Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, së bashku me drejtorin për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodra, qëndruan për vizitë në Luginën e Preshevës.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni nga Bashkësia Islame e Kosovës takoi përfaqësues institucionalë, politikë, fetarë dhe kulturorë, me qëllim të forcimit të lidhjeve në interes të shqiptarëve të Luginës.
Delegacioni fillimisht u prit nga kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, me të cilën diskutuan për gjendjen e shqiptarëve në Luginë. Vëmendje e veçantë iu kushtua unitetit politik, të pasqyruar përmes krijimit të Listës së përbashkët Shqiptare për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, si dhe rëndësisë së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona. Në prag të këtyre zgjedhjeve u theksua rëndësia e pjesëmarrjes sa më masive të qytetarëve në votim, si dhe synimi për mbështetje sa më të gjerë të Listës Shqiptare.
Më pas kryeimami Sahiti dhe drejtori Shkodra u pritën në takim nga kryetari i Komunës së Bujanocit, z. Arbër Pajaziti, me të cilin bashkëbiseduan rreth gjendjes së shqiptarëve në Bujanoc dhe sfidave me të cilat përballen ata.
Takimet më pas vazhduan me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Enkelejd Rexhepi, deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, z. Shaip Kamberin, si dhe kryetarët e Këshillave të Bashkësive Islame në Preshevë dhe Bujanoc, Nexhmedin ef. Ademin dhe Sulejman ef. Fejzullahun.
Gjatë takimit me kryetarët e Këshillave të Bashkësisë Islame të Preshevës dhe të Bujanocit u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe institucioneve publike në Luginën e Preshevës. Vëmendje e veçantë iu kushtua çështjeve që lidhen me të ardhmen e organizimit fetar, sfidat politike dhe shoqërore të shqiptarëve të kësaj treve, si dhe nevojës për bashkërendim institucional në funksion të avancimit të të drejtave dhe interesave të tyre.
Po ashtu, gjatë kësaj vizite ata zhvilluam takime edhe me imamë të Luginës së Preshevës, me kryetarë të këshillave dhe me drejtoreshën e Bibliotekës "Mehmet Jusufi" në Preshevë, znj. Albina Azizi.
Gjatë këtyre takimeve u diskutua për çështje me interes të përbashkët, rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe nevojën për angazhim të vazhdueshëm në shërbim të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.





