Hyrje
Për shkak të rrethanave shoqërore politike që kanë mbizotëruar në Kosovë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, jeta e shqiptarëve në përgjithësi dhe e popullatës myslimane në veçanti u vështirësua dukshëm, për shkak se sistemi i ri i cili po instalohej, ishte përveç të tjerash edhe një sistem që jo se nuk e favorizonte fenë, por ishte kundër saj. Për këtë arsye, riorganizimi i jetës institucionale të Bashkësisë Islame nuk ishte i lehtë, kur asgjë nuk shkonte në favorin e saj dhe të interesave të saj. Megjithatë, klasa e ulemasë shqiptare arriti që edhe në këto rrethana, të riorganizohej, të themelonte institucione të reja dhe të organizonte mbarëvajtjen e jetës fetare islame në Kosovë. Edhe për sa i përket literaturës islame në gjuhën shqipe, për arsyet që u përmenden, pati ngecje e pengesa, por të cilat u tejkaluan me shumë mund dhe sakrificë dhe tek në vitin 1957, për të parën herë në Kosovë, do të botohej me shkronja shqipe "Ilmihali i vogël", për njohuritë themelore të fesë islame.
Shikuar nga perspektiva e sotme, ky hap i ulemasë dhe prijësve të institucioneve tona islame, del të ketë qenë shumë i qëlluar dhe domethënës, sepse qe filluar me një doracak që shpjegonte themelet e fesë, që ofronte mundësinë që besimtarët t'i mësonin parimet e fesë islame në gjuhën shqipe, dhe përmes një doracaku të tillë, dalëngadalë, t'u hapej rruga dhe të përgatiteshin kushtet për botimin edhe të literaturës tjetër, e cila, për hir të së vërtetës, erdhi shumë ngadalë dhe me shumë vonesa, gjithnjë të kushtëzuara nga faktorët shoqëroro-politikë. Por, duhet pranuar se edhe elita islame shqiptare në atë kohë, nuk ishte akoma e gatshme për të ndërmarrë projekte më të mëdha se kaq, sepse ishte një elitë e themeluar, e formuar, e arsimuar në rrethana të tjera dhe në gjuhët tradicionale të studimeve të tyre (arabisht e osmanisht).
Për fillet e literaturës islame në gjuhën shqip në Kosovë, kanë shkruar autorët e respektuar, Hajrullah ef. Hoxha dhe mr. Ramadan Shkodra, të cilët përveç se kanë periodizuar literaturën islame në gjuhën shqipe, ata kanë dhënë edhe konstatime të qëndrueshme shkencore, gjithnjë duke pasur parasysh rrethanat nëpër të cilat u botua kjo literaturë dhe nëpër të cilat kaloi Bashkësia Islame e Kosovës në veçanti dhe e gjithë popullata shqiptare në përgjithësi. Mbi bazën e këtyre rezultateve të këtyre autorëve dhe të punimeve të tyre, por edhe të literaturës tjetër dhe edhe të vrojtimeve të mia personale, është hartuar edhe ky punim yni.
Ilmihali dhe mësimet e namazit - literatura e parë në gjuhën shqipe në Kosovë
Sikurse e thamë, pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, përkatësisht në vitin 1948, u formua Bashkësia Islame e Kosovës, në krye të së cilës u vu myderrizi i shquar, hfz. Bajram ef. Agani,(1) i cili e udhëhoqi atë deri në vitin 1960. Në këto vite, falë vizionit dhe largpamësisë së tij dhe të bashkëpunëtorëve e bashkëmendimtarëve të tij, në fillim, saktësisht në vitin 1951, u themelua Medreseja e Ulët Shqiptare e Prishtinës, që pa dyshim ishte një ndër veprimet më të rëndësishme të Bashkësisë Islame në atë kohë. Në vitin 1957, po me iniciativën e tij, u botua edhe doracaku "Ilmihali i vogël" për mësime fillestare të fesë islame, i cili u përkthye nga gjuha serbokroate, botim që quhej asokohe, i Shoqatës së Ylemave për RSS-në në kuadër të BFI-së me seli në Prishtinë, që ishte një veprim tjetër po aq i rëndësishëm. Shoqata në fjalë, ishte përgjegjëse për veprimtarinë botuese në kuadër të këtij institucioni dhe e cila më këtë doracak, të cilit nuk i dihet as përpiluesi, as përkthyesi në gjuhën shqipe, nisi fillin e veprimtarisë botuese islame në Kosovë në gjuhën shqipe, për vazhduar deri më sot.(2)
Për sa i përket përmbajtjes, "Ilmihali i vogël" fillon me hyrje, ku parashtrohen disa pyetje të përgjithshme:
• Me çka fillojmë çdo punë të mirë?
• Çka ka krijue Zoti i Gjithfuqishëm përpos nesh dhe kësaj bote?
• Çka do të ndodhë kur do të vdesim ne dhe kur do të zhduket kjo botë?
• Çka do të ndodh ditën e Gjykimit?
• Pse ekzistomë në këtë botë?(3)
Figura 1.1. Ballina e "Ilmihalit" (1957)
Pastaj në pjesët e tjera me radhë trajtohen çështjet e besimit islam (akaidit), duke filluar me besimin në Allahun xh.sh. të Vetmin dhe të pa shok, besimi në melaqet e Allahut xh.sh., në librat dhe pejgamberët a.s. (të zgjedhurit e Tij), besimin në Ditën e Gjykimit dhe në kadanë dhe kaderin e Allahut xh.sh.. Në kapitujt vijues flitet për ibadetet fetare.(4) Si për fjalën e dëshmisë (shehadetin), namazin, zekatin dhe haxhin. Pastaj në pika të shkurtra në Ilmihal janë shtrirë çdo temë, si: namazi, abdesi, tejemumi etj..
Në kapitullin e fundit, në "Ilmihali i vogël", flitet për mirësjelljen dhe detyrat e njeriut për Allahut xh.sh.. Detyrat e njerëzve mes vete, detyrat e familjarit me familjen e tyre, me farefisin, me Bashkësinë Islame, dhe në fund me shtetin e tij, të jetë përgjegjës për punët që i bën si njeri.
Në kopertinat e fundit të "Ilmihalit" lexojmë: U shtyp në dhjetor të vitit 1957. Tirazhi 25.000.(5) Një tirazh kaq i madh, sidomos për kohën, tregon për nevojën dhe interesimin e etur të lexuesit shqiptar mysliman për t'i mësuar bazat e fesë islame në gjuhën shqipe. "Ilmihali i vogël" është ribotuar edhe dy herë të tjera, një herë në marsin e vitit 1958 me 15.000 ekzemplarë të tjerë dhe herën e dytë në Pejë, më 1997, ku me rastin e 40-vjetorit të botimit të parë të "Ilmihalit të vogël", Këshilli i Bashkësisë Islame i Pejës ka ribotuar 1.000 ekzemplarë të Ilmihalit, të cilët u pritën shumë mirë nga lexuesit shqiptarë.
"Ilmihali i vogël" ka luajtur një rëndësi shumë të madhe te populli shqiptar, edhe pse një doracak i vogël, mirëpo te populli shqiptar hyri në histori të paharrueshme.
1. Në përmbajtje ishte shumë domethënës, sepse tregonte për thelbin e Islamit në pika të shkurtra, dhe tjetra ishte se për herë të parë mësohej dhe lexohej në gjuhën shqipe, ku përfshinte një pjesë të madhe të lexuesve shqiptarë.
2. Nëse mund të themi fjalën e të urtëve tanë, ku thonë: "Punët e mëdha fillojnë nga punët e vogla me përplot bereqet", edhe ky "Ilmihal i vogël" ishte me përplot bereqet.
3. Padyshim se Ilmihali u bë si një gurthemel i literaturës islame në trojet tona.
4. Kështu filloi literatura e parë islame në gjuhën shqipe, duke filluar nga pak, e sot kemi me qindra libra nga fushat e ndryshme islame.
Figura 1.2. Ballina: "Mësimi i shkurtër mbi namazin dhe Jasini Sherifi" (1959)
Dy vjet më vonë, pas botimit të Ilmihalit, po në Prishtinë, më 1959, botohet doracaku tjetër: "Mësimi i shkurtër mbi namazin dhe Jasini sherifi", i përgatitura nga kryetari i atëhershëm i Bashkësisë Islame të Jugosllavisë, h. Sulejman Kemura, të cilin e kanë përkthyer nga gjuha boshnjake, hfz. Bajram ef. Agani dhe Mehmet Gjevori.(6) Në këtë botim, është trajtuar gjerësisht mënyra e faljes së namazit dhe është përkthyer surja "El Fatiha" dhe surja e "Jasini sherifit". Për shkak të kërkesave në terren, edhe ky libër u ribotua disa herë nga Shoqata e Ylemave dhe Bashkësia Islame e Kosovës.
Rëndësia e këtij botimi, qëndron në faktin se këtu janë shpjeguar kushtet dhe rregullat e namazit, farzit të parë të myslimanëve dhe, po ashtu, janë dhënë në përkthim edhe dy suret e përmendura. Pas "Ilmihalit", botimi i këtij libri, ishte më se i nevojshëm, sepse pasi që të njihet feja dhe parimet bazë të saj, duhet edhe praktikimi i fesë, dhe në radhë të parë duhet filluar me namazin. Një libër i tillë sikur ky, është i domosdoshëm edhe sot, sepse për një literaturë të tillë, gjithmonë ka nevojë lexuesi shqiptar mysliman, sidomos kur ajo botohet nga institucioni kryesor dhe përgjegjës për çështje të tilla, siç është Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Në ballinën e "Mësimi i shkurtër mbi namazin dhe Jasini Sherif", është paraqitur një vizatim i Xhamisë së Madhe të Prishtinës, ashtu siç e ka parë artisti që e ka vizatuar atë, prandaj ky fakt natyrisht që ka domethënien e tij, sepse lexuesit shqiptar i ofrohet pamja e një objekti monumental islam në qendër të Prishtinës në një vepër me domethënie të veçantë, siç është mësimi i namazit në gjuhën shqipe. Mendojmë se edhe sot literatura dhe periodiku në gjuhën shqipe kanë nevojë dhe duhet që nëpër ballinat dhe faqet e tyre të kenë sa më shumë ilustrime dhe fotografi të monumenteve tona islame dhe t'i promovojnë vlerat tona islame autoktone. (vijon)
____________________________
1 Bajram ef. Agani ishte themelues i BI-së së Kosovës, themelues i Medresesë dhe i bibliotekës. Nismat për përkthimin e literaturës në gjuhën shqipe dhe një sërë ndërmarrjesh të tjera, shënojnë epokën e hafëz Bajram ef. Aganit dhe kur kësaj ia shtojmë edhe rrethanat e vështira në të cilat ai veproi, lirisht mund të themi se hafëz Bajram ef. Agani mbetet personaliteti më emblematik në historinë e re të BI-së së Kosovës.
2 Ramadan Shkodra, Bibliografi e revistës "Edukata Islame" (1971-2016), Prishtinë, 2017, f. 8.
3 Mr. Qemajl Morina, Myderriz Hfz. Bajram ef. Agani, Jeta dhe vepra (1899-1962), Prishtinë, 2015, f. 70, 71.
4 Ilmihal i vogël, f. 5.
5 Ibid, f.72.
6 Mehmet Gjevori ishte autori i Abetares së parë shqipe në Kosovë, mësuesi, pedagogu, dhe veterani i arsimit dhe përkthyes nga gjuha boshnjake e "Mësimi i shkurtër mbi namazin dhe jasini sherifi". Ramadan Shkodra, Literatura Islame në gjuhën shqipe në Kosovë (1957-2017), fillet, tradita, sfidat dhe sukseset, përmbledhje kumtesash nga tryeza shkencore (Prishtinë, 27 dhjetor 2017), Prishtinë, 2019, f.72.
Arbin Ahmeti
Dituria Islame 391