Valon Myrta, është studiues i Jurisprudencës Islame nga Gjakova i cili më 24 Gusht 2016 doktoroi me sukses të lartë në Universitetin e Jordanit
Ai, mbrojti temën e dokturaturës me Titull: “Qëllimet e jurispodencës Islame në politikë dhe qeverisje, studim teoriko-aplikativ dhe krahasimor”, para komisionit vlerësues në përbërje prej: Prof. Mahamed Naim Jasinë – mentor dhe kryetar; Prof. Abdulmexhid Es Salahinë –anëtar; Prof. Abdullah El Kejlani - anëtar, Prof. Enes Ebu Ata – anëtar i jashtëm (dekan i fakultetit të Jurisprudencës Islame në Universitetin shtetëror “Alul-Bejt”).
Punimi i kandidatit është i ndarë në tre kapituj. Në kapitullin e parë përfshihet ndërlidhja mes qëllimeve të jurisprudencës islame dhe të politikës së saj. Ndërkaq, në dy kapitujt tjerë studimi hulumton shtatë qëllime të legjislacionit Islam në sferën e politikës dhe qeverisjes, qëllime që ruajnë vlerën e njeriut, të shoqërisë, ekonomisë dhe mjedisit, të cilat janë përmendur të gjitha në citatet e shpalljes në kontekste të ndryshme, dhe të cilat janë gjetur në konkludimet e disa prej dijetarëve të shquar pa u thelluar në dimensionet e tyre. Disertacioni përfundon me paraqitjen e rezultateve më të rëndësishme të studimit dhe me rekomandimet e autorit.
Biografi e shkurtër
Dr. Valon Myrta lindi më 01 Dhjetor 1982 në Gjakovë. Shkollën e ultë fillore e kreu në Piskotë për të vazhduar filloren e lartë në Osek Hilë, ku edhe banonte, ndërkaq Shkollën e mesme e filloi në “Medresenë Alauddin” në Prishtinë, për ta përfunduar vitin e fundit në “Institutin e Fesë” të Katarit. Fakultetin e kreu në “Universitetin e Katarit”, fakulteti i Jurisprudencës Islame, ndërkaq përfundoi magjistraturën në të njëjtin drejtim në “Universitetin e Jordanit”, ku edhe themeloi dhe kryesoi “Unionin studentor të të huajve” që numëronin diku 5 mijë studentë. Gjatë kohës së studimeve ai kishte vazhduar studimet private te dijetarë eminentë si kolosi i hadithit me prejardhje nga Shkodra Shuajb Arnauti, sekretari i përgjithshëm i Unionit të dijetarëve musliman Prof. dr. Ali Kurehdagi dhe shumë të tjerë.
Dr. Valon ef. Myrta aktualisht është imam, mual-lim dhe hatib në xhaminë e Mahmud Pashës në Gjakovë dhe anëtar e KBI-së në këtë qytet. KBI në Gjakovë me kënaqësinë më të madhe e ka pritur këtë kuadër dhe tani Gjakova ka në mesin e vet doktorin e parë të shkencave Islame, por inshallah jo të fundit.
Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë i uron doktorit të nderuar çdo të mirë dhe suksese në punën e mëtejme.
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/valoni_1477646782.jpg[/img]