Fehmi Raqipi nuk ndalet, del edhe me dy botime të reja

Fehmi Raqipi në moshën pesë vjeçare mëson alfabetin arab, në moshën nëntë vjeçare e lexon Kuranin. Imami Fehmi Raqipi nuk u dorëzua asnjëherë përballë furtunave të kohës. Edhe në këtë moshë ai ka botuar dy libra të titulluar:” Hulumtimi i haditheve të papranuara dhe të trilluara” dhe “Fikhul Hanefi”, libra këto që do të promovohen më 25 tetor në Gjilan.

Fehmi Raqipi për 30 vite ka shërbyer si imam në fshatin Dobrosin komuna e Bujanocit. Është autor i disa librave të botuara kurse së fundit ka botuar librat :”Hulumtimi i haditheve të papranuara dhe të trilluara” dhe “Fikhul Hanefi”, libra këto që do të promovohen më 25 tetor në Gjilan, raporton rajonipress.
Qysh në fëmijëri të re ka treguar aftësi të paimagjinueshme meqë në moshën 9 vjeçare ka lexuar komplet Kuranin. Ish imami i Dobrosinit, Fehmi Raqipi tani në kohën e pleqërisë jeton dhe vepron në Gjilan, por asnjëherë nuk është ndalur për të kërkuar dituri, për të ofruar para lexuesve libra të rinj që lidhen me islamin dhe praktikat e tij.
Fehmi Raqipi i njohur si imam i fshatit Dobrosin Komuna e Bujanocit pos që ka lënë gjurmë të pashlyeshme tek 30 gjeneratat e përcjellura nga ai, njihet edhe si autor i disa librave shumë praktikë si :”Ligjërata javore”, “Tryeza shpirtërore”.
Ndonëse ka një moshë të shtyrë Raqipi lexon rregullisht literaturën më të re bashkëkohore dhe thotë se e ka të vështirë të rrijë ndonjë ditë pa lexuar. Për shkak të aftësive të paimagjinueshme që ka treguar qysh si i ri, Fehmi Raqipi në moshën pesë vjeçare ka mësuar alfabetin arab nga i ati i tij Mehmeti i njohur si njëri nga myderrizët më të shquar të asaj kohe.
Në moshën 9 vjeçare arrin ta lexojë Kuranin kurse një vit më vonë e mëson gramatikën e gjuhës arabe. Raqipi duke mos u kënaqur me njohurit që kishte regjistrohet në medresenë “Alaudin” në Prishtinë ku i jep të gjitha provimet në afat rekord.
Nga viti 1964-1994 punon si imam në Dobrosin ku shpesh është ndeshur edhe me pushtetin serb. “Policët e Bujanocit shpesh më kanë marrë në pyetje, madje kam edhe disa padi në Gjykatën e Bujanocit, vetëm pse unë mësoja në gjuhën shqipe nxënësit e mi. Unë asnjëherë nuk jam ndalur sepse kisha vendimin e Bashkësisë Islame në Prishtinë. Për dy librat e tij të botuar gjatë dy viteve të fundit, Fehmi Raqipi thotë se ua ka kushtuar imamëve që flasin në foltore. Jam përpjekur që në këta dy libra t`ua sjellë të gjitha detajet që duhet të dinë imamët para se të hynë në foltore sepse imami është një mësues i mirë, është një udhërrëfyes i shkëlqyeshëm nga i cili presin shumë të gjithë ata që e dëgjojnë gjatë ligjërimit” thotë Raqipi.
Sadat Rrustemi recensent i librit “Fikhul Hanefi” ka thënë se autori Fehmi Raqipi, është munduar t`u ofrojë lexuesve me një gjuhë të thjeshtë e të rrjedhshme një përmbledhje të përgjithshme të çështjeve juridike sipas shkollës juridike hanefite. “Jam i bindur se kjo vepër e autorit do të jetë një frymëzim dhe stimulim për studiuesit islam. Ky libër i fikut në gjuhën shqipe plotëson një mungesë të ndjeshme për lexuesit shqipfolës dhe shpresoj të jetë një referencë për nivele të ndryshme të nxënësve, studiuesve, intelektualëve e mbarë shoqërisë” ka shkruar Rrustemi.
Kurse vet autori në parathënien e librit ka shkruar.”Megjithëse jam i rraskapitur dhe i moshuar, kur pashë se të rinjtë po vijnë në xhami dhe po e zbatojnë urdhrin e Allahut xhel-le teala, po e falin namazin dhe janë të interesuar për çështjet fetare, sidomos ato të fikut, vendosa të bëj një punim, me lejen dhe ndihmën e Allahut xh.sh, rreth çështjes së fikut sipas medh-hebit tonë hanefi” ka shkruar Fehmi Raqipi.
Edhe recensenti tjetër i librit “Hulumtimi i haditheve të papranuara dhe të trilluara”, hadithologu, Musa Vila ka thënë se autori në këtë libër ka përmbledhur një numër të konsiderueshëm hadithesh të trilluara, apokrife dhe të sajuara, të cilët qarkullojnë në literaturë apo edhe në ligjëratat e shumë hoxhallarëve që nuk kanë informacione se çfarë kategorie i takojnë . Gjithashtu, me përmbledhjen e këtyre haditheve në një libër, autori dëshiron t`ua tërheq vëmendjen hoxhallarëve dhe studiuesve për rrezikun që u kanoset nga përdorimi i tyre në ligjërata dhe gjatë shpjegimit të dispozitave fetare”.
Ndryshe promovimi i dy librave të fundit të Fehmi Raqipit pritet të bëhet më 25 tetor 2016 në Gjilan.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë