Ekonomia në jetën e bashkëshortëve

Ekonomia islame është kryerja e proceseve të ndryshme ekonomike si: blerje, shitje, këmbim etj, sipas parimeve të islamit, që të bëjë jo vetëm një jetë të ndershme, por edhe të fitojë kënaqësinë e Allahut në ahiret.

Përkufizimi i ekonomisë islame dhe veçoritë e saj

Gjërat më të rëndësishme që e karakterizojnë ekonominë islame janë:

Së pari: ajo bazohet në vlera besimi. Muslimani, kur fillon proceset e tij ekonomike, beson se kjo pasuri është nën zotërimin e Allahut të lartësuar dhe beson se Allahu e mbikëqyr atë në marrëdhëniet e tij me të tjerët e këto marrëdhënie kryhen nën mbikëqyrjen e Tij. Ai gjithashtu beson se një ditë do të qëndrojë para Allahut e Ai do ta marrë në llogari për këtë pasuri, si e fitoi e ku e shpenzoi. Këto janë vlera besimi që nuk i gjen në sisteme të tjera ekonomike.

Së dyti: bazohet në vlera morale. Nuk ka ekonomi pa moral. Kështu ishin tregtarët e motshëm muslimanë. Ekonomia islame bazohet në moral, me të cilin “duhet të vishet” çdo musliman e në veçanti biznesmenët. Tiparet morale të fesë islame janë: sinqeriteti, emaneti, toleranca. “Allahu e mëshiroftë një person që është i gjerë kur shet, i gjerë kur blen dhe i gjerë kur i kërkohet diçka. Allahu i shpërblen ata, që i ruajnë emanetet dhe premtimet.” (23: 8)

Së treti: kryerja e së drejtës së Allahut tek pasuria, që është zekati. Allahu i lartësuar e bëri atë shtyllë, detyrim, adhurim, pastërti dhe na urdhëroi ta kryejmë në më shumë se një vend, duke e bashkëngjitur me namazin.

Së katërti: respektimi i pronës. Nuk lejohet të cenohet prona e tjetrit, qoftë e individëve apo e shtetit, si dhe të ruhet pasuria e njerëzve. Profeti (a.s) në fjalimin e haxhit të lamtumirës tha: “çdo musliman e ka të ndaluar gjakun, pasurinë dhe nderin e muslimanit tjetër.”

Së pesti: puno vetëm në fushën e të lejuarës. Ne shohim që ekonomistët muslimanë i investojnë paratë e tyre vetëm në vendet që i ka lejuar Allahu dhe i largohen të ndaluarës. Allahu i Madhërueshëm thotë: “Nuk barazohet e pista me të pastrën edhe nëse të habit shuma e së pistës.” (5: 100)

Së gjashti: baraspeshimi mes nevojave të dunjasë dhe punës së ahiretit. Njeriu duhet të investojë një pjesë të pasurisë së tij tek Allahu, siç thotë edhe ky varg: “Shembulli i atyre që i shpenzojnë pasuritë e tyre në rrugën e Allahut është si një kokërr gruri, nga e cila mbijnë shtatë kallëza e në çdo kallëz ka njëqind kokrra. Allahu ia shton kujt të dojë të mirat.” (2: 261)
Biznesmeni musliman investon në dunja dhe në ahiret: “Kërko botën e ahiretit me atë që të ka dhënë Allahu dhe mos harro pjesën tënde në dunja.” (28: 77) Sistemet e tjera ekonomike interesohen vetëm për dunjanë.

Së shtati: shmangia e marrëdhënieve, të cilat prekin nevojat kryesore të njeriut. Ka disa nevoja kryesore për të cilat islami interesohet, që janë: ruajtja e fesë, e nderit, e moralit. Çdo gjë që ruan këto objektiva është e lejuar e çdo gjë tjetër që i cenon është e ndaluar.

A ndikon puna në marrëdhëniet familjare

“Kijeni frikë Allahun sa të mundni.” Asnjeri nuk duhet t’i kërkojë vetes plotë- sinë, sepse ajo i përket vetëm Allahut. Kështu që asnjë person nuk mund ta zbatojë fenë e Allahut në mënyrë të plotë, sepse njeriu prej natyrës gabon. Ne në jetën tonë zbatojmë aq sa kemi mundësi prej parimeve të ekonomisë islame.
Kur Allahu ia hap riskun një personi, kjo nuk do të thotë që ai ta shpërdorojë.
Parimet e ekonomisë islame i praktikoj si vetëm, ashtu edhe me familjen time, në çfarëdo ambienti që të jem. Kur njeriu thotë të bëjë diçka, duhet patjetër ta zbatojë atë praktikisht në mënyrë të sinqertë, që të fitojë besimin e të tjerëve.
E kam investuar pasurinë, kohën time te gruaja dhe fëmijët e mi. U mësoja fëmijëve Kuran, praktikimin e ritualeve fetare, i ndiqja në mësimet e tyre praktike, duke krahasuar përparimin e tyre shkencor me mësimin e lëndëve fetare. Arrita në konkluzionin se praktikimi i ritualeve fetare sjell edhe përparimin në mësime.

Burri duhet të bëjë kujdes ndaj shpërdorimit të gruas

Burri, kur bisedon me gruan, duhet të jetë i arsyeshëm e jo i dhunshëm apo ofendues. Ai duhet t’i shpjegojë asaj të lejuarën dhe të ndaluarën. Shpërdorimi që ajo bën është i ndaluar. Nëse ajo nuk bindet dhe e vazhdon vesin e saj, ai duhet ta ndalojë. Këtu shfaqet mbikëqyrja e burrit ndaj gruas së tij, që ia ka dhënë edhe vetë Kurani.

Norma të lejuara ekonomike që familja duhet të respektojë janë:

1- E lejuar (hallall): burri dhe gruaja duhet të kërkojnë riskun hallall. Muadh bin Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, e pyeti Profetin (a. s.): “Dua që të më përgjigjen lutjet.” Profeti (a.s) i tha: “Bëje ushqimin tënd prej hallalli që të të përgjigjen lutjet.” Jo vetëm burri duhet ta dijë këtë gjë, por edhe gruaja, që t’i edukojnë fëmijët e tyre me këtë frymë.
2- Të mirat: Allahu i madhëruar thotë: “I lejoj të mirat dhe i ndaloj fëlliqësirat.” (7:157) Burri dhe gruaja të punojnë vetëm aty ku ka të mira e të blejnë vetëm gjëra të mira. Të mos harrojnë të edukojnë fëmijët e tyre me këtë frymë: kjo është e mirë dhe ne e marrim; kjo është e keqe dhe ne nuk e blejmë apo ta hamë.

3- Respektimi i gjërave parësore: në jetën e njeriut ka gjëra të domosdoshme, pa të cilat njeriu mund të vdesë; ka nevoja, pa të cilat jeta bëhet e mundimshme, por ka edhe gjëra plotësuese. Burri dhe gruaja duhet ta respektojnë këtë parim, kështu që atyre nuk u lejohet të blejnë gjëra plotësuese, kur akoma nuk kanë plotësuar gjërat e domosdoshme. Nëse familja respekton parimin e parësores në jetën e saj, do të shmangen shumë probleme e midis tyre edhe problemi i borxheve.

4- Shpenzimi mesatar: jo vetëm burri dhe gruaja, por edhe fëmijët kur shpenzojnë, këtë duhet ta bëjnë me karar në çdo gjë. Ata patjetër duhet të edukohen me këtë gjë. Profeti (a. s.) thotë: “Nuk bëhet i varfër ai që është ekonomiqar”, pra, ai që shpenzon normalisht. Mundimet më të mëdha në buxhetin e familjes vijnë prej shpenzimeve të paqëllimta.

5- Kursimi për kohë të vështira: jo çdo gjë që e fitojmë duhet ta shpenzojmë e jo çdo gjë që na pëlqen duhet ta blejmë. Nëse burri apo gruaja kanë të ardhura të larta, kjo nuk do të thotë që duhet t’i shpenzojnë të tëra, por duhet të depozitojnë diçka për të ardhmen apo ndonjë të papritur të jetës. Një nga mrekullitë në fushën ekonomike, të cilën e gjejmë në traditën profetike, është edhe hadithi i Profetit (a. s.): “Allahu e mëshiroftë atë person i cili fitoi me hallall dhe shpenzoi me qëllim, atë që e ruajti pjesën e mbetur për ditën e nevojës e të varfërisë.”

6- Baraspeshimi: kjo është një normë ekonomike që bazohet në baraspeshimin mes fitimit dhe shpenzimit, siç thotë edhe ajeti kuranor: “Mos e shtrëngo shumë dorën tënde (mos u bëj koprrac) e mos e shtrij atë të tërën (të shpenzosh pa kufi), që të mos e qortosh veten i penduar.” (17: 29)

7- Mosdallimi mes fëmijëve në dhurata: prindërit nuk duhet të dallojnë fëmijët midis tyre, pasi kjo mbjell smirën tek ata. Nëse i dhuron njërit prej fëmijëve diçka, duhet që t’u dhurosh edhe të tjerëve, sado e vogël që të jetë.

Norma të ndaluara ekonomike që familja duhet të shmangë janë:

Profeti Muhamed (a. s.) në një hadith thotë: “Hallalli dhe harami janë të qartë. Në mes tyre ka gjëra të dyshimta, të cilat nuk i dinë shumë njerëz. Kush u ruhet të dyshimtave, ka ruajtur fenë dhe nderin e tij.” Ne duam që familja myslimane t’u largohet të dyshimtave, që të ruajë fenë dhe moralin e saj.

1- Shpërdorimi: me të nënkuptohet shpenzimi mbi kufi. Ky shpërdorim sjell probleme në shtëpi e ndër to borxhin. Ai është mëkat, kështu që jo vetëm babai, por edhe nëna duhet të japë shembullin e mirë te fëmijët për kursim.

2- Shpenzimi në gjëra të ndaluara: pra, shpenzimin aty ku e kundërshtojnë urdhrat e Allahut. Një varg kuranor për këtë gjë thotë: “Shpenzuesit në haram janë vëllezërit e shejtanit e shejtani ishte mohues i Zotit të tij.” (17: 27) Kur fëmija kërkon të blejë diçka të ndaluar, jo vetëm që duhet refuzuar, por edhe i duhet sqaruar që kjo gjë është e ndaluar dhe do të meritojë ndëshkimin e Allahut nëse e bën këtë gjë.

3- Marrja borxh: nuk lejohet të merret borxh për të blerë gjëra plotësuese apo për të shpenzuar për qejfe.

4- Shpëtimi nga zeqati: kjo është një prej normave të ndaluara, që ka ndikim të madh në familje. Pra, të mos bëhet frika për dhënien e zeqatit shkak për fshehjen e pasurisë apo shpërndarjen e saj pa kriter.
Kur edukojmë veten, gratë dhe fëmijët tanë me vlera besimi e morali, kur i respektojmë normat shoqërore e ekonomike islame, do të mund të shmangim normat e ndaluara ekonomike, si rrjedhim, në familje do të formohet një ekuilibër në buxhetin e saj. Nuk do të ketë borxhe, por rezerva dhe investim. Kështu, familjen do ta sundojë një jetë e qetë e të dy prindërit do t’u trashëgojnë fëmijëve të tyre norma ekonomike islame të pastra.



Gentian Fejzullaj