Si ti edukojmë ne bijtë tanë

Hyrje

Mjafton për atë që është i zgjuar e largpamës që të shikojë ekzistencën vetëm e vetëm për të parë nevojën e njeriut për edukatë, ngase ai lind i vogël, i zhveshur nga të gjitha cilësitë e burrave, sikur që e ka trupin në fillim të pazhvilluar tërësisht, por ai gradualisht vjen duke u zhvilluar dhe edukuar se si të ushqehet, në të njëjtën mënyrë është krijuar edhe natyrshmëria e tij që ka nevojë për plotësim.
Mu për këtë është bërë obligim që t'i kushtohet shumë rëndësi edukimit të bijve, dhënies së moralit të mirë, ushqimit të tyre me dituri dhe ushtrimit të tyre për të vepruar vepra që u sjellin begati në jetën e tyre. Pos kësaj qëndron ajo se nuk duhet lenë çështja e edukimit të fëmijëve në vetveten
e tyre apo t'u lihet që të zgjedhin ashtu si të duan ata të jetojnë. Kjo është e ndaluar për shkak se për edukim duhet pasur përvojë, e ata nuk kanë mundësi të edukojnë veten e tyre në moshën në të cilën janë, ngase dihet se edukimi dhe arsimimi janë baza që duhen njohur. Nuk ka shpjegim më të mirë dhe më të qartë se ajo që është shpjeguar në librin e Gazaliut "Ihjau Ulumi Din", ne po përmendim shkurtazi disa nga bazat e edukimit që janë përmendur në këtë libër:
Vërtet fëmija është amanet te prindërit, zemra e tij është e pastër dhe e zhveshur nga çdo gdhendje e pasqyrim, ajo pranon çdo gdhendje, ajo anon kah orientohet, nëse e mëson të mirën dhe e praktikon atë, atëherë ajo vepron vetëm ashtu dhe gjendja e fëmijës do të jetë e lumtur si në këtë botë ashtu edhe në ahiret. Në shpërblimet e tij i bashkëngjiten prindërit dhe secili mësuese e edukator që e ka mësuar atë. E nëse mësohet të bëjë keq, atëherë ai bëhet më i keq se shtazët. Do të jetë i palumtur dhe mëkatin e tij do ta bartin edhe ata që e kanë pasur nën kujdes. Obligim është për babanë që ta ruajë fëmijën e tij, ta edukojë atë me edukatë të mirë dhe që t' i mësojë të mirat e moralit, ta ruajë atë prej shoqërisë së keqe, të mos e mësojë që të jetojë në luks, të mos ia bëjë të dashur zbukurimin dhe komforin, sepse ai do ta humbë kohë për t'i kërkuar këto kur të rritet dhe kështu do të shkatërrohet përgjithmonë.
Jo vetëm kaq, por duhet vëzhguar ai qysh në fillim të jetës, mos të lihet fëmija nën përkujdesjen dhe të mos i japë gji askush pos gruas që është e mirë, fetare dhe që ushqehet me hallall, ngase qumështi i prodhuar prej haramit është i pabereqetshëm. E nëse ky qumësht i jepet fëmijës atëherë tek ai zihet brumi i haramit dhe i së keqes dhe kështu ai do ta ketë natyrshmërinë që të anojë kah të këqijat dhe harami. Duhet që babai të përkujdeset në mënyrë shumë të përpiktë për pastërtinë e fëmijës, që të mos e lërë atë të qëndrojë me shërbëtorin, sepse ka mundësi të marrë edukatë të keqe. Kur prindi sheh se fëmija di mirë të dallojë të keqen prej së mirës, atëherë duhet vëzhguar me shumë kujdes dhe se çështja e parë që duhet t'i mësohet është turpi, ngase kur fëmija ka turp nuk i vepron disa punë. Kjo nuk është tjetër pos një ndriçim në mendjen e tij, një dhuratë e Allahut, një sihariq që argumenton atë se fëmija ka moral dhe edukatë, një pastërti e zemrës, një përkryerje e mendjes kur ai të hyjë në moshën madhore. Fëmija i cili është i turpshëm nuk duhet të lihet anash prej edukimit, por ai duhet të edukohet. E para gjë që ngulitet te fëmija është lakmia ndaj ushqimit, andaj i duhen mësuar rregullat e ngrënies, si p.sh. që të ushqehet vetëm me dorën e djathtë, që të shprehë bismilahin para se të hajë, që t' i bëhet e qartë se nuk është mirë të hahet shumë, ngase kështu u përngjan shtazëve, që të mësohet me qenë gjithmonë i kënaqur me atë ushqim që e ka dhe që të mos e lakmojë ushqimin e tjetrit.
Duhet ruajtur fëmija nga shoqërimi me fëmijët që janë mësuar të jetojnë në luks dhe komfor, duhet mos ta mësojmë që të veshë rroba të shtrenjta dhe duhet ta largojmë nga çdo gjë që mund ta nxitë në këso gjërash. Vërtet nëse në fillim shprehet neglizhenca për edukimin e fëmijës ai atëherë do të jetë me moral të prishur, gënjeshtar, ziliqar, vjedhës, bartës i fjalëve, i pakujdesshëm dhe që qeshet shumë, andaj mund të mbrohet prej të gjitha këtyre me edukim të mirë. Pra, duhet mësuar ai që në vegjëli te braktisë mendjemadhësinë, mahnitjen me vetveten, duhet detyruar ai që të veprojë me butësi dhe urtësi me tjetrin. Po ashtu i duhet futur në kokën e tij besimi fetar që e urdhëron në të mira dhe e pengon prej të këqijave dhe imoralitetit. Duhet t' i bëhen të qarta veçoritë e cilësive të mira me qëllim që ai t'i dojë ato dhe t'i përvetësojë dhe anasjelltas duhet t'i bëhen të qarta veprat e këqija me qellim që ai t' i urrejë dhe të largohet prej tyre.
Pra, kur fillon të shprehë fëmija moralin e bukur dhe veprat e lavdëruara, atëherë duhet që të nderohet ai dhe të shpërblehet me diçka, me qëllimin që të gëzohet dhe pos kësaj duhet të lavdërohet në mesin e njerëzve. E nëse ndodh ndonjëherë që të mos i përmbahet moralit të mirë dhe të tregohet i pakujdesshëm ndaj asaj që vepron, në këtë rast duhet mbajtur fshehtë veprimi i tij e veçanërisht kur ai mundohet ta mbulojë veprimin e tij, se nëse ia hedhim në shesh veprimin e tij, atëherë ka mundësi që ai të marrë guxim që ta veprojë haptas. E nëse e përsërit gabimin, atëherë duhet dënuar fshehtë dhe duhet qortuar ai veprim i tij si gabim i madh, por duhet pasur kujdes që të mos teprohet në qortim:duke e qortuar në çdo moment, se ka mundësi të adaptohet me qortim dhe zbatim të veprave të këqija dhe pos kësaj mund ta humbë efektin fjalë në zemrën e tij. Babai
duhet të jetë i kujdesshëm kur flet më fëmijën e tij, të mos e shajë atë me qëllim që ai të mos e marrë si traditë sharjen, nuk duhet qortuar vetëm ndonjëherë, ndërsa nëna do ta frikësojë që të mos veprojë vepra të këqija duke ia përmendur babanë.
Duhet të mos lejohet që të flejë ditën, ngase ai kështu mund të bëhet përtac, ndërsa natën duhet lejuar që të flejë, po ashtu duhet mësuar që të ketë vështirësi në aspektin e vendit të fjetjes, në veshje dhe në ushqim.
Duhet të pengohet nga çdo vepër që e vepron fshehtas, ngase ai vepron fshehtë sepse mendon që ajo vepër është e keqe. Po ashtu duhet mësuar ai që të eci ditën, të lëvizë dhe të bëjë gjimnastikë me qëllim që të mos bëhet përtac dhe që t' i forcojë muskujt.
Duhet mësuar ai që të mos mburret para moshatarëve të tij për atë që posedon babai i tij, apo për diçka prej ushqimeve, rrobave dhe orendive e mjeteve të ndryshme. Jo vetëm kaq, por duhet mësuar ai që të jetë modest dhe që të respektojë secilin që e shoqëron, të jetë i butë kur të flasë me të tjerët. Duhet penguar qe të mos u marrë fëmijëve atë që i pëlqen, por duhet mësuar se madhështia është në dhënie e jo në marrje, ngase marrja është poshtërim dhe nënçmim. Në përgjithësi duhet t'i bëhen jo të pëlqyeshëm ari dhe argjendi, dhe se i duhet tërhequr vërejtja për ta më shumë sesa u tërheqim vërejtjen për gjarprin dhe akrepin, ngase pasojat që vijnë prej dashurisë ndaj arit dhe argjendit janë më të dëmshme sesa helmi ndaj fëmijëve, por jo vetëm ndaj fëmijëve por edhe ndaj të rriturve.
Duhet mësuar fëmija që të ruajë amanetin dhe të jetë i sinqertë, të pengohet prej rrenës, të mos betohet pa nevojë qoftë kur është duke folur sinqerisht apo është duke gënjyer. Duhet t'i mësohen rregullat e bisedës dhe të pengohet nga të folurit e fjalëve të ndyra dhe të pahijshme.
Po ashtu duhet të mësohet që të pranojë ndëshkimet e mësuesit të tij, ngase ai është njeriu që më së shumti meriton dashurinë dhe të mirën.
I duhet dhënë leje fëmijës që të luajë ndonjë lojë të bukur, por në kohën kur është i lirë me qëllim që të pushojë prej lodhjes së mësimit dhe me qëllim që të mos ndiejë plogështi prej mësimit. Ngase nëse pengohet fëmija prej lojës dhe gjithmonë detyrohet të mësojë, është njëjtë sikur të jesh koprrac për paratë, kjo e vdes zemrën e tij, e shkatërron zgjuarsinë e tij, ia bën të zymtë jetën derisa do të vijë në atë gjendje që të kërkojë shpëtim prej asaj.
Kur fëmija arrin moshën e dallimit të së mirës prej së keqes, atëherë nuk duhet toleruar që t' i braktisë urdhrat e fesë dhe duhet t' i mësojë rregullat dhe vlerat e fesë, ngase prej atij që nuk kapet për fenë dhe nuk angazhohet për të, nuk ka kurrfarë dobie. Kjo qëndron, ngase kur fëmija në këtë moshë mësohet me këto çështje, ai në moshën madhore do të jetë i gatshëm që të njohë më mirë sekretet e këtyre çështjeve. Duhet t'i rikujtohet atij se ushqimet janë ilaçe dhe se qëllimi i tyre është forcimi i trupit të njeriut në aspektin fizik me qëllim që të jetë në gjendje për ta adhuruar Allahun dhe për të punuar. Feja, shërbimi ndaj atdheut dhe bërja dobi njerëzve është obligim dhe se në këtë mënyrë vazhdojnë etapat e jetës dhe se kjo është i vetmi garantues i lumturisë në këtë botë dhe në botën tjetër.
Këto janë të gjitha rregulla të sakta dhe mësime thelbësore për edukimin e vërtetë e i cili edukim i duhet dhënë fëmijës. Ky është mjeti më shembullor për ta bërë njeriun të përkryer, ndërsa metodat tjera janë të dështuara dhe vetëm arsyetime të kota të cilat mund të mbesin vetëm si iluzione dhe kurrsesi realitet. Andaj duhet ditur se edukimi nuk mund të realizohet pos kur edukatori apo këshilluesi janë të stolisur me moral të mirë dhe i kanë të adaptuar në shpirtin e tyre mënyrat e edukimit të fëmijëve dhe këta duhet të jenë shembulli më i mirë për ta me fjalë dhe vepra. Ata të cilët merren me edukimin e fëmijëve e kanë për obligim që t'i kushtojnë shumë rëndësi edukimit të tyre dhe që të angazhohen maksimalisht në edukimin me vepra të larta dhe kurrsesi të mos tolerojnë ndaj vetes së tyre që të bëjnë neglizhencë në kryerjen e detyrës së tyre. Kjo qëndron, ngase ata janë përgjegjës për këta shpirtra të vegjël. Bijtë e sodit janë burrat e së ardhmes, Allahu sjelltë shpresa tek ata dhe që të gjithë ne na udhëzoftë në përhapjen e së vlefshmes dhe punës së mirë. (vijon)



Alij Fikrij
Përktheu nga gjuha arabe: dr. Flamur Sofiu