Ngjarja e elefantit – një qasje klasike dhe moderne

 


Tregimet për popujt e mëhershëm në Kuran përbëjnë një komponent thelbësor të diskursit hyjnor, me funksion edukativ, etik dhe historik. Këto tregime nuk paraqiten thjesht si ngjarje të së kaluarës, por si shembuj paradigmë, që ofrojnë udhëzime morale dhe fetare për individin dhe shoqërinë. Nëpërmjet historive të popujve të mëhershëm, Kurani i ofron lexuesit mundësinë të reflektojë mbi sjelljet e veta dhe të mësojë nga gabimet historike të njerëzimit. Kësisoj, rrëfimet kuranore nuk janë vetëm pasqyrime të një realiteti të shkuar, por mjete të fuqishme të ndërtimit të vetëdijes shpirtërore, fetare dhe morale. Në këtë kontekst, edhe ngjarja e elefantit, e përmendur shkurtimisht në Kuranin famëlartë, zë një vend të veçantë. Duke qenë se ka ndodhur pak kohë para shpalljes së Kuranit, ajo ka një rëndësi të posaçme historike. Kaptina El Fil, si kaptina e 105-të në Kuran, e përmbledh këtë ngjarje në mënyrë të shkurtër, por jashtëzakonisht të fuqishme dhe kuptimplotë. Emri më i njohur i saj i shënuar edhe në Mushaf është "Suretu'l-Fili" - kaptina e elefantit. Në ajetin e parë të kësaj kaptine thuhet: "A nuk e ke parë, se ç'bëri Zoti yt me poseduesit e elefantit?", që i referohet ushtrisë së Ebrehesë, i cili me ushtrinë e vet me elefantë mësynë Qabenë për ta rrënuar.


Koha e zbritjes dhe lidhshmëria e kaptinës me ngjarjen e filit


Kaptina El Fil, është shpallur në Mekë dhe, sipas renditjes kronologjike, ajo zë vendin e 19-të, pas kaptinës Kafirun.(1) Në Mushaf, gjendet e renditur si kaptina e 105-të. Kjo kaptinë risjellë në vëmendje një ngjarje që kishte ndodhur rreth 40 vjet para shpalljes së saj. Mesazhi i saj thelbësor është se i Dërguari i Allahut dhe numri i vogël i besimtarëve që e ndoqën atë, nuk janë të braktisur e as të pambrojtur. Përkundrazi, nëpërmjet kësaj kaptine, Kurani u drejtohet kurejshëve (të cilët përpiqeshin t'i shtypnin ata) dhe të gjithë atyre që do të ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit, me paralajmërime të fuqishme hyjnore. Kjo kaptinë nënvizon qartë se ndihma e Allahut është e garantuar për besimtarët deri në ditën e fundit, ndërsa për mohuesit dhe armiqtë e së vërtetës, ajo sjell lajmin e ndëshkimit dhe shkatërrimit, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër.
Zbritja e kaptinës El Fil lidhet me rrëfimin e "ashabu'l'fil" (poseduesit e elefantit), dhe në të trajtohet mënyra se si Zoti i Madhëruar shkatërroi ushtrinë e Ebrehesë në tentativën e tyre për të shkatërruar Qabenë. Edhe pse në burimet historike ekzistojnë transmetime të ndryshme rreth kësaj ngjarjeje, në thelb ato përputhen në një pikë të përbashkët: ngjarja buron nga faktorë të ndërlidhur politikë, ekonomikë dhe fetarë. Sa u përket arsyeve politike dhe ekonomike, gjatë shekujve V-VI pas erës sonë, që përkojnë me kohën e ngjarjes së Filit, qëllimi kryesor i bashkëpunimit mes Perandorisë Bizantine dhe mbretërisë Abisinite ishte marrja nën kontroll e rrugëve tregtare tokësore dhe detare që përshkonin Arabinë. Nga ana tjetër, arsyeja fetare kishte të bënte me përpjekjen për t'i shkëputur arabët nga lidhja e tyre shpirtërore dhe kulturore me Qabenë dhe për t'i orientuar drejt një kishe të madhe të ndërtuar në San'a, e cila synohej të bëhej qendra e re fetare për haxhilerët arabë. Megjithëse në shikim të parë kjo duket si një përpjekje me natyrë fetare, analizat historike tregojnë se qëllimi përfundimtar ishte ekonomik: zhvendosja e qendrës së pelegrinazhit do të rriste ndjeshëm rolin tregtar të Jemenit në kurriz të Mekës.(2) Megjithëse ekzistojnë disa mendime të ndryshme lidhur me kohën e ndodhjes së ngjarjes së elefantit (Fil), ku shumica dërmuese e transmetimeve historike pajtohen se kjo ngjarje ka ndodhur në shekullin e gjashtë pas erës sonë. Viti kur ndodhi kjo ngjarje njihet në literaturën islame si "Viti i Elefantit" (Amu'l Fil). Pikërisht në të njëjtin vit ka lindur edhe i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s.. Sipas konsensusit të dijetarëve islamë, ngjarja e Filit ka ndodhur gjatë muajit muharrem, ndërsa lindja e Pejgamberit a.s. është regjistruar në muajin rebiul-evvel, rreth pesëdhjetë ditë pas ngjarjes.(3) Studiuesi i njohur egjiptian, Muhamed Husejn Hejkel, pas shqyrtimit të mendimeve të ndryshme, përmend se Muhamedi a.s. ka lindur në vitin 570 të erës së re, që përkon me Vitin e Elefantit.(4)


Lidhmëria e kaptinës el fil me kaptinën paraprake


Kaptina El Fil paraqet një lidhje të ngushtë konceptuale me kaptinën pararendëse, El Humeze. Në këtë të fundit, Allahu i Madhëruar përshkruan gjendjen shpirtërore dhe sjelljen arrogante të individëve që janë të zhytur në grumbullimin e pasurisë dhe krenohen me të, duke përbuzur e tallur të varfrit dhe të pambrojturit. Ata besojnë se pasuria e tyre do t'u sigurojë përjetësi dhe mbrojtje absolute nga çdo e keqe. Por Zoti i gjithësisë ua bën të qartë se fundi i tyre do të jetë ndëshkimi i rëndë në zjarrin e Xhehenemit. Në këtë kuadër tematik, kaptina El Fil shërben si një ilustrim i drejtpërdrejtë i fuqisë absolute të Allahut për të shkatërruar çdo arrogancë dhe mjet njerëzor të vetëmbështetjes. Në këtë kaptinë rrëfehet rasti i ushtrisë së Ebrehesë, një forcë e madhe ushtarake që përfshinte edhe elefantë - simbol i fuqisë dhe epërsisë ushtarake - e cila u përpoq të shkatërronte Qabenë. Allahu, me urtësinë dhe fuqinë e Tij, e asgjësoi këtë ushtri përmes një ndërhyrjeje hyjnore: tufa zogjësh që hodhën mbi ta gurë nga balta e pjekur, duke i kthyer në një masë të shpërbërë dhe të padenjë, si gjethe të përtypura. Përfundimi i Ebrehesë dhe ushtrisë së tij është një shembull domethënës i faktit se as pasuria, as fuqia materiale, dhe as aleatët fizikë nuk mund të jenë mburojë ndaj ndëshkimit hyjnor. Ky rrëfim historik përçon një mësim të qartë: çdokush që me arrogancë i cenon të tjerët dhe mundohet të sfidojë drejtësinë e Zotit, do të përjetojë një fund të dhimbshëm dhe të mjerueshëm.(5)


Kaptina El Fil - shprehje e ndihmës së Allahut


Fillimi i kësaj kaptine, paraqet një pyetje hyjnore drejtuar Muhamedit a.s.: "A nuk e ke parë, se ç'bëri Zoti yt me poseduesit e elefantit?".(6) Kjo pyetje nuk ka për qëllim të verifikojë nëse ai ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjes, por synon të nxisë kujtesën dhe njohurinë e tij për atë që ka ndodhur. Me fjalë të tjera, kuptimi i saj është: "A nuk ke dëgjuar?" ose "A e di se çfarë veprimi ndërmori Zoti yt ndaj pronarëve të elefantit - ndaj Ebrehesë dhe ushtrisë së tij, e cila marshoi drejt Mekës me qëllim të shkatërrimit të Shtëpisë së Shenjtë, Qabesë?" Në lidhje me këtë, mufesiri i njohur Taberiu thekson se shprehja "A nuk e ke parë?"- vije në kuptimin: "A nuk ke vështruar me syrin e zemrës që të kuptosh?". Kjo shprehje, nuk i referohet shikimit fizik, por është një ftesë për të kuptuar ngjarjen në thellësi, për ta perceptuar atë me mendje dhe reflektim. Me këtë, qëllimi është që Muhamedit a.s. t'i kujtohet dhe t'i bëhet e qartë se si ka ndodhur kjo ngjarje madhështore.(7) Raziu, përveç kuptimit "të dish", i shton edhe kuptimin "të përkujtosh", duke nënvizuar se ngjarja e Ebrehesë është kaq e njohur dhe e sigurt, sa që arrin në shkallën e transmetimit të shumëfishtë (mutevatir). Ai thekson se ky është një tregues i famës së ngjarjes në mesin e arabëve dhe sjell në vëmendje vargun nga kaptina Jasin, ku thuhet: "A nuk e panë ata, se sa gjenerata kemi zhdukur para tyre dhe ata nuk u kthyen."(8) Ky krahasim e thekson universalitetin e ligjit hyjnor në histori: çdo popull që sfidon të vërtetën, përfundon i shkatërruar, pavarësisht fuqisë së tij materiale.(9) 
Ndërkohë, Kurtubiu, shprehjen: "A nuk e ke parë?" e interpreton në formën: "A nuk të është treguar?", duke e lidhur atë me konceptin e njoftimit të sigurt.(10) Në lidhje me këtë, Sharavi, thekson se përdorimi i shprehjes: "A nuk e ke parë?", nuk është rastësor, por lidhet ngushtë me mënyrën se si njeriu fiton diturinë. Sipas tij, njohja te njeriu fillimisht realizohet përmes shqisave - veçanërisht të dëgjuarit dhe të parët - dhe vetëm më pas përmes proceseve mendore e logjike. Pra, shqisat janë porta e parë e perceptimit dhe të kuptuarit, ndërsa të menduarit vjen si fazë e dytë pas përvojës shqisore. Këtë rend logjik e mbështet edhe një ajet kuranor, ku thuhet: "Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje), që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues."(11) Ky ajet, sipas Sharavit, tregon qartë se perceptimi shqisor është themeli i formimit të dijes te njeriu, andaj edhe përdorimi i formulës: "A nuk e ke parë?" në këtë kontekst është përzgjedhur me urtësi dhe qëllim të thellë.12 Në këtë aspekt, shprehja i drejtohet në mënyrë universale çdo lexuesi të Kuranit në çdo kohë.
Ndërsa, pyetja që formohet përmes "si" e përmendur në ajet tregon aspektin cilësor të kësaj ngjarjeje. Nëse do të pyetej "çfarë ndodhi?", fokusi do të ishte mbi përmbajtjen ose natyrën e ngjarjes. Por, përkundrazi, theksimi i mënyrës se si ndodhi ngjarja është një tregues i aspektit të saj të jashtëzakonshëm apo të mrekullueshëm. Kjo, sepse ngjarja nuk është një ngjarje e zakonshme, e përsëritshme, por përfaqëson një ndërhyrje të pazakontë hyjnore në rrjedhën e zakonshme të historisë. Edhe pse ndonjë dukuri e zakonshme mund të jetë në vetvete e jashtëzakonshme - si shembull, lindja dhe perëndimi i diellit apo krijimi i një gjallese - për shkak se ndodhin vazhdimisht, njeriu shpesh nuk i vlerëson siç duhet. Në të vërtetë, në raport me atributin krijues të Allahut, edhe këto janë mrekulli. Por pikërisht për shkak të përsëritjes, ato perceptohen si të zakonshme dhe nuk shkaktojnë habi te njeriu. Në këtë kuptim, ngjarja e elefantit (filit) është thellësisht e jashtëzakonshme. Ajo nuk përfaqëson thjesht një humbje apo shkatërrim ushtarak, por është një shfaqje e drejtpërdrejtë e fuqisë hyjnore në mbrojtje të Qabesë. Prandaj, për të shmangur trajtimin e saj si një ngjarje e rëndomtë historike, në ajet theksi nuk është vënë tek ajo se çfarë ndodhi, por te fakti se si ndodhi. Në këtë mënyrë, Kurani orienton lexuesin të vërejë natyrën e pazakontë dhe të mrekullueshme të kësaj ndodhie, duke i dhënë asaj një kuptim më të thellë akaidologjik dhe shpirtëror.


Fuqia e Allahut mbi planet e njerëzve


Rrëfimi në këtë kaptinë vazhdon përsëri në formë pyetjeje: "A nuk ua bëri përpjekjen e tyre të dështuar?",(13) duke vënë në pah faktin, se Zoti i Lartësuar ka për qëllim t'i kujtojë të Dërguarit të Tij dhe të gjithë atyre që u është komunikuar mesazhi hyjnor, një ngjarje të jashtëzakonshme që dëshmon për fuqinë absolute dhe autoritetin e pakontestueshëm të Tij. Ai thekson se të gjitha fuqitë dhe autoritetet tokësore janë të nënshtruara ndaj vullnetit të Allahut, se Ai është Sunduesi Mbizotërues mbi krijesat e Tij, dhe se asnjë fuqi, sado e madhe të jetë, nuk mund ta pengojë apo sfidojë urdhrin e Tij. Ngjarja që përshkruhet në kaptinë është ajo e një populli që, me qëllim që të mposhtte disa prej robërve të Allahut dhe t'u shkaktonte atyre dëme e vuajtje duke i shkatërruar edhe vendadhurimin e tyre Qabenë, mobilizoi një ushtri të fuqishme, të përforcuar me elefantë - simbol i fuqisë dhe i autoritetit në atë kohë. Megjithatë, Zoti i Madhëruar, me urtësinë dhe fuqinë e Tij të pakufishme, i shkatërroi ata, me gjithë kurthet dhe planet e tyre, dhe kështu u dështoi çdo përpjekje, pavarësisht numrit dhe përgatitjes ushtarake që posedonin.(14) Në këtë mënyrë në kuptim të përgjithshëm ky ajet thekson se suksesi nuk u takon atyre që posedojnë mjete materiale dhe forcë të jashtme, por atyre që janë nën mbrojtjen dhe ndihmën e Allahut. Fuqia e vërtetë i përket Allahut, dhe historia dëshmon se çdo përpjekje që synon të sfidojë të vërtetën është e destinuar të dështojë. Në këtë kontekst Zoti i Madhëruar thotë: "Ata planifikonin dredhi, kurse Allahu ngrinte kurthe (kundër tyre), Allahu është më i miri i atyre që bëjnë kurthe."(15)
Në vazhdim të kësaj kaptine, Zoti i Madhëruar, ofron një shpjegim të qartë se si ndodhi kjo ngjarje e jashtëzakonshme duke thënë: "Dhe Ai kundër tyre lëshoi shpendë që vinin tufë tufë! Dhe i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar! Dhe ata i bëri si gjeth i grimcuar (i përtypur)!"(16) Në tefsiret klasike, kjo ngjarje është trajtuar në tërësi si një mrekulli hyjnore. Sipas tyre, Allahu i Plotfuqishëm deshi që ushtrinë e madhe të Ebrehesë ta shkatërronte me një ushtri të Tij, në këtë rast as me njerëz e as me engjëj, por me tufa të tilla zogjsh, - secili prej të cilëve mbante tre gurë një në sqep dhe nga një në secilën kthetër - që nuk ishin parë dhe as nuk ishin të njohur më parë nga arabët. Ata kishin ardhur nga drejtimi i detit dhe, pasi përmbushën misionin e tyre, u rikthyen nga kishin ardhur. Sipas një transmetimi që i atribuohet Ikrimes, thuhet: "Secili që u godit nga ata gurë, atij iu shfaqte lija."(17) Sipas këtij transmetimi, për herë të parë në rajonin e Hixhazit sëmundjet si lija dhe fruthi janë shfaqur pas kësaj ndodhie.(18) Sipas Abduhus, shprehja "zogj" e përmendur në ajet mund të nënkuptojë jo domosdoshmërish zogj në kuptimin klasik, por edhe insekte si mizat, mushkonjat apo bartës të mikrobeve.(19) Megjithatë, shumica e komentuesve kanë kundërshtuar këtë interpretim, duke e cilësuar atë si një tentativë për të racionalizuar një ndodhi që Kurani e paraqet si të mbinatyrshme dhe mrekullibërëse. Ndërsa, Raziu thekson se shprehja "zogj" e përmendur në ajetin kuranor përçon dy kuptime. Së pari, ai e lidh këtë formë me kuptimin e nënvlerësimit (tahkir), që në këtë kontekst ka për qëllim të theksojë madhështinë e asaj që ndodhi: përballë një ushtrie të madhe, shfaqja e disa zogjve të vegjël dhe veprimi i tyre shërben për të dëshmuar fuqinë absolute të Allahut. Kuptimi thelbësor është se, edhe gjërat më të vogla, kur janë në shërbim të vullnetit hyjnor, marrin përmasa të jashtëzakonshme dhe bëhen të rëndësishme. Interpretimi i dytë i Raziut fokusohet te theksimi i madhështisë së ngjarjes. Ngjarja e elefantëve është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe madhështore, sepse një ushtri e fuqishme u shkatërrua nga gurë të vegjël të hedhur nga zogj po ashtu të vegjël - një zhvillim që nuk mund të shpjegohet në mënyrë natyrore, por që bart në vetvete dëshminë e një mrekullie.(20) Po ashtu interpretuesi bashkëkohor Sharaviu shton se në këto ajete kuptohet qartë se nuk kemi të bëjmë thjesht me një akt të zakonshëm, por me një ndërhyrje të veçantë dhe të jashtëzakonshme, e cila nuk mund të realizohet nga askush tjetër përveç Allahut të Madhëruar.(21) Si rrjedhojë, një forcë agresore që synonte shkatërrimin e Shtëpisë së Allahut (Qabesë) u ndëshkua në mënyrë të jashtëzakonshme, ndërsa banorët e Mekës, të cilët nuk kishin asnjë mundësi përballjeje dhe ishin tërhequr në male për t'i shpëtuar sulmit, dolën të paprekur nga kjo ngjarje. Kjo dëshmon për ndihmën hyjnore në mbrojtje të shenjtërisë dhe nderit të Qabesë.
Në këtë kontekst, urtësia e kësaj ngjarjeje, edhe pse në aspektin historik i përket një periudhe dhe vendi të caktuar, në përmbajtje përçon mesazh me vlerë universale. Ajo përfaqëson betejën ndërmjet të së vërtetës (hakut) dhe të së pavërtetës (batilit), duke lënë të nënkuptohet se, në fund, e vërteta gjithsesi do të triumfojë si një realitet që vazhdon deri në Ditën e Gjykimit. Kësisoj, shkatërrimi, dhuna dhe padrejtësia nuk do të mbesin të pa ndëshkuara qoftë herët apo vonë. Nga kjo rrjedh se detyra e besimtarit është të pozicionohet përkrah së drejtës, duke ndjekur udhëzimet e Kuranit, dhe të marrë qëndrim të qartë ndaj çdo forme padrejtësie e devijimi, në çdo kohë dhe rrethanë.


_______________________
1 Kurtubi, El Xhamiu'-l Ahkami'l Kuran, XX/141.
2 Yıldırım, İlmin Işığında Asrın Kuran Tefsiri, XIII/ 6899-6700.
3 Mevdudi, Tefhimu'l Kuran, VII,241-242.
4 Muhamed Husejn Hejkel, Hajatu Muhamed, 120.
5 Sekafi, El Burhan, 218.
6 Fil, 1.
7 Taberi, Xhamiu'l Bejan, XXIV/605.
8 Jasin, 31.
9 Razi, Mefatihu'l Gajb, 32/289.
10 Kurtubi, Xhamiu li Ahkami'l Kuran, XX/187.
11 Nahl, 78.
12 Sharavi, Tefsir suretej el Fil ve Kurejsh, 17-22.
13 Fil, 2.
14 Muhamed Abduh, Tefsiru Xhuzi Amme, 157-158.
15 Enfal, 30.
16 Fil, 3-5.
17 Ibën Hisham, Es Siretu'n Nebevijje, I/54-56.
18 Taberi, Xhamiu'l Bejan, XXIV/608.
19 Muhamed Abduh, Tefsiru Xhuzi Amme, 157-158.
20 Er Razi, Mefatihu'l Gajb, 32/291.
21 Sharavi, Tefsir suretej el Fil ve Kurejsh, 22.


 


 


Dituria Islame 418