Ragip Begaj: Kam shpërthyer në lot kur kam shkuar në Qabe

Udhëheq një prej komunave që u dëmtua më së shumti në luftë, dhe një prej më të varfrave, Malishevën. Përveç që vlerësohet si një kryetar që nuk i mungojnë sukseset, ai mbi të gjitha cilësohet një besimtar musliman i devotshëm, për çka jo vetëm malishevasit, por edhe më gjerë e njohin edhe si “Haxhi Ragipi”…
Rrjedh nga një familje me traditë fetare, nga fshati Banjë e Malishevës. Thotë se për çdo veprim të tij i frikësohet veç Zotit, ndërsa tregon se ka shpërthyer në lot kur ka shkuar në Qabe.
Në një intervistë ndryshe dhënë për tesheshi.com me rastin e Kurban Bajramit, “Haxhi Ragipi”, flet edhe për tolerancën fetare në komunën e Malishevës, si dhe për atë nëse edukata fetare duhet të futet si lëndë shkolla….

Kryetar Begaj, ju jeni besimtar i devotshëm dhe njiheni ndryshe si “Haxhi Ragipi”. Si ndiheni kur ju thërrasin kështu, a është privilegj për ju?

Ndihem jashtëzakonisht mirë. Unë rrjedh prej një familje me traditë fetare. Në komunë jam kryetar, kurse në xhami dhe në vendet tjera jam haxhi; e nëse ka nevojë në luftë do të jem sërish komandant.

Si udhëheqës i një komune, a ia dilni t’i kryeni të gjitha detyrat që i takojnë një muslimani?

Përpiqem t’i kryejë të gjitha detyrat e një besimtari musliman që i takojnë, por ndodh ndonjëherë që kur jam jashtë vendit nuk arrij t’i kryejë. Të premteve në faljen e xhumasë mundohem të jem i rregullt, por mund të ndodh që ndonjëherë për shkak të takimeve që kam, të mos kem mundësi të shkoj ta fali. Xhumanë e fali në fshat timin si dhe në xhami në Malishevë, varet prej vendit ku qëllojë.

Keni shkuar në Qabe, çfarë ndjenje është?

Është detyrë e muslimanit dhe unë ndihem i privilegjuar që kam arrit me shku në Qabe. Synimi im ka qenë fillimisht ta kryejë luftën për vendin tim dhe muslimani e ka borxh të luftojë për vendin. Përveç këtij obligimi, falë Zotit kam mbetur gjallë, dhe e kam pas synim ta vizitoj Qaben e Madhnueshme. E kam vizitu Qaben, është vend i shenjtë për muslimanët, e kam pas një ndjenjë të mirë, dhe e kam ndi veten mirë që Zoti ma ka mundësu me shku aty. Kur kam shku në Qabe më ka shkuar mendja tek babai im që më ka vdekë para lufte dhe bashkluftëtarët e mi dëshmorë, për të cilët jam lutur. E më kanë dalë lotë. Falënderimi i takon Zotit që ma mundësoi ta vizitojë atë vend të bekum.

Kujt i frikohet më së shumti “Haxhi” Ragipi?

“Haxhi Ragipi”, më së shumti i frikësohet Zotit, për arsye se më është dhënë besimi nga populli për të udhëhequr me qytetarët, pasi nuk është gjë e thjeshtë. I frikësohem punës time, dhe kam dëshirë që ta kryej punën me nder, dhe çdo pagë që e marrë i frikësohem Zotit a e kam hallall sepse e mbaj familjen time me të.

Sa Ramazane keni agjëruar dhe agjërojnë të gjithë familjarët tuaj?

Ramazanin e kam agjëruar si e kam arrit moshën madhore, pra kam filluar agjërimin para më shumë se 34 viteve. Agjërimin nuk e kam ndërpre edhe gjatë luftës, dy Ramazana i kam agjëruar në luftë. Por, duhet thënë se muajin e shenjtë të Ramazanit së bashku me mua e agjërojnë edhe të gjithë familjarët e mi. Kjo është bërë një traditë në familjen time.

Në komunën tuaj që udhëheqni, Malishevën, në përgjithësi fshatrat e saj, sa ka tolerance fetare?

Malisheva njihet për tolerancë fetare. Shembulli më i mirë është fshati Karvasari, ku janë disa familje krishtere. Duhet çmuar njëri-tjetrin pavarësisht besimeve.

Mendimi juaj, a duhet të futet edukata fetare në shkollat publike dhe si?

Në vendet e perëndimit mësohet edukata fetare në shkollat publike. Kjo lëndë do të ishte mirë të mësohej përmes profesorëve si lëmi.

Mesazhi juaj për Kurban Bajram?

Duhet të jemi mirënjohës t’i respektojmë festat. Shumë njerëz kanë sakrifikuar për lirinë e vendit, ku edhe kanë dhënë jetën. Andaj, njerëzit duhet ta çmojnë dhe respektojnë sa më shumë njëri-tjetrin.
Përmes medias suaj, ua uroj të gjithë shqiptarëve festën e Kurban Bajramit me dëshirën që t’i kenë sofrat e tyre plot.



Intervistoi: Blendi Gashi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë