Komentimi i Ajetul Kursisë (Tespih Duasë).

"Allahu është një, nuk ka zot tjetër përveç Atij. Ai është mbikëqyrës i përhershëm dhe i përjetshëm. Atë nuk e kap as kotje as gjumë, gjithçka ka në qiej dhe në tokë, është vetëm e Tij. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, pos me lejen e Tij, e di të tashmen që është pranë tyre dhe të ardhmen, nga ajo që Ai di, të tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar. Kursija e Tij (dija-sundimi) përfshin qiejt dhe tokën, kujdesi i Tij ndaj të dyjave, nuk i vjen rëndë, Ai është më i larti, më i madhi". (El-Bekare, 255)

Vlera e këtij ajeti

Ebu Dherri thotë: "E kam pyetur Muhamedin a.s.: Cili ajet është më madhështori që të ka zbritur? Ai u përgjigj: Ajetul Kursija."(1)
Transmeton Ebu Hurejre që Muhamedi a.s. të ketë thënë: "Në kaptinën El-Bekare gjendet një ajet që është zotëri i të gjitha ajeteve, nëse lexohet në shtëpi ku është shejtani, ai do të ikë prej aty."(2)
Transmeton Ebu Emame se Muhamedi a.s. ka thënë: "Kush e lexon Ajetul Kursinë pas çdo namazi farz, nuk e pengon asgjë që të hyjë në Xhennet, përveç vdekjes".(3)
Transmeton Imam Ahmedi nga Esma bint Jezid e cila të ketë thënë:"E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë lidhur me dy ajete "Ajetul Kursinë" (Allahu është një, nuk ka zot tjetër përveç Atij, Ai është mbikëqyrës i përhershëm dhe i përjetshëm) dhe fillimin e kaptinës "Ali-Imran" (Elif, Lam, Mim. Allahu është Një, e nuk ka të adhuruar pos Tij, është i përjetshëm mbikëqyrës), - se në to gjendet emri më madhështor i Allahut xh. sh."(4)
Muhamedi ka thënë: "Me të vërtetë ajeti më madhështor në Kuran është Ajetul Kursija, kush e lexon atë, e dërgon Allahu një engjëll për t'ia shkruar sevapet (shpërblimet) dhe për t'i fshirë mëkatet e tij, deri nesër në të njëjtin moment.(5)

Lidhshmëria me ajetet paraprake

Në ajetet paraprake përmendet përçarja e popujve pas dërgimit të pejgamberëve, lufta ndërmjet tyre, si dhe mosbesimi i tyre pas paraqitjes së argumenteve nga Allahu xh.sh. nëpërmjet pejgamberëve, më pas vjen ky ajet që përfshin bazat e besimit islam. Në të përmenden cilësitë (emrat) e Allahut xh.sh., që vërtetojnë Njëshmërinë e Tij, çdo cilësi e Allahut xh.sh. në këtë ajet përmban një bazë nga bazat e përgjithshme të konceptit islam, mbi të cilat ndërtohet besimi, programi dhe sistemi islam si tërësi.(6)

Komentimi i ajetit

"Allahu është një, nuk ka zot tjetër përveç Atij"

Allahu xh. sh. është i vetmi që meriton të adhurohet me plot të drejtë, dhe askush tjetër pos Tij.
Kjo tregon Njëshmërinë e Allahut xh.sh., që konsiderohet themel i Islamit dhe program i jetës së myslimanëve. Mbi këtë bazë të fortë ndërtohet edhe adhurimi ndaj Allahut Një. Njeriu nuk është rob i askujt tjetër pos i Allahut xh.sh. dhe nuk drejtohet për lutje, ndihmë dhe respekt përpos tek Allahu.
Nuk ka Zot tjetër pos Tij, e të tjerët që quhen zota, janë të shumtë dhe adhurohen pa të drejtë e kot, kurse Allahu xh. sh. është i Vetmi Që meriton të adhurohet, sepse është Një i Vetëm, i cilësuar I Përhershëm, Pa fillim, e Pa mbarim, ekzistenca e Tij është e domosdoshme (vaxhib el- vuxhub).(7)
Në thënien "nuk ka zot tjetër përveç Atij", kemi dy çështje esenciale, - mohimin në pjesën e parë "nuk ka zot tjetër", dhe - vërtetimin në pjesën e dytë "përveç Atij", kjo d.m.th se Allahu xh.sh. ka mohuar për Veten e Tij të ketë shok, dhe ka vërtetuar Njëshmërinë e Tij. Nga kjo rezulton se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë pos Allahut. Kështu, Allahu xh.sh. ka vërtetuar dhe dëshmuar Njëshmërinë e Tij, dhe adhurimin e merituar ndaj Tij, sepse është i vetmi Krijues i çdo gjëje dhe i vetmi furnizues.
Emri "Allah" është emër që Zoti e ka zgjedhur për Veten e Tij dhe na ka treguar për këtë. Ai ka edhe shumë emra të tjerë, por emri Allah është më madhështori dhe më i famshmi. Në këtë mënyrë Allahu xh. sh. demantoi spekulimet dhe gënjeshtrat e pabesimtarëve lidhur me ekzistencën e zotave të tjerë. Ai në Kuran ka thënë: "Thuaj: "Sikur të kishte zota të tjerë përveç Atij, siç thonë ata, atëherë ata (zotat) do të kërkonin rrugë për mbizotërim ndaj të Madhëruarit (për t'ia marrë pushtetin). I patëmetë është Ai, Lartësia e Tij është e madhe nga ajo që thonë ata".(8)

"Ai është mbikëqyrës i përhershëm dhe i përjetshëm"

Emri i Allahut xh. sh. "El-hajj" d.m.th. Ai është i përjetshëm, absolut në dituri, dëshirë dhe fuqi, kurse emri "El Kajjum" d.m.th. Ai është mbikëqyrës i përhershëm i çdo gjëje.(9)
Jeta e Allahut nuk është e ngjashme me jetën e krijesave të Tij, Ai veçohet dhe dallohet në mënyrë absolute. Jeta e Tij është "Ezelijje"- e përhershme, e përjetshme, që nuk ka fillim e as mbarim. Jeta e Tij nuk lidhet me kohën, sikurse jeta e krijesave. Allahu xh. sh. është i pashembullt, askush nuk i përngjet Atij. Ai është shpikës dhe sistemues i çdo gjëje; çdo gjë varet nga dëshira e planifikimi i Tij. Andaj mbështetur në këtë koncept, myslimanët jetën, veprat dhe synimet e tyre i kanë të përputhura me këtë program.(10)
Asgjë nuk ndodh pa fuqinë dhe lejen e Tij, sikur e thotë Fjala e Tij në Kuran:
"Nga argumentet e Tij është që me fuqinë e Tij, bëri të qëndrojnë (pa shtyllë) qielli e toka?(11)

"Atë nuk e kap as kotje as gjumë"

Kjo vërteton dhe përforcon mbikëqyrjen absolute të Allahut xh.sh. ndaj krijesave dhe ndaj çdo gjëje. Në të njëjtën kohë vërteton se Allahu xh.sh. është i pashembullt dhe i pakrahasueshëm, sikurse e vërteton ajeti kuranor: " Asnjë send nuk është si Ai". Kjo përmban mohimin e plotë ndaj çfarëdo lloj kotjeje dhe gjumi tek Allahu xh.sh ..
Allahun nuk e kap kot ja, hutija, lodhja e as harresa, Ai është mbikëqyrës i çdo gjëje në çdo kohë dhe në çdo vend, dija e Tij përfshin çdo gjë, Atij nuk i mungon asgjë. Fjala "Sinetun" d.m.th. kotje, dremitje apo gjumë i lehtë. Dikush nga njerëzit është ulur dhe për një moment kotet e zgjohet prapë, kurse fjala "nevm" d.m.th gjumë i thellë. Meqë Allahu xh.sh. tha: "Atë nuk e kap as kotje ... ", dikush do të thoshte: Me të vërtetë Atë nuk e kap kotja, por a mund t'i rezistojë gjumit të thellë? Andaj, Allahu xh.sh. për Vetveten thotë:" Atë nuk e kap as kotje as gjumë". Kështu Allahu xh.sh. ua bëri me dije njerëzve se ata patjetër kanë nevojë për pushim, e Allahu jo. E pra, a kërkon njeriu më shumë argumente sesa i thotë Allahu: "Fli ti dhe pusho, sepse Zoti yt nuk fle", ç'do njeriu më shumë se kjo? Njeriu fle me gjumë të thellë, por organizmi dhe zemra e tij funksionojnë pandërprerë, e kush do t'i mbikëqyrte, sistemonte e rregullonte ato nëse do të flinte Zoti?! Pra, Allahu nuk fle e as kotet kurrë dhe s 'ka nevojë për asnjërën. Mbështetur në këtë, adhurimi që ne i bëjmë Allahut, na bën me plot të drejtë të ndihemi krenarë."(12)

"Gjithçka ka në qiej dhe në tokë, është vetëm e Tij"

Kjo tregon se çdo gjë është nën nënshtrimin, autoritetin dhe pushtetin e Tij të plotë, siç dëshmoi edhe në kaptinën Merjem, kur tha: "Nuk ka tjetër, vetëmse gjithçka është në qiej e në tokë, ka për t'iu paraqitur Zotit si rob. Ai me diturinë e Vet i ka përfshirë të gjithë, dhe ka numëruar e evidentuar çdo gjë të tyre në mënyrë të saktë. Dhe në Ditën e Kiametit secili prej tyre do t'i paraqitet Atij i vetmuar.”(13)
Ai është i vetmi posedues i çdo gjëje. Posedim i plotë dhe i tërësishëm. Ky posedim, mbretërim dhe dominim i Allahut xh.sh. është i pakushtëzuar dhe pa rival. Nga kjo rezulton Njëshmëria hyjnore e Zotit. Ai është edhe posedues i vërtetë i pasurisë së njerëzve, e ata janë vetëm shfrytëzues të saj të përkohshëm. Mbështetur në këtë argument, njerëzit duhet t'u përmbahen kushteve të vendosura nga ana e Poseduesit të vërtetë, dhe këto kushte- parime i ka sqaruar Zoti i Madhëruar në Sheriatin- ligjin e Tij.
Prandaj, njerëzit duhet t'i përmbahen këtij ligji, në të kundërtën ata janë keqpërdorues të pasurisë dhe mosmirënjohës ndaj Krijuesit të tyre. Dhe kur Allahu xh.sh. tha: "Gjithçka ka në qiej dhe në tokë, është vetëm e Tij", - nuk vërtetoi vetëm të vërtetën e konceptit islam në besimin, por vendosi edhe një rregull bazë për njerëzit, të cilët duhet t'i përmbahen asaj.(14)

"Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, pos me lejen e Tij"

Askush nuk mund të ndërmjetësojë pos me lejen e Tij, dhe kjo nga madhështia dhe lartmadhëri a e Tij. Këtë e dëshmoi Allahu xh.sh. edhe në shumë ajete të tjera, ku tha: "E sa engjëj ka që janë në qiej, e që ndërmjetësimi i tyre nuk bën dobi asgjë, vetëm pasi Allahu të japë leje për atë që dëshiron dhe që është i kënaqur për të."(15)
Allahu xh. sh. në këtë botë u ka dhënë të mira dhe begati të gjithë njerëzve, bile edhe pabesimtarëve, duke e lënë atë në shfrytëzim të tyre, mirëpo në Ditën e Gjykimit pabesimtarët do të hyjnë në zjarr dhe nuk do të vlejnë besimet e tyre të kota në lloj-lloj ndërmjetësuesish, siç tha i Madhëruari: "Ata pos Allahut adhurojnë çdo gjë që nuk u bën dëm as dobi, e thonë: Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu, thuaj : A po e informoni Allahun për diçka që Ai nuk di se ç'ka në qiej dhe në tokë? I pastër është madhëria e Tij nga ajo që i shoqërojnë".(16)
Kështu Allahu xh.sh. ka sqaruar se çdo gjë që adhurojnë pabesimtarët, nuk mund t'i ndihmoj e as të- ndërmjetësojë për ta në botën tjetër. Të gjithë njerëzit në botën tjetër qëndrojnë si robërit me një nënshtrim të plotë ndaj Allahut xh. sh. dhe askush nuk mund të kapërcejë kufijtë e vënë prej Tij, andaj leja për ndërmjetësim (shefat) i takon vetëm Zotit xh. sh.

"E di të tashmen që është pranë tyre, dhe të ardhmen"

Kjo është një e vërtetë që i ndihmon myslimanët për ta njohur Zotin e tyre dhe për të përcaktuar pozicionin- lidhjen e tyre me Krijuesin. Ky është argument i qartë se dija e Allahut përfshin çdo gjë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen - të të gjitha krijesave. Kjo, ashtu sikur Fjala e Allahut kur tregon për melaiket: "Ne (engjëjt, thotë Xhibrili) nuk zbresim (nuk të vijmë) përveç me urdhrin e Zotit tënd. Vetëm Atij I takon e tërë çështja e tashme, e ardhme dhe mes tyre, e Zoti yt nuk është që harron."(17)
Allahu xh.sh. është absolut në dijen e Tij, dija e Tij përfshin çdo send, vetëm Ai e di fshehtësinë (gajbin) dhe Atij nuk mund t'i fshihet asgjë në gjithësi, andaj në Kuran tha: "Çelësat e fshehtësisë janë vetëm tek Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush pos Tij, Ai e di ç'ka në tokë dhe në det, Ai e di për çdo gjeth që bie dhe s'ka kokërr në thellësi të tokës, s'ka të njomë dhe s'ka të thatë që nuk është (shënuar) në librin e qartë (Levhi Mahfudh)".(18)

"Nga ajo që Ai di, të tjerët dinë vetëm aq sa ka dëshiruar Ai"

Askush nga krijesat nuk mund të dijë diçka, përveç asaj që u ka mësuar dhe treguar Allahu xh.sh .. Ibn Kethiri mendon se këtu mund të jetë kuptimi se krijesat nuk dinë rreth qenies dhe cilësive të Allahut përveç asaj që i ka informuar Ai.
Allahu Madhëriplotë zbulon dhe paraqet pak apo diçka nga dija e Tij për krijesat, dhe kjo për të vërtetuar fjalën e Tij në Kuran: "Ne do t'u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre derisa t'u bëhet e qartë se ai (Kurani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?".(19)
Allahu xh.sh. ka paraqitur dhe paraqet në mënyrë të vazhdueshme argumente e fakte të mjaftueshme në gjithësi dhe në njerëz, mirëpo njerëzit e harrojnë këtë të vërtetë dhe nuk bëhen falënderues e mirënjohës, por injorues dhe mohues. Allahu xh.sh. edhe atë pak dije që i ka dhënë njeriut, ia ka dhënë për të përkrahur mëkëmbësin e Tij (njeriun) në tokë. Ja, kështu premtimi i Allahut xh.sh. për zbulimin dhe paraqitjen e argumenteve në gjithësi dhe në njerëz, çdo ditë e më tepër po vërtetohet, dhe brez pas brezi po realizohet. Vetëm në kohën e fundit dijetarët kanë filluar të kuptojnë se njerëzve nuk u është dhënë veçse pak nga dija absolute e Allahut, dhe vetëm injorantët mendojnë se zotërojnë shumë dije.(20)
Në të njëjtin pozicion qëndrojnë edhe zbulimet shkencore që bëhen befas, mirëpo pas hulumtimeve dhe provave të shumta nga ana e dijetarëve, të cilët përkrahen nga Allahu xh.sh. kur Ai do të zbulojë para njerëzve diçka nga dija e Tij absolute. Kështu fshehtësitë (gajbi ) janë dy llojesh, aso që Allahu do t'i zbulojë mbështetur në hulumtimet e dijetarëve, dhe aso që nuk mund t'i dijë askush përpos Allahut xh.sh., me përjashtim të ndonjë të Dërguari që Ai do, andaj tha: "Ai është që e di të fshehtën, por fshehtësinë e Vet nuk ia zbulon askujt. Me përjashtim të ndonjë të dërguari që Ai do".(21)

"Kursija e Tij (dija-sundimi) përfshin qiejt dhe tokën"(22)

Dija dhe sundimi i Allahut xh.sh. përfshin në tërësi qiejt dhe tokën. Fjala "Kursijj", për shkak të madhështisë së saj, përfshin qiejt dhe tokën, dhe kjo në bazë të hadithit: "E ç'janë shtatë qiejt në Kursijj, përveçse sikur shtatë dërhemë që lihen në dollap".(23)
Fjala "Kursijj" ka për synim dijen, pushtetin, sundimin dhe fuqinë e Allahut xh.sh., që përfshijnë dhe mbi-zotërojnë çdo gjë. Krijimi i qiejve dhe i tokës është edhe më i madh se krijimi i njerëzve, e në Kuran tha: "S 'ka dyshim se krijimi i qiejve dhe i tokës është më i madh se krijimi i njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e dinë".(24)
Andaj, kur Allahu xh.sh. tha se "Kursijja e Tij (dija - sundimi) ka përfshirë qiejt dhe tokën", kuptohet se "Kursij a" është më madhështore se qiejt dhe toka, d.m.th. "Kursija" i përfshin të dyja.(25)
Në anën tjetër, njerëzimi me të gjitha të arriturat shkencore dhe teknologjike, ka arritur vetëm deri në Hënë, e cila është periferi e Tokës, kurse gjithësia është shumë e madhe. Qielli i parë dhe yjet janë me miliona vjet drite larg nga Toka dhe shumë e shumë më të mëdhenj.
Dielli që konsiderohet nga yjet shumë afër Tokës (në krahasim me shumë yje të tjera), është larg nga toka 93 milionë mil. Kurse për të llogaritur largësinë e yjeve, duhen vendosur mbrapa numrit shumë e shumë zero, gjë që e bën numrin të pavlefshëm, dhe mu për këtë arsye dijetarët e gjithësisë kanë zgjedhur si mjet për të përcaktuar largësinë e tyre atë që e quajnë "vjet drite". Dihet se shpejtësia e dritës është përafërsisht 300000 km. në sekondë, andaj, për të përcaktuar largësinë në mes nesh dhe yjeve, nevojiten llogari shumë të sakta. Kështu ne çuditemi kur mësojmë se drita e shumë yjeve arrin tek ne për 50 vjet drite. Dhe e gjithë kjo brenda qiellit të parë të dynjasë, e ç'njohim ne për qiejt e tjerë?
Gjithashtu, kur Allahu xh.sh. përshkroi madhësinë e Xhenetit, tregoi se gjerësia e tij është si gjerësia e qiellit dhe e Tokës, e në Kuran tha: "Shpejtoni në atë që fitoni falje prej Zotit tuaj dhe xhenetit, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiellit e tokës, i përgatitur për ata që i besuan Allahut dhe të dërguarve të Tij".(26)
Kjo është gjerësia e Xhenetit i përgatitur për besimtarët, por a thua sa është gjatësia e tij? Mbështetur në gjithë këtë, duhet të dimë se ka edhe shumë botë të tjera, pos qiellit dhe Tokës, mirëpo mendja jonë nuk arrin dot përveç asaj që na ka informuar i madhi Allah xh.sh., dhe kur dëgjojmë fjalën e Allahut xh.sh. "Kursija e Tij (dija - sundimi) përfshin qiejt dhe Tokën", për ne mbetet të imagjinojmë sa madhështore është "Kursija" e Krijuesit.(27)

"Kujdesi i Tij ndaj të dyjave, nuk i vjen rëndë"

Kjo tregon fuqinë absolute të Allahut xh.sh. Për Allahun e Madhërishëm nuk është fare rëndë kujdesi ndaj qiejve e Tokës, dhe ç'ka mbi to, nën to dhe në mes tyre. Kjo gjë për Zotin është shumë e lehtë. Ai ruan dhe kujdeset për ekuilibrin preciz dhe të mahnitshëm të qiejve e Tokës, andaj në Kuran thotë: "Allahu i mban qiejt e tokën që të mos zhduken, s'ka askush pos Tij që mund t'i mbajë. Ai është që nuk ngutet, është që fal".(28)

"Ai është më i Larti, më i Madhi"

Derisa e gjithë kjo gjithësi e çuditshme është nga krijimtaritë e Allahut Fuqiplotë, cilësimi i Vetvetes së Tij me "Ai është me i Larti, më i Madhi", është shumë e natyrshme. Emri-cilësia "më i larti", si formë gramatikore tregon se Ai është më i larti absolutisht. Ky përfundim i ajetit me këto cilësi të Allahut vërteton veçimin e Tij në "është më i Larti, më i Madhi", dhe ardhja e këtyre emrave me nyjën shquese tregon "kufizim", që do të thotë se vetëm Allahu xh.sh. "është më i Larti, më i Madhi", pa asnjë rivalitet.(29)
Si rezultat i gjithë kësaj, ky ajet kuranor ka kuptim madhështor dhe vlerë shumë të madhe, andaj dijetarët janë përpjekur të gjejnë urtësinë apo fshehtësinë e kësaj vlere. Njëri prej tyre ka thënë:
"Shikoni emrat (cilësitë) e Allahut xh.sh., që gjenden në këtë ajet".
Disa nga dijetarët kanë numëruar në të 16 Emra të Zotit xh.sh., e disa të tjerë 17 deri 21 Emra të bukur të Allahut. Nga kjo mund të përfundojmë se në këtë ajet janë përmendur shumë emra të bukur të Krijuesit, dhe mu për këtë është njohur si ajet madhështor.”(30)



Fusnotat:

l. Tefsiri i Ibën Kethirit, vëll. i parë, faqe 305, pa vit botimi, Kajro.
2. Po aty, faqe 307.
3. Tefsiri i Sharavit, vëll. i dytë, faqe 1109, pa vit botimi, Kajro
4. Tefsiri i Ibën Kethirit, vëll. i pare, faqe 307.
5. Tefsiri i Bejdaviut, vëll, i parë, faqe 135, viti i bot. 1999, Bejrut.
6. Tefsiri i Sejjid Kutubit, vëll. i parë, faqe 286, viti i botimit, 1996, Kajro.
7. Tefsir El-Vadih, Muhamed Mahmud' Hixhazi, vëll. i parë, faqe 169, viti i bot. 1992, Kajro.
8. Tefsiri i Sharavit, vëll. i dytë, faqe 1087- 1090. Ajeti 42-43 i kaptinës El- Isra.
9. Tefsir El- Vadih, Muhamed Hixhazi, vël!. i pare, faqe 169.
10. Tefsiri i Sejjid Kutubit, vëll, i parë, faqe 287. ll. Kaptina Er-rrum, ajeti 25.
11. Po aty, faqe 1097.
12. Tefsiri i Ibën Kethirit, faqe 309. Ajeti 93, 94, 95 kaptina Merjem.
14. Tefsiri i Sejjid Kutubit, vëll, i parë, faqe 288
15. Kaptina En-Nexhrn, ajeti 26.
16. Tefsiri i Sharavit, faqe 1098. Ajeti 18 i kaptinës Junus.
17. Kaptina Merjem, ajeti 64.
18. Kaptina El- En'am, ajeti 59.
19. Kaptina Fussilet, ajeti 53.
20. Tefsiri i Sejjid Kutubit, vëll, i parë, faqe 289- 290.
21. Tefsiri i Sharavit, vël!. i dytë, faqe II O 1- 11 02. Ajeti 26- 27 kaptina El- Xhinn
22. Rreth fjalës" El- Kursijj", dijetarët e hershëm nuk kanë dhënë komente, ndërsa dijetarët dhe komentuesit e mëvonshëm të Kur'anit janë munduar ta komentojnë vetëm me një qëllim, për të argumentuar se Allahu është absolut në dijen, sundimin, pushtetin, dhe fuqinë e Tij ndaj çdo gjëje, dhe se Allahu nuk ka asnjë lloj rivaliteti, dhe është i pastër nga çdo e metë që ia veshin pabesimtarët. SUBHANEHU VE TEALA.
23. Tefsir El- Xhelalejni, faqe 42, viti i botimit 1995, Damask.
24. Kaptina Gafir, ajeti 57.
25. Tefsiri i Sharavit, vëll, i dytë, faqe 1104.
26. Kaptina El- Hadid, ajeti 21.
27. Tefsiri i Sharavit, faqe 1105 - 1106.
28. Kaptina Fatir, ajeti 41.
29. Tefsiri i Sejjid Kutubit, vëll, i parë, faqe 290
30. Tefsiri i Sharavit, faqe 1109 - 1110.



Mr. Adnan Simnica


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë