i thellë dhe frytdhënës. Ky është mesazhi i kohës sonë: të mos harrojmë modelin profetik dhe ta bëjmë atë busull për gjeneratat që po rriten.
___________________________________
1. Shënojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ahmedi.
2. Shënon Buhariu.
3. Shënojnë Buhariu, Muslimi.
4. Shënojnë Buhariu, Ibën Maxhe, Tirmidhiu.
___________________________________
Literatura e konsultuar:
• Tuhfetu'l Meudud bi Ahkami'l Meulud - Ibën Kajim el Xheuzijeh
• Ar Resulu'l-Muallim salAllahu alejhi ue sel-lem ue esalibuhu fi't ta'lim - Abdulfettah ebu Guddah.
• Ar Rahmatu'n Nebeuijje: Delalatuha ue Mekasiduhu fi Terbijeti'n Nesh - Dr. Abdusamed er Rida-artikull.
• Minhatu Elhulan fi Mevduat suretu lukman - Prof. dr. Muhamed Abdulaziz el Avaxhiji.
• Seria e librave për edukimin e suksesshëm të familjes - Prof. dr. Abdul Kerim Bekkar.