Emaneti ynë ndaj fëmijëve tanë

Në kohën e tashme të modernizimit dhe në epokën e globalizimit botëror, kemi një obligim të jashtëzakonshëm që në një mënyrë më të mirë të edukojmë dhe të arsimojmë fëmijët tanë kundruall sfidave jetësore që na rrethojnë dhe me të cilat pritet të vëmë kontakte në të ardhmen.

Prindërit, si baba ashtu edhe nëna, duhet të kenë rolin kryesor në edukimin, arsimimin dhe mbarëvajtjen në zik-zaket e jetës që i pret fëmijët gjatë rritjes dhe zhvillimit të tyre.
Por, para së gjithash, prindërit vetë duhet të jenë të arsimuar dhe të pajisur me dije e me kulturë të gjerë njerëzore, kombëtare, fetare e universale, ashtu që të mund të japin maksimumin e mundit të vet për të gjitha ato që fëmija ka nevojë të thithë prej nektarit të dijes në përgjithësi.
Para se të shkojnë në çerdhe a në foshnjore, mësimet dhe edukatën e parë fëmijët duhet t´i marrin prej prindërve të vet. Gjer në moshën 6 vjeçe, kur fëmija nis të vijojë mësimet në klasën e parë fillore, duhet t´i zotërojë veprimet fillestare të kulturës në përgjithësi. Sot, në kohën e zhvillimit të informatikës dhe internetit, fëmija që në moshën 3-vjeçare di të hapë të mbyllë kompjuterin, të hapë e të mbyllë dritare e fajla të ndryshëm dhe të komunikojë me mesinxher duke i dërguar figura dhe shkronja e fotografi bashkëbiseduesit në anën tjetër të rrjetit të internetit.
Kjo është arsyeja pse, krahas kësaj, përveç edukatës në përgjithësi, fëmija duhet të mësohet edhe me edukatën fetare, duke njohur ekzistencën e Allahut, të dërguarit të tij, pejgamberit Muhamed a.s., të mësojë shehadetin, besmelen, fatihanë e ca sure të shkurtra.
Po ashtu duhet të mësojnë sidomos vjersha të shkurtra por edhe ca ilahi, sepse fëmija në këtë moshë mësojnë përmendsh shumë shpejt. Po i dhamë që në fillim edukatën e mirëfilltë familjare si dhe dijen universale, njerëzore, kombëtare e fetare, me të vërtetë ai fëmijë të nesërmen do të jetë njeri në kuptim të plotë të fjalës si dhe një kuadër i dobishëm si për familjen ashtu dhe për rrethin, shoqërinë dhe për njerëzimin në përgjithësi. Po ashtu fëmijën, gjer në moshën 6-vjeçare, duhet të lemë të lirë që të luajë me lodra sa më tepër dhe të jetojë jetën e vet fëmijërore pa brenga dhe ngarkim të panevojshëm.
Sa herë që kërkon mësime, sqarime, shpjegime - duhet t’i përgjigjemi drejt dhe pa shmangie, pra pa e shpërfillur apo mashtruar.
Një kthesë e rëndësishme për fëmijën është mosha 6 vjeçare kur të fillojë të ndjekë mësimet në klasën e parë të shkollës fillore, prandaj duhet të jemi të gatshëm çdoherë, si nëna ashtu dhe babai, t´i dalin krah që fëmija të mësohet t´i kryejë detyrat shkollore dhe këtë ta ketë gjithmonë si detyrë parësore të tij.
Po arritëm që fëmijës t´i mësojmë shprehitë e punës së tij të përditshme në zhvillimin e detyrave dhe aktiviteteve shkollore, ai pas një kohe do të dijë të çmojë dhe të kryejë gjithmonë vetë me kohë dhe me vullnet detyrat dhe mësimet shkollore. Por për këtë duhet durim dhe punë e përhershme gjer në arritjen e këtij qëllimi, sa njerëzor aq edhe shkollor.
Krahas kësaj, në moshën 10-vjeçare, këshillohet që fëmija të ndjekë edhe kurset e kompjuterit dhe të gjuhës angleze sepse pa këto 2 elemente kryesore të zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë të shekullit XXI, nuk mund të imagjinohet që fëmija të mund të jetë i përgatitur për të hyrë, kur të rritet, në zhvillimet shkencore në përgjithësi. Por, prindërit nuk duhet të harrojnë që, krahas këtyre njohurive shkencore, fëmijën e vet ta orientojnë edhe në mësimin dhe aftësimin në edukatën fetare, pa të cilën fëmija do të jetë i mangët në njohuritë e përgjithshme njerëzore. Meqë ende në shkollat fillore e të mesme të Kosovës nuk zhvillohet mësimi i lëndës së mësimbesimit dhe në këtë aspekt Kosova është e vetmja, krahas Shqipërisë, ku nuk u lejohet nxënësve të marrin njohuri dhe për fenë e tyre përkatëse që i takojnë. Në të gjitha shtetet e dala nga ish-Jugosllavia praktikohet dhe zbatohet mësimbesimi në shkollat e tyre përkatëse; prej vitit të ardhshëm shkollor edhe në Maqedoni do të zbatohet, e të mos flasim për shtetet e tjera të Evropës. Për këtë arsye prindërit duhet t´i orientojnë fëmijët tek imami në xhaminë ku gravitojnë, për të mësuar kushtet e imanit (besimit), Islamit, abdesin, namazin dhe të gjitha ato njohuri elementare që duhet të arrijë çdo mysliman.
Krahas kësaj, do të mësojë shkronjat e Kuranit dhe do të aftësohet për ta lexuar Kuranin. Pasi të ketë përvetësuar edhe edukatën dhe dijen fetare, nxënësi do jetë i kompletuar dhe në një të ardhme të afërt prindi do të heqë barrën si kujdestar ndaj fëmijëve të vet dhe nesër, në moshën madhore, fëmija do të jetë një njeri me arsim dhe edukim komplet për të dhënë kontributin e tij si në aspektin kombëtar, fetar e shoqëror, ashtu dhe human e në përgjithësi për qytetërimin modern.
Një krahasim sa për ilustrim. Nëse në 600 xhamitë aktuale në Kosovë do të vijonin mësimbesimin brenda vitit nga një klasë shkolle prej 30 nxënësish, kjo do të thotë 18.000 nxënës brenda vitit; po të vijonin nga 60 nxënës, kjo do të jepte shifrën prej 36.000 nxënësish brenda një viti shkollor. Shoqëria kosovare do të kishte në një të ardhme të afërt një brez të ri të edukuar me plot sukses, me arsim laik dhe fetar, që të dyja ndërtojnë si tërësi njeriun në përgjithësi.
Do të apeloja edhe tek organet gjegjëse të Bashkësisë Islame të Kosovës që, krahas të vetmes medrese (”Alauddin” e Prishtinës me paralelet e ndara në Prizren dhe Gjilan), sa më shpejtë të hapen medrese në të gjitha qendrat rajonale të Kosovës (në Mitrovice, Pejë, Gjakovë, Ferizaj, e po ashtu edhe në Preshevë), jo vetëm në këto qytete, por mund të hapte medrese si p.sh. edhe në Rahovec e Vushtrri. Me këtë iniciativë, në Kosovë do të kishim 8 medrese (me atë të Preshevës). Unë habitem se si në Shqipëri mund të ketë aktualisht 7 medrese që punojnë rregullisht, e në Kosovë të jetë vetëm një medrese me dy paralelet e ndara të saj. Në rast se janë pengesë shkaqet financiare, atëherë mund të kërkohet ndihmë dhe nga donatorë të huaj apo fondacione, që të hapin medrese, në të cilat mësimi do të zhvillohet sipas planprogrameve të Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Do ta mbyll këtë vështrim me një thënie të të madhit tonë poet e shkrimtar, Naim bej Frashëri: ” Dhe vetëm drit´ e diturisë përpara do na shpjerë”.



Faik Miftari
Dituriaislame 206


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"Disiplinë dhe rregull" - Visar ef. Koshi