Kohë më parë, mendohej, ose të paktën besohej se gjinia e fëmijës përcaktohej nga qelizat e nënës dhe babait bashkë. Por, ne përmes Kuranit famëlartë jemi informuar ndryshe ku thuhet se mashkulli apo femra krijohet nga “një pikë farë që hidhet”.
“Dhe Ai është që krijoi llojet, mashkullin dhe femrën. Nga pika e farës që hidhet. (En-Nexhm: 45-46)
Disiplinat e gjenetikës dhe biologjisë molekulare kanë vlerësuar shkencërisht saktësinë e këtij informacioni të dhënë nga Zoti në Kur’an. Tani është kuptuar se gjinia përcaktohet nga qelizat e mashkullit dhe se femra nuk ka asnjë rol në këtë proces.
Kromozomet janë elementët kryesorë në përcaktimin e gjinisë. Dy nga 46 kromozomet, që përcaktojnë strukturën njerëzore, njihen si kromozomet e gjinisë. Këto dy kromozome quhen “XY” tek meshkujt dhe “XX” tek femrat pasi format e kromozomeve i ngjajnë këtyre shkronjave. Kromozomi “Y” mbart gjenet që kodojnë gjininë mashkullore, ndërsa kromozomi “X” mbart gjenet që kodojnë gjininë femërore.
Formimi i një qënieje të re njerëzore fillon me kombinimin kryq të një prej këtyre kromozomeve, të cilat ekzistojnë në çifte tek femrat dhe meshkujt. Tek femrat të dy përbërësit e qelizës, e cila ndahet në dy gjatë ovulimit, mbartin kromozome X. Qeliza e mashkullit nga ana tjetër, prodhon dy lloj përbërësish, një që përmban kromozome X dhe tjetri kromozome Y. Nëse një kromozom X nga femra bashkohet me një spermë që përmban një kromozom X atëherë fëmija është femër. Nëse bashkohet me një spermë që përmban një kromozom Y, fëmija është mashkull.
Me fjalë të tjera, gjinia e fëmijës përcaktohet nga cili kromozom i mashkullit bashkohet me ovulin e femrës.
Asgjë nga këto njihej deri në zbulimin e gjenetikës në shekullin e 20-të. Në të vërtetë, në shumë kultura besohej se gjinia e fëmijës përcaktohej nga trupi i nënës. Ky është shkaku që gratë fajësoheshin kur lindnin vajza.
Katërmbëdhjetë shekuj përpara se të zbuloheshin gjenet e njeriut, Kur’ani na dha informacione që e hidhnin poshtë këtë supersticion dhe na tregoi se origjina e gjinisë nuk gjendej tek gratë por tek burrat.