Çështja kombëtare te hoxhallarët dhe intelektualët myslimanë (1)

Është e pastudiuar si e sa duhet moria e madhe e shkrimeve, kushtimeve, vargjeve, himneve dhe përkujtimoreve kushtuar Ditës së Pavarësimit të Shqipnise sonë të shtrenjtë, si dhe kontributeve të vyera të hoxhallarëve
dhe intelektualëve myslimanë për çështjen kombëtare në revistat islame dhe botimet e ndryshme, kryesisht ato të gjysmës së parë të shekullit 20.

E, kjo sasi e madhe tekstesh plot dobi, nëse vërteton diçka, fakton ndjenjën e sinqertë kombëtare tek elitat myslimane të vendit tonë, një ndjesi e natyrshme e lindur me njeriun, që përkthehet më së miri në fjalët me të cilat Resulullahu a.s. i drejtohej Mekës, vendlindjes së tij: "Me të vërtetë ti je toka më e mirë e Allahut të Madhëruar dhe më e dashura tokë e Allahut për mua dhe, sikur të mos më nxirrnin prej teje, unë nuk do të dilja!".(1)
Kjo më kujton dijetarin e shquar shqiptar, Vehbi S. Gavoçi (1923- 2013), i larguar nga vendlindja që në moshë të vogël, i cili, mallin e tij për vendlindjen e ka shprehur edhe në shkrimet e tij, ku spikat një letër drejtuar Shkodrës, qytetit të lindjes, ku thotë:
"Ej Shkodër e dashtun, ej Shkodër e bukur, qendra e burrave bujarë, fusha e prestigjit dhe moralit, lumë i dritës e i dijes, toka me aromë trëndafili e zambaku. Shkodër, nëpërmjet bijve të saj... S'po t'livdoj Shkodër, megjithëse je vendi që në të thitha ajrin dhe erën e jetës për herë të parë, o Shkodra ime, kur më priti toka jote e butë dhe dashamirëse, për herë të parë në djepin e prindëve, në parzin t'and, deri sa u rrita ...
U largova nga ti kaq vjet ...
Më ishe zemër para syve të mi ... Ruajta gjuhën t'ande dhe, kur u ktheva te ti pas 55 vjetësh, më more ngryk deri m'u rehatu zemra. U gëzova me ty sa t'pava, u gzova me akreba, shokë e dashamirë ... Unë e di Shkodër, se nuk jam gja, veçse mburrem që jam shkodran ... ".(2)
Këtu, kam dëshirë të sjell në vëmendjen tuaj citime interesante të cilat i kam nxjerrë gjatë studimit në revistat e njohura të kësaj periudhe, si: "Zani i Naltë", "Kultura Islame" dhe "Njeriu", por edhe në botime që dritësojnë personalitetet e ndryshme islame të kombit tonë, a edhe në trashëgiminë e tyre të grumbulluar gjatë hulumtimit në dorëshkrimet a librat e tyre të shpëtuara nga shkatërrimi dhe djegia e kohës.

Revista “Zani i Naltë"
Numri 11, Nanduer 1937, viti XII, i kushtohet 25 vjetorit. "Dy fjalë mbi 25 vjetorin - Veteranët e Klerit Mysliman”, është përmbajtja e "Landës" së këtij numri.
Ja si nis kryeshkrimi i këtij numri: "Nj izet' e tetë Nanduer 1912! Shqipnia u ba, u njoft ai shtet indipendent." - (f. 321)
"Feja Islame si feë e vërtetë qi asht, kje çmue peej Shqiptarëve edhe pat fillue me u përhapë në Shqipni qysh para kohës së Skënderbeut. Prandaj nuk asht çudi qi të përpjekim me emna myslimanësh ndër burra shqiptarë qi kanë jetue para Shkënderbeut.
Kleri Mysliman Shqiptar kjenë ata qi dhanë kontributin ma të madh në ruajtjen e gjuhës kombëtare; sepse ata, mësimet, këshillat dhe predikimet fetare i banë në gjuhën shqipe ...
Ndofta mund të thotë ndokush se këta kanë shkrue me alfabet arab! Ani qysh! Mjaft qi kanë shkrue shqip; mjaft qi këtij populli i kanë dhanë të kuptojë se edhe gjuha e tyne, -Shqipja- mund të shkruhet..." - (f. 330)
Janë të pashembullta përpjekjet dhe mesazhet e shumë hoxhallarëve tanë të nderuar për çështjen kombëtare. Ja disa shembuj të paçmuar:

Hoxhë Muglica

"Leu në katundin Okshotun të Gollobordës në vjetin 1854.
Nga ndjekjet e pandame t'ushtërisë Sërbe më 1914 u detyrue të iki n'Elbasan ku fatkeqësisht u burgos nga rebelët e e munduën në mënyrë ma shnjerzore: I vunë nji samar në shpinë dhe e qitën pazarit të Elbasanit tue e shtrëngue t'eci kamba-doraz dhe tue i thanë se në këtë mënyrë i shpërblenin përpjekjet e veprat patriotike të tij.
Ndërsa ushtarët serb po e vritshin, Hoxhë Muglica bërtiste: "Rroftë Shqipnija! Rroftë Kombi Shqiptar!" - (f. 341)

Hoxhë Voka (Sait Efendi Najdeni)

"Leu në Dibër të Madhe në vjetin 1868.
"Myslimanët e vërtetë - përsëritte gjithmonë - duhet t'a dijnë se feja Islame urdhëron me e dashtë Atd-heun."
Rreth vjetit 1888, Hoxhë Voka mundi të bajë për vehte në Dibër nji tok të rinjsh plot etje për mësim shqip. Këtyne në shenjë dashunije u dhuroi nga nji Abetare!
Vdekjen e priti me stohicizëm të vërtetë aty kah mbarimi i Nandorit 1903 tue lanë këtë porosi: "Pa e fitue Shqipnija Lirinë mos më vini gurë mbi vorrin t'em; e mbassi të fitohet Lirija, të m'i veni tue i shkrue shqip dhe tue i vu nji flamur mbi 'ta!" ... Shqipnija u ba; Hoxha heroik asht vorr(osur) në Dibër, po vorri i tij nuk ka gurë!? ... " - (f. 345)

Hoxha Tahsini

"Hoxha Hasan Tahsini, asht i njoftun jo vetëm si nji idealist i dorës së parë të Kombit shqiptar, por edhe si nji shkencëtar e filosof i ndëgjuar qi asht ndera e lavdi i kombit t'onë.
Hoxha Tahsini ka lind un më 1811 në katundin Ninat të Konispolit në Çamëri.
Hoxha Tahsini nga pikpamja e shqiptarizmës mund të konsiderohet si mjeshtri i Sami Beut, i Ismail Qemalit e i Vaso Pashës e të tjerë qi kanë marrë pjesë në fillimin e lëvizjes kulturore në Stamboll më 1879.
Hoxha Tahsini ishte i mendimit që të krijohet nji alfabet thjesht i veçantë qi mos të shembullonte as me shkronjat arabe as me shkronjat latine. Nji kopje e këtij alfabeti ndodhet në dorë të Z. Hafiz Ali Korçës ... " - (f. 355)

Mehmet Hoxha i Brutit

"Hoxhë Bruti, lindur në katundin Brut të Kuksit me 1884, ishte prej nji familje fisnike e fetare. Mbaroj mësimet Theologjike në Prizren dhe u emnue Imamë në katundin e vet, Brut.
Hoxhë Bruti, me qi ishte edhe nji pris fetar, mundi me i mbushë menden shum kuej për atdhetarizëm e sidomos xhemaatit të vet e krah për krah me ta luftoj pa pra: me Serbie më 1912 ke Kulla e Lumës, ke Ura e Vezirit afër Kuksit si edhe në Zhuri (Zhur) ...
Në kët luftë Hoxhë Bruti fatkeqsisht humbi edhe dy mashkuj të vet, nji nip e nji kushëri të cilët ranë dëshmorë aty për aty.
Pas ksaj, Austria në kohën qi pati okupue Shqipnin, për arsyena atdhetarizmi pati interrnue edhe Hoxhë Brutin me shumë kren e Bajraktar, të cilët i dërgoj në Shauduna, ku vuejtën ma se 20 muej.
I ndjeri Hoxhë Bruti bashk më Bajraktarin e Hasit, Ram Rexhen, e krenë të tjerë, qe i ftuem prej Ismajl Qemal Vlonës, kur ngritën Flamurin, për të lidhë besë qi të mbajnë Shqipnin ... " - (f. 359-360)

Sheh Shamiu

"Haxhi Hasani i titullueshëm Sheh Shamiu ka le në Shkodër, ku ka kry studimet e para e masandej ka shkue në Stamboll, ku ka krye studimet e nalta Teollogjike ...
Ka luejtë nji rol të madh në përdorimin e gjuhës shqipe ndër predikim e e këshilla fetare nëpër xhamija edhe asht krijuësi i hytbeve shqipe në Shkodër ... " - (f. 367)

Revista “Kultura Islame"

(Organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar - E përmuajshme fetare, filozofike, letrare, morale e shoqnore - Shtator 1939 - Janar-Shkurt 1946)

Poezia me titull: “28 Nanduer"

(Përkthimi në prozë i poezlsë italishte mbi 28 Nanduerin) Poezia ka nëntë strofa dhe ka për autor J. Kodra. Dua të veçoj prej saj strofën e fundit:
"Flamuri Shqyptar kryenaltë,
Valon nerë dhe nën ngjyrat e tij,
Vllaznit e shpërndam bashkon ma sfondi;
Gazëmendshem e të përflakët,
mallëngjyeshëm,
Për dashtni t'ambël t'Atdheut rrahin zemrat t'ona,
Le të shikojmë gëzueshëm në kufinin e ri të drejtë”. (viti III ne. 4-3, Nanduer-Dhetuer, -1941XX f.73)
Pavarësisht prekjeve të politikave fashiste të kohës në atmosferën e poezisë, mesazhet e saj me vlerë kombëtare, edhe pse të rënduara sadopak konjuktura1isht (veti që s'i ka shpëtuar asnjë kohe në botimet tona), kanë vlerën e tyre në raport me temën.


Puna, përpjekja dhe koha e tyne...


"Përpjekja për sigurimin e jetesës asht nji detyrë e domosdoshme mbi çdo mysliman, qi duhet të bahet me drejtësi, me njerzi, me sinqeritet, me fisnikëri e plotësisht në mënyrë të kullutë; dhe e qindrueshme.
Feja Islame punën e ka ba si nji shtyllë themelore për sigurimin e lumnis së çdo njeriu e të çdo populli. Sa ma tepër qi të jetë përpjekja me drejtësi e në mënyrë të kullutë, aq ma tepër lulzon e mbara dhe vazhdon fatbardhësija ..." (viti i IV, nr. 7-3, Nanduer-Mars, 1943-1942, /54)
Në fakt, këto lloj mesazhesh, që nxisin masat drejt rrugëve të mirëqenies, mendoj se kanë vlerën e tyre të madhe, edhe përtej urimeve a mesazheve rutine e plot burokraci pa kuptim, që shpesh i hasim aty-këtu në botime të ndryshme.

Flamuri

Sikurse gjuha qi asht sheji ma i madh i nji kombi, shej qi danë njenin popull prej tjetrit, e pa të cilin nuk mund të mendohet nji popull se asht gjallë, ashtu edhe flamuri dallon kombet njenin prej tjetrit.
Si në ditë të soçme ashtu edhe në kohna të vjetra sejcili popull pat flamurin e vet. Flamuri njehet si nji gja e shejtë për të gjithë kombet. Mbasi flamuri paska kaq randsi të madhe, e kenka shej nderi e burrnije, kështu do të jetë edhe për ne flamuri kuq e zi ... " - (Shkruar nga Veli Hafizi, vit' i V, nr. 2-3 (50-51), Tetuer-Nanduer, 1943, f.50)

Gjuha amtare

Nën rubrikën "HIMNI I JETËS", botohet edhe kjo poezi e bukur me njëzet strofa, me titullin e lartcituar: "Gjuha amtare". Po sjell një pjesë prej saj:
"Edhe yjtë edhe Djelli...
Kurr, dhe Hëna s'na ndriçonë;
As kometat që nga Qielli ...
Zemrën kush s'na e përgëzonë!
Gjuh' amtare, plot kujtime
Se, në Ty lind, me Ty vdesë!
Për hir t'ënd na bëjnë nderime ...
Dhe s'na lënë në harresë!
Gjuh' e shijshme, Gjuh' Shqiptare;
Gju.h' antike, e kulluar.
Gjuh' e hijshme, Gjuh' krenare,
Gjuh' e ëmbël, e nderuar!
Rreth Ty, tërë do qëndrojmë
Simbol jete pse të kemi;
Dhe, me gjak do të këndojmë
Djem e vasha, gjith sa jemi!
Rroft! O Gjuha Kombëtare
Shpres' e Jetës dhe mburojë
Rroft Rinija Shqipëtare
Me vepra të t'lulëzojël" (M L., viti i Vi Prill, 1945, nr. 63) 4-3), f.72)


_____________
1. Transmetuar nga Tirmidhiu, Nesaiu, Bejhekiu dhe Ibn Hibbani, nga rrëfimi i sahabiut Abdullah ibn Adij ibnul- Hamra (r.a.).
2.Haxhi Vehbi SuLejman Gavoçi, "Letër malli ", botuar në gazetën "Drita e dijes", Shkodër, nr.34, shkurt 2002, f.1.



Muhamed B. Sytari


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme