Pandemia “Corona” dhe këndellja e njeriut të harbuar!


Sa ngjarje të dhimbshme, e sa pamje rrënqethëse ndodhin çdo ditë në botën e “civilizuar”, e ne që u kursyem dhe nuk ishim protagonistë të tyre, i trajtojmë ato po sikur të ishin pjesë e ndonjë skenari filmik apo ndonjë shfaqjeje teatrale që thjesht vetëm duhet të relaksohemi duke shiquar në të.

I shohim ato, sikur po të ndodhnin në ndonjë planet tjetër, apo sikur s’kanë të bëjnë asgjë me realitetin e as me të vërtetën.
I përcjellim me normalitet e me ndjenja tejet të ftohta, edhe cilindo dokumentar të dhimbshëm, që pasqyron vuajtjet e mijëra e ndoshta edhe miliona njerëzve diku atje larg në Niger të Afrikës, dhe jo vetëm. Atje ku pasqyrohen rrugëtimet e gjata të njerëzve, të cilët, me gjysmë shpirti arrijnë tek një puset, ujin e turbullt të të cilit, ata të gjorët, e ndajnë bashkë me bretkosat e me kafshët e tjera që janë mbledhur për rreth tij, dhe që kanë po të njëjtin hall.
Po me aq gjakftohësi, ne jemi mësuar tashmë që të përcjellim edhe pamjet e atyre miliona refugjatëve, e të pastrehëve, të cilët bredhin të rraskapitur e të lodhur rrugëve të botës, pa gjetur njeri që do të di a të ndëgjojë për hallin dhe brengat e tyre. E, meqë ne nuk ua besuam dhe nuk i ndëgjuam përgjërimet dhe thirrjet e tyre dhe hiqeshim si të shurdhër, kur të tillat na vinin çdo ditë nepërmes ekraneve tona televizive, atëherë deti dha leksionin e vet. Ai na i hodhi pranë syve tanë trupat e pajetë të dhjetëra fëmijëve e të moshuarëve, që disi deshti të na thoshte: ja edhe këta janë njerëz, edhe këta e meritojnë të jetojnë sikurse ju.
Jetuam në një botë të pabarabartë, ku disa arritën të udhëtojnë e të kënaqeshin duke eksploruar bukuritë e natyrës e të universit. Arritën që të shkojnë në cilën do pikë të globit që ata e vënin gishtin e tyre. E përballë këtyre, qëndronin miliona të tjerë që, u ngujuan në ‘karantinë”, për muaj e vite të tëra, brenda shtëpive të tyre, e s’iu lejua të shihnin as bukuritë e atdheut të tyre, lëre më të botës për rreth. Liria mbeti për ta, gjëja më e shtrenjtë, të cilën, lindën e jetuan dhe në fund ikën nga kjo botë, pa e shijuar asnjëherë në jetën e tyre.
Njeriu, erdhi deri në atë ditë që nuk mendoi fare për njeriun. Për krijesën që është krejt sikurse ai. Nuk vrau mendjen për ata të tjerët që mbase kanë shpirt, dhe që janë krejt sikur ai. Ndiejnë dhimbje, e edhe kënaqësi. Ai në fakt mendoi vetëm për vetveten e tij. Për pasionet e tij. Qejfet dhe teket e shthurura të tij.
Edhe kur sëmundja e godiste, njeriu i harlisur e i harbuar, me krekosje dhe tejet sfidues pretendonte se s’ka më sëmundje që ai s’e ka gjetur ilaçin për të. Ishte Steven Pinker, një optimist i skajshëm, dhe me një dozë të lartë të mburrjes që deklaronte në librin e tij “Iluminizmi (tani) sot- Enlightenment Now”, se:”... ne sot jetojmë gjendjen dhe ditët më të lumtura të historisë njerëzore. Kjo, ngase ne kemi arritur që të fitojmë betejën kundër shumicës së epidemive e sëmundjeve, por edhe të varfërive të skajshme nëpër botë, dhe njeriun e kemi ngritur në një nivel të paarritshëm deri më sot, si në aspekt të vetëdijes, komunikimit, jetesës luksoze, gjë që s’ka qenë kështu asnjëherë më parë”.
Kjo krekosje dhe mendim ekzaltues për vetveten, e bëri njeriun që ta humb modestinë, e të mos e mendojë fare as për origjinën e tij, e lëre më për fundin e tij. Kjo harlisje e bëri atë që të harrojë, fillimisht Krijuesin e tij, pastaj e harroi njeriun- tjetrin, e më në fund e harroi edhe vetveten e tij.
Krijuesi, me urtësinë e tij absolute, dëshiroi që njeriut t’ia rikthejë vëmendjen në pikën e origjinës së tij duke i thënë se ti më parë ke qenë nuk ke qenë fare, pra ishe “ASGJË”. Thotë Ai në një citat kuranor:” Pa dyshim ka qenë kohë e gjatë (ajo), e që njeriu nuk është përmendur (nuk ka ekzistuar) fare. Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun nga një farë e përzier ; për ta provuar, dhe e bëmë atë që të dëgjojë dhe të shoh. Na, ia treguam atij rrugën, e ai (do të jetë) ose mirënjohës ose jomirënjohës.”. El Insan, 1-3.
E kur njeriu, individi harron se para pak kohësh ishte “ASGJË” dhe mendon se ai është bërë tanimë “GJITHÇKA” në këtë tokë e në këtë univers, atëherë, sigurisht se nuk është për çudi që të tillit, sot, do i sfidohet aftësia, kapaciteti edhe fuqia e tij me një sfidë, që po quhet “COVID-19”. U sfidua ai që mendoi se është “ i plotfuqishmi” me diçka që është tejet e dobët, e padukshme, por skajshëmrisht frikësuese. Është krejt jorelevante tani, që të hulumtohet se a ka bërë njeriu këtë virus, diku në laboratoret e sofistikuara shkencore, apo është krijuar “vetvetiu”. Tek e fundit, një po e dijmë: njerëzimi sot është sfiduar më një sfidë që s’po i shihet ende fundi i saj.
Sfidohemi, jo rastësisht dhe jo krejt pa qëllim, e ndoshta më së shumti edhe për t’iu kthyer vetvetes. Për t’i njohur një herë e mirë dobësitë, të metat, e çalimet që i kemi pjesë të pandashme të personalitetit tonë. Për ta kuptuar, se njeriu, edhe ai që është më i ngrituri e më i avancuari, megjithatë mbetet njeri. Është krijesë. I dobët. Andaj, ai edhe mbetet, në fund të fundit i vdekshëm.
Ne, as nuk e dijmë se kush do të kursehet e kush do të goditet nga ky virus që më tepër se pandemi, sot është sinonim i një gogoli prej të cilit frikësohen edhe ata që menduan që mjeksia tashmë nuk njeh sëmundje për të cilën s’ka gjetur ilaç.
Kjo pandemi, pos të tjerash na rrëfyeka, se nganjëherë edhe ai i dobëti, i pafuqishmi dhe ai i varfëri, mund të jetë i kursyer e me fat. Ose, po mund të ndodhka që së paku për ca kohë të ndihemi të barabartë. Të pasurit e të varfrit. Të pushtetshmit e të papushtetshmit. Që të gjithë pa asnjë dallim. Për paradoks, shtetet e varfra, së paku nga kjo sfidë duken gogja më të kursyera. E pabesueshme për shumkënd, por gjithsesi është një e vërtetë.
Kjo përqon një mesazh për të gjithë, e në veçanti për ata që kërkuan lumturinë nëpër udhëtimet e tyre përrallore e dëfryese, që ta dijnë se lumturia e vërtetë është brenda shtëpisë, mu aty pranë fëmijëve e familjes që ka kohë të gjatë që ne i kemi harruar. Pranë zhurmave lozanjare, të qarave e të qeshurave të tyre, që ka kohë që s’i ndëgjuam, e s’ndam kohë fare për ta. Për ata, që të na kanë mall, e që s’ndalemi duke ofruar justifikime boshe për t’mos ndare kohë për të shuar qoftë edhe pak mallëngjimin e tyre për ne.
Karantinimi në shtëpinë tënde, në një kuptim më të thellë, nuk është vuajtje, e as ndëshkim. Ai është lumturi, dhe e mahnitshme madje, por, që ti ka kohë e s’e ke shijuar. Andaj, merre si të tillë.
Rri n’shtëpi. Jo vetëm pse duhet ta ruash jetën e shëndetin tënd. Rri aty, edhe që të kënaqesh duke medituar për këto dhe mesazhe, e të tjera të ngjashme, të cilat i ka sjellur enkas për ty “Corona virusi”. Nuk e dijmë nëse të tillat porosi, do t’i kuptonim mirëfilli edhe prej dikujt tjetër. Prej këtij virusi, po duket se po.
Na mbetëshin të përhershme këto porosi edhe atëherë kur ne ia japim lamtumirën e fundit këtij “mysafiri të paftuar”.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)