Drejtori Simnica mori pjesë tribunën humanitare në Vjenë të Austrisë

 


Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, mori pjesë në tribunën humanitare me moton "Një gur nga secili, një qendër për të gjithë", të organizuar nga Komuniteti Shqiptar i Bashkësisë Islame të Austrisë (ALKIG), në Vjenë të Austrisë, me qëllim të mbledhjes së mjeteve financiare për blerjen e objektit që do të shërbejë si seli e re e ALKIG-ut.
Falë kontributit dhe solidaritetit të xhematit, gjatë këtij manifestimi u mblodhën më shumë se gjysma e mjeteve financiare të nevojshme, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij projekti.
Në mesin e të pranishmëve ishin kryetari i ALKIG-ut, Vahidin ef. Behluli, përfaqësuesi i BFI-së, Hafiz ef. Rustemi, kryetari i Qendrave Islame Shqiptare në Gjermani, Mensur ef. Halili, kryetari i KMShZ-së, Fehim ef. Abazi, kryetari i Qendrave Islame Shqiptare në Itali, Reshat ef. Ibishi, si dhe përfaqësues të institucioneve fetare, mysafirë dhe personalitete të jetës publike e kulturore nga vendi dhe diaspora.
Gjatë manifestimit, drejtori Ekrem ef. Simnica, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të Myftiut Naim ef. Tërnava, përcolli përshëndetjet dhe urimet e përzemërta për këtë nismë të rëndësishme. Ai përgëzoi ALKIG-un për këtë hap të rëndësishëm drejt sigurimit të selisë së re, si dhe shprehu vlerësimin për punën, përkushtimin dhe sakrificën e drejtuesve dhe të gjithë atyre që, me angazhimin e tyre, po kontribuojnë në ruajtjen dhe zhvillimin e jetës fetare, kulturore dhe kombëtare të mërgatës sonë.
Kjo nismë përbën një dëshmi të qartë të unitetit, solidaritetit dhe përkushtimit të mërgatës shqiptare për ruajtjen dhe zhvillimin e jetës fetare. Njëkohësisht, ajo dëshmon rolin e rëndësishëm të diasporës në fuqizimin e institucioneve fetare dhe në përcjelljen e vlerave të besimit te brezat e rinj.
Bashkësia Islame e Kosovës vlerëson lart angazhimin e ALKIG-ut dhe të Komunitetit Shqiptar të Bashkësisë Islame të Austrisë, si dhe përgëzon organizatorët, donatorët dhe të gjithë kontribuuesit për këtë nismë. Me këtë rast, u shpreh urimi që projekti të përmbyllet me sukses dhe që selia e re të shndërrohet në një qendër të rëndësishme adhurimi, edukimi, dijeje, besimi, bashkëpunimi dhe uniteti, në shërbim të komunitetit shqiptar në Austri.





Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

“Origjina e numrave” – arti, matematika dhe shpirtërorja në një ekspozitë