Drita e besimit dhe e mevludit (1)

Hyrje

Mr. Muhidin Ahmeti

DRITA E BESIMIT DHE E MEVLUDIT (1)

Drita e besimit dhe e mevludit (1)
Hyrje
Sa herë që na vjen dhe na afrohet muaji Rebiu-l-Evvel, muaji në të cilin lindi krijesa më e shkëlqyer në botë, ne duhet të gëzohemi për lindjen e tij sikurse gëzohemi për lindjen e Diellit pas errësirës së madhe të natës. T’i gëzohemi dritës me të cilën ai erdhi, dritë dhe pishtar që nuk do të shuhet deri sa të ketë ditë dhe natë në Dynja. Shkëlqimi i nurit të tij shndriti zemrat dhe shpirtrat e njerëzve edhe pas vdekjes së tij do t’i shndrit derisa të ketë jetë në gjithësi.
Tashmë është e njohur për të gjithë, se asnjëherë më parë sikur sot nuk është folur dhe shkruar mbi Muhammedin (a. s.) dhe asnjëherë sikur sot nuk është ndjerë një nevojë kaq e madhe që të kuptohet, të ndjehet dhe të prezantohet personaliteti i Pejgamberit (s) dhe mesazhi i tij për njerëzimin.
Kjo nuk i habit ata të cilët e dinë dhe besojnë që Muhammedi (s) është mëshirë dhe gëzim për botët; që ai është i dërguari i fundit, edhe dëshmitari, edhe prurësi i lajmit të gëzueshëm, edhe pishtari i pashuar, edhe shembulli më i mirë, edhe miku më i besueshëm, edhe këshilltari i vazhdueshëm, edhe mbrojtësi ynë, edhe bashkudhëtari fisnik, i cili na prinë në rrugën e drejtë për te qëllimi më i lartë. Nuk ka fjalë njerëzore që mund ta shprehë tërë madhështinë e njeriut dhe pejgamberit - Muhammedit (s), por atë e bën fjala e All-llahut: “Ti o Muhammed je i lartë në moralin tënd” thotë All-llahu i Lartësuar.
D.m.th., nuk është madhështia e Muhammedit (s) në pasuri, sepse ai ishte i varfër, as nuk është në fuqi, sepse ai ishte i dobët. Madhështia e Muhammedit (s) është në modestinë e tij karshi të dobëtëve, në guximin e tij karshi të fuqishmëve, dhe në angazhimin e tij para miqve të sinqertë. Ai vet nuk është një mister, por ndikimi i tij është misterioz, sidomos mbi ata të cilët përpiqen ta kundërshtojnë; ai vet nuk është hyjni, por porosia e tij ka fuqi hyjnore; ai nuk veçohej prej njerëzve, por mënyra e tij e jetës ishte mbinjerëzore. Vetëm ai ka mundur t’i lejojë pjesëtarët e vet që armiku t’ua mësojë shkrim-leximin; vetëm ai ka mundur kundërshtarët e tij të përbetuar t’i shndërrojë në miq të pasionuar; vetëm Muhammedi (a. s.) ka mundur të mbetët në memorien e vazhdueshme të njerëzve, të cilët nuk e kanë parë, por e ndjejnë frymën e tij dhe e prekin dorën e tij të shpëtimit në botën, e cila gjithnjë e më shumë po pushtohet nga errësira e jo-moralit.
Prandaj, derisa sot e kujtojmë ditëlindjen (mevludin) e Muhammedit (s) mos të na rrëmbejë dëshira për ta parë figurën e tij, por për t’ a forcuar besimin në vlerat e larta të moralit, pikërisht ashtu sikur besoi dhe veproi pejgamberi Muhammed (s).
A ka diçka më madhështore se njohja që në Ditën e Gjykimit do të jemi pranë Pejgamberit (s), sepse siç ka thënë ai: “Më afër meje në Ditën e Gjykimit do të jenë ata, të cilët më kanë besuar edhe pse asnjëherë nuk më kanë parë”; a ka diçka më të vlefshme se njohja që Muahammedi (s) do të jetë mbrojtës për ne në Ditën e Premtuar, atë ditë kur asgjë dhe askush nuk do të mund të na ndihmojë, as pasuria, as pushteti, as autoriteti, as fama, veç se ajo që është shkruar në librin e ruajtur të veprave tona të mira; a ka diçka më të mirë se mendimi që një ditë do të jemi nën mëshirën e All-llahut për shkak se do të jemi në shefaatin e Pejgamberit (S); a ka diçka më të fuqishme në zemrën tonë se besimi të cilin e kemi trashëguar prej Pejgamberit tonë, na i jep kuptim jetës dhe na shpjer deri të qëllimi më i lartë.
Nuk ka asgjë më të rëndësishme se besimi ynë që nuk jemi të vetëm në këtë botë dhe që na pret miku në botën tjetër; nuk ka asgjë më madhështore se njohja jonë që jemi në rrugën e Pejgamberit(s); nuk ka gjë më të bukur se dashuria jonë ndaj Muhammedit të dashur, të cilën e ndjemë ne shpirt dhe e mbajmë në zemër; nuk ka gjë më të mirë se dëshira jonë që të jetojmë në dashurinë vëllazërore, të cilën na e dhuroi Pejgamberi ynë.
Ja përse mevludi në shtëpitë dhe xhamitë tona ka kuptim – që të zgjojë tek ne të gjitha ato mendime fisnike dhe të gjitha ato vepra të mira, të cilat e stolisin më të mirin midis njerëzve më të mirë dhe më të dashurin midis të dashurve të All-llahut (xh. sh.) dhe më të nderuarin midis pejgambereve të nderuar.
Përkujtimi i Muhammedit (s), e vazhdon besimin tonë dhe e forcon qëllimin tonë që të jemi dhe të mbetemi si një trup i vetëm dhe një shpirt i vetëm në luftë për të drejtat dhe lirinë tonë.
Organizimi i ceremonive dhe manifestimeve në ditën e lindjes së Pejgamberit (a. s.)

Që nga kohët e lashta te të gjitha bashkësitë ekzistonte tradita që solemnisht të shënohen datat e rëndësishme nga e kaluara e tyre, siç janë lindja e heronjve, të cilët me veprën dhe jetën e tyre lanë gjurmë të thella në histori dhe ndikim të dukshëm për të kaluarën dhe të ardhmen e tyre. Duke shënuar kujtimin për ta, ato bashkësi, në realitet, shprehnin falënderim, respekt dhe admirim ndaj atyre njerëzve dhe njëkohësisht edhe gatishmëri për ta vazhduar veprën e tyre.
Muslimanët në mbarë botën ardhjen e të dërguarit të All-llahut (s) e konsiderojnë si mëshirën më të madhe të All-llahut (xh. sh.) për njerëzit. “Ne të kemi dërguar, padyshim, vetëm si mëshirë për botët” (Kur’ani), andaj ditëlindjen e tij e shënojnë në mënyrë të përshtatshme me të dhe mësimet të cilat nga All-llahu (xh. sh.) ua komunikoi njerëzve.
Për këtë temë, autori i veprës “Sejjiduna Resulullah”, Abdullah Siraxhuddin, thotë: “Është normale që secili besimtar i vërtetë që është i mençur do t’i gëzohet ditës në të cilën lindi Pejgamberi i All-llahut (s). Ditës në të cilën filloi nuri i udhëzimit dhe i diturisë për gjithë botën. Ditës, në të cilën lindi ai për të cilin All-llahu (xh. sh.) thotë: “Të kemi dërguar vetëm si mëshirë për gjithë botët:” Prandaj, le ta shënoje atë ditë secili mysliman dhe le të jetë i gëzuar dhe fisnik.
Organizimi i manifestimeve të tilla në të cilat do të këndohen fragmente nga sire-ja (jetëshkrimi) i Muahmmedit (a. s.), në të cilat, përveç tjerash do të citohen ajete kur’anore, pastaj do të përmendet nderi dhe kujdesi i All-llahut që tregoi ndaj Pejgamberit të tij, pastaj ruajtja dhe mbrojtja, të cilën Ai ia ofroi atij. Në ato manifestime flitet edhe mbi moralin e Pejgamberit dhe cilësitë e tij. (Një hapësirë e konsiderueshme në përmbajtjen e mevludit i kushtohet temës së Mi’raxhit të Pejgamberit (s) - një ndër temat më frymëzuese jo vetëm për poetet muslimanë, por edhe për ata jomysliman-perëndimor- shën. yni). Aty gjithashtu këndohen salavate dhe selame për Pejgamberin (S), ilahi dhe kaside – poema kushtuar Resulullahut (s) si edhe lutje dhe dua që i drejtohen All-llahut (xh. sh).
Secila prej gjërave të lartpërmendura është mbështetur në sheriat, e dëshiruar dhe e kërkuar dhe që të gjitha ato janë veprime përmes të cilave i afrohemi All-llahut (xh. sh.) dhe që për të gjitha to ka shpërblime të caktuara. Të këtij mendimi janë dijetarët islam të zgjedhur dhe me vlera të pakontestueshme si dhe njerëz të devotshëm e të ditur të ummetit të Muhammedit (a.s.)” (Sejiduna Resulullah, fq. 473)
Kur është fjala për të kuptuarit e mevludit te shqiptarët në përgjithësi, duhet të kemi parasysh një gjë:
- muslimanët nuk e kuptojnë mevludin si lindje (vetëm) në kuptimin biologjik të një personi të caktuar, në rastin konkret të Pejgamberit (s). Më parë do të thuhej që kjo është një lindje e një fryme të re, ardhja e një kohe të re, shkëputje nga besimi i vjetër. Muslimani çdo mevlud e përjeton pikërisht në mënyrë të tillë, duke e kthyer atë në burim dhe origjinë, i cili shpesh harrohet në vorbullat e këtij Ballkan kodrinor.
Në të kaluarën e popujve myslimanë, e në veçanti në trevat tona shqiptare, në mënyrë tradicionale mevludi ishte rast për t’u njohur me për se afërmi me jetën dhe biografinë e Muhamedit (a. s.) e në rastin konkret tek shqiptarët ai luajti një rol jashtëzakonisht te madh, sepse edhe përmbajtja e tij ishte plot me gjëra të pëlqyera, siç është; leximi i Kur’anit, dërgimi i salavateve mbi Muhamedin, recitimi i poezive për të, shpjegimi për moralin e tij, dhënia e ushqimit për të pranishmit, etj, e të gjitha këto veprime në suaza të lejuarës.
Mevludi, pra, është një kornizë në të cilën janë mbledhur shqiptarët dhe e kanë përkujtuar Pejgamberin e tyre në dritën e rolit të tij tashmë të theksuar sa herë, rol i cili ka reflektuar si në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen. Kështu, është e njohur që shqiptarët ngjarjet e tyre më të rëndësishme i kanë shënuar me mevlud, transferimi në shtëpi të re, përfundimi i mirë i ndonjë pune, ceremonia e martesës, synetisë, lindja e fëmijës e madje edhe vdekjen e të afërmeve e kanë përkujtuar me mevlud, etj.
Nëse e shikojmë njohjen e identitetit islam shqiptar në Kosovë, gjejmë që mevludi paraqet një nga simbolet e identitetit tonë fetar, simbol i përkatësisë së një bashkësie në këto hapësira. Secili prej nesh i mban në kujtesë vargjet e recituara nëpër mevlude, në veshët tonë akoma jehon ai muzikaliteti i ilahive, kasideve dhe vargjeve të mevludit, që organizoheshin nëpër shtëpitë dhe xhamitë e mëhallëve tona.
Është tjetër pyetje të kuptuarit e traditës nga pikëpamja tradicionale. Natyrisht se duhet, edhe atë patjetër, të paralajmërojmë që kjo nuk është pjesë rituale e besimit (ibadet), sepse ibadetet i jep Ligjdhënësi, All-llahu xh. sh. ), por ajo është gjithsesi pjesë e traditës, e cila ka pasur dhe ka rol specifik për shqiptarët në Kosovë e gjetiu.
Ata të cilët lehtësisht marrin të drejtën për t’i hedhur poshtë mendimet dhe pikëpamjet e te tjerëve ndaj traditës, duhet ta kuptojnë që vetëm një pikëpamje, një interpretim nuk i jep porosisë atributin e unversalitetit, aplikimit në çdo kohe dhe hapësirë. Mevludi nuk është ibadet i cili i hap dyert e Xhennetit, por është një rast dhe mundësi për t’u mbledhur, afruar dhe përkujtuar Pejgamberin (a. s.) në kohët çfarë janë ato.
Nëse në këtë kontekst e kuptojmë mevludin, me siguri se më mirë do ta kuptojmë Porosinë e Pejgamberit në vendin tonë .
Kur është fjala për mevludin, përsëri duhet t’i kemi parasysh dy gjëra: një gjë është mevludi si tekst – poemë që këndohet me rastin e shënimit të lindjes se Muhammedit (a. s.) dhe diçka tjetër është solemniteti, privat apo publik, me rastin e të cilit tubohen njerëzit që të jenë prezentë aty duke dëgjuar dhe kënduar vargje të zgjedhura të këndimit të mevludit, duke diskutuar për probleme të ndryshme fetare, duke u njohur më mirë reciprokisht dhe duke u afruar shpirtërisht me njëri tjetrin.
Personalisht mendoj se mevludin nuk duhet kuptuar vetëm si këndim i tekstit, vargjeve të shkruara mbi jetën dhe biografinë (sirën) e Resulullahut, por si një formë organizimi që përbëhet nga më shumë elemente dhe aktivitete. Mevludi ka emër të madh, i cili është përhapur dhe kultivuar shekuj me radhë në botën myslimane në përgjithësi, por edhe te ne shqiptarët në veçanti. Mevludet familjare kanë luajtur rolin e dyfishtë në shoqërinë shqiptare duke ruajtur njëkohësisht edhe gjuhën tonë amtare edhe traditën tonë fetare islame. Shpesh ai ishte e vetmja lidhje e myslimanit me islamin. Shumë imamë dhe hoxhallarë, sidomos gjatë kohës së komunizmit, në mevludet familjarë kanë shpalosur dhe shpjeguar shumë çështje fetare, gjë të cilën nuk kanë mundur dhe nuk kanë guxuar ta bëjnë nëpër xhamitë e tyre. Dhe kjo për arsyen e thjesht se në xhami ka qenë rrethi më i gjerë, i përbërë nga njerëz të panjohur dhe të pakontrolluar, të cilët kanë mundur të denoncojnë imamin për politizimin e fesë dhe përdorimin e saj kundër ideologjisë moniste që ishte atëherë në fuqi si dhe indoktrinimin e popullatës myslimane. Ndonëse emri i mevludit është shumë i përhapur në masat e gjëra muslimane, megjithatë ne nuk duhet të mbetemi vetëm tek emri dhe të vetëkënaqemi me pjesën sipërfaqësore të tij. Gjëja më e rëndësishme te organizimi i mevludit (qoftë ai familjar apo publik-manifestiv), është strukturimi programor dhe përmbajtjesor i tij si dhe amortizimi final i burimeve dhe potencialeve njerëzore përmes një strategjie të qartë për një vizion të dakorduar. Përpjekjet e këtilla do ta shndërronin mevludin në një mjet të fuqishëm, një mundësi edhe më tepër dhe një shans i mirë për përcjelljen dhe transmetimin e mesazhit universal të Pejgamberit të islamit (s). Nga kjo kuptojmë se mevludi si tillë nuk është qëllim por mjet për të realizuar objektivat madhore të islamit dhe muslimanëve në kohen e sotme të globalizmit. D.m.th. ai është një nga alternativat e komunikimit masiv me njerëzit për vetëdijesimin dhe sensibilizimin e tyre për të vërtetat e islamit, në kohën kur ato po shtrembërohen nga të gjitha anët si nga muslimanët ashtu edhe nga jomuslimanët. Ai është një prej shumë formave të promovimit dhe prezantimit të vlerave universale të islamit në kohën e vërshimit të antivlerave dhe përpjekjeve gjigante për t’i bërë ato udhë të “shpëtimit” (lexo: shkatërrimit) të njerëzimit.
Prandaj, nëse thua se mevludi është bid’at dhe veprim i ndaluar, atëherë me këtë duhet të mohosh dhe të shpallësh të ndaluar tërë revolucionin mediatik dhe teknologjinë e ngritur për të. Nuk ka dyshim se mevludi është bid’at (risi), por varet si e përdor bid’atin, e përdor për të mirë apo për të keq, e keqpërdor. Në këtë kuptim bid’ate janë edhe gazetat, revistat, radio, televizori, kompjuteri, interneti etj. Pra, sikurse mevludi, edhe këto janë mjete të komunikimit masiv, por me një dallim se janë shumë më të avancuara, më të zhvilluara dhe më të sofistikuara, të cilat kanë një hapësirë jashtëzakonisht të gjerë ndikimi, që për disa sekonda përcjellin lajmin në të gjithë botën. Në fakt, po ta shikojmë çështjen nga ky prizëm, atëherë del se televizori, interneti janë mjete të cilat përdorën jashtëzakonisht keq dhe tmerrësisht në mënyrë destruktive. Mevludi, madje fare nuk keqpërdoret. Përkundrazi... Mirëpo, është interesantë se recipientët e mendimit për mevludin e ndaluar, janë atë, të cilët i përdorin këto mjete në masën më të gjerë për transmetimin e fjalës së All-llahut dhe të mesazhit të Pejgamberit (s). Dhe bëjnë mirë që e bëjnë dhe duhet të bëjnë ta gjithë një gjë të tillë, por shtrohet pyetja, përse vallë anatemojnë përdoruesit e “bdi’atit të mevludit” dhe nuk denoncojnë përdoruesit e bid’ait të internetit.
Për sa i përket çështjes debatuese se mevludi është një lloj shtesë e besimit, fesë, se ai është ibadet etj., kjo nuk është e vërtetë dhe askush nuk e thotë dhe nuk e mendon një gjë të tillë. Ai nuk bënë pjesë në fushën e akidës, besimit (kredo-së islame) as të ibadeteve, por i takon sferës së Da’vës – thirrjes në rrugën e All-llahut (xh. sh.). Është një mënyrë e thirrjes në rrugën e All-llahut, një mundësi e përhapjes së islamit dhe mësimeve islame. Është një aktivitet dhe veprimtari e pëlqyer dhe e preferuar në punën misionarike të imamit dhe të atyre që bëjnë punën e misionarit. Varet krejtësisht prej imamit përkatës se si do ta organizojë ceremoninë e mevludit. Në kohën e sotme ka shumë mënyra dhe mundësi për ta modernizuar mevludin duke ia përshtatur kushteve, rrethanave dhe specifikave të vendit ku ai zhvillohet. Sot si asnjëherë më parë është e nevojshme që në kuadër të mevludit apo në emër të tij, të organizohem aktivitete nga më të ndryshmet që kanë të bëjnë me figurën dhe personalitetin e Pejgamberit të Zotit – Muhammedit (s). Manifestime dhe fushata popullore në shërbim të njohjes dhe prezantimit më të mirë të figurës së Pejgamberit (s) sikurse ndodhi një gjë e tillë në Austri në vitin 2009. Motoja e këtij aktiviteti ishte: “Porosia e Pejgamberit (s) për Austriakët” që konsistonte në hadithin e njohur të Muhammedit (a.s.) lidhur me marrëdhëniet ndërnjerëzore e në mënyrë të veçantë me fqinjët.
“Nuk është besimtar i vërtetë ai i cili fle në gjumë i ngopur e fqinji i tij është i uritur, dhe ky e di.” Ky është mesazhi të cilin Pejgamberi Muhammed (s) ua dërgon popullit Austriak, edhe muslimanëve edhe jomuslimanëve.
Ky hadith është shfaqur në 426 panele reklamash elektronike, të shndritshme dhe lëvizëse në rrugët e 12 qyteteve austriake.
Po ashtu është shfaqur në ekranet informatike në 10 stacione metrosh në kryeqytetin e Austrisë, në Vjenë.
Kjo ndodhi në ditëlindjen e Pejgamberit (s) dhe vazhdoi për disa ditë. Ishte një fushatë shumë e pëlqyer e muslimanëve austriak me të cilën ata deshën t’ua prezantojnë Pejgamberin (s) dhe mësimet e tij paqësore bashkëqytetarëve të tyre dhe atë nëpërmjet thirrjes së tij për solidaritet social pavarësisht nga përkatësia etnike apo fetare.
Shkurt, himnizimet për Muhammedin (a. s.), e as "Këndimi i Mevludit" nuk janë "ibadete" fetare, por janë një traditë fisnikëruese e Islamit (paqes, dashurisë, harmonisë, jetës) në mjediset islame, që ka dhënë rezultate të mira për kultivimin e respektit ndaj Profetit të Islamit dhe të harmonisë vëllazërore midis besimtarëve në Një Zot, në përgjithësi, sepse lartësohen edhe Profetët e feve të Shpallura, paraislame.
Meqë jemi tek çështja e konceptit të bid’atit atëherë të shohim si qëndron puna me të.

Mevludi dhe nocioni i bid’atit (risisë) (2)
Ç’është bidati/risia ?


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?