Gjyshërit, një pjesë e jona

Jeta është edhe më e bukur, kur në të jeni ju që përkundni djepe dhe lexoni përralla!

E vogël e mbaj mend imazhin tënd e ëmbla gjyshja ime. Ti ishe e butë, e bardhë ishte zemra jote, si dëbora e këtij dimri. E tash që po rritem, mendoj se një nga dhuratat me vlerë, jeni pikërisht ju, që na tregoni përralla për prindërit tanë. Gjyshërit tanë!

Rëndësia e gjyshërve në jetët tona

Secili nga ne lind, rritet dhe jeton në një familje, por në çdo familje një element me rëndësi të cilët ne nuk mund ta kuptojmë, janë gjyshërit tanë. Prezenca e gjyshërve në jetët tona është një prezencë lehtësuese dhe e kënaqshme për fëmijët. Përkujdesja që ata tregojnë për fëmijët i bën të jenë të kënaqur me këtë rol, si ata vetë ashtu edhe vogëlushët. Ata në fakt janë shumë ndikues në shumë aspekte ndaj fëmijëve tanë. Gjyshërit kujdesen për ata, kur ne nuk jemi në shtëpi, ndihmojnë prindërit me ide dhe eksperiencë. Mendohet se më të prirura për të treguar përkujdesje dhe dashuri, janë gjyshet. Marrëdhënia nipër-mbesa dhe gjysh-gjyshe është shumë frytdhënëse. Madje kjo marrëdhënie cilësohet si një ndër më të vërtetat e mundshme në çdo raport njerëzor, pas marrëdhënies prindërore.
Pra le ta shikojmë gjyshin si një njeri që dikur mbante peshën e familjes, por koha e ktheu në një gjysh, i cili ka pozicionin shoqëror të të qenët i tillë. Gjyshërit të cilët kalojnë më shumë kohë me nipat dhe mbesat, janë më të kënaqur nga ky rol, por edhe zhvillimi i fëmijës mund të jetë shumë influencues nga gjyshërit e tyre në mënyra të ndryshme. Disa mund të sillen si kujdestar, ose si prindër zëvendësues. Disa të tjerë mbështesin prindërit dhe u japin atyre ide mbi teknikat prindërore.
Në kohët moderne të gjitha marrëdhëniet familjare janë bërë më shumë të vështira, por edhe në këto kohë ka shumë gjyshër të cilët e bëjnë këtë detyrë me shumë sukses, madje bëhen edhe pjesë e rëndësishme e jetës së tyre. Të qenët gjysh, është një etapë të cilën gradualisht e sjell mosha, por edhe ndërtimi i familjes së re brenda kësaj bërthame. Gjyshërit më shumë se çdo dije kanë përvojën jetësore. Në çdo familje gjyshërit kanë një respekt të veçantë që me erën e globalizmit ndoshta edhe zbehet, por që nuk shuhet. Ne kemi për këta gjyshër një respekt dhe dashuri të veçantë. E dëshirojmë një gjysh-gjyshe në familjen tonë, që përkujdeset për fëmijën me dashuri dhe mbi të gjitha me përvojën jetësore. Ata madje shpesh nëse përdorin strategji bëhen edhe edukues dhe ulës konfliktesh në familje.
Ne i shikojmë gjyshërit në kohën moderne si cenues të hapësirave. Ky është imazhi modern i familjes, në fakt pikërisht këtu fillon gabimi, sepse nëse ne do të kemi në shtëpi gjyshër, do të kemi një vakt gati dhe shumë përkujdesje për fëmijët në mos prezencën tonë. Nga ana tjetër ata i ndihmojnë fëmijët tanë të menaxhojnë kohën. Pra, nëse është një gjysh në shtëpi, ai u rikujton fëmijëve se kanë edhe detyra.
Gjyshërit janë të afërt edhe kur ata janë larg, pra me anë të telefonave, ata bëjnë lidhje dhe japin këshilla konstruktive për vogëlushët tanë. Kur fëmijët kalojnë pushime te gjyshërit është bukur, kjo është e parapëlqyer si për fëmijët, por edhe e rekomanduar nga psikologët, sepse shpesh gjyshërit bëjnë edhe rrëfyesin e historisë së familjes dhe fëmijët mësojnë se edhe prindërit e tyre kanë qenë fëmijë për të cilët është dashur mund dhe edukim. Nga ana tjetër në momentin që fëmijët kalojnë kohë te gjyshërit kuptojnë se si ndryshojnë brezat, si në psikologji, në mënyrë jetese, ashtu edhe në zakonet e përditshmërisë së tyre. Dashuria, këshillat, mirëkuptimi dhe gjithçka e bukur që marrim nga gjyshërit është vlerë e munguar në edukimin e fëmijëve tanë. Por, e bukura e kësaj lidhje është se nis që në fëmijëri dhe vazhdon për gjithë jetën. Pra, ti rritesh dhe rritesh, e atij i fisnikërohen thinjat, por kurrë nuk i ndryshon emri gjyshër dhe dashuria për ta.

Çdo shtëpi e ka një pemë gjenealogjike, e si rrjedhojë ajo s'mund të mendohet pa ata

Ama në shumë raste gjyshërit i llastojnë fëmijët, duke ndikuar jo për mirë. Fëmijët tregohen të pabindur, por këtu pastaj hyn në skenë bashkëpunimi prindërgjyshër, i cili i jep zgjidhje çdo keq edukimi. Pra, ne flasim dhe çdo gjë zgjidhet.
Përfitimet nga shumë studime socio-psikologjike, arrijnë në përfundimin se marrëdhënia e prezencës nipërgjyshër, sjell mirëqenie psikologjike. Jepini mundësi fëmijëve të kalojnë kohë me gjyshërit, edhe duke bërë blerje dhe dalje jashtë shtëpie. Shoqërimi i tyre, shpesh edhe i zbeh konfliktet me prindërit. Mirëpo, secila nënë e di që përkushtimi dhe përkujdesja rreth fëmijës shumë orë në ditë është shumë e lodhshme. Çfarë përfitojnë nga kjo gjë gjyshërit? Për shumicën kjo është vetëm një mundësi e mirë që të afrohen me nipërit/ mbesat dhe t'ju dalin në ndihmë fëmijëve të tyre të rritur. Ne flasim shumë për fëmijët tanë, kurse ata kanë ëndërruar që më parë për ta, andaj duke ndërtuar raporte të drejta dhe të një respekti reciprok, ne i ndihmojmë fëmijët të mos rriten me një të huaj, por të rriten me përrallat e gjyshes.

"A, të lutem gjyshe më trego një përrallë!"

Këtë frazë nipërit e thonë gjithnjë me ëndje dhe nuk duan t'ua lexosh, ata duan rrëfime gjyshërish, vetëm siç ata dinë të rrëfejnë. Përrallat dhe historitë gjithmonë do të përfaqësojnë për fëmijët mjetet përmes të cilave ata njihen me botën e të rriturve, kuptojnë se si funksionon jeta dhe shoqëria përreth. Kujtimet për aventurat dhe aksidentet nga e kaluara, do t'i përvetësojë më së miri nga ata. Përrallat ofrojnë një botë, në të cilën personazhet janë të ndarë në të mirë dhe të. këqij, kanë fuqi magjike dhe për ta gjithçka është e mundur. Nëpërmjet tyre, fëmijët mësojnë se për çdo problem ka një zgjidhje, dhe se e mira triumfon mbi të keqen. Dhe ata që i rrëfejnë këto janë pikërisht zërat e ëmbël të gjyshërve. Ato jo vetëm i argëtojnë fëmijët, por edhe i mësojnë ata të rriten. Mos harroni, jo gjithnjë përrallat tregohen përpara gjumit. Kohën dhe hapësirën lërjani në dorë ta zgjedhin ata.
"Të lutem gjyshe bëje edhe një herë zërin e ujkut", kjo është ajo për të cilët fëmijët i duan gjyshërit, durimi dhe interpretimi i përrallave vetëm siç ata dinë. E nuk ka diskutim se gjyshërit janë të aftë t' i thonë fëmijëve se përrallat janë vetëm përralla dhe s'janë asgjë më shumë, e nuk janë pjesë e jetueshme e realitetit, sepse kjo është e rëndësishme që të mbahet distanca e duhur. Çdo vajzë do të jetë princeshë, vetëm gjyshërit dinë të transferojnë dashuri për t'u thënë se janë princesha në zemrën e tyre.
Gjyshërit janë pjesë e jetës tonë, vetëm për pak më shumë pavarësi, mos i privoni fëmijët tuaj nga dashuria dhe përkujdesja e tyre, jo se nuk bëhet pa ata, por se me ata është edhe më mirë për vogëlushët tanë.
"Në prehrin tënd u rrita, e sot gjyshja ime e ndjerë të them faleminderit që më bëre të jem princeshë."



Entela Hidri


Artikulli radhës
Ramazani, muaj i familjes

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kumtesa e Dr. Valon Myrta në Dëgjesën - Konfigurimi i zbatimit të Islamit për një shoqëri në ndryshim