Mr. sci. Faruk Çengiq
Ajo që është karakteristikë për të gjithë muslimanët, pa marrë parasysh se në cilën pjesë të botës gjenden, është mënyra e caktuar, specifike e të jetuarit, e cila manifestohet në të gjitha sferat e punës dhe sjelljes. Duke pasur parasysh këtë, edhe të ushqyerit, por edhe gjithçka në lidhje me të, është një nga aspektet e rëndësishme në jetën e muslimanit. Muslimani nuk ha për t’i kënaqur nevojat trupore apo prej kënaqësisë, ai ha dhe pi për ta ruajtur shëndetin e trupit të vet që i mundëson për të bërë ibadet All-llahun e Madhërishëm, ibadet i cili do ta bëjë të denjë për nderë dhe lumturi në botën tjetër.
Dispozitat islame mënjanojnë dhe ndalojnë të gjitha veprimet që shpijnë drejt të ushqyerit jo të drejtë. Islami thekson konceptin e të ushqyerit mesatar. Prandaj muslimani nuk ha përderisa nuk e kap uria dhe nuk pi derisa të etet.
“O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë(shkapërderdhin).” (El-A'raf: 31)
I Dërguari [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Nuk mbush njeriu enë më të keqe sesa barkun e tij. I mjaftojnë birit të Ademit disa kafshata me të cilat do ta mbajë shpinën e tij. E nëse patjetër dëshiron të shtojë, atëherë le të ndajë një të tretën për ushqim, një të tretën për pije dhe një të tretën për frymëmarrje.” (Sahih, Imam Ahmedi, Tirmidhiu etj.)
Kultura e të ushqyerit islam
Njohuritë dhe përvojat që paraprijnë dhe përcjellin punët rreth hajes, pijes dhe të ushqyerit të muslimanëve përbëjnë kulturën e të ushqyerit islam. Me kulturën e të ushqyerit islam nënkuptojmë rregulla dhe norma të cilat janë nga Islami, e që u imponohen pjesëtarëve të tij si sjellje obliguese para, gjatë dhe pas ushqimit.
Veprimet para, gjatë dhe pas ushqimit janë:
- larja dhe pastrimi i duarve para dhe pas ushqimit;
- shqiptimi i Bismilahit në fillim të ushqimit dhe falënderimi All-llahut pas ushqimit;
- marrja e hajes dhe pijes me dorë të djathtë, me tre gishta të dorës së djathtë të merren kafshata të vogla, të hahet para vetes drejt mesit të pjatës, ashtu siç i ka thënë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] Omer b. Selemes [radijall-llahu anhu]: “O djalosh, thuaj Bismilah, ha me dorë të djathtë dhe ha para vetes.” (Muttefekun alejhi);
Muslimi transmeton nga Xhabiri [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kur dikujt nga ju i bie kafshata, le t’ia mënjanojë papastërtinë nëse ka, dhe pastaj le ta hajë dhe mos t’ia lë shejtanit. Kur të përfundojë me ushqim, le t’i lëpijë gishtat, sepse nuk dihet se në cilën pjesë të ushqimit ka bereqet.”
- preferohet të hahet në shoqëri;
- nuk preferohet të hahet shpejtë;
- nuk preferohet të hahet ushqim shumë i ftohtë apo i nxehtë;
- është e papëlqyeshme të pihet ujë pa pushim. Transmeton Enesi [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tre herë bënte pushim duke pirë, jashtë enës, e pastaj thoshte: “Kjo pas kësaj më mirë të ngopë, bëhet më e shëndetshme dhe më e shijshme.” (Muslimi);
- është e ndaluar pirja e ujit apo ngrënia e ushqimit që ka qëndruar në enë të zbuluar. Transmeton Xhabir b. Abdullahu [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Mbuloni enët e juaja dhe lidhni calikët, sepse gjatë vitit është një natë kur përhapen infeksionet. Pranë cilës enë të zbuluar dhe caliku të palidhur të kalojë, e infekton.” (Muslimi);
- ndalohet të fryhet në enë me ushqim të nxehtë;
- ndalohet të hahet dhe pihet nga ena e dëmtuar;
- ndalohet të hahet dhe pihet nga ena ku ka ngrënë qeni;
- ndalohet të hahet dhe pihet nga ena e arit dhe argjendit.
Struktura e të ushqyerit islam
Me strukturën e të ushqyerit islam nënkuptohen të gjitha llojet e ushqimit dhe pijeve të lejuara në Islam. Ekzistojnë shumë ajete kur’anore dhe hadithe të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] të cilat preferojnë lloje të caktuara të ushqimit, siç janë: hurmat, fiku, qumështi dhe ullinjtë.
Për strukturën e të ushqyerit islam rëndësi të madhe ka përgjigjja në pyetjen: Ç’është e lejuar, e ç’është e ndaluar të hahet? Përgjigjen në këtë pyetje e jep rregulla sheriatike “se gjithçka është e lejuar, përderisa nuk argumentohet se është e ndaluar”. All-llahu i Madhërishëm i ka ndaluar disa lloje të ushqimit dhe pijes për shkak të ndikimeve të tyre të dëmshme në trupin dhe mendjen e njeriut.
Dispozita lidhur me ushqimin dhe pijen e muslimanit
Janë dhjetë ndalesa në lidhje me ushqimin dhe pijen:
- Ndalimi i konsumimit të asaj që dëmton. Ndalimi i gjithçkaje që shkatërron organizmin, e helmon, e dobëson dhe e pamundëson funksionimin e tij normal: pijet alkoolike, narkotikët dhe duhani, të gjitha llojet e helmit, dheu, thëngjilli, për shkak të dëmit për organizmin dhe mosekzistimit të çfarëdo dobie prej tyre etj.
- Ndalimi i konsumimit të asaj që është e papastër. Kur janë në pyetje haja dhe pija, në sheriat papastërti konsiderohen: mishi i derrit, miut, gomarit dhe mushkës, jashtëqitja e njeriut dhe gjaku që rrjedh.
- Ndalimi i konsumimit të kafshëve që janë të ndaluara të vriten. Sheriati ndalon vrasjen, e njëkohësisht edhe konsumimin e bletës, milingonës, qukapikut dhe bretkosës.
- Ndalimi i konsumimit të kafshëve që janë të lejuara të vriten. Për shkak të dëmit që shkaktojnë, me sheriat lejohet vrasja e akrepit, sorrës, gjarprit dhe qenit që kafshon.
- Ndalimi i konsumimit të kafshëve që ushqehen me papastërti - xhel-lale. Sheriati ndalon konsumimin e mishit dhe qumështit nga kafshët që ushqehen me papastërti, përveç në rast se kafsha mbyllet disa ditë dhe ushqehet me ushqim të pastër, ashtu që gjatë asaj kohe të pastrohet qumështi dhe mishi.
- Ndalimi i konsumimit të kafshëve që kanë dhëmbë të syrit dhe shpezë që kanë kthetra, siç janë: luani, ujku, tigri, ariu, majmuni, elefanti, çakalli, petriti, shqiponja etj.
- Ndalimi i konsumimit të asaj që është e neveritshme dhe e pakëndshme. Në këtë kategori ë ushqimit të ndaluar hynë: reptilët dhe insektet.
- Ndalimi i konsumimit të të ashtuquajturit “ushqim i huaj”. Sheriati ndalon konsumimin e asaj që është e lejuar nga ushqimi dhe pija deri tek e cila është arritur përmes: plaçkitjes, mashtrimit, manipulimit, mungesës së shkaktuar në mënyrë artificiale, me matje të padrejtë dhe asaj që është fituar me kamatë.
- Ndalimi i konsumimit të asaj që është si rezultat i përzierjes së të lejuarës me të ndaluarën. Kjo ndalesë është nxjerrë nga rregulla: “Nëse në të njëjtën gjë gjendet ndalesa dhe lejimi, i jepet përparësi ndalesës.”
- Ndalimi i konsumimit të ngordhësirës. Me ngordhësirë nënkuptohet mishi i atyre kafshëve që nuk janë të therura sipas mënyrës së përcaktuar.
Dispozitat lidhur me mishin
Ndalesat lidhur me mishin dalin nga ajeti i tretë i sures El-Maide:
“Juve u janë ndaluar (t'i hani): ngordhësirat, gjaku, mishi i derrit, ajo që theret jo në emrin e All-llahut, e furmja, e mbytura, e rrëzuara, e shpuara (nga briri i tjetrës), ajo që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini ta therni (para se të ngordhë), ajo që është therur për idhuj...(...) Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe. E kush detyrohet nga uria (të hajë nga të ndaluarat), duke mos anuar dhe duke mos pasur qëllim mëkatin, All-llahu falë shumë dhe është Mëshirues.”
Dhjetë ndalesat që dalin nga ky ajet janë:
- ndalimi i konsumimit të mishit të kafshëve të mbytura,
- ndalimi i konsumimit të gjakut në gjendje të lëngshme,
- ndalimi i konsumimit të mishit të derrit,
- ndalimi i konsumimit të asaj që është therur në emër të tjetërkujt, e jo në emër të All-llahut,
- ndalimi i konsumimit të kafshëve që janë të ngulfatur,
- ndalimi i konsumimit të mishit të kafshëve që janë të rrahura,
- ndalimi i konsumimit të mishit të kafshëve që janë të shpuara me brirë,
- ndalimi i konsumimit të mishit të kafshëve që janë të mbarësuara nga bishat dhe
- ndalimi i konsumimit të mishit të kafshëve që janë të flijuara në altarë.
E huazuar nga Revista Edukative, Kulturore dhe Shkencore VEPRA