Gjatë zhvillimit historik të kombeve të botës e midis tyre edhe të zhvillimit historik të kombit shqiptar, krahas faktorëve të tjerë, një rol të veçantë dhe me rëndësi kanë luajtur edhe personalitetet e shquara historike, qofshin ato shkencore, kulturore, politike, por edhe ato fetare intelektuale e patriotike.
Një vend të merituar në lëvizjen tonë kombëtare të shek. XX dhe në fillim të shek. XXI e sidomos të periudhës ndërmjet dy luftërave botërore dhe pas tyre, zënë edhe shumë personalitete dhe figura të shquara patriotike kombëtare e fetare, të cilat dhanë një kontribut të çmuar si në fushën e kulturës islame ashtu edhe në fushën e gjuhës dhe arsimit shqip, si dhe morën pjesë aktive në lëvizjen kombëtare për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare.
Fillimi i shekullit XX për shqiptarët jashtë Shqipërisë solli ndarjen e kombit tonë. Me copëtimin e trojeve shqiptare dhe grabitjen e tyre nga mbretëritë serbe, malazeze e greke e më pas të Jugosllavisë versajase, filloi një nga periudhat më të rënda, më të vështira dhe më të rrezikshme të historisë së kombit shqiptar.
Politika e ndjekur ndaj shqiptarëve të Kosovës, të Çamërisë e të viseve të tjera shqiptare, ndërmjet dy luftërave botërore, ishte politikë e dhunës dhe e gjenocidit ndaj popullit të pafajshëm e të pambrojtur, e cila synonte shkombëtarizimin e popullsisë, ndryshimin më çdo kusht të përkatësisë etnike të këtyre viseve.
"Kemi tri fe, por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyra kemi mbrojtjen e atdheut, të kufirit të Shqipërisë, këtu përballë armikut shekullor"
Në këtë situatë jashtëzakonisht të vështirë për popullsinë shqiptare nën okupimin e huaj u zhvillua veprimtaria e elementeve atdhetare laike dhe fetare, e cila luajti një rol të rëndësishëm për ruajtjen e ekzistencës, për ngritjen e vetëdijes politike, për zhvillimin dhe progresin shoqëror politik, kulturor e fetar të shqiptarëve.
Të dhënat burimore dhe kujtimet e historisë së popullit të shumëvuajtur shqiptar vërtetojnë se krerët e komunitetit mysliman shqiptar ishin frymëzues dhe drejtues, komandantë shtabesh e njësish të vullnetarëve për mbrojtjen e Shqipërisë Etnike nga sulmet etnike e synimet komuniste për ripushtimin jugosllav të Kosovës e të viseve të tj era shqiptare në vitet 1941-1945.
Prijësit fetarë në viset e çliruara nga Jugosllavia me shumë zell dhanë prej vetes atë që mundën në atë kohë, duke e luajtur rolin e unitetit midis tri besimeve fetare shqiptare, mbi një pikë të vetme lirinë dhe unitetin e atdheut Shqipëri: "Kemi tri fe, por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyra kemi mbrojtjen e atdheut, të kufirit të Shqipërisë, këtu përballë armikut shekullor", ishte amanet i Mulla Idriz Velekincës, komandant i shtabit të mbrojtjes kombëtare të nënprefekturës së Gjilanit.
Për ta vërtetuar faktin se dijetarët islamë shqiptarë jo rrallëherë ishin mësues të denjë të kauzës kombëtare, kujtojmë edhe disa vlerësime politike të artikuluara në programin e mbrojtjes kombëtare të Shqipërisë
Etnike nga vaizi apo ligjërata e Mulla Vesel Gutës, të mbajtur në xhaminë Bajrakli të Prizrenit, më 17 prill 1943, në dyvjetorin e çlirimit nga pushtuesit jugosllav, citojmë: "Pas 5 shekujsh robnie të vështirë, Kosova nga traktati i turpshëm i Versait hëngri grushtin ma të rëndë, u nënshtrua nën zotimin mizuer të një pakice t' egër. Mbeti pothuaj 30 vjet rresht nën shkelmin serb e shkëputën prej nanës Shqipëri ... por, durimin nuk e humbi, shpresën e kishte të gjallë se dikur për hir të së drejtës hyjnore do të binte edhe për Kosovën buria e lirisë". Në fakt, kjo buri e lirisë, të cilën sikur e kishte parandier Mulla Veseli para më shumë se 70 vjetëve, për Kosovën ra më 17 shkurt të vitit 2008.
Në rrethanat pas Luftës së Dytë Botërore, tani në Jugosllavinë e Re, nën regjimin komunist, shqiptarët do të përjetonin drama tragjike edhe për gjysmë shekulli. Vetëm gjatë viteve 1945-1950 nën urdhrat e pushtetit sllavokomunist të Beogradit u rrahën dhe u masakruan rreth 50 mijë vetë, vetëm pse ishin shqiptarë. Në këto rrethana të rënduara për shqiptarët, prijësit shqiptarë islamë, atdhetarë të shquar si: Mulla Hysen Statovci, Mulla Kadri Llashtica, Mulla Sadri Pres treshi, Mulla Adem Ibrahim Maloku, Mulla Nur Gjinovci, Hafiz Jakup Muqeziu, Mulla Iliaz Broja dhe shumë të tjerë, u vunë përsëri në shërbim të popullit shqiptar, duke u bërë pjesëmarrës të çdo lloj rezistence popullore kundër dhunës ushtarake dhe policore serbo-sllave.
Mbështetur në të gjitha burimet relevante të historisë së popullit shqiptar, institucionet fetare dhe prijësit e mirëfilltë fetarë shqiptarë të këtyre institucioneve gjithherë kanë qenë në vijë kombëtare në shërbim të popullit dhe të tolerancës ndërfetare. Këtë rrugë, institucionet fetare veçmas Bashkësia Islame e Kosovës dhe liderët e tyre fetarë kanë vazhduar ta ndjekin edhe gjatë periudhës së fundit të historisë më të re të popullit shqiptar.
Nga vitet e nëntëdhjeta e gjer në përfundimin e luftës së fundit në Kosovë, numër i konsiderueshëm i hoxhallarëve kanë qenë të angazhuar dhe aktivë nëpër parti të ndryshme politike, të cilat në programet e tyre kishin për objektiv lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Institucionet e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, si Fakulteti i Studimeve Islame dhe veçmas medreseja "Alaudin" ishin shndërruar në qendra të organizimit dhe të rezistencës kombëtare. Gjatë kësaj periudhe vetëm në medresenë e mesme "Alaudin" të Prishtinës, ishin organizuar mbi 1200 tubime me karakter kulturor, shkencor, kombëtar, politik etj ..
Edhe gjatë zhvillimit të luftës së fundit në Kosovë, numër i konsiderueshëm i teologëve dhe hoxhallarëve kanë qenë të rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dhjetëra prej tyre kanë rënë dëshmorë në altarin e lirisë. Mu për shkak të pozicionimit kombëtar të prijësve fetarë, sulmi i politikës neofashiste serbe mbi objektet fetare islame nëpër Kosovë ishte shumë i egër e që rezultoi me djegien dhe rrënimin e 218 xhamive, ashtu sikurse më 1919, kur 80% të xhamive Serbia i shndërroi në stalla kuajsh.
Edhe pse konflikti serbo- shqiptar në Kosovë nuk kishte karakter fetar, pala serbe është përpjekur që simbolet fetare t'i përdorë për mobilizimin e forcave serbe, për pastrimin e territoreve ku jetojnë shqiptarët gjithkah në Kosovë dhe për zhdukjen e monumenteve të tyre kulturore.
Ndonëse tërë ato padrejtësi u janë bërë në Kosovë, qoftë në të kaluarën e largët apo në atë të afërt, megjithatë, shqiptarët , si popull shumicë në Kosovë, i janë kthyer ardhmërisë dhe ata jetësisht janë të interesuar për stabilizimin e gjendjes, ndërtimin e paqes dhe tolerancës në Kosovën e pasluftës.
Duke pasur parasysh rëndësinë që ka stabiliteti politik dhe ndërtimi i paqes në Kosovë pas përfundimit të luftës, si dhe rolin që mund ta kenë institucionet fetare në këtë fushë, Bashkësia Islame e Kosovës, kreu i saj udhëheqës, institucionet e saj dhe imamët anekënd vendit në vazhdimësi janë angazhuar që me mësimet dhe predikimet e tyre të përçojnë mesazhet hyjnore që thërrasin për paqe, dashuri, mirëkuptim, respektim të tjetrit e para së gjithash për falje.
Në drejtim të promovimit të vlerave paqësore, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava, si dhe prijësit e tjerë fetarë myslimanë në vazhdimësi kanë qenë pjesë e dialogut me bashkësitë e tjera fetare të organizuara nga organizata dhe faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë, në promovimin e paqes, në kërkim të vlerave hyjnore e humane, në kërkim të krijimit të urave të mirëkuptimit e mirëbesimit.
Dhe në fund dua të theksoj se për një të ardhme më të mirë për gjithë qytetarët e Kosovës dhe për ndërtimin e paqes dhe tolerancës më të mirë ndërfetare dhe ndërnacionale duhet të merren parasysh këto rrethana:
1. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia duhet të pranojë realitetin e krijuar në gjeopolitikën ballkanike, rolin e ri të shqiptarëve në Ballkan.
2. Pakica serbe duhet të pajtohet me realitetin e ri të krijuar në Kosovë dhe fatin e saj duhet ta lidhë me Kosovën, pra aty ku jeton e vepron.
3. Faktori ndërkombëtar duhet të mbajë pozicion të drejtë karshi çështjes së Kosovës dhe të jetë më i vendosur për përmbylljen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.