Disa konstatime në përkthimet e para të Kuranit në gjuhën shqipe (1)

Hyrje

Kurani famëlartë është libër hyjnor, i cili i është shpallur Muhamedit a.s. nga Allahu i Madhëruar, përmes melekut Xhibril a.s., për t' i udhëzuar njerëzit në rrugën e besimit të drejtë, të veprave të mira dhe të virtyteve të larta morale. Ai është shpallja e fundit hyjnore, e cila me përmbajtjen e tij universale i është dedikuar mbarë njerëzimit, pa dallim feje, kombi, race ose klase shoqërore.

Si i tillë ai vlen dhe vazhdon për të gjitha vendet dhe për të gjitha kohët, deri në datën e fundit të kësaj bote. Ai është i vetmi libër qiellor që është ruajtur origjinal, si për nga gjuha ashtu për nga përmbajtja, ngase këtë e ka garantuar vetë Allahu i Madhërishëm.
Me përhapjen e Islamit ndër popujt joarab, Kurani si burim themelor i mësimeve të islame, përveç mësim - leximit në origjinal, u për kthye dhe u shpjegua në formë të ligjërimit dhe predikimit, qysh nga koha e Pejgamberit a.s. e deri më sot, nga dijetarët e secilit popull mysliman, në gjuhën e tyre amtare. Mirëpo, sa i përket përkthimit të Kuranit tekstualisht - fjalë për fjalë, pra në ndonjë gjuhë tjetër, për shkak të përmbajtjes së tij hyjnore, të gjuhës së pasur arabe dhe të frikës se edhe ai do të pësojë ndryshime, siç ka ndodhur me Tevratin dhe Inxhilin, ulematë e hershëm e kanë konsideruar
si të pamundur dhe të palejueshëm. Një botëkuptim i tillë ka dominuar me shekuj në tërë botën islame, dhe ka qenë ndër shkaqet kryesore të mospërkthimit të Kuranit tekstualisht ndër popujt myslimanë në gjuhët e tyre, deri në shekujt e fundit.
Për kthimi i parë i Kuranit ndër popujt myslimanë është bërë në gjuhën persiane, pra në shekullin e XVIII, nga Shah Velijullahi, me titull: "Fet - hurrahman", dhe është botuar në Peshevar të Indisë. Fillimisht ky veprim i tij u gjykua ashpër nga ulematë e vendit, ndërsa nga masa e xhematit përkthyesi u kërcënua edhe fizikisht, për shkak të thyerjes së kësaj tradite shekullore.
Ndërsa në vitin 1790, djali i tij, Shah Abdylkadri, e përktheu në gjuhën urde.(1)
Mirëpo, me ndryshimin e rrethanave politiko - shoqërore dhe gjeostrategjike në vendet myslimane, pra shekujve të fundit, filloi ngritja e vetëdijes arsimore dhe kombëtare, dhe njëkohësisht filluan të shtohen edhe dëshirat, ambiciet dhe pretendimet e secilit popull mysliman për ta pasur edhe Kuranin në gjuhën amtare. Dëshirat dhe pretendimet e tilla i detyruan ulematë e asaj kohe për ta rishikuar çështjen e përkthimit të Kuranit, dhe me atë rast konstatuan se: Kurani mund të përkthehet në gjuhët tjera, por ai duhet të jetë me koment, sepse lexuesi i rëndomtë në shumë raste, jo vetëm që nuk do të mund ta kuptojë, pra pa sqarime, por mund ta keqkuptojë.
Ndërkaq, në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar, në qarqet e ulemave në Egjipt, u zhvilluan debate të shumta lidhur me çështjen e përkthimit tekstual të Kuranit, dhe dominoi mendimi se: kuptimet e Kuranit mund të për kthehen në gjuhët tjera, por shprehjet e tij figurative dhe stili artistik është i papërkthyeshëm.
Duke folur lidhur me debatet e lartpërmendura në Egjipt, përkthyesi i Kuranit në shqip, Hasan ef. Nahi, në parathënien e tij, ka theksuar: "Disa dijetarë thoshin se nuk është e lejuar që Kurani të përkthehet tekstualisht, kurse përkthimi me koment është i detyrueshëm për teologët. Shumë dijetarë janë tërhequr prej përkthimit, sepse janë frikësuar se ajo është një detyrë e rëndë dhe e madhe, dhe se nuk do të mund ta kryejnë si duhet. Disa prej tyre janë mbështetur në suren 65, ajeti 7, i cili thotë: "Perëndia nuk e ngarkon askënd, por vetëm aq sa i ka dhënë. Prandaj, kështu kanë vepruar dhe e kanë përkthyer Kuranin tekstualisht".
Një ndjenjë të tillë të frikës së përgjegjësisë së madhe e ka shprehur edhe H. Sherif ef. Ahmeti, në pasthënien e përkthimit të tij të Kuranit, kur thotë: "Jam përpjekur t'i përmbahem saktësisht origjinalit në gjuhën arabe, si në përkthimin e Kuranit ashtu në komentime, dhe që të jem sa më besnik ndaj realitetit. Jam i vetëdijshëm se kam përgjegjësi para Zotit dhe para lexuesve, por dëshira që edhe lexuesit e gjuhës shqipe ta kenë pranë vetes një përkthim me komentim në gjuhën tonë mbizotëroi frikën e përgjegjësisë. Andaj, me qëllim që masës së besimtarëve t'ia ofroj një dritë, s'paku sa të qiririt, për rrugën e tyre të lumtur, bëra një përkthim me një koment të shkurtër, ashtu që lexuesi të mund ta kuptojë më lehtë ... "
Përveç përkthyesve myslimanë, për pamundësinë e përkthimit të saktë të Kuranit kanë deklaruar edhe disa përkthyes jomyslimanë. Orientalisti i njohur dhe përkthyesi i Kuranit në gjuhën angleze, Marnaduk Picthall, në parathënien e përkthimit të tij ka thënë: "Kurani nuk mund të përkthehet. Të këtij mendimi kanë qenë dijetarët më të vjetër islamë, dhe plotësisht edhe unë e përkrahi këtë mendim. Për këtë shkak unë nuk pohoj se kam arritur ta përkthej. Unë vetëm jam munduar dhe përpjekur ta barti kuptimin e Kuranit. Në qoftë se edhe me këtë kam pasur sukses, e konsideroj vetën të lumtur ... "
Disa nga ulematë, duke u mbështetur në mënyrë formale në ajetet që thonë se Kurani ka zbritur në gjuhën arabe, ose për ndonjë qëllim të caktuar, janë të mendimit se Kuran quhet vetëm nëse është në gjuhën arabe, ndërsa për kthimi i tij në ndonjë gjuhë tjetër nuk është Kuran. Andaj, edhe lexuesi i tij në arabisht do të shpërblehet te Zoti i Madhërishëm, ndërsa lexuesi i përkthimit të tij nuk do të shpërblehet.
Nëse i analizojmë me vëmendje ajetet në fjalë, shihet qartë se qëllimi i zbritjes së Kuranit në gjuhën arabe ka qenë për ta kuptuar atë dhe për të besuar, e jo pse gjuha arabe është e privilegjuar te Zoti xh. sh., dhe se përkthimi i Kuranit në ndonjë gjuhë tjetër nuk është Kuran. Allahu xh. sh. edhe pejgamberëve të tjerë ua ka dërguar shpalljen në gjuhën e popullit të tyre.
Kurani, faktikisht, përbëhet nga përmbajtja dhe domethënia e tij, e jo nga gjuha dhe shkronjat, ngase këto të fundit janë vetëm mjete për transmetimin e tij.
Gjithashtu, edhe çështja e mos shpërblimit të lexuesit të përkthimit nuk përputhet me logjikën e shëndoshe të njeriut, ngase si bëhet që të shpërblehet ai që e lexon Kuranin në gjuhën që nuk e kupton, e të mos shpërblehet ai që e lexon përkthimin e tij në gjuhën që e kupton!?


____________
(1) Ymer Riza, "Çështë Kurani", Stamboll 1927, përkth. nga Shefqet Daji, Elbasan, 1938.



Hajrullah Hoxha


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme