Tirana mirëpret Karvanin e Femrës Muslimane

Femrat muslimane, me urtësinë dhe thjeshtësinë e tyre, kudo që shkojnë, përçojnë vetëm mirësi e dashuri mes njerëzve. Aktivitetet e tyre janë të njohura tashmë për mesazhet frymëzuese që përcjellin, për frymën e bashkëpunimit, ndjenjën e solidaritetit dhe unitetit. Një prej këtyre aktiviteteve është edhe Karvani i Femrës Muslimane, një prej aktiviteteve më të mëdha mbarëkombëtare të femrës muslimane në Ballkan, e organizuar nën kujdesin e Shoqatës Kulturore “Gruaja”. Pas një udhëtimi mbresëlënës në shtator të vitit 2016 në qytetin verior të Kukësit, u ndal këtë vit në metropolin shqiptar, për të tejçuar vlerat më të larta të fesë islame mes grave e vajzave tiranase.

Prej 1 dekade e gjysmë, rrugëtimi i Karvanit të Femrës Muslimane ka vijuar në qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë dhe të trevave shqiptare.

Evenimenti u organizua ditën e diel, më datë 18 Nëntor 2018, në sallën e Hotel Tirana International.

“Femra muslimane, ambasadore e Islamit”. Kjo ishte motoja nën të cilën moderatorja Diana Syla dhe ligjërueset arritën të përcjellin tek të pranishmit emocionet dhe mesazhet e qarta të këtij aktiviteti. Qindra gra e vajza intelektuale nga qyteti i Tiranës, Durrësit, Kavajës, Shkodrës dhe nga trevat shqiptare, u bënë pjesë e kësaj veprimtarie kaq të rëndësishme kulturore.

Ky eveniment u realizua si fryt i bashkëpunimit me Medresenë e Shkodrës “Haxhi Sheh Shamia”, ku nxënëset e talentuara të kësaj shkolle ishin pjesë e programit artistik.

Pjesë e këtij karvani ishte edhe panairi me produktet artizanale “Duarartat shqiptare”, ku veçori e tij ishin punimet tradicionale, punime handmade, qëndisma, produkte natyrale kozmetike etj. të përgatitura nga vajza dhe gra besimtare të talentuara.

Aktiviteti u çel me pjesë nga Kurani Famëlartë nga nxënësja Rejhana Ukperaj.

Drejtoresha e Shoqatës Kulturore “Gruaja” znj. Ndriçime Zekaj, në fjalën e saj theksoi se “Nga rrugëtimi i Karvanit të Femrës Muslimane të forcohet bindja se gratë do të vazhdojnë të luajnë rolin e tyre pozitiv për shëndoshjen e shoqërisë tonë dhe injektimin e saj me morale të larta, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në aspekte tjera social-kulturore. Pasi fuqizimi i gruas është fuqizim i shoqërisë. Gratë shqiptare sot duhet të marrin përsipër rolin si qytetare të barabarta dhe të ballafaqohen me forcë me barrierat që kanë përpara. Gratë duhet të jenë sot e mot pjesë e ndryshimeve që duam t’u sjellim shoqërive tona.”

Nuk kishte si të mungonte në këtë aktivitet edhe fjala përshëndetëse e zonjës Myrvet Kali, ish-drejtoreshë e Medresesë së Tiranës “Mahmud Dashi” dhe në të njëjtën kohë bashkëpunëtore e SHKG që në themelimin e saj. Ajo në fjalën e saj përshëndeti të gjithë të pranishmet dhe rrëfeu kujtimet e saj më të bukura pranë kësaj shoqate, angazhimet dhe kontributin që në themelimin e këtij institucioni dhe pjesëmarrjen e saj në disa karvane.

Mjaft interesante dhe frytdhënëse ishin temat që u referuan në këtë karvan dhe që tërhoqën vëmendjen e audiencës në sallë, të referuara nga zonja intelektuale dhe aktive në shoqëri. Përmendim këtu tematikat e trajtuara: “Modeli islam në emancipimin e gruas” nga znj. Jeta Kasaj, “Drejtësi apo barazi gjinore” nga znj. Sahiba Goga dhe “Një grua e suksesshme në karrierë apo një nënë e përkushtuar në jetë?” nga znj. Oriola Sula.

Ilahitë e interpretuara nga zëri brilant i Eugena Aliut dhe ilahitë e kënduara nga nxënëset e Medresesë së Shkodrës dhe kori i shkollës, ishin ndër momentet më të bukura dhe më të këndshme. Përmendim këtu ilahitë “Pse moj nanë s’po flen”, “Vjen pranvera”, “Nëna”, “Haxhi” dhe “Mirësjellja”.

Poezitë dedikuar figurës së nënës, të sjella në skenë nga nxënëset Brisilda Sofi dhe Erva Sala, përcollën emocione të forta dhe përlotje.

Znj. Elona Sytari, koordinatore e Medresesë së Shkodrës së bashku me mësueset e grupit artistik, qenë të gatshme të ndihmonin në organizimin dhe realizimin me sukses të këtij karvani dhe sollën në skenë mozaikun e poezive dhe ilahive, që përçuan emocione të veçanta e të papërsëritshme tek të gjitha të pranishmet.

Argëtimi i radhës ishte konkursi për njohuritë rreth qytetit të Tiranës, rubrikë mjaft interaktive, ku u shpërndanë shpërblime për fitueset, si dhe loja “Mundja e dorës”, ku fituesja u vlerësua me Kupën e Karvanit. Kuici u drejtua nga znj. Armida Plumbi, përgjegjëse e masmedias pranë SHKG-së.

Më pas të pranishmet u njohën me një reportazh të shkurtër të rrugëtimit të Karvanit të Femrës Muslimane.

Qëllimi i këtij aktiviteti, ndër të tjera, është edhe kultivimi i ndjenjave të humanizmit dhe solidaritetit mes njëri-tjetrit. Prezantimi i “sëndukut të Karvanit” nxori në pah vlerat njerëzore dhe përkrahjen që duhet të bëjmë ndaj njerëzve në nevojë. Shuma e grumbulluar nga kontributi material që dhuroi gjithsecila, mundësoi ndihmesën financiare për një vajzë të vogël 6 vjeçare nga Tirana, e cila ka nevojë për ortezim.

Ashtu siç ishte prezente në hapjen e këtij aktiviteti, edhe në mbyllje të tij, ishte znj. Ndriçime Zekaj, drejtoreshë e SHKG, e cila akordoi çertifikata mirënjohjeje për dhjetëra të ftuara nderi, në shenjë vlerësimi dhe respekti, me motivacionin për kontributet e tyre dhe përkushtimin në fusha të ndryshme të jetës, në arsim e edukim, në kulturë, në gazetari, në shëndetësi, në thirrjen islame (davet) etj. dhe në të njëjtën kohë për bashkëpunimin e frytshëm me SHKG.

Në përmbyllje të aktivitetit u dhurua gatimi tradicional (Flija) nga qyteti i Kukësit, përfaqësuar nga znj. Diana Syla, për qytetin e Tiranës, përfaqësuar nga znj. Armida Plumbi.

Evenimente të tilla të cilat përcjellin mesazhe të mëdha dhe të qarta, të mbeten gjatë në mendje. Ndjenja më e lartë dhe më e çmuar, që përshkoi secilën nga pjesëmarrëset ishte ndjenja e bashkimit dhe unitetit mes femrave të mbarë trojeve shqiptare.

Rrugëtimi i Karvanit të Femrës Muslimane do të vijojë në vitet e ardhshme edhe në vendet tjera ballkanike, si në Bosnje, Kroaci, Bullgari, Greqi, Itali e kudo rreth nesh, me qëllim promovimin në shoqëri të vlerave të shëndosha të familjes./gruaja.org/










Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme