Seminari i parë me imamët shqiptar në Austri

Komuniteti shqiptar në Bashkësinë islame të Austrisë organizoi më 02.11.2016 seminarin e parë me imamët shqiptarë të Austrisë. Seminari u zhvillua në Bashkësinë Islame Shqiptare në Vjenë me temën: “Paradigma e imamit të ri”

Përshkrimi:

Përparimi i jashtëzakonshëm teknologjiko-shkencor që e karakterizoi botën e shekullit të kaluar, dhe që është në rritje të vazhdueshme, u pasqyrua dhe u reflektua në lëvizjet shoqërore dhe shkaktoi ndryshime me përmasa dhe rëndësi qytetrimore. Në skenë është bota e dijes apo bota informacionit, me të cilën duhet të harmonizohemi dhe integrohemi, dhe në asnjë mënyrë prej saj të izolohemi. Në këtë kuptim, nocioni dhe roli i imamit në shoqëri duhet të rikonceptualizohet dhe të sillet në relacion me këto ndryshime. Të mësuarit permanent dhe global janë detyra të reja, të cilat imamët duhet t’i artikulojnë në konceptin e tyre jetësor, i cili do t’iu sigurojë atyre kompetenca të duhura dhe dije të domosdoshme për konkurrencë dhe kompeticion në kohën e re.
Në veprimtarinë tonë vazhdimisht ballafaqohemi vetëm me të mësuarit dhe interpretuarit mekanik dhe thjesht teknik të islamit. Së tepërmi insistohet vetëm në memorizimin e rregullave, të cilat janë shpesh shkronjë e vdekur në letër. Çfarë është ideali jetësor islam? Pse xhematlinjtë, auditori ynë dhe recipientët (marrësit) nuk kanë dëshirë të dinë më shumë për atë që ne i mësojmë ata? Pse sloganet, mesazhet e thjeshta dhe sipërfaqësore, vazet populiste dhe ekzaltimi i masave janë bërë hite në mesin e popullatës besimtare?
Inovacioni dhe qasja kreative ndaj problemeve janë promotor themelor të përparimit. Prandaj, detyra më e rëndësishme për imamin e ri është, paranjohja, menaxhimi dhe intensifikimi i „potencialit vetanakinovativ“, aplikimi i tij kreativ në të gjitha fushat e jetës dhe të punës, sidomos në sferën e edukimit, arsimimit dhe thirrjes (da’ves) islame. Kështu që, “koncepti i të mësuarit gjatë gjithë jetës apo të mësuarit permanent është i domosdoshëm pavarësisht nga puna me të cilën merret njeriu.”

Qëllimi:

Qëllimi i këtij seminari edukativ është që t’u ndihmojë imamëve në zhvillimin e aftësive, shkathtësive dhe potencialeve të tyre shpirtërore dhe intelektuale për t’i trajtuar në mënyrë të pavarur dhe kritike realitetet e kohës dhe të vendit në të cilin ata jetojnë dhe veprojnë. T’i motivojë imamët që të mund t’i aktivizojnë fuqitë dhe mekanizmat e tyre të vullnetit; të mund të përballen me sfidat e ndryshimeve aktuale; të ofrojë përgjigje për nevojat reale të komunitetit shqiptar në Austri për një profil të ri të imamit -hatibit -mual’limit/mual’limes; të potencojë para imamëve domosdoshmërinë e lidhjes së besimit me realitetin jetësor me qëllim që të bëhet e qartë që mësimet e islamit kanë kuptim dhe vlerë reale për jetën e njerëzve këtu dhe tani dhe t’i kontribuojë esencialisht të jetuarit kualitativ të njerëzve.
Qëllimi i këtij seminari është, që përmes ligjërimeve edukative, të njihen imamët dhe mual’limet me metodat e ndryshme pedagogjike të punës dhe me këtë të realizojnë një mësimdhënie edhe më të mirë dhe më kualitative me nxënësit në mekteb dhe një ligjërim inovativ dhe interaktiv me njerëzit në xhami.
Ky seminar ka për qëllim edukimin shtesë dhe përkryerjen e imamit dhe mësuesit fetar për të qenë sa më të suksesshëm në përmbushjen e misionit të tyre në promovimin, përhapjen dhe kultivimin e vlerave pozitive shoqërore, të cilat do ta avancojnë shoqërinë tonë, do të realizojnë kuptimin e jetës njerëzore dhe në mënyrë efikase do ta evitojnë të keqën dhe dhunën nga rrethi jetësor dhe sjellja njerëzore.

Grupet e synuara: Imamët, mësuesit dhe mësueset e fesë, teologet, studentet e teologjisë
Organizatori: Komuniteti shqiptar në Bashkësinë islame të Austrisë.
Referenti: Mr. MuhidinAhmeti (Kryeimam)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë