Zhvarroset në Gjakovë Selaudin Çabej, vëllai i Eqrem Çabejt

Më 7 tetor, në praninë e familjarëve, zyrtarëve komunal dhe përfaqësuesve të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë, pas 67 vjetësh, familja Çabej me prejardhje nga Gjirokastra zhvarrosën Selaudin Çabejin, për ta dërguar në varrezat familjare në Tiranë, afër prindërve të tij.

Një ceremoni e tillë u bë me kërkesën e djemve, Fatos dhe Hysen Çabej nga Tirana, me dëshirën që i ati i tyre i vrarë më 25 janar të vitit 1944 në Tropojë, nga dora slavokomuniste, të jetë pranë familjarëve.

Selaudin Çabej, i lindur më 1899, që studioi drejtësinë në Stamboll, është vëllai i albanologut të njohur Eqrem Çabej, një nga figurat më të shquara të shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare. Ishte nënprefekt i prefekturës së Tiranës, Elbasanit dhe së fundi i Tropojës ku edhe u vra, ndërsa bashkëkombësit e tij më 27 janar të vitit 1944 e varrosen me nderime të mëdha në varrezat e Xhamisë së Hadumit, në Gjakovë.
Sipas rrëfimeve – deklaratave të dëshmitarëve Hysen Agë Batushës, Hamdi Shehut dhe H.Rifat Nezirit (ky i fundit është gjallë), në Tropojë atë natë ka qenë e organizuar një ndejë dhe pas përfundimit, shpërndarjes së mysafirëve, është dëgjuar krisma e armëve, ku ka mbetur i vdekur, Salaudin Qabej.
Për shkaqe sigurie, në mënyrë të fshehtë, trupi i tij i pa jetë, natën është sjell në Gjakovë, te familja Morina në lagjen Hadum. Të nesërmen i është larë xhenazja, dhe është varrosur pa iu falur namazi i xhenazes, në varrezat e oborrit të xhamisë së Hadumit, po ashtu në mënyrë të fshehtë . Xhenazen e ka pastruar Mulla Sahit Berku.
Në muajin tetor të vitit 1997, është gjetur varri dhe është bërë zhvarrosja dhe i është falur namazi i xhenazes. Faljen e namazit e ka udhëhequr Ismail ef Rexhepi ngas Prizreni, ish imam në xhaminë e Hadumit në atë kohë, bashkë me imamët: Ibrahim Abdullahu, Bedri ef. Kida, Esat ef.Rexha, Haxhi Rifat Neziri, ish kryetar i KBI-së në atë kohë.
“Babai e deshi Shqipërinë Etnike dhe për këtë luftoi. Edhe veprimtaria e tij u shtri në tërë tokat shqiptare. Lindi në Gijrokastër e vdiq në Malësinë e Gjakovës.” tha djali i tij Fatosi duke shprehë falënderime për popullin e Gjakovës që i bënë nder duke e përcjellë e varrosur e më pastaj edhe duke e ruajtur këtë varrë, në këtë vend të shenjtë.

Derisa po zhvarroseshin eshtrat, e bija e Saleudinit, Fatimja dhe i biri Hyseni me lot në sy kanë kujtuar të atin si patriot të madh i cili deshi që Malësia e Gjakovës të mbetej gjithnjë shqiptare. Ata kanë kujtuar përkujdesjen e burrave të Gjakovës, Hamdi Shehu e Hysen Batusha për ta gjetur varrin që për shumë dekada nuk dihej saktësisht.


Menjëherë pas luftës, në vitin 2000, anëtarët e familjes së rahmetliut vijnë në Gjakovë, dhe ia rregullojnë varrin. Sot, kur po bëhet zhvarrosja e eshtrave të Saleudin Qabejt, djali i tij Hyseni rrëfen: “Xhaxhai ynë Eqerem Qabej vinte shpesh sa ishte gjallë të jepte leksione për studentët në Universitetin e Kosovës, por nuk arrinte ta gjente varrin e të vëllait”, tha Hyseni.

Ish kryetari komunës së Gjakovës tha me këtë rast se Seleudini i takon familjes patriotike Çabej që i dha kombit tonë shumë vlera.

Në drejtorinë Komunale të Inspeksionit në Kuvendin Komunal të Gjakovës, ku ishte parashtruar kërkesa për zhvarrim, thanë se …”Ky zhvarrim u bë me kërkesën e familjes Çabej nga Tirana me qëllim që të rivarroset në varrezat familjare të parashtruesve të kësaj kërkese, si pasardhës, respektivisht fëmijë të Selaudinit”.

Nga vendimi i lëshuar nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, gjegjësisht nga Drejtoria e Inspeksionit, pas plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm për bartjen e eshtrave të babait të tyre nga Gjakova për në Tiranë, inspektorati sanitar komunal ka konstatuar se janë plotësuar kushtet për nga aspekti ligjor për bartjen e eshtrave nga Gjakova dhe rivarrosjen në Tiranë.



Përgatiti: Esat Rexha


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Fillojnë regjistrimet në Institutin e Hifzit Medreseja e Madhe në Gjakovë