Një shekull më parë, më 27 tetor 1926, në Xhaminë e Madhe në Mekë u shënua një ndryshim i rëndësishëm në organizimin e faljeve të namazit. Me vendim të mbretit Abdulaziz, përfunduan faljet e ndara sipas katër medhhebeve islame dhe u vendos që besimtarët të faleshin së bashku, nën udhëheqjen e një imami për secilin namaz.
Për disa shekuj, faljet në Xhaminë e Madhe (Mesxhidul Haram) në Mekë organizoheshin veçmas, sipas katër medhhebeve kryesore islame: Shafi'i, Hanefi, Maliki dhe Hanbeli.
Secili medhheb kishte imamin dhe hapësirën e vet të faljes, ndërsa i njëjti namaz falej disa herë radhazi. Sipas rendit të zakonshëm, fillimisht falej xhemati Shafi'i, i ndjekur nga xhematet Hanefi, Maliki dhe Hanbeli.
Sipas të dhënave historike, praktika e faljeve të ndara në Mesxhidul Haram daton që nga gjysma e dytë e shekullit të pestë hixhri dhe vazhdoi për shekuj me radhë, gjatë sundimit të administratave të ndryshme.
Dëshmitë e udhëtarëve dhe historianëve të asaj periudhe përshkruajnë se besimtarët mblidheshin në pjesë të veçanta të xhamisë, në varësi të medhhebit të cilit i përkisnin, dhe faleshin nën udhëheqjen e imamëve përkatës.
Më 27 tetor 1926, mbreti Abdulaziz mori vendimin për t'i dhënë fund kësaj praktike shekullore. Pas konsultimeve me dijetarë islamë nga rajonet e Hixhazit dhe Nexhdit, u vendos që besimtarët e të gjitha medhhebeve të faleshin në një xhemat të përbashkët, nën udhëheqjen e një imami.
Me këtë vendim përfunduan faljet e organizuara veçmas dhe u hoqën hapësirat e posaçme të caktuara për secilin medhheb.
Që nga ajo kohë, çdo namaz në Mesxhidul Haram falet në një xhemat të vetëm. Besimtarët qëndrojnë në rreshta të përbashkët, pa dallime sipas përkatësisë juridike islame, dhe ndjekin të njëjtin imam.
Megjithëse në Xhaminë e Madhe shërbejnë disa imamë të kualifikuar, të cilët ndërrohen sipas orarit të përcaktuar, çdo namaz udhëhiqet vetëm nga njëri prej tyre. Kjo do të thotë se nuk organizohen më xhemate paralele për të njëjtin namaz.
Sipas historikut të kësaj reforme, synimi i bashkimit ishte që besimtarët të riktheheshin te praktika e faljes në një xhemat të vetëm, ashtu siç ishte zhvilluar në kohën e Profetit Muhamed ﷺ dhe të sahabëve të tij.
Vendimi i vitit 1926 shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë e organizimit të faljeve në Xhaminë e Madhe të Mekës, duke i dhënë fund një tradite që kishte zgjatur për disa shekuj.
Njëqind vjet më vonë, kjo mënyrë organizimi vazhdon të jetë në fuqi. Miliona besimtarë nga vende të ndryshme të botës falen së bashku në Mesxhidul Haram, në një xhemat të përbashkët dhe nën udhëheqjen e një imami për secilin namaz.