O njeri, bëhu njeri i ndershëm!

Për fenë kanë shkruar filozofë, teologë, sociologë, psikologë, antropologë, poetë e shumë intelektualë të profileve të ndryshme, secili nga këndvështrimi i vet, duke tentuar të japin një përkufizim më të saktë në lidhje me fenë, rolin e fesë tek individi, rolin e fesë ne shoqëri dhe në zhvillimin e mendimit njerëzor.

Janë raportuar hadithe të shumta që arrijnë gradën e autenticitetit dhe besnikërisë më të lartë, në të cilën feja përshkruhet si dashuri, paqe, mirëqenie, bashkëveprim reciprok ndërnjerëzor, se feja është butësi, është këshillë, është lehtësim, dhe shumë epitete që realisht një fe e vërtetë hyjnore duhet t‘i posedojë dhe inkurajojë si objektiva të saj.
Feja krijon dashurinë, e mbjell atë dhe e kultivon në mesin e njerëzve, e cila është në një luftë të ashpër me zilinë, urrejtjen dhe emocionet armiqësore. Është një lidhje e fortë e cila rreth vetes tubon zemrat e njerëzve, duke i filtruar dhe duke i bërë një trup të vetëm.
Feja është metodologji e pasur dhe e përsosur për një bashkëveprim reciprok ndërnjerëzor duke u mbëteshtur mbi principin e butësisë, altruizmit, respektit të ndërsjelltë, vlerësimit pozitiv ndaj njerëzve, largimit nga paragjykimet dhe mbi të gjitha dashurinë ndaj njerëzve, duke u ndihmuar njerëzve që të tejkalojnë telashet dhe sikletet. („Ndihmoji vëllait tënd kur bën zullum dhe kur i bëhet zullum!“).
Feja është këshillë, të këshillosh dhe ta udhëzosh njeriun mbi pikëpamjet e vëllazërisë e kurrsesi të mos e mashtrosh, t‘ia thuash atij të vërtetën, ta udhëzosh drejt çështjeve dobiprurese, t‘i mundësosh atij të pranojë alternativat e dobishme dhe të sakta, t‘ia tërheqësh vërejtjen gjatë veprimeve negative si dhe gjatë vendimeve të gabuara e të pastudiuara mirë e drejt.
Feja është si një pëllumb i bardhë, i cili është simbol i paqes dhe dashurisë, i kënaqësisë shpirtërore, është si një kopsht përplot me lule që kënaqin shpirtin, feja sjell vetëm të mira.
Feja është e lehtë, e kapshme për logjikën e njeriut, stabilizuese e shpirtit dhe qetësuese e mendjes dhe përgjithësisht mban nën kontroll emocionet e njeriut.
Ajo është mbrojtëse e njeriut, sikur se shenjat e komunikacionit, e drejton lëvizjen e njeriut, e kontrollon dhe udhëzon kah të ecë, për të mirën e vetë njeriut, për të mirën e shoqërisë dhe njerëzimit në përgjithësi. Ajo të shpëton nga rreziqet, nga aksidentet dhe të paparashikuarat.
Feja është shërbim, shërbim për njerëzimin, për përmirësimin e kualitetit të jetës, të përmirësohen dukuritë negative, të evitohen dhe reduktohen sjelljet devijante në shoqëri, të ndërtohet një shoqëri e ndershme, larg fajdes, bixhozit, prostitucionit, narkomanisë, shoqëri e cila në asnjë formë nuk e arsyeton korrupcionin, por që të gjithë do të jenë në shërbim të njëri-tjetrit. Në kuadër të kësaj Muhamedi (alejhi selam) ka thënë: „Më i miri në mesin e njerëzve është ai i cili është më i dobishëm për njerëzit!“

Si mund të kuptojmë fenë përmes këtyre botëkuptimeve?

A mos vallë feja është nevojë e dorës së dytë, për të cilën kemi nevojë në raste të caktuara për të ngushëlluar veten!? Apo edhe fare nuk kemi nevojë për të?! Apo feja është çështje thelbësore dhe më e rëndësishmja për jetën e njeriut, shoqëruese e tij në tërë jetën, pa të cilën nuk mund të jetojmë, ngaqë në këtë rast i ngjajmë personit i cili i mbyll sytë dhe nget veturën duke e lënë timonin të lirë?! Përmes këtyre haditheve të Pejgamberit (alejhi selam) kuptohet thelbi i fesë dhe besimi i vërtetë, se imani është punë dhe vetëm punë.
Një ditë Pejgamberi (alejhi selam) iu drejtua muslimanëve dhe u tha: “A e dini pse besimtari quhet besimtar?” Ata iu përgjigjën se Allahu dhe Pejgamberi e dinë më së miri! “Quhet besimtar për shkak se njerëzit janë të sigurt prej tij për veten dhe pasurinë e tyre !”, iu përgjigj Muhamedi (alejhi selam).
Një tjetër tha: “O i dërguar i Allahut, dëshiroj që imani im të jetë i përsosur.” Pejgamberi e këshilloi duke i thënë: “Përmirësoje moralin tënd po qe se dëshiron iman të përsosur.” Me një rast tjetër ka thënë: “Askush prej jush nuk e ka imanin e përkryer përderisa të tjerëve nuk ua dëshiron të mirën ashtu siç ia dëshiron të mirën vetvetes!”
Feja të mëson të ndjesh praninë e Zotit afër teje. Ai është çdoherë me ty, kudo që shkon, Ai të dëgjon, të sheh dhe di brendësinë tënde që fsheh në kraharor, Ai di sekretet dhe sikletet tua dhe është në gjendje të ndryshojë gjendjen tënde në moment. Tento që së paku një herë në jetë të mbështetesh në Zotin, provoje këtë dhe shihi rezultatet, pa dyshim se Ai do të të dalë në ndihmë.
Nëse dëshiron të jesh i lumtur tërë jetën duhet të besosh drejt në Allahun, të kesh bindje te Ai, ngaqë Allahu është zotuar për secilin i cili beson në Të dhe punon vepra të mira se do të jetë i lumtur: „Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t'i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t'u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.“ (en-Nahl: 97).
Nëse dëshiron të jesh i lumtur, mos fol kuturu për fenë, por puno që feja të arrijë në çdo shtëpi, familje e shoqëri, ne këtë mënyrë do të jesh shembull pozitiv, i cili flet pak dhe punon shumë. Feja është braktisje e së keqes. Të gjitha ibadetet, vlerat morale dhe dispozitat islame thërrasin njëzëri: “O njeri, bëhu njeri i ndershëm!”



Autori është imam në Qendrën Islame „Xhamia e Bardhë“ – Aarburg, Zvicër.


Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)