Një ndër dukuritë më paradoksale të kohës sonë është etja e pashpjegueshme e shumë njerëzve për të folur në emër të Islamit, madje edhe për t'u paraqitur si predikues të kësaj feje hyjnore, pa u vlerësuar nga ndonjë autoritet kredibil nëse të njëjtit posedojnë dijen, pjekurinë, urtësinë dhe afinitetin për të bartur një amanet kaq të rëndë mbi supet e tyre. Një prirje e tillë nuk përbën vetëm një devijim nga etika e dijes islame, por zbulon edhe një keqkuptim të thellë të vetë misionit të fesë. Sepse misioni islam nuk fillon me fjalën, por me shembullin; nuk ndërtohet mbi pretendimin për të përfaqësuar Islamin, por mbi përkushtimin për ta jetësuar atë e për ta ofruar modelin e mirëfilltë para të tjerëve.
Në fakt, gjëja më e çmuar që prezantoi vetë i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. ishte shëmbëlltyra që ai ofroi, vepra madhore që la, madje jo vetëm për epokën në të cilën jetoi, por për të gjitha kohërat dhe gjithë njerëzit gjer në amshim. Këtë fenomen të papërsëritshëm të shembullit nga Muhamedi a.s. në formë të përkryer e konstatoi Zoti në Kuran, kur Ai tha: "Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, (kuptohet) ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun." (El Ahzab, 21). Ai dëshmoi se si njeriu duhet ta jetojë jetën me fisnikëri e nder, ashtu siç e demonstroi në formë të mahnitshme durimin në sprova, thjeshtësinë në jetë, sakrificën e vetëflijimin në beteja, drejtësinë në gjykime, mëshirën në familje, qëndrueshmërinë e konsekuencën në parimet hyjnore dhe modelin më kapital që e dha në lidhjen e tij me Allahun, në çdo gjendje e rrethanë. Prandaj, njerëzit e pranuan Islamin, ndonjëherë, edhe pa dëgjuar asnjë fjalë prej tij. Lexojeni me kujdes rrëfimin e Abdullah ibën Selamit, Zoti pastë qenë i kënaqur me të, i cili, kur rrëfen takimin e parë me të Dërguarin e Allahut, tha: "Kur i Dërguari i Allahut a.s. mbërriti në Medinë, njerëzit u dyndën drejt tij dhe thoshin: "Ka ardhur i Dërguari i Allahut! Ka ardhur i Dërguari i Allahut!" Edhe unë dola me turmën për ta parë. Kur e vështrova mirë fytyrën e tij, e kuptova se ajo nuk ishte fytyrë e një gënjeshtari." (Sunen et Tirmidhi, 2485). Pra, në shikim të parë njihej, dallohej dhe demonstronte njeriun me tipare të mahnitshme, që s'lejonte as armikun të mbetej indiferent karshi tij. Ai pushtonte zemrat e të tjerëve me modestinë e karakterin e tij, para se ta bënte këtë me fjalët e mesazhet e tij. Natyrisht, Abdullah ibën Selami r.a. e pranoi Islamin, siç bënë mijëra të tjerë para e pas tij, veçse, më tepër se pranimi i tij i Islamit, do të duhej të na bënte përshtypje arsyeja që e joshi atë drejt kësaj feje. Mirëpo, të mos harrojmë edhe një gjë: i Dërguari ynë a.s., pos që arriti ta dëshmonte shëmbëlltyrën me tiparet e virtytet e tij si Pejgamber i Zotit e përmbyllës i misionit profetik në tokë, përtej kësaj ai formoi gjithashtu një brez shoqëror që mbeti model tejhistorik, i papërsëritshëm, andaj prej tyre u përhap Islami dhe e mori dhenë.
Sot, ndoshta edhe mund të gjesh një besimtar mysliman që vërtet virtytshmëria e tij mbetet joshëse për shumë njerëz që të afrohen tek Islami, por ai po mbetet një individ ose, në rastin më të mirë, mund të jenë edhe disa të tillë, që janë të shpërndarë gjithandej nëpër vise myslimane e jomyslimane. Pra, ndryshe nga brezi i parë, ne këtë e kemi bërë kulmin e aspiratës sonë, individin shëmbëlltyrë, por nuk po arrijmë të formojmë një shoqëri të tërë, që si komunitet të shndërrohet në shëmbëlltyrë që tërheq në mënyrë magnetike të tjerët te gjiri i Islamit. Ndërkaq, vetëm me të parën, ne do të mbetemi në qarkun e ndikimit nga të tjerët e kurrë nuk do të krijojmë një qark të ri të ndikimit te të tjerët. Ndoshta më së miri e tha ideologu perëndimor Albert S., kur u shpreh se: "Shembulli nuk është mënyra kryesore për të ndikuar te të tjerët; është e vetmja mënyrë."
Pra, duket e kotë ngarendja jonë kah perfeksionimi i oratorisë e elokuencës në predikimin e Islamit, me gjithë peshën e madhe që ka edhe kjo e të cilën mbase edhe po e arrijmë, për sa kohë që ne kemi huq hapin për të formuar brezin shëmbëlltyrë, i cili do të mbetej i denjë që të ndiqej nga të tjerët në çdo hap të jetës. Pa e kuptuar mirëfilli se thellësia e hendekut tonë mes veprës e fjalëve tona e përcakton edhe nivelin e ndikimit tonë tek ata, s mund të hapërojmë në rrugën e mëkëmbësisë në tokë. Kështu që, ajo që ne jemi sot dhe që ne e bëjmë flet aq fuqishëm, saqë të tjerët do ta humbasin durimin ta dëgjojnë më pas atë që ne themi.
Editorial
Dituria Islame 429