Rënia në sexhde së pari me gjunjë, pastaj me duar


Hyrje


Rënia në sexhde së pari me gjunjë apo me duar, është një çështje e njohur përgjatë historisë islame, ku dijetarët eminentë e kanë trajtuar këtë mesele dhe i kanë dhënë opinionet e tyre. Kjo çështje nuk ka qenë arenë përplasjeje mes myslimanëve në historikun e tyre, me përjashtim të kohëve të fundit ku individë të caktuar kanë kontestuar praktikën tonë të të falurit, gjegjësisht kanë kontestuar mënyrën e rënies në sexhde, kinse na qenka praktikë në kundërshtim me sunetin e të Dërguarit të Allahut. Në këtë çështje, do të ndalem pak më tepër dhe do të bëj një analizë të detajuar, si nga ana e fikhut, ashtu edhe nga ana e hadithit, në mënyrë që të tregohet e vërteta rreth saj.


Opinionet rreth mënyrës së rënies në sexhde


Kryesisht janë dy opinione të ndryshme rreth mënyrës së rënies në sexhde:
1. Së pari shkohet me gjunjë, pastaj me duar, e pastaj balli dhe hunda. Këtë mendim e përfaqësojnë hanefitë, shafitë, Ahmedi sipas njërit transmetim, një pjesë e madhe e hanbelitëve, përfshirë këtu edhe Ibën Tejmijen dhe Ibën Kajimin, ku ajo që vlen të potencohet këtu është fakti se, Ibën Kajimi është njëri ndër mbrojtësit më të mëdhenj të rënies në sexhde së pari me gjunjë. Madje këtë mesele e shpjegon shumë më gjatë se sa meseletë tjera. Faktikisht, ky mendim është mendimi i shumicës dhe mendimi më i njohur te juristët. Në këtë kontekst, imam Tirmidhiu thotë: "Praktika e shumicës dërmuese të dijetarëve parashohin që të vendos gjunjët para duarve, e kur të ngrihet, i ngrit duart para gjunjëve."(1)
2. Së pari shkohet me duar, e pastaj me gjunjë. Këtë mendim e përfaqësojnë Maliku, Evzaiu dhe disa nga hadithologët. Praktikisht këtë mendim e përfaqësojnë një pakicë dijetarësh, ku vlen të potencohet se përveç Malikut dhe Evzaiut, pjesa tjetër nuk janë nga fukahatë, por nga hadithologët.


Hadithet për këtë çështje


Në lidhje me çështjen e rënies në sexhde, kryesisht janë dy hadithe që transmetohen nga dy sahabë të ndryshëm, e që përmbajtja e hadithit është e ndryshme nga njëri-tjetri.
Hadithi i parë transmetohet nga Vail ibën Huxhri, gjersa i dyti nga Ebu Hurejre. Faktikisht kemi të bëjmë me dy transmetues që vonë e kishin pranuar Islamin.
Hadithi i transmetuar nga Vaili vjen në këtë formë: "Na ka treguar Selemeh ibën Shebibi, Ahmed ibën Ibrahim ed Devrekijj, Hasen ibën Ali el Hulvanij dhe Abdullah ibën Muniri, të cilët kanë thënë: "Na ka treguar Jezid ibën Haruni, i cili thotë: "Na ka infor muar Sheriki, nga Asim ibën Kulejbi e ky nga Vail ibën Huxhri, i cili ka thënë: "E kam parë të Dërguarin e Allahut kur bënte sexhde, vendoste gjunjët e tij para duarve të tij, e kur ngrihej (nga sexhdeja) i ngrite së pari duart e pastaj gjunjët e tij."(2)
Hadithin në fjalë disa e bëjnë të dobët e disa e paraqesin si të mirë e të pranuar, mirëpo në realitet hadithi i transmetuar sipër ka dobësi, sepse në mesin e transmetuesve gjendet Sherik ibën Abdullahi, i cili ka pasur memorie të dobët.
Mirëpo, hadithi ka edhe një rrugë tjetër transmetimi, ndonëse transmetimi tjetër ka shkëputje, por që forco het me transmetimin paraprak. Kështu mendon Shuajb Arnauti dhe shumë prej ulemave tjerë. E rruga tjetër e transmetimit është ajo që ndiqet përmes Jezid ibën Harunit, të cilin Tirmidhiu e ka bërë hadith të pranuar (mirë), ndërsa Ibën Huzejme thotë se është autentik (sahih).(3) Hadithin në fjalë e ka bërë autentik edhe Ibën Kajimi në Zadul Mead.
Hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre vjen në këtë formë: "Na ka treguar Seid ibën Mensuri, na ka treguar Abdulaziz ibën Muhamedi, më ka treguar Muhamed ibën Abdullah ibën Haseni, nga Ebu Zinadi, ky nga El A'rexhi, e ky nga Ebu Hurejre, i cili thotë: "Tha i Dër guari i Allahut: "Kur ndokush prej jush bën sexhden, mos të ulet ashtu siç ulet deveja, mirëpo le të vendos duart para gjunjëve të tij."(4)
Edhe ky hadith, sikurse ai paraprak, ka dobësi, mirë po hadithi i dytë për dallim nga i pari, ka dobësi edhe në mesin e transmetuesve (sened), po ashtu edhe në vet tekstin e përmbajtjes (metn).
Sa i përket dobësisë së transmetuesve, është fjala për Muhamed ibën Abdullah ibën Hasenin, i cili nuk dihet se a është takuar me transmetuesin tjetër Ebu Zinadin, madje Buhariu hedh pikëpyetje për takimin e tyre. Buhariu këtë hadith e ka konsideruar të dobët në librin e tij të njohur si "Te'rihu-l kebir."
Sikur Buhariu mendojnë edhe të tjerët, si Darekutni dhe imamët e mëdhenj të shkencës së hadithit. Madje, ka prej ulemave që këtë hadith e kanë konsideruar si të sëmurë dhe me defekte (ma'lul).
Këtë hadith e ka bërë të dobët njëri ndër transmetuesit e tij, e që është Tirmidhiu. Faktikisht, ka prej ulemave dhe studiuesve që e mbrojnë hadithin, por realiteti është se ky hadith është i dobët edhe përkundër që disa tentojnë me çdo kusht ta bëjnë të fortë, siç bën Albani. Mjafton që imamët e mëdhenj si Ahmed ibën Hanbeli, Buhariu, Tirmidhiu, Ibën Kajimi dhe shumë të tjerë vlerësojnë të dobët.
Ibën ebi Shejbe në Musanefin e tij, sjell hadithin e transmetuar po nga Ebu Hurejre i cili është hadith mer fu, ku Ebu Hurejre praktikisht bien ndesh me hadithin paraprak: "Na ka treguar Ebu Bekri, nga Ibën Fudejli, ky nga Abdullah ibën Seidi, ky nga gjyshi i tij, e ky nga Ebu Hurejre, i cili ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush bën sexhde, le të fillojë me gjunjët e tij para duarve të tij, e mos të ulet ashtu siç ulet deveja."(5)
Ibën Kajimi në Zadul Mead, në mënyrë të detajuar mbron mendimin se në sexhde duhet të shkohet së pari me gjunjë dhe kjo është forma autentike nga i Dërguari i Allahut dhe shokët e tij.
"I Dërguari i Allahut vendoste gjunjët para duarve të tij (gjatë rënies në sexhde), pastaj duart pas gjunjëve, më pas ballin dhe hundën. Kjo është forma autentike e përcjellë nga Sheriku, nga Asim ibën Kulejbi, nga babai i tij dhe nga Vail ibën Huxhri. E, nuk është transmetuar asgjë në veprimin e tij që e kundërshton këtë praktikë. E hadithi i përcjellë nga Ebu Hurejre: "Kur ndokush prej jush të bën sexhde, mos të ulet ashtu siç ulet deve ja, por le t'i vendosë duart e tij para gjunjëve të tij."-Zoti e di më së miri-, por nga disa prej transmetuesve ka ndodhur një gabim (vehm), ngase fillimi i tij (hadithit) e kundërshton fundin e tij, sepse nëse i vendos duart para gjunjëve, atëherë ulja është bërë pikërisht sikurse deveja, ngase deveja së pari i vendos duart (këmbët e para). E në momentin kur përfaqësuesit e këtij men dimi e kuptuan këtë, atëherë thanë se gjunjët e devesë janë para, e jo mbrapa, e kur ajo ulet, së pari i shtrin gjunjët (këmbët e para), mirëpo ky konstatim nuk qëndron për shumë arsye:
E para: Kur deveja ulet, ulet me duar (këmbët e para), e kur ngrihet, ngrihet së pari me këmbët (e fundit), e duart i mbesin në tokë. Nga kjo formë ndaloi i Dërguari i Allahut, ndërsa ai vet praktikoi veprimin që e kundër shton këtë formë, ngase gjëja e parë që bie në tokë është ajo që është më e afërt me tokën, e ajo që ngrihet e para nga toka është ajo që është më e larta.
I Dërguari së pari vendoste gjunjët e tij, pastaj duart, e më pas ballin e tij, e kur ngrihej (nga sexhdeja), së pari e ngrinte kokën, pastaj duart, e më pas gjunjët. Kjo formë është e kundërta e asaj që vepron deveja. E i Dërguari i Allahut ndaloi që të shëmbëllehemi me kafshët, sikurse që ndaloi të ulemi në sexhde siç ulet deveja, shikimi i përvjedhur sikur i dhelprës, shtrirja në tokë (me bërryla) sikurse shtrirja e qenit, ngritja e duarve gjatë selamit sikurse bishtat e kuajve të tërbuar, ngase udhëzimi i namazfalësit është në kundërshtim me kafshët.
E dyta: Opinioni i tyre: "Gjunjët e devesë janë në duart e saj" është opinion që nuk logjikohet dhe nuk e njohin gjuhëtarët, mirëpo gjunjët e saj janë në këmbët e saj.
E treta: Po të ishte sikurse që kanë pretenduar, do të vinte në hadith shprehja: "Le të ulet ashtu siç ulet de veja", ngase kur deveja ulet në tokë kontakti i parë me të janë duart e saj. E sekreti i kësaj çështjeje për atë që e shqyrton me vëmendje uljen e devesë, se i Dërguari i Allahut ndaloi të ulemi ashtu siç ulet deveja, e kupton se hadithi i transmetuar nga Vail ibën Huxhri është e vërteta e kësaj çështjeje.
Unë mendoj (Ibën Kajimi) se tek hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre, ka ngatërrim me tesktin e disa transmetuesve, e ndoshta do të duhej të ishte teksti: "Le të vendosë gjunjët para duarve të tij", ashtu siç disa transmetues e ngatërruan tekstin e hadithit të transmetuar nga Ibën Omeri: "Bilalli e thërret ezanin natën, e ju hani dhe pini derisa ta thërret ezanin Ibën ummi Mektumi", e thanë ata: "Ibën ummi Mektumi e thërret ezanin natën, e ju hani dhe pini derisa ta thërret ezanin Bilalli."
Po ashtu disa transmetues ngatërruan tekstin e hadithit: "Vazhdojnë të hedhen në xhehenem, e ai thotë: "A ka më të tjerë", e sa i përket xhenetit Allahu në të vendos krijesa që i shoqëron në të", e thanë: "e sa i përket xhehenemit Allahu në të vendos krijesa që i shoqëron në të."
Kam parë që Ebu Bekër ibën ebi Shejbe e ka transmetuar këtë hadith, e ai tha: "Na ka treguar Muhamed ibën Fudejli, nga Abdullah ibën Seidi, ky nga gjyshi i tij, ky nga Ebu Hurejre e ky nga i Dërguari i Allahut, i cili ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush bën sexhde, le të fillojë me gjunjët e tij pra duarve të tij, e mos të ulet ashtu siç ulet deveja."(6)
Ebu Hurejre ka transmetuar nga i Dërguari i Alla hut atë që e vërteton këtë dhe përputhet plotësisht me hadithin e transmetuar nga Vail ibën Huxhri. Ka thënë Ibën ebi Davudi: "Na ka treguar Jusuf ibën Adiji, na ka treguar Ibën Fudejl (Muhamedi), nga Abdullah ibën Seidi, ky nga gjyshi i tij, e ky nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut kur bënte sexhden, fillonte me gjunjët e tij para duarve të tij."
Gjithashtu edhe Ibën Huzejme në Sahihun e tij ka transmetuar nga hadithi i Mus'ab ibën Sadit, ky nga babai i tij, i cili ka thënë: "I vendosnim duart para gjunjëve (gjatë sexhdes), e ne u urdhëruam të vendo sim së pari gjunjët e pastaj duart." E sipas kësaj i bie që hadithi i përcjellë nga Ebu Hurejre është i shfuqizuar.(7)


Cila formë ka prioritet?


Realisht të dy hadithet kanë dobësi, për shkak se në mesin e transmetuesve kanë transmetues të dobët, por hadithi i parë ka më tepër përparësi dhe është më i fuqishëm, kështu mendon imam Hatabi dhe të tjerët. Ibën Kajimi kur e analizon këtë mesele, përmend në përfundim të saj dhjetë arsye se përse hadithi i transmetuar nga Vail ibën Huxhri është më parësor:
E para: Është më i vërtetuar dhe më i dëshmuar sesa hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre.
E dyta: Hadithi i përcjellë nga Ebu Hurejre ka ngatërrime në tekst, ngase dikush (nga transmetuesit) thotë: "Le të vendosë duart para gjunjëve të tij," e tjetri e thotë të kundërtën që të vendos gjunjët para duarve të tij. E dikush nga transmetuesit nuk e përmend fare këtë fjali.
E treta: Buhariu, Darekutni dhe të tjerët e kanë kon sideruar (hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejre), të sëmurë dhe me defekte.
E katërta: Një grup i dijetarëve kanë pretenduar se hadithi i Ebu Hurejres është i shfuqizuar. Ibën Mundhi ri në këtë kontekst është shprehur: "Disa nga shokët tanë (dijetarë) kanë pretenduar se rënia me duar është shfuqizuar."
E pesta: Ajo që përputhet me ndalesën e të Dërguarit të Allahut që të mos ulemi në sexhde ashtu siç ulet de veja është e kundërta e asaj që transmeton Ebu Hurejre.
E gjashta: (Hadithi i Vailit) përputhet me opinionet e bartura nga sahabët, si Omer ibën Hatabi, djali i tij dhe Abdullah ibën Mesudi. Nga asnjëri prej tyre nuk trans metohet ndonjë mendim që përputhet me hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejre.
E shtata: Hadithi i transmetuar nga Vaili ka edhe dëshmi tjera (shevahid), përderisa hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre nuk ka dëshmi. E hadithi i transmetuar nga Vaili ka më shumë prioritet për shkak të dëshmive.
E teta: Shumica e njerëzve janë të këtij mendimi (për rënien me gjunjë para duarve), përderisa mendimi tjetër ka si protagonistë Evzaiun dhe Malikun, gjegjë sisht një pjesë të hadithologëve. Në të kundërtën e tyre mendojnë Ahmedi, Shafiu dhe Is'haku.(8)


Sahabët dhe tabiinët së pari i vendosnin gjunjët, më pas duart


Na transmetohet se sahabët kur binin në sexhde, së pari i vendosnin gjunjët e pastaj duart e tyre, si Omeri, djali i tij(9), Abdullah ibën Mesudi e shumë prej sahabëve tjerë.
Ibën ebi Shejbe sjell një kapitull në lidhje me këtë çështje: "Na ka treguar Ja'la, nga A'meshi, ky nga Ibra himi, e ky nga Esvedi, se Omeri (kur bënte sexhden) binte me gjunjët e tij."(10) Sipas transmetimit tjetër: "...i vendoste gjunjët e tij para duarve të tij."(11)
Përveç sahabëve, kështu vepronin edhe gjenerata e tabiinëve, siç ishin nxënësit e sahabiut të njohur, Abdullah ibën Mesudit. Po ashtu Ibën Sirini, Ebu Kilabe, Ibrahim Nehaiu dhe shumë të tjerë: Na ka treguar Abbad ibën el Avvam, nga Halidi, i cili thotë: "E pash Ebu Kalaben që kur bënte sexhden, fillonte së pari me vendosjen e gjunjëve të tij..."(12)
Na ka treguar Vekiu e ky nga Mehdij ibën Mejmuni, i cili ka thënë: "E kam parë Ibën Sirinin (qe kur bënte sexhden) vendoste gjunjët para duarve të tij."(13)
Na ka treguar Ebu Muavijeh, nga Haxhaxhi, ky nga Ebu Is'haku, i cili ka thënë: "Shokët (nxënësit) e Abdulla hut, kur shkonin në sexhde, gjunjët e tyre i vendosnin para duarve të tyre."(14)
Kjo tregon se nxënësit e Abdullah ibën Mesudit kur shkonin në sexhde, së pari i vendosnin gjunjët e më pas duart. Ata ishin njerëz të përzgjedhur të dijes.
Madje, juristi i njohur i tabiinëve, Ibrahim Nehaiu, në prezencë të të cilit sahabët nguronin të jepnin fetva për shkak të dijes së madhe që zotëronte, veprimin e shkuarjes në sexhde së pari me duar, e shihte si veprim të çmendur. "Na ka treguar Ibën Fudejli, nga Mugire, ky nga Ibrahimi i cili është pyetur për dikë që i vendos duart para gjunjëve të tij. Ai e urreu një veprim të tillë dhe tha: "A e bën këtë përveç një të çmenduri?"(15) Kjo nënkupton se në kohën e tij në vendin ku jetonte ai nuk e njihte që ndokush të kishte mendim që duhet rënë me duar para gjunjëve.


Përfundim


Në bazë të kësaj që kam paraqitur këtu, mendoj se rënia në sexhde së pari me gjunjë e më pas me duar është më e qëndruar, më e pranuar dhe më e argumentuar, ngase:
-Hadithi i Vailit është më i pranuar dhe në bazë të atij kanë vepruar myslimanët.
-Praktika e myslimanëve në masë të madhe njeh më tepër këtë formë, me theks të veçantë te juristët myslimanë, saqë numri i atyre juristëve që e thonë të kundërtën është shumë simbolik. E për këtë praktikë na tregon edhe autori i njërit nga koleksioneve të hadithit, Tirmidhiu, i cili në mënyrë decidive dhe shume të hapur tregon se realisht rënia në sexhde me gjunjë, para duarve, është praktikë te pjesa dërmuese e dijetarëve, e cila është bartur gjeneratë pas gjenerate, ai thotë: "Praktika e shumicës dërmuese të dijetarëve parashohin që të vendos gjunjët para duarve, e kur të ngrihet, i ngrit duart para gjunjëve."(16)
-Tek adhurimet, kërkohet të veprohet sipas formës më të lehtë, e jo sipas asaj që është më e vështirë, sepse adhurimet nuk janë ndëshkim, por lehtësim. Nëse shi kohen këto dy forma të rënies në sexhde, atëherë forma më e lehtë e mundshme është padyshim ajo e rënies me gjunjë, para duarve. Vetëm një pjesë e sufistëve mendojnë se në adhurime duhet ndëshkuar shpirtin e lodhur trupin në mënyrë që të qortohet nefsi dhe të arrihet shpërblimi i merituar.
-Forma e rënies në sexhde së pari me duar, e pastaj me gjunjë, i përngjet më tepër atyre që janë të sëmurë ose kanë ndonjë problem. Hanefitë hadithin e rënies në sexhde së pari me duar, e ndërlidhin me sëmundjen e Pejgamberit a.s., gjë të cilën mund ta hasim shpesh në përditshmërinë tonë tek ata që janë të sëmurë ose të shtyrë në moshë, ku në pamundësi të shkuarjes me gjunjë, së pari i lëshojnë duart e tyre.
-Juristët myslimanë kur kanë para vetes dy transmetime të ndryshme, që në shikim të parë janë të kundër ta mes vete, shikojnë kronologjinë e ngjarjeve dhe veprimet e sahabëve, sepse ata janë pasqyra më reale e veprimeve të vet Pejgamberit a.s. Në rastin konkret, përderisa të dyja hadithet janë të dobëta, shikohen veprimet e sahabëve, e ato me shumicë janë që ata shkonin në sexhde së pari me gjunjët e tyre, e më pas i lëshonin duart e tyre. Përveç kësaj, duhet shikuar edhe tre shekujt e parë, se çfarë mendonin dijetarët e atyre shekujve, ku ajo që vlen të potencohet është fakti se me shumicë ata janë të mendimit se duhet shkuar me gjunjë e pastaj me duar. Madje, siç kam përmendur edhe sipër, është fjala e Ibrahim Nehaiut dhe Tirmidhiut që e vulosin këtë çështje, ngase i pari veprimin e rënies në sexhde së pari me duar, e shihte si veprim të çmendur e të marrë, e i dyti veprimin e rënies në sexhde së pari me gjunjë, e pastaj me duar, e shihte si veprim që përket me praktikën e pjesës dërmuese të dijetarëve, anembanë.


__________________________________________
(1) Tirmidhiu në Sunen, sipas verifikimit të Ahmed Shakirit, hadithi me nr.268. bot. II, Mektebetu Mustafa el Babi el Halebij, 1397-1977,v.II, f.56.
(2) Tirmidhiu në Sunen, hadithi me nr.268; Ebu Davudi në Sunen, nr. 838; Ibën Huzejme në Sahih, nr. 626; Daremiu në Sunen, nr.1359. Darani, që është recensues dhe ver ifikues i haditheve të koleksionit të Daremiut, në lidhje me këtë hadith thotë: "Hadithi është i mirë (hasen)." Daremiu në Sunen, recensues: Husejn Selim Esed ed Darani, bot. I-rë, Darul Mugni lin neshri vet tevzi, Arabia Saudite, 1412/2000, v.II, f.834. Alba ni dhe disa verifikues tjerë mendojnë se senedi i hadithit është i dobët, për shkak të transmetuesit Sherik ibën Abdullah.
(3) Shih Sunenin e Ebu Davudit me recenzurë nga Shuajb el Arnauti, bot. I-rë, Darurr Rrisaleh el Alemijeh, 1430-2009, v.II, f.129 (fusnotë).
(4) Ebu Davudi në Sunen, nr. 840.
(5) Ibën ebi Shejbe në Musannef, nr. 2702.
(6) Ibën ebi Shejbe në Musannef, nr. 2702.
(7) Ibën Kajjim el Xhevzije, Zadul Mead fi Hedji Hajril Ibad,bot. XXVII-të, Muese seturr Rrisaletu, Bejrut-Liban, 1415-1884, v.I, f.215-219.
(8) Ibën Kajjim el Xhevzije, Zadul Mead fi Hedji Hajril Ibad,v.I, f.223-224.
(9) Ibën ebi Shejbe në Musannef, nr. 2705. Ndonëse është edhe një transmetim tjetër që përmend se Ibën Omeri së pari shkonte me duart e tij kur bënte sexhden, e më pas i lëshonte gjunjët e tij. Këtë transmetim e ka përzgjedhur Maliku.
(10) Ibën ebi Shejbe në Mu sannef, nr. 2704.
(11) Ibën ebi Shejbe në Musannef, nr. 2703.
(12) Ibën ebi Shejbe në Musannef, nr. 2708.
(13) Ibën ebi Shejbe në Mu sannef, nr. 2709.
(14) Ibën ebi Shejbe në Musannef, nr. 2711.
(15) Ibën ebi Shejbe në Musannef, nr. 2707.
(16) Tirmidhiu në Sunen, sipas verifikimit të Ahmed Shakirit, hadithi me nr.268. bot.II, Me ktebetu Mustafa el Babi el Halebij, 1397-1977,v.II, f.56.


 


 


Dituria Islame 321-322