Shoqata humanitare bamirëse “Bereqeti”, dega në Gjakovë, ka shpërndarë pako ushqimore për familjet të cilat jetojnë në kushte të renda socio-ekonomike.
Pako ushqimore të mbushura me produkte të ndryshme ushqimore, secila në vlerë prej 30 euro, morën afro 40 familje që jetojnë në kushte të rënda ekonomike.
Ndihmat janë shpërndarë në xhaminë me dy minare në Gjakovë.
Përfaqësuesi i kësaj shoqate, Abdurrahman Bejtullahu shprehet i kënaqur për mundësinë që patën që në këto ditë të ftohta t’i ndihmojnë këto familje.
“Është një ndihmë e vogël duke marrë parasysh se koha këto ditë është shumë e ftohtë. Duke falënderuar njerëzit e vullnetit të mirë të komunës sonë, si çdo fund muaji edhe sot ia dolëm që të bëjmë shpërndarjen e ndihmave për familjet nevojtare. Ne edhe në të ardhmen do të vazhdojmë me shpërndarje të tilla. Falënderojmë të gjithë ata që na kanë përkrahë dhe vazhdojnë të na përkrahin”, tha Bejtullahu.
Vlen të përmendet se shoqata humanitare bamirëse “Bereqeti” dega në Gjakovë për çdo muaj, në vazhdimësi, bën shpërndarjen e ndihmave për familjet që jetojnë në kushte të renda socio-ekonomike.