Transmetohet nga Ibn Abbasi se Pejgamberi (a. s.), për Mekën, ka thënë: "Nuk ka vend më të bukur se ti, për mua je shumë e dashur! Sikur populli im të mos më kishin dëbuar nga ti, unë kurrë nuk do të kisha jetuar jashtë teje."

Hyrje

Që në fillim le të konstatojmë se "Çlirimi i Mekës" ka ndodhur më 20 ramazan të vitit të 8 të Hixhretit, që i përgjigjet datës 11 janar 630, sipas kalendarit gregorian.
Edhe pse kishin kaluar pak muaj nga disfata e myslimanëve në luftën e Mu'tes (në Siri), kjo megjithatë nuk kishte pasur ndonjë ndikim as te myslimanët dhe as te fiset tjera jo shumë larg Medinës, të cilët sa vinin e pranonin fenë islame para Pejgamberit (a. s.). Abas bin Merda, udhëheqësi i fisit të madh Sulejm, që ishin në kufi me Nexhdin, kishte vajtur te Pejgamberi me një mijë beduin dhe kishin pranuar fenë islame. Me të kishte vajtur edhe nëna e tij, El-Hansaja, një poete arabe shumë e njohur dhe e popullarizuar. Në mesin e atyre që e pranonin fenë islame në këtë kohë, kishte edhe të tillë që kishin luftuar kundër myslimanëve në Hendek.
Megjithëkëtë, Muhamedi (a. s.) mendjen e kishte te Meka e tij e dashur, mbase edhe sepse nga ajo akoma i vinte rreziku i madh...
Mushrikët (idhujtarët) mekas, pa kaluar as dy vite të plota nga Marrëveshja e Hudejbisë, filluan t’i shkelnin pikat e kësaj marrëveshje, pavarësisht se aty qe paraparë që ajo marrëveshje të zgjaste dhjetë vite. Në fakt, derisa njerëzit e fisit benu Huza’a po u jepnin ujë kafshëve të tyre nga pusi Vatir , atyre iu ndodhi një krim i tmerrshëm. Ata u sulmuan nga pjesëtarët e fisit Benu Bekr të përkrahur edhe nga disa kurejshitë. Me këtë rast i vranë njëzet veta nga ky fis dhe ua morën shumë deve dhe kafshë të imta e të trasha. Të nesërmen pala e dëmtuar dërgoi në Medine përfaqësuesin e tyre që nga Pejgamberi -aleati i tyre, të kërkonin mbrojtje, si dhe t’ju ktheheshin kafshët që ua kishin marrë dhe t’u paguheshin gjaqet për njerëzit që pa të drejtë i kishin vra.
Kurejshitët, nga ana tjetër, të vetëdijshëm për gabimin që kishin bërë, e dërgojnë Ebu Sufjanin te Pejgamberi për ta ripërtërirë Marrëveshjen e Paqes me të dhe me myslimanët. Ai, fillimisht shkoi në shtëpinë e bijës së tij, Umi Habibe, e cila ishte njëra nga gratë e Pejgamberit (a.s.). Më vonë Ebu Sufjani shkoi ta takonte Pejgamberin dhe nga ai të kërkonte që paqen e lidhur më parë, ta vazhdonin edhe më tutje, madje ta vazhdonin edhe më shumë se dhjetë vite. Pejgamberi, ndonëse si vjehërr që e kishte, e priti mirë, por e pyeti: "A mos ka ndodhur ndonjë gjë e re?!" "Jo!"- u përgjigj Ebu Sufjani. – “Atëherë nuk kemi nevojë për ndonjë gjë të re."-i tha Pejgamberi a.s., pa iu përgjigjur kërkesave të Ebu Sufjanit. Edhe përpjekja e tij për të intervenuar përmes Ebu Bekrit r.a., rezultoi e pa sukses. Kurse Ymeri r.a. i tha: "Betohem se edhe po të mos gjejë armë, veç buburrecave, me ato do t'ju luftoj juve!" As Aliu r.a. dhe Fatimeja, nuk e pranuan.
I brengosur deri në fund dhe edhe i nënçmuar, Ebu Sufjani u kthye në Mekë.

Përgatitjet për në Mekë

Nga ana tjetër, Pejgamberi kishte vendosur që të nisej në një ekspeditë, por pa i treguar askujt se për ku. Aishes i kishte thënë t'ia bënte gati të gjitha përgatitjet që i duhen për rrugë, pa i treguar se ku do shkonte. As edhe Ebu Bekrit, nuk i kishte treguar. Pejgamberi, duke konsideruar se tani është koha e duhur, kishte vendosur që me farefisin e tij duhej qëruar hesapet një herë e mirë. Me një fjalë, Mekën e dashur duhej çliruar, kurse Qabenë, duhej pastruar nga ata idhuj që ia kishin ngulfatur bukurinë. Prandaj, kishte urdhëruar mobilizim të përgjithshëm, madje, duke i ftuar edhe të gjithë aleatët që t'i bashkoheshin atij: ata që ishin afër Medinës të vinin në Medine, kurse të tjerët t’i bashkoheshin gjatë rrugës për në Mekë. Me qëllim që askush të mos i lajmëronte kurejshitët për planet e Pejgamberit, ai urdhëroi që të gjitha rrugët që qonin për në Meke të viheshin nën kontrollin e patrullave të tij dhe kishte thënë: "O Zoti im, derisa t'u dalim përballë kurejshëve ndaloji spiunët dhe informatorët e tyre!". Mirëpo, me gjithë masat e të rrepta që i kishte ndërmarrë dhe me gjithë urdhrin për të ruajtur sekretin, prapëseprapë dobësia njerëzore e shtynë njeriun që të gabojë. Një nga sahabët, muhaxhir, i quajtur Hatib bin Ebu Beltea, që përndryshe njihej për të mirë, por i cili akoma i kishte disa anëtarë të familjes në Mekë, kishte tentuar që atyre t’ua dërgonte një copëz letër, me qëllim që t'i njoftonte për qëllimet e Pejgamberit. Letrën ia kishte dhënë një gruaje e cila atë e kishte fsheh në flokët e dendura të saj . Pejgamberi, nga ana tjetër, iu kishte lutur Zotit me këto fjalë: "O, Zot! Mbyllja sytë dhe informatat kurejshitëve, në mënyrë që ne të arrijmë në vendin e tyre pa u përgatitur ata!"
Allahu e kishte njoftuar Pejgamberin (a.s.) për letrën dhe për gruan e cila do ta dërgonte atë. Pejgamberi me të shpejt e kishte dërguar Aliun të shoqëruar nga Mikdadi për në vendin Roudatu ‘l-Hah, që ta zinin gruan dhe t’ia merrnin letrën që e kishte me vete.
Kur u kthyen dhe kur Pejgamberi (a. s.) e hapi letrën, pa se në të shkruante: “Prej Hatibit për Kurejshin! Ju lajmëroj se Muhamedi do t'u sulmoj!" Pejgamberi e kishte thirrur Hatibin dhe i kishte thënë: "Ç'është kjo punë kështu, s’është pritur prej teje?" Ai ishte munduar që të arsyetohej se sikur t’i lajmëronte kurejshët, ata do të kujdeseshin për familjen e tij që i kishte mbetur në Meke para se ky të shpërngulej. Hazreti Ymeri, si ai më që ishte, kishte ndërhyrë: "O i Dërguari i Allahut, më urdhëro e ta vras këtë njeri, sepse ka tradhtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij!" Mirëpo, Pejgamberi, për shkak të pjesëmarrjes së tij në betejën e Bedrit dhe trimërisë që kishte treguar atje, kishte thënë: "Mos u ngut Ymer, Allahu është shumë i mëshirshëm ndaj heronjve, të cilët me aq trimëri luftuan në Bedër!" dhe kështu e fali Hatibin. Ymerit i lotuan sytë dhe tha: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë se ne!" Me qëllim që myslimanët të mos binin në gabime të tilla apo të ngjashme, Allahu e kishte shpallur:
"O ju që besuat, mos i bëni miq armiqtë e Mi dhe tuajt, duke u shprehur atyre dashuri , ndërkohë që ata kanë mohuar të vërtetën që ju ka ardhur dhe kanë dëbuar të Dërguarin dhe ju, vetëm pse besonit në Allahun, Zotin tuaj. Nëse keni dalë luftëtarë në rrugën Time dhe për kënaqësinë Time dhe fshehurazi u shfaqni atyre dashuri, atëherë gaboheni. Unë më së miri e di çfarë fshihni dhe çfarë bëni haptazi. Secili prej jush që vepron ashtu, ai e ka humbur rrugën e drejtë. Nëse ata ia dalin t'ju mposhtin, ata do të jenë armiqtë tuaj e do t'i zgjasin duart dhe gjuhën e tyre për t'ju lënduar ju, sepse dëshirojnë që ju të mosbesonit. Në Ditën e Kiametit Allahu do gjykon në mes jush, e nuk do t'ju ndihmojnë as farefisi e as fëmijët. Allahu e sheh mirë atë që ju bëni."

Nisja për në Mekë

Ditën e dhjetë të Ramazanit të vitit të tetë të hixhretit, d. m. th. në fillim të janarit 630, Pejgamberi (a. s.) ishte nisur me ushtrinë nga Medina. Në fillim i kishte rreth 6.000 luftëtarë, të armatosur mirë. Ushtrinë e priste rrugë e gjatë dhe e mundimshme, sepse edhe vapa e madhe ishte pengesë.
Ditën e dymbëdhjetë të Ramazanit, ushtria myslimane që tash numëronte mbi 10.000 luftëtarë, kishte arritur në vendin e quajtur Vadi Fatime (Merudh-dhahran), ku edhe kishte buajt një natë. Me atë rast, Pejgamberi kishte urdhëruar që secili ushtarë të ndezte një zjarr ashtu që të duket se darka po përgatitej për me shumë se 10.000 luftëtarë. Ymerit i kishte rënë barra kryesore për organizimin e rojeve të nevojshme, sepse natës kurrë nuk i dihet.
Atë natë, Ebu Sufjani së bashku me njerëzit e tij kishin dalë për në një kontroll të rëndomtë, por kishte përfunduar në duart e rojeve myslimane, të cilët ia dorëzuan Abasit (r. a.). Të nesërmen herët Abasi ia dorëzoi Pejgamberit (a. s.) dhe në tendën e tij, mes Pejgamberit (a. s.) dhe Ebu Sufjanit, u zhvillua një bisedë interesante:
- A do tash që ta pranosh se Zoti Një dhe i vetëm është Allahu dhe se pos Tij nuk ka tjetër zot, dhe se unë jam i Dërguari i Tij?- e pyeti Pejgamberi.
- Më falë për sinqeritetin tim, - i tha Ebu Sufjani- por akoma në këtë kam dyshime!
- Mjerë për ty nëse edhe tash dyshon, - ndërhyri Abbasi. Pejgamberi (a.s.) heshti! Pas pak hamendjesh, Ebu Sufjani tha: - Unë besoj se Allahu është Një dhe se Muhamedi është i Dërguar i Tij. Edhe dy përcjellësit e tij i përsëritën të njëjtat fjalë.
Pejgamberi doli me Abasin jashtë tendës dhe i tha që Ebu Sufjanin ta dërgonte në një vend më të përshtatshëm prej nga ku do ta shihte tërë ushtrinë. Abasi i tha: "Me gjithë qejf! Por të lutem që të bënë diç që do ta kënaqte sedrën e Ebu Sufjanit". Kjo sikur i pëlqeu Pejgamberit, kështu që urdhëroi që ushtrisë t'i komunikohet: "Të gjithë qytetarët mekas të cilët Ebu Sufjani i merr në mbrojtje në shtëpinë e tij, si dhe ata që strehohen në harem të Qabesë dhe në shtëpitë e veta, do të kursehen nga çfarëdo ndjekje." Kur ushtria u nis drejtë Mekës, Ebu Sufjani u çuditë me numrin, me armatimin dhe me organizimin e ushtrisë, ndaj dhe Abasit i tha: "Vërtetë mbretëria e nipit tënd është e hatashme!" -Çfarë mbretërie ore, ç’thua kështu, ai nuk është mbret, por pejgamber?! Ti pak ma parë e pranove se është pejgamber?!- ia ktheu Abbasi. -"Po, po ashtu është", -tha Ebu Sufjani dhe duke u përshëndetur me Abasin tha: "Nuk ka asnjë mundësi që dikush të dal para tyre" dhe u nis me vrap për në Mekë.
Për Resulullahun ishte shumë me rëndësi që Mekën e tij të dashur ta çlironte pa gjakderdhje, pa luftë; që Qabenë ta pastronte nga idhujt e ndryshëm që ia kishin cenuar bukurinë, prandaj të gjitha këto ishin strategji të një strategu të dëshmuar. Megjithatë, në të tilla raste ka edhe elemente turbulluese. Ta zëmë, tek sa kalonin ushtarët para Ebu Sufjanit, kaloi edhe Sa'd bin Ebu Ubade me flamur në dorë, i cili tha: Sot është dita e luftës. Sot derdhja e gjakut në Qabe është e lejuar. Sot Allahu i ka poshtëruar kurejshët!". Kur e njoftuan Pejgamberin se si Sa'di e kishte shqetësuar Ebu Sufjanin me ato fjalë, ai u shpreh: "Sa'di ka gabuar, gabimisht e ka thënë. Jo! Sot është dita e mëshirës. Sot është dita kur Allahu e lartëson Qabenë dhe sot është dita kur Qabeja do të vesh petkun e teuhidit!" dhe urdhëroi që flamurin e ensarëve nga Sa'di ta kaloj te dali i tij, Kajsi, kurse Aliu të udhëhiqte me një pjesë të ushtrisë. Pejgamberi (a.s.), gjithashtu, kishte urdhëruar që ushtria të ndahej në katër grupe dhe në Mekë të hynin nga katër anët e saj të udhëhequr nga: Halid bin Velidi, Zubejr bin Avvami, Ebu Ubejd bin Xherrehu dhe Sa'd bin Ubade (u zëvendësua nga Aliu) të urdhëruar që askush të mos përdorte armë, madje as forcën më të vogël, përveç në vetëmbrojtje nëse sulmohen nga pala tjetër.
Është me rëndësi të theksohet se Ebu Sufjani (vjehrri i Pejgamberit) sa po kishte arritur në Mekë, e mblodhi tërë parinë e qytetit dhe i këshilloi që ta pranonin dhe ta njihnin në paqe Pejgamberin, sepse çdo rezistencë ndaj tij do ishte e kotë. Ai, ndër të tjerash, u tha: "Pejgamberi (a.s.) u ka ardhur me një ushtri aq të madhe sa që nuk e përballoni dot. Prandaj, mbrojeni vetën kështu siç po ju them: kush hynë në shtëpinë time është i sigurt, edhe ai që qëndron në shtëpinë e vet dhe e mbyll derën e shtëpisë, është i sigurt, si dhe ai që qëndron në harem të Qabesë është gjithashtu i sigurt."
Njerëzit e mbledhur u shpërndanë menjëherë dhe vrapuan nëpër shtëpitë e veta, sepse secili donte të mbronte e të shpëtonte familjen e vet.

Pejgamberi në Qabe

Vet Pejgamberi ishte në krye të grupit qendrorë të ushtrisë dhe duke kaluar në anën veriperëndimore nga vendi i quajtur Ez-zahir (Tuva), pak para agimit të asaj dite të bekuar, hyri në këtë qytet të bekuar nga ana e sipërme. Në kokë kishte një përkrenare hekuri dhe një çallmë të zezë, i hipur në devenë e tij vazhdimisht lexonte Suren “Fet'h": “Kur iu afrua Qabesë, e ndjeu madhështinë e saj, u rrëqeth nga përmallimi për të, edhe ashtu hipur mbi deve, u përkul sa kryet nuk i zuri në samarin e devesë. Shtatë herë u soll rreth Qabesë, dhe sa herë vinte karshi Haxheru'l-esvedit (Gurit të zi) e përshëndeste, duke e ngritur lartë shkopin që mbante në dorë, pastaj merrte tekbir, e me të edhe të gjithë të pranishmit. Gjëmonte Meka nga këto tekbire, në fytyrat e njerëzve përjetohej ndjenjë e papërshkruar. Pasi e mbaroi tavafin, Pejgamberi vajti te Mekami Ibrahimi ku dhe i fali dy rekate namaz. Më pas, nga uji të cilin e nxori xhaxhai i tij, Abasi, piu ujë Zemzemi, dhe, duke iu pri të tjerëve, shkoi në Safa prej nga lutej dhe falënderonte Allahun që i kishte mundësuar këtë çlirim madhështorë. Kur Pejgamberi (a. s.) e mbaroi edhe Sa'jin, në kodrinën Merva, i bëri Zotit dua dhe përsëri u kthye te Qabeja dhe, me shkopin në dorë, tha:
"E vërteta erdhi ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket!"
Duke i shqiptuar këto fjalë kuranore, filloi t'i rrëzonte jo më pak se 360 idhuj që ishin në Qabe dhe në oborrin e saj. Madje idhujt si Hubeli, Menati, Lati e Uzzaja përplaseshin për toke e bëheshin copë e grimë.
Pejgamberi e ftoi Osman bin Talhan, dhe nga ai i kërkoi çelësat e Qabesë, të cilët familja e tij i mbante që nga koha e Kusajit. Kur Pejgamberi e hapi derën dhe hyri brenda, pa se në mure ishin të pikturuar Ibrahimi dhe Ismailit, të cilët mbanin shigjeta fati, përse urdhëroi që ato të fshiheshin nga muri dhe tha: "Qofshin të shkatërruar nga Allahu ata që kanë bërë këtë! Betohem në Allahun se këta të Dërguar asnjë herë riskun e tyre nuk e kanë kërkuar me shigjeta fati". I Dërguari i Allahut hyri brenda në Qabe i pasuar nga Usame bin Zejdi, Bilalli dhe Osman bin Talha (ky i fundit akoma nuk kishte pranuar fenë islame). Derën e kishin mbyllur. Jashtë derës roje qëndronte Halid bin Velidi. Pejgamberi i fali dy rekate namaz në mesin e dy shtyllave dhe pas pak doli nga aty duke e përshëndetur Qabenë. Pas kësaj, filluan të hynin brenda Qabesë njerëzit e tjerë. I pari qe Abdullah bin Ymeri, i cili e takoi Bilallin, të cilin e pyeti se ku ishte falur Pejgamberi e ai i kishte treguar. Këtu ka edhe një detaj interesant. Kur i mori Pejgamberi çelësat e Qabesë në dorë të vet, Abasi ia kërkoi në mënyrë që krahas shërbimit që kryente, të bashkonte të dy shërbimet dhe ai të merrte përsipër ruajtjen e Qabesë. Mirëpo, para se ai t'i merrte çelësat në dorë, zbriti Xhibrili me shpallje, sipas të cilës, Pejgamberi duhet t'ia kthente çelësat të zotëve të tyre dhe kështu të gjykonte me të drejtë. Atëherë, Pejgamberi e thirri Osmanin dhe duke ia dhënë çelësat në dorëzim i tha:
"Ky çelës do të qëndrojë tek ju (në familjen tënde) prandaj merri se nuk do ua heq askush nga dora, veç se në qoftë ndonjë zullumqar (tiran)."
Ky veprim i Pejgamberit bëri që Osman bin Talhaja, menjëherë ta pranonte fenë Islame. Përndryshe, çelësat e Qabesë nga ajo ditë e deri më sot kanë mbetur në atë familje, pra në familjen pasardhëse të Shejbes, vëllait të Osmanit, i cili i trashëgoi nga Osmani pasi ky nuk kishte lënë trashëgimtarë.
Pas këtyre veprimeve që kishte bërë Pejgamberi (a. s.), tashmë qe afruar edhe koha e drekës, përse e kishte ftuar Bilallin që ta thërriste ezanin. Ezani i Bilallit jehoi gjithandej. Pejgamberi u ndal në Hazvere dhe iu drejtua Mekës së tij të dashur, me këto fjalë:
Transmetohet nga Ibn Abbasi se Pejgamberi (a. s.), për Mekën, ka thënë: "Nuk ka vend më të bukur se ti, për mua je shumë e dashur! Sikur populli im të mos më kishin dëbuar nga ti, unë kurrë nuk do të kisha jetuar jashtë teje."
Në ato momente, mushrikët mekas ishin tubuar rreth Pejgamberit dhe me shumë kureshtje donin të dinin se çdo të ndodh me ta. Me at rast, Pejgamberi në mes tjerash tha: "(Lidhur me çlirimin e Mekës) Ai e përmbushi premtimin e dhënë, e ndihmoi robin e Vet, Muhamedin, dhe i shkatërroi të gjitha grupimet e armikut vet. Nuk ka Zot tjetër përveç Tij, Ai nuk ka ortak. Kini parasysh se as pasuria dhe as gruaja që në kohën e injorancës kanë qenë shkak për mburrjen janë ndër këmbët e mia. Me përjashtim të shpërndarjes së ujit për haxhilerët (sikajetu'l haxhi) dhe shërbimi ndaj Qabesë (sidanetu 'l Bejti)...", për të vazhduar më pastaj me leximin e ajetit kuranor:
"O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se te Allahu më i ndershmi nga ju është ai që më tepër është ruajtur nga të këqijat. Allahu është shumë i Dijshëm dhe i Njohur hollësisht për çdo gjë."
Pastaj, Pejgamberi (a. s.) i pyeti mekasit: "O populli kurejsh! Tashmë sigurisht se mendoni se si do të veproj ndaj jush?" Ata iu përgjigjën: "Ne shpresojmë në mirësinë tënde, mendojmë se do të bësh mirë. Ti je një vëlla i ndershëm dhe djali i një vëllait tonë të ndershëm..." Pejgamberi iu tha: "Edhe unë do tu them siç u tha Jusufi (a. s.) vëllezërve të vet:
"Sot s'ka qortim për ju, Allahu do t'ju falë. Ai është më i Mëshirshmi i mëshiruesve! Ju them tani shkoni, jeni të lirë."
Edhe me këtë rast Resulullahu e vërtetoi pejgamberinë e tij, njerëzinë e tij, dinjitetin e tij, bujarin e burrështetasit të vërtetë, mëshirën e tij të pakufishme. I fali njerëzit të cilët e dëbuan, e torturuan, e luftuan... Deri para pak orësh ishin krejtësisht kundër tij, donin ta vrisnin. Shembull i përkryer i mëshirës. Kjo edhe ndikoi që populli grupe-grupe të shkonin tek ai për ta pranuar fenë islame. I amnistoi të gjithë, madje edhe Hindin-gruan e Ebu Sufjanit, e cila, në luftën e Uhudit, kishte porositur vrasjen e Hamzait-xhaxhait të Pejgamberit . Më pas, flamuri me urdhër të Pejgamberit u vendos në vendin e quajtur Haxhun. Në anën tjetër, Pejgamberi para se të fillonte të falte namazin e drekës, kishte urdhëruar që vendasit të tuboheshin në vendin e quajtur Saffa, që të mund ta takonin Muhamedin dhe t'i shprehnin betimin e besnikërisë. Njerëzit filluan që të shkonin që të gjithë, burra e gra, dhe pasi i jepnin dorën Ymerit (r. a.), i cili në emër të Pejgamberit e pranonte besatimin, kur ata deklaronin: "Besoj në Zotin Një, e japë fjalën dhe betohem në Zotin se nuk do të vjedh, nuk do të gënjejë, nuk do të plaçkiti, nuk do të përgojojë, (kurse gratë shtonin edhe) nuk do t'i vrasim fëmijët tanë dhe nuk do të shkelim kurorën." Dhe kështu, ata që pakë më parë donin ta vrisnin Pejgamberin (a. s.), tani e pranuan fenë islame, u bënë mysliman...
Të nesërmen, Pejgamberi i dërgoi disa shokë të zgjedhur me grupe të vogla ushtarësh në rrethinën e Mekës, te disa fise që akoma nuk e kishin pranuar fenë islame. "Silluni mirë!" u thoshte para nisjes, sepse:
"Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota. E, kush nuk i beson idhujt (që besohen në vend të Allahut), e i beson Allahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu është Dëgjues, i Dijshëm!"
Në ditën e Çlirimit të Mekës, ndërsa Pejgamberi e mbante një fjalim para popullit, ndër të tjerash, theksoi edhe se Qabeja dhe rrethina e saj janë "Harem", se Qabeja është e respektuar dhe e pacenueshme, se aty nuk do të derdhej gjaku, se nuk do të bëhej padrejtësi dhe se nuk do të pritej asnjë pemë. Lidhur me këtë Çlirim, Resulullahu ka thënë edhe:
"Pas çlirimit nuk ka më hixhret, por ka vetëm xhihad dhe nijet. Kur të thirreni në luftë, përgjigjuni menjëherë thirrjes!"
Shpërngulja ndërmjet Mekës e Medinës tashmë kishte përfunduar dhe ishte shpallur se në atë rrugë mund të shkohet vetëm për luftë dhe kërkim diturie.

Meka me statut të ri

Pejgamberi (a. s.) në Meke qëndroi edhe dy javë, deri më 6 shevval , që t'i rregullonte disa çështje fetare dhe qytetare të myslimanëve dhe jo vetëm. Njerëzit duhej udhëzuar në parimet fondamentale të fesë, ata duhej udhëzuar rreth rregullave të fesë. Dhe ai duhej t’u ofronte zgjidhje për çështje shumë të rënda, siç ishte gjakmarrja, çështja e të syrgjynosurve dhe atyre të dënuar me vdekje etj. Pastaj, fiset që kishin probleme në mes veti, tani prisnin zgjidhje nga Pejgamberi; ato fise duhej pajtuar. Si në Mekë ashtu edhe në paralagjet e saj ishte momenti që të kryhej pastrimi nga "zotat" (idhujt) e tyre dhe duhej orientuar në fenë e vërtetë. Qyteti tashmë në rrethana të reja kishte nevojë për një administratë dhe organizim të ri. Për këtë arsye, Pejgamberi (a. s.) deklaroi:
"Gjakmarrja një herë e përgjithmonë duhet të ndërpritet, sepse kush i beson Zotit dhe Ditës së Gjykimit, nuk mundet që nga hakmarrja të vret njeri dhe të shkatërroj të mirat e tyre. Meka duhet të jetë ajo që gjithmonë ka qenë: për secilin të ndershëm dhe të paprekshëm. Të gjithë fajtorët që janë penduar sinqerisht dhe kanë pranuar fenë islame, janë të amnistuar. Në mesin e tyre edhe Hindi dhe Vahshiu, i cili në Uhud e kishte vrarë në pritë xhaxhain e Pejgamberit – Hamzain. Të gjitha ritet fetare pagane përveç rojës së Qabesë (hixhabeti-Kabe), dhe burimit të Zemzemit (sikajeti Zemzem), tashmë janë vënë jashtë përdorimit, janë të anuluara!"
Medinasit me padurim presin kthimin e Resulullahut
Mirëpo, ensarët në Medine ishin merakosur se ndoshta më i dashuri i Allahut dhe i tyre do të qëndronte në vendlindjen e tij dhe nuk do të kthehej më në Medinë. Për më tepër, kur ata e dinin se sa e donte Pejgamberi (a. s.) Mekën e tij të bekuar, sidomos tash kur Krijuesi ia kishte mundësuar çlirimin e saj, kjo brengë e medinasve bëhej edhe më e madhe. Mirëpo, Pejgamberi (a. s.) shpejt i qetësoi këta shpirtra të trazuar dhe i freskoi zemrat e tyre me këto fjalë: "O ju ensarë! Unë mbështetëm tek Allahu që të mos bëjë diç të tillë. Unë u shpërngula në atdheun tuaj. Edhe jetën e kam me ju, edhe vdekjen do ta kem me ju!"

Si përfundim

Çlirimi i Mekës është një datë me rëndësi të madhe në historinë islame. Pastrimi i Qabesë nga të gjithë ata idhuj dhe kthimi i saj në teuhid, ka qenë i një rëndësie të veçantë dhe praktikisht qe jetësuar duaja e hazreti Ibrahimit kur i qe lutur Zotit:
"O Zoti im! Bëje të sigurt këtë qytet (Mekën) dhe më ruaj mua dhe pasardhësit e mi që ti adhurojmë idhujt!"
Pejgamberi (a. s.), me sjelljet e tij prej burrështetasit të vërtetë, jo vetëm se çliroi Mekën e tij të dashur, e pastroi nga gjithë ata idhuj, madje e largoi edhe atë pëllumbin e drurit që e kishin lidhur në pjesën e sipërme të Qabesë, dhe mbi të gjitha ai i çliroi dhe i pastroi zemrat dhe shpirtrat e gjithë atyre njerëzve. Pa dhunë, pa gjakderdhje, pa luftë, pa tirani, Meka i kthehet besimit në Një Zot. Dhe më të u lidhën zemrat e gjithë besimtarëve të të gjitha kohëve, sepse aty është Qabeja, kibleja e çdo myslimani!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme