Nada Dosti
Termi “feminitet” të sjell ndërmend imazhe lulesh dhe pëlhurash ngjyrë rozë, buzëqeshje të ëmbla dhe fjalëve të këndshme. Megjithatë, shumica këtyre imazheve reflektojnë njëanësi (paragjykime/bias) dhe kanë më shumë të bëjnë me perceptime se sa me thelbin e nocionit në vetvete. Nga ana tjetër “feminiteti” dallon nga “feminizmi” edhe pse shpesherë ngatërrohen dhe përdoren në vend të njëra-tjetrës. Feminitieti, sipas përkufizmit gjuhësor, janë një tërësi tiparesh, gjestesh dhe sjelljesh të cilat i bashkangjiten gjinisë femërore. Ndërsa feminizmi është një lëvizje, një ideologji apo botëkuptim politik, social dhe ekonomik sipas së cilit gratë meritojnë të gëzojnë të njëjta të drejta dhe përfitimie sikurse dhe burrat.
Sot në Perëndim, fëmijë dhe adoleshentë po përballen me kriza identitare duke vënë në dyshim aspektin e tyre biologjik të cilin nuk e identifikojnë dot me normat kulturore rreth “të qenit vajzë” ose “të qenit djalë”. Dëgjojmë sidomos nëpër filma, dilema të llojit “e di që jam vajzë por ndihem si djalë” ose “jam një djalë i burgosur në trupin e një vajze”.
Komuniteti ynë musliman gjithashtu përballet me sfida, të cilat janë të një tjetër natyre dhe niveli, por që kanë të bëjnë me rolet gjinore dhe perceptimet mbi të qenurit femër apo mashkull. Shpeshherë, në mesin e komunitetit tonë këto kriza kanë më shumë të bëjnë me ndikimin kulturor të shoqërisë në të cilën ndodhen ose prej së cilës kanë origjinën; si dhe me të kuptuarit të fesë dhe interpretimeve të ndryshme të burimeve fetare, se sa me vetë parimet fetare në vetvete. Mund të përballemi kështu vazhdimisht me ligjërata fetare të cilat pambarimisht trajtojnë të ashtuquajturën temë “roli i gruas në islam” e cila është ezauruar dhe riezauruar në mënyrë monotone. Temë me të cilën është abuzuar në shumë raste sidomos nga personalitete të fushës së teologjisë islame të gjinisë mashkullore. Abuzimi qëndron në interpretimin maskilist, i mveshur me parimet partriakale, të burimeve fetare. Kjo zakonisht ndodh kur kultura dhe mentaliteti i një shoqërie mbizotëron ndaj parimeve fetare ose të dyja shkrihen bashkë saqë pastaj nuk arrihet të bëhet dot një ndarje e saktë se cilat janë botëkuptimet kulturore dhe cilat parimet fetare. Kështu, përshembull mund të dëgjojmë ligjërata të cilat bëjnë thirrje për të ndaluar frekuentimin e xhamisë nga gratë muslimane dhe promovojnë qëndrimin në shtëpi, kur dihet se kjo është një e drejtë e pamohueshme, madje edhe më herët, në kohë të sahabëve, “trima” më të mëdhenjë jane përpjekur t’i ndalojnë gratë e tyre nga vizita e xhamisë, për shkak të xhelozisë personale dhe jo për arsye norme kulturore apo parimi fetar, duke thurur lloj lloj marifetesh por në fund të dështuara. Disa të tjerë, proklamojnë nënshtrimin total të gruas karshi burrit duke e argumentuar këtë me hadithet e mirënjohura si ai i “mallkimit të engjëjve” si dhe të “sexhdes ndaj burrit” për të justifikuar abuzime psikologjike, fizike dhe seksuale me qëllim pushtetin total, gjë që shkel me të dyja këmbët udhëzimet hyjnore dhe traditën profetike në lidhje me nderin dhe krenarinë e individid qoftë ai mashkull apo femër.
Këto llojë sfidash kanë bërë që sot, komuniteti musliman, veçanërisht gratë dhe vajzat muslimane të përballen me kriza identetitare të llojit: kush jam unë si një grua muslimane, cili është vendi dhe roli im? Si ta kuptoj feminitetin dhe çfarë roli luan feminiteti në jetën time?
Për të qenë në gjendje për të propozuar një zgjidhje të mundshme këtyre sfidave duhet që më parë të përzgjidhet mirë interpretimi i burimeve fetare.
Përkufizimi kuranor i feminitetit
Nëse imazhi i gruas shtëpiake është një ideal i rremë, ndërsa gruaja “feministe” është një version i sforcuar jashtë feminitetit të vërtetë, atëherë si duhet të pozicionohet gruaja muslimane në një shoqëri? Përgjigja është shumë thjeshtë: mjafton të shikojmë në Kur’an dhe Sunnet për të zbuluar karakteristikat e gruas dhe konceptin mbi feminitetit.
Imazhi i gruas që përmendet në Kuran, është një imazh kompleks, me të mirat dhe të këqijat e veta. Pra, një qenie njerëzore që përfshin një diversitet të pafund dimensionesh njerëzore si psh: nënë e vetme (Merjemi nëna e Isait), grua që nuk mund të bëjë fëmijë (Sara), grua e divorcuar (Zejneb bin Jahsh), lidere beqare (Belkisa), bashkëshorte e një lideri (Nuhu), grua e mrekullueshme e një tirani (Asia), grua pa parime bashkëshorte e një njeriu të mrekullueshëm (gruaja e Lutit a.s), grua provokuese dhe intrigante (Zeliha), vajza modeste në ecje dhe në sjellje (bijat e plakut fisnik që mendohet të jetë profeti Shuajb a.s), etj. Pozita e tyre në shoqëri nuk është dhe aq e rëndësishme, por megjithatë ne duhet të përqendrohemi tek fakti se të gjitha fenomenet janë të mundshme, se gratë, si qenie njerëzore janë krijuar me anët e tyre negative dhe pozitive, të gabueshme, me instikte dhe dëshira, si dhe me opinione të tyre personale pavarsisht se kë kanë përkrah tyre.
Të rimendosh Feminitetin
Nëse do të përcaktonim feminilitetin sipas Kuranit, ne mund të përdorim lehtësisht fjalë si vetëbesim, guxim dhe gra të besës. Tashmë, lind pyetja: Cila është korniza islame në të cilën kanë vepruar këto gra dhe që mund të ndihmojë gratë e kohëve moderne të kuptojnë rolin e tyre në jetë apo identitetin e tyre?
Së pari dhe më e rëndësishmja, gratë e sipërpërmendura nuk e panë veten e tyre së pari si gra, por mbi të gjitha si shërbëtore të Zotit. Ata e panë veten si trashëgimtare të mesazhit profetik, me detyrën për ta përhapur atë në vende dhe epoka të ndryshme.
Ato e kuptuan rëndësinë e kontributit të tyre shpirtëror dhe fetar në shoqëri pa u larguar prej detyrave dhe përgjegjësive të tyre si nëna apo bashkëshorte. Ky qëndrim i bashkëpunimit dhe bashkëshortëisë, pa role gjinore të përcaktuara, mirëpo më qëllim përmirësimin e shoqërisë është korniza brenda së cilës gratë muslimane vepruan dhe patën sukses në gjeneratat e mëhershme.
Sa i përket të famshmes pyetje “Cili është roli i grave në shoqëri” për mendimin tim është një pyetje që vjen nga globalizimi i botëkuptimit perëndimor. Në vend të kësaj pyëtje, gratë muslimane duhet të pyesin veten se”çfarë kërkon shoqëria nga unë apo si mund të kontribojë unë në shqoëri?” përgjigje të cilën duhet ta gjejmë tek burimet e tona shpirtërore dhe fetare. Ndërsa i rikthehemi parimeve hyjnore dhe traditës profetike, duke marr shembuj konkret nga e kaluara historike, mund të gjejmë përgjigje për të gjitha dilemat tona. Gratë muslimane sot duhet t’i rikthehen këtyre parimeve duke refuzuar antivlerat që importohen nga shoqëritë perëndimore të cilat kanë si qëllim të nxjerrin gruan nga natyra e saj duke i servirur një “feminitet” të shtrembëruar.
Autorja është themeluesja e Muslimania.al