Kriza financiare globale ka lëkundur besimin në banka. Bankat islamike këtu shohin mundësinë duke kërkuar zgjerimin e biznesit të vet në vendet e Europës, ku qytetarët janë ende skeptikë.
Në planin ndërkombëtar financiar tregu financiar islamik është një nga ato që janë duke përjetuar rritjen më të shpejtë. Rritja vjetore është rreth 15 - 20%. Sipas raporteve të agjencive ndërkombëtare, rreth 250 fonde islame menaxhojnë kapitalin në vlerë rreth 300 miliardë dollarë amerikanë. Përveç kësaj, rreth 300 institucione financiare islame nëpër botë menaxhojnë, siç është llogaritur, me rreth 250 miliardë dollarë. Eksperti bankar dhe redaktor i portalit islamicfinance.de, Michael Saleh Gassner ka punuar në një studim i cili merrej me veprimtarinë islame bankare në Gjermani. Ai konsideron se në Gjermani ekzistojnë shanse reale që të zgjerohet ky lloj i biznesit: "Ne kemi katër milionë muslimanë nga të cilët mund të mos jenë të gjithë fetarë, por të ardhurat e tyre mesatare janë aq të larta sa që kjo shumë do të jetë e mjaftueshme për biznesin e rreth 80 bankave."
Megjithatë, pavarësisht nga rritja e madhe e popullatës që i përkasin besimit islam, interesi për prodhimet islame financiare është mesatar. Disa banka që patën guximin të angazhohen pjesërisht në këtë lloj biznesi, ndërkohë, kanë hequr dorë. Në shpjegimin zyrtar, "Commerzbank" thuhet se interesi është i ulët. Eksperti financiar Zaid Mojaddedi, kreu i Institutit të biznesit islam në Frankfurt, megjithatë, konsideron se është e parakohshme që të heqin dorë, sepse përvoja në Azi ka treguar se kushtet e biznesit islamik janë interesante jo vetëm për muslimanët: "Këtë e dëshmojnë edhe eksperiencat aktuale në Malajzi, ku një numër i madh i popullsisë jo-muslimane është vendosur për sigurimin e jetës, sepse ata mendojnë se ato janë transparente dhe të bazuar në rregulla të qarta."
Blerje në përputhje me Shari'atin
A është e mundur të bëhet një plan i kursimeve, të marrësh një kredi, të financosh një makinë apo të blesh pronë në përputhje me rregullat e sheriatit? Në Mbretërinë e Bashkuar, ka shumë vjet, që një gjë e tillë është e mundur. Klientët e interesuar mund t’i kontaktojnë të punësuarit në një degë të Bankës Islamike të Britanisë. Këtu personi i cili do të financojë një pronë, nuk fiton një kredi me interes, por objektin në fjalë e blen banka e pastaj atë ia shet klientit të saj, e pastaj ai i paguan këstet. Në Gjermani kjo ende nuk është e mundur sepse për blerjen e objektit paguhet taksa. Në Mbretërinë e Bashkuar është e rregulluar me ligj se tatimi nuk paguhet dyfishë: "Ata thonë, banka vetëm dëshiron të blej një pronë, në mënyrë që klientit të saj t’ia lënë objektin në dispozicion. Pra, banka nuk dëshiron të fitoj para në objekt, kështu që ajo lirohet nga taksat, por vetëm kryen një transaksion normal. Në Angli kjo është e rregulluar në mënyrë që shteti në këso raste e liron bankën nga taksa e parë në blerjen e objektit, dhe shteti gjithsesi fiton të ardhura për të njëjtin objekt nga pronari i mëvonshëm i pronës."
Bizneset financiare sipas ligjit të Shari'atit, krahas gatishmërisë për kompromis, nuk janë të suksesshme. Biznesi islam në Gjermani po dështon sepse vitet e fundit mijëra muslimanë kishin përvojë jashtëzakonisht të keqe. Hasan Tepegoz, i cili është me prejardhje turke dhe jeton në qytetin gjerman Gütersloh, në vitin 2000 u besoi premtimeve të në një "Kompane Islamike të Investimeve" nga Turqia. Kjo firmë, ndër të tjera, ka vendosur reklamat e saj edhe në xhami duke u premtuar besimtarëve fitime të larta me bekimin e All-llahut, gjë e cila nuk u ishte paguar. Në këtë formë Tepegoz ka humbur rreth 23.000 euro, dhe për këtë arsye ai më nuk beson në bankimin islam. /www.dw-world.de/