Medreseja “Alauddin” në Prishtinë vazhdimisht ishte e lidhur ngushtë me çështjen dhe fatin e popullit të Kosovës. Këtë lidhje e kishte në çdo kohë dhe rrethanë, sidomos në ato më të vështirat që kaloi populli, ky popull gjatë sundimit serb pothuajse gjithnjë ishte në kohë të vështira.
Qëndrueshmëria dhe mbijetesa e Medresesë ishte rrjedhojë e trimërisë dhe e forcës që ajo kishte ekspozuar në rrugëkalimin e historisë së saj. Medreseja "Alauddin" ishte simbol i rezistencës shqiptare, sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit para luftës së fundit në Kosovë.
Në këto kohëra të vështira, Medreseja "Alauddin" hapi dyert e saj për çështjen e popullit shqiptar, duke mos kursyer asgjë për institucionet e Republikës së Kosovës. Në Medrese, kalitej ndjenja dhe gatishmëria për t'u përballur me të gjitha sfidat dhe vështirësitë që përjetonte populli shqiptar.
Edhe ky institucion, ngjashëm me institucionet e tjera, nuk u shpëtoi dot sulmeve të policisë serbe. Dhe për ketë, jam munduar të hulumtojë në shtypin ditor në gjuhën shqipe dhe jam orientuar te "Shtypi shqip në Kosovë për sulmet e policisë serbe ndaj Medresesë".
Fillimi i verës së vitit 1992, sinjalizoi se me "shtetin juridik" do të jetë më vështirë, e konkretisht më datën 23 qershor 1992, që ishte paralajmëruar se në Medresenë "Alauddin" do të mbahej një mbledhje e rëndësishme për popullin shqiptar dhe ajo ishte "mbledhja themeluese e Kuvendit të Republikës së Kosovës" si vazhdimësi e zgjedhjeve të lira shumëpartiake
të 24 majit 1992. Si rrjedhojë, po në këtë datë, në orën 03, mbi 150 policë, me autoblinda dhe me automjete të tjera e sulmojnë Medresenë duke e mbajtur drejtorin e Medresesë, profesorin Qazim Qazimi, njëkohësisht si peng dhe mburojë.
Por, a nuk janë këto fakte e të ngjashmet me to që bëjnë apel në ditët tona për bashkim, për shqiptarizëm, për ndjenjë kombëtare, për investim të vlerave intelektuale në interes të çështjes kombëtare, dhe që ky institucion të zërë meritueshëm vendin që i takon në Kosove?!!
Medreseja Alauddin - Qëndresë ndaj veprave vandale të policëve serbë
-Dje rreth orës 10 ekipi i reporterëve te "BUJKUT" tentoi të afrohet pranë Medresesë "Alauddin" e cila që parmbrëmë në orët e mesnatës ishte pushtuar nga forca të mëdha serbe. Mirëpo kjo ishte e pamundur, ngaqë përveçqë shkolla ishte e rrethuar me policë, të shumtë dhe autoblinda e snajperistë në kulm të ndërtesës, të gjitha rrugët që çonin nga Medreseja ishin të bllokuara nga policët dhe kontrollonin e legjitimonin çdo person në afërsi. Rreth objektit një pjesë e policëve ishin shtrirë dhe finin në shkallët e objektit dhe mbështetur për rrethoja të oborrit disa shkruanin edhe letra, pjesa e madhe e tyre ishin brenda objektit të pushtuar, disa sish ishin të dehur nga alkooli.
Por, në gazetën “Bujku", të datës 24 qershor 1992, thuhet: "Bëhet e ditur se në asnjë xhami të Prishtinës dje nuk i është lejuar xhematit që të hyjnë brenda për të kryer ritualin fetar. Gjithashtu me forca të mëdha policore ishin rrethuar edhe Meshihati i Fesë Islame të Kosovës në Prishtinë, dhe askush nuk lejohej që të hynte brenda."
Këshilli për mbrojtjen e lirive dhe te drejtave të njeriut në Prishtinë bën të ditur se që nga orët e mëngjesit, mes pallatit "Boro Ramizi" dhe lokaleve të SHSHK-ut, në gjendje gatishmërie për intervenim ka qëndruar një njësi speciale e armatosur e ashtuquajtur Jugosllavi. Dëshmia më e mirë se Serbia nuk është e rrezikuar nga shqiptarët, siç pohohet nga zyrtarët serbë, është fotografia jonë.(1)
-Prej Medresesë Alauddin në Prishtinë, e cila qysh në orën 3 të 23 qershorit 1992 u pushtua nga forcat policore serbe, edhe dje u kthyen profesorët dhe personeli tjetër, me pretekst se nuk kanë urdhër nga eprorët të tërhiqen, se ky objekt qenka shumë i përshtatshëm për ta.
Punëtorët e Medresesë që gjatë ditës së djeshme bënë përpjekje të hynin në objekt e nuk u lejuan, tregojnë se edhe me tej këtu kumbon kënga serbe, e para objektit në mobiliet e shkollës vazhdon ahengu me raki, kurse në katin e tretë të internatit vërehen snajperistë.
Dy punëtorë të Medresesë, Ismail Gashi dhe Emrush Maxharri, dhe dy qytetarë, Fatbardh Makolli dhe Avni Zejnullahu, që në momentin e arrestimit të punëtorëve të tjerë në mëngjes të 23 qershorit nuk u vërejtën nga policia serbe e pardje pasdite, pas alarmimit të meshintit, u nxorën nga objekti i internatit e u dërguan e u maltretuan në polici, tregojnë se në objekt ndodhen diku prej 60 deri 70 policë, një pjesë e mirë e inventarit është shkatërruar. Gjatë ditës se djeshme siç na tha zëvendës kryetari i Meshihatit të Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Ternava: bëmë përpjekje të kontaktojmë me eprorët e policisë, por më kot, na premtuan se do të na pranojnë tek sot në orën 10 (dhjetë). Jemi posaçërisht të brengosur për fatin e këtij objekti më të mirë që kemi e që u ndërtua me mjete të besimtarëve tanë.(2)
-Dëmet që u shkaktuan më ketë rast janë të mëdha, kishte deklaruar drejtori i kësaj Medreseje Qazim Qazimi.
Në Medresenë e Mesme të Prishtinës "Alauddin" janë të vendosura grupe të mëdha diversantësh, të cilët dëshirojnë hapjen e konfliktit të armatosur në Kosovë, ishin fjalët me të cilat iu drejtua policia serbe drejtorit të këtij institucioni fetar, Qazim Qazimit. Me rastin e rrëmbimit në shtëpinë e tij në Gjilan me datën 22.06.1992, në mbrëmje, në orën 23, kjo gjoja i shërbeu si peng policisë serbe, për ta pushtuar shkollën në orët e para të ditës, më 23 qershor. Dhe vërtet me mua policia u soll në mënyrë të vrazhdë, duke më maltretuar fizikisht e psiqikisht, plotësisht 13-14 orë, derisa definitivisht u pushtua Medreseja, duke aktruar se janë të rrezikuar thotë Qazimi, dje me rastin e bisedës qe zhvilluam, pasiqë sërish i mori çelësat e Medresesë dhe kryen funksionin e drejtorit të saj.
Ndërkaq në numrin e datës 25 qershor, në gazetën "Bujku" thuhet: "Pas plot 3 ditësh, dje paradite delegacionit të Meshihatit Islamik të Kosovës, komandanti i policisë serbe në Kosovë, ia dorëzoi çelësat e Medresesë "Alauddin", dhe urdhëroi milicinë të tërhiqeshin nga objekti, ku është dashur të mbahet mbledhja e parë konstituive e parlamentit të parë shumëpartiak të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjeve të 24 majit të këtij viti.
Këto zgjedhje ishin një nga aktet burimore kushtetuese dhe politike me të cilat lindi Republika e Kosovës, pra zgjedhjet e lira dhe shumëpartiake për Kuvendin dhe Kryetarin e Republikës së Kosovës me 24 maj 1992.(3)
Dëmet materiale nuk mund të vlerësohen menjëherë tha drejtori, por në bazë të përshtypjeve të para, ato janë të mëdha, ngase policia me rastin e pushtimit të objektit asnjë derë nuk e ka hapur si duhet, por me shqelma duke i thyer ato dhe duke dëmtuar edhe murin përreth. Kështu që, afro 50 dyer vetëm të konviktit të nxënësve janë të dëmtuara dhe shumë sosh të klasave dhe të kabineteve mësimore. Sipas vërejtjes sonë, tha drejtori, janë bërë dëme të jashtëzakonshme materiale, në objekt një nga milicët, me rastin e pranimit sot, më tha që janë marrë vetëm shkronjat që shënonin datën e mbajtjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe shqiponja, kurse sa për dëme, “unë paguhem 300 miliardë në muaj për të thyer e demoluar”.
Gjatë ditëve të qëndrimit të policisë në objekt janë plaçkitur sasi të mëdha të ushqimit të gatshëm për nxënës dhe rezerva për kohë më të gjatë, siç janë mishi, buka, konserva të ndryshme, sasi të mëdha barërash etj. Me rastin e pushtimit të objektit, pos zyrës së drejtorit, të sekretarit dhe të arkëtarit, pa prezencën e kompetentëve të Medresesë, është thyer edhe arka dhe atë rast është marrë një shumë e madhe e mjeteve revizore, të cilat kanë qenë mjete të qytetarëve tanë nga bota që Medresesë i kanë arritur në emër të 328 kurbanëve. Këto mjete më janë kthyer po atë ditë që u pushtua Medreseja, por nuk më kanë ftuar të jem prezent në rastin e thyrjes së arkës, por vetëm në rastin e kthimit të parave, kështu që nuk di gjendjen financiare të arkës para thyrjes,- tha Qazimi.
Me rastin e rrëmbimit, Qazimit policia serbe nuk i kanë lëshuar kurrfarë vendimi apo autorizimi për ta bastisur Medresenë, kështu që hyrja me dhunë në objektin fetar mund të konsiderohet okupim klasik i tij, kurse dje me rastin e dorëzimit të çelësave të saj, drejtorit në SPB i lëshohet një vërtetim, ku okupimi arsyetohet gjoja me dyshimin e bazuar se në Medrese po mbahet një tubim ilegal pa lejen e organit kompetent.(4)
__________________
1. Z. G. foto I. B, Bujku më 24 qershor 1992.
2. Bujku. më 25 qershor 1992.
3. Nga lënda Historiku i institucioneve, tema: SISTEMI POLITIK I KOSVËS. gjatë mësimeve në master Histori-Arkivisitikë.
4. Z. Gecaj, Bujku më 26 qershor 1992
Ma.Vehbi SHATRI