25 vjet dritë nga Drita Islame

Drita Islame”, e themeluar 25 vjet më parë, në janar të vitit 1992, nisi misionin e saj, si organi i parë i shtypit islam në gjuhën shqipe, pas një periudhe të gjatë të ndalimit dhe privimit të lirisë së besimit gjatë kohës së komunizmit.

Me 16 nëntor 1990 ishte falur xhumaja e parë pas 23 viteve ndalimi me ligj dhe gati gjysmë shekulli persekutimi ndaj fesë. Ndërkohë, më 7 tetor 1991, H. Hafiz Sabri Koçi, i drejtohej Ministrisë së Kulturës të asaj kohe me një shkresë, ku mes të tjerash, i kërkon të mundësojë botimin e një gazete. Kështu, në janar të vitit 1992, lind gazeta e parë islame në gjuhën shqipe, duke çelur një dritare të re për besimtarët myslimanë shqiptarë. Në numrin e saj të parë u botua edhe përshëndetja e kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Hafiz Sabri Koçi, me titull: “Mirë se na erdhe, Drita Islame!”. Ai i uronte mirëseardhjen gazetës me këto fjalë:

Mirë se na erdhe o “Drita Islame”, që për afro gjysmë shekulli mjegulla e retë e kohës penguan rrezet tuaja që të shihnin qartë jetën tonë e të na ndriçonin shpirtrat! Mirë se na erdhe, o rreze e syve të shpirtrave tanë që po na ndriçon të gjejmë rrugën e vërtetë morale nëpër një tokë të lënë djerr e të mbushur plot me gjemba!

Që në zanafillë të saj ky organ zyrtar i institucionit të KMSH-së, ka pasur si mision që të përçojë në radhë të parë parimet universale të Islamit, rregullat dhe dispozitat kuranore dhe ato profetike, të promovojë e të hedhë dritë mbi figurat e personalitetet e pendës dhe të kulturës islame ndër shqiptarët, duke pasqyruar veprimtarinë dhe jetën kulturore e fetare në të gjithë vendin.

“Drita Islame” do të bëhej shumë shpejt tribunë e mendimit intelektual islam. Në faqet e saj është pasqyruar qartë ideja e harmonisë dhe mirëkuptimit, ndërsa interesat kombëtare kanë dalë përherë në pah dhe janë lidhur ngushtë me identitetin kombëtar, duke mbrojtur interesat e të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë.

Vlen të përmendet kontributi i jashtëzakonshëm i intelektualëve myslimanë për shkrimet e tyre me vlerë dhe sidomos puna ndër vite e zotërinjve: Ismail Muçej (kryeredaktori i parë), Nasuf Dizdari, Ali Hoxha, Faik Kasollja, Fejzi Zaganjori, Shaban Vani, Dritan Basha, Hektor Saliaj, Ervin Hatibi (kryeredaktor), Redin Quku, Bledar Myftari, Dorian Demetja (drejtor), Agron Hoxha (kryeredaktor & drejtor), Ali Zaimi, Haxhi Lika, Ferit Lika, Andrin Rasha, Shpëtim Bashmili e shumë bashkëpunëtorë dhe korrespondentë nga vendi dhe bota, të cilët do të jepnin kontributin e tyre që “Drita Islame” të vazhdonte rrugën dhe misionin e saj.

Si një bashkudhëtar dhe lexues i rregullt, që në numrat e parë të saj në rininë e hershme timen në vitet ’90, ishte një nder dhe privilegj, kur në tetorin e vitit 2003, të merrja emërimin nga H. Hafiz Sabri Koçi, si redaktor i “Dritës Islame”, detyrë që e mbajta deri në gusht 2005 dhe pas shumë vitesh do të rikthehesha në përgjegjësinë e drejtimit të këtij organi, një nga më jetëgjatët në periodikët islamë në gjuhën shqipe, nga viti 2014 deri në fund të vitit 2016.

Një rrugëtim ky i bukur, por i mbushur plot përgjegjësi, të cilën na e jepte ndjekja e rregullt e lexuesve tanë në mbarë vendin, nëpërmjet abonimeve të revistës “Drita Islame”.

Pas 20 vitesh si gazetë, në janar të vitit 2012, “Drita Islame” erdhi para lexuesit të saj në formatin e revistës, duke ndryshuar, si rrjedhojë e dinamikës dhe kërkesave të kohës, e ndërsa faqet e saj pasuroheshin me pena dhe rubrika të reja në shumë fusha studimi, kushtuar kulturës, letërsisë për fëmijë me shkrimtarin e njohur z. Xhahid Bushati, artikuj për familjen, artin dhe shkencën, mjekësinë, historinë, sociologjinë, filozofinë, e shumë fusha të tjera.

Sot, në janar të vitit 2017, ne gjendemi në 25 vjetorin e “Dritës Islame”, një organi të rëndësishëm kulturor, por edhe shkencor e edukativ, që është një vlerë e shtuar në periodikët e gjuhës shqipe në përgjithësi dhe atij islam në veçanti. Tashmë “Drita Islame” i ka kaluar 400 numra në total, ku 60 numrat e fundit janë në formatin e revistës.

Krahas kësaj, tashmë botimet KMSH kanë nxjerrë edhe një botim me mjaft vlera, sidomos për studiuesit, të titulluar “Bibliografia e gazetës Drita Islame (1992-2011)”, ku janë përfshirë të gjithë numrat e gazetës “Drita Islame” në 20 vitet e rrugëtimit dhe ciklit të saj si gazetë, me gjithsej 347 numra. Bibliografia është hartuar në mënyrë kronologjike, ku si bazë është marrë numri i parë i daljes së gazetës dhe pas saj vjen edhe pjesa e treguesit alfabetik e të gjithë autorëve të gazetës “Drita Islame”.

Në këtë studim përfshihen 4765 tituj të 20 viteve gazetë (1992-2011), si dhe emrat e 1160 autorëve, që kanë dhënë kontributin e tyre në këto vite.

“Drita Islame”, krahas versionit të shtypur ishte ndër faqet e para në Shqipëri, ku që në fillimet e viteve 2000, kishte faqen e saj online, ku prej vitesh janë publikuar mijëra faqe artikuj. Tashmë së bashku me botimin e vazhdueshëm dhe pa ndërprerje të periodikut të revistës “Drita Islame”, faqes së saj online dhe adresave në rrjetet sociale, si dhe librit të Bibliografisë, së fundmi është mundësuar edhe dixhitalizimi i të gjithë numrave të saj si gazetë dhe së bashku me 60 numrat e revistës, me më shumë se 400 numra të “Dritës Islame”, ajo do të jetë e aksesueshme për të gjithë dashamirët, ndjekësit e rregullt ndër vite, por edhe për studiuesit dhe brezat e rinj, të cilët do të gjejnë një pasuri me vlera të jashtëzakonshme kulturore.

Me anë të këtyre rreshtave modestë përshëndes nga zemra të gjithë lexuesit tanë, si dhe falënderoj bashkëpunëtorët ndër vite dhe sidomos redaksinë e palodhur të saj.

Rrugëtim të mbarë o Dritë, prej Dritës së Islamit. Jetë të gjatë e të dobishme “Drita Islame”!



Dr. Genti Kruja
Revista Drita Islame – Janar 2017


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kumtesa e Dr. Valon Myrta në Dëgjesën - Konfigurimi i zbatimit të Islamit për një shoqëri në ndryshim