Rëndësia pedagogjike e Kuranit

Hyrje

Dihet se Kur’ani, në përmbajtjen e tij ndër të tjera përfshin normat morale etike, që janë bazë për një shoqëri të shëndoshë. Se çfarë do të jetë individi, familja apo shoqëria në përgjithësi, varet se sa respektohen dhe zbatohen në praktikë normat morale islame, sepse në bazë të këtyre rregullave brumoset respekti dhe dashuria ndërnjerëzore, marrëdhëniet me të ngrihen mbi parimet e mirësisë dhe devotshmërisë, e jo mbi parimet e armiqësisë dhe keqdashjes. Në të kundërtën mosdashuria dhe mosrespekti reciprok shkaktojnë çrregullimin e familjes dhe shkatërrimin e tërë shoqërisë.
Kësisoj feja Islame sikurse fetë e tjera, njerëzve u ofron një mundësi të caktuar jetese, mënyrën se si duhet gjetur lumturinë dhe mirësinë në këtë jetë. Për këtë gjë si burim i parë është Kur’ani i madhërueshëm, ndërsa si burim i dytë hadithet, do të thotë, fjalët dhe porositë e Muhammedit a.s.

Kuptimi i fjalës islam

Fjala ISLAM rrjedh nga gjuha arabe që do të thotë përulje, zbatim i urdhrave të adhuruesve e ndalimit të tij pa kundërshtim. Kësisoj feja jonë u quajt ISLAMIZËM, sepse është përulja para Zotit dhe zbatimi i urdhërave të tij pa kurrfarë kundërshtimi(1). Islami nuk është vetëm fe e përjetshme universale, por është edhe ligj dhe sistem, i cili rregullon të gjitha çështjet e shoqërisë, kushtetutë e pjesëtarëve të një shteti dhe udhëzim për ta. Misioni i tij është shpallja e fundit dhe vulë e të gjithë shpalljeve dhe misioneve të mëparshme, ndërsa i dërguari i tij është Muhammedi a.s., lajmëtari i fundit dhe vula e fundit e Pejgamberisë(2).
Islami qenien njerëzore e shikon në mënyrë integrale, sipas së cilës, njeriu në vete ka 3 aftësi (fuqi): trupore, shpirtërore dhe mendore. Në aftësinë trupore, njeriu ka nevojat e veta, për ushqim, pije, rroba, martesë, riprodhim dhe ato mund të jenë të plotësuara vetëm në atë mënyrë që të mos i prishin nevojat e shpirtit dhe të mendjes, por edhe që të mos fiskohen nga kërkesat e shpirtit apo mendjes. Në aftësinë shpirtit, njeriu ka nevojë për udhëzim, butësi, qetësi dhe Islami i ka hapur dyert e ibadetit (riteve të veçanta fetare) me të cilën i kënaq nevojat e veta. Në aftësinë e mendjes, njeriu ka nevojë për mësim, dije dhe njohje, përsiatje, analizë, meditim, argumentim etj., dhe Islami urdhëron që të plotësohen edhe këto nevoja, ku nëpërmjet kësaj aftësie (mendjes); njeriu do të mund të hulumtojë botën dhe porositë e librit të Allllahut(xh.sh) etj.(3).
Pedagogjia islame përpiqet që t'i kënaqë në mënyrë të barabartë këto aftësi, në mënyrë që të mos ndodhë çrregullimi i personalitetit njerëzor dhe edukimi i keq i tij.

Kurani libër i shenjtë

Kur’ani fjalë e Allahut, Muhamedit, iu shpall në moshën 40 vjeçare dhe për herë të parë u bë e ditur se Zoti e kishte zgjedhur dhe kishte caktuar Pejgamber. Prej atij momenti e deri në vdekjen e tij u quajt periudha e vahjit, shpalljes relevatës (risales e cila zgjat 23 vjet(4) 612-639 e.s. së pari në Mekë e më vonë në Medinë). Ai paraqitet si një kopsht nacional, i ndarë në reparte që secila njësi është rrethuar me mur, si të ishte ndonjë kështjellë. Për herë të parë, zbret nga qielli natën e “Lejlul Kadrit”, pastaj prej këtu e deri te Muhamedi shpallet pjesëpjesë në një periudhë prej 20 e më shumë vjet.
Sipas koncepsionit fetar mysliman, Kur’ani është libër i shenjtë përmbledhje e relevantës hyjnore që i ka ardhur Muhamedit nga ana e Xhibrilit, në intervale të ndryshme të misionit të tij. Ai është burimi themelor dhe kryesor i predikimit islam. Përmban principe kryesore fetare, morale dhe juridike, është përmbledhje e rregullave në bazë të të cilave më vonë do të ndërtohet dhe zhvillohet jeta materiale dhe shpirtërore e myslimanëve(5).
Arsyeja pse relevata u shpall kohë pas kohe është e dyfishtë: Se shumë relevata janë shpallur në situata të caktuara, kur kërkonin kushtet specifike, dhe e dyta që është më e rëndësishme, se shpallja kohë pas kohe kishte për qëllim të përgatisë shpirtërisht një popull të prapambetur që me bindje të thella të pranojë për kohën e vet religjionin revolucionar që shembi jo vetëm politeizmin e atëhershëm arab, por ndikoi edhe në marëdhëniet shoqërore ekonomike(6).
Kur’ani për shumë gjëra na ka lajmëruar qysh para 14 shekujve, kurse njeriu i ka arritur t'i kuptojë shumë më vonë si rrotullimi i tokës dhe shumë të tjera. Dihet se rruga nëpër të cilën kaloi së komunikuarit fjala e Zotit hasi në vështirësi. Thuhet se pas zbritjes së Kur’anit, Muhammedi a.s., i urdhëronte shokët e vet që menjëherë ta shkruajnë Kur’anin, në mënyrë që ta ruajnë origjinalitetin e tij. Ata e shkruanin nëpër rrasa gurësh, gëzhoja drunjsh, nëpër lëkura shtazësh etj.,njëherit i porosiste që ta mësojnë përmendësh ato pjesë që i zbriste, bile të mësuarit dhe të nxënit përmendësh të tij i kushtojnë më tepër kujdes(7).
Por, qëllimi kryesor i Kur’anit ishte lufta ndaj besimit në shumë zotra, dukuri e cila ishte shumë e përhapur në fiset arabe. Pra siç shihej, Kurani i vuri themelet e forta të besimit në një ZOT, bëri të mundur rregullimin e moralit dhe marrëdhëniet ndërmjet njerëzve(8).
Për nga ana përmbajtësore AI është libër i pazëvendësueshëm, i cili me udhëzimet e tij përmban në vete një nivel të lartë moraloedukativ, i cili mbjell respekt dhe frymë paqeje ndër njerëz. Aty përveç tjerash bëhet fjalë edhe për virtytet më të larta morale, virtyte të cilat zgjojnë ndjenjat e moralit që e ngrenë moralin dhe e pastrojnë ndërgjegjen e çdo individi dhe shoqërisë pikësynim i së cilës është largimi i njeriut nga veprat e liga.

Edukimi moral në islam

Kur’ani është një libër që në kulturën dhe qytetërimin mysliman është burim për çdo disiplinë shkencore, përveç tjerash edhe libër pedagogjik, për arsye se t'i edukosh njerëzit në çdo situatë të jetës të sillet në pajtim me vullnetin e Allahut (xh.sh.) është qëllim i çdo ajeti dhe sureje kuranore. Aty paraqiten, këshilla, paralajmërime, kërcënime, premtime, tregime, diskutime, shikime, ilustrime etj.(9).
Në aspektin pedagogjik, ai i ka përfshirë të gjithë komponentët e edukatës, si edukatën fizike ose trupore (ETTERBIJETU’L XHEMALIJJE); edukata intelektuale ose mendore (ETTERBIJETU’L XHISMIJE); edukata morale (ETTERBIJETU’L AHJAKIJE), edukata estetike (ET TERBIJETU’L IXHTIMAIJJE), edukata punuese etj.(10).
Për sa i përket edukatës morale(11) aty jepen këshilla të një niveli të lartë edukativ, që kultivon dashuri dhe mbjell frymë paqeje ndër njerëz, përmbledh rregulla e dispozita të dobishme të rendit social, parashikon norma edukative për njerëz të çdo kohë dhe çdo niveli etj.(12)
Në jetën e përditshme termi ”moral” apo sipas terminologjisë islame AHLAK, përdoret në 3 trajta të ndryshme:
Termi “moral”, përdoret kur themi morali islam apo morali krishterë, që nënkupton mënyrën e jetesës, në të cilën islami përkatësisht krishterimi ia ofrojnë njerëzimit; Termi “moral”, përdoret kur themi morali i profesionit apo morali i tregut që nënkupton tërësinë e rregullave që duhet përmbajtur në jetën tregtare apo në ndonjë veprimtari tjetër;
Termi “moral”, shpreh një aktivitet mendor rreth rregullave të sjelljes apo mënyrave të jetesës që nënkupton ”filozofinë e moralit” etikën që përbën një degë të veçantë të filozofisë së përgjithshme.(13)
Qëllimi i pedagogjisë islame është që predikuesi të edukohet në atë mënyrë që t'i shmanget çdo gjëje që është e tepërt në të gjitha sferat e jetës, do të thotë, të mos tejkalohen kufijtë e së kaluarës që i Lartësuari i ka përcaktuar në Librin e tij të shenjtë (Kur’anin). Pra njeriu. të mbajë një mes ku qëllimet personale të mos vihen mbi atë shoqërore dhe anasjelltas(14).
Përvetësimi i cilësive pozitive të vullnetit dhe karakterit është detyrë me rëndësi e edukatës morale, për arsye se njeriu në shumë situata jetësore duhet të veprojë e të sillet në harmoni me qëndrimet morale. Sjelljet e këtilla kërkojnë nga individi që të ketë vullnet dhe karakter të fortë. Prandaj, te njeriu gjatë procesit të edukimit qysh herët duhet të zhvillohen cilësitë e vullnetit dhe karakterit si: vendosmëria, iniciativa, guximi, qëndrueshmëria, mirësia, durimi, maturia, drejtësia, njerëzorja dhe evitimi i tipareve negative si: hipokrizia, pasiguria, papërgjegjësia, gënjeshtra, kokëfortësia etj. Ndër cilësitë negative që ndikon negativisht te njeriu është:

Hipokrizia

Në rrethin ku jetojmë dhe punojmë shpesh hasim në njerëz hipokritë(15), që me veprimet e tyre shpeshherë ndodhemi në situata të palakmueshme dhe ndonjëherë të zhgënjyer prej sjelljeve të tyre.
Hipokrizia është cilësi negative që është në kundërshtim me virtytet pozitive morale që duhet të ketë një individ. Ata me veprimet e tyre i çrregullojnë marrëdhëniet midis njerëzve, janë intrigantë, gënjeshtarë, shpifës etj., që shumë njerëz të ndershëm dhe me virtyte të larta morale janë viktimë e këtyre njerëzve.
Ata kur gjinden në mesin e njerëzve të mirës, shtiren dhe deklarohen se janë të mirë, duke u paraqitur me fytyrë joreale dhe kur bashkohen me njerëz të tjerë e sidomos me njerëz të të njëjtit nivel sikur ata, ndryshojnë dhe thonë se janë tallur dhe se jemi me ju.(16)
Për këtë veti një pjesë të madhe të Librit të Shenjtë KUR’ANIT, në ajetet dhe hadithet e tij, paraqiten disa cilësi të këtyre njerëzve, bile një kaptinë e tërë e quajtur “EL MUNAFIKUNË” i është dedikuar njerëzve të këtillë.
Po cilat janë shenjat e hipokritëve që me veprat e tyre aq shumë janë prezentë në mesin tonë.
Në një hadith thuhet: Kur flet gënjen; Kur premton mashtron; Kur i besohet tradhton.(17)
Do të thotë që ata shumë herë, për të mos thënë çdoherë gënjejnë, nuk e mbajnë fjalën e dhënë, janë oratorë të shkëlqyer, sa që e improvizojnë masën me fjalë të bukura dhe lajka, premtojnë shumë dhe asnjëherë nuk i mbajnë premtimet dhe fjalën e dhënë dhe kur u besohet diçka tradhtojnë pa fijen e turpit e të ndërgjegjes, bile janë edhe të papërgjegjshëm, sa që mohojnë atë që e kanë thënë me atë që e kanë bërë, që shumë herë bien në kundërshtim me vetveten.
Njerëzit e këtillë me dyfytyrësinë e tyre bëjnë që njerëzit ta humbin besimin te njëritjetri dhe njëkohësisht i prishin lidhjet shoqërore dhe vëllazërore midis tyre.
Sipas fesë islame ekzistojnë shumë lloje të hipokrizisë si:
Hipokrizia në trup - që manifestohet në dobësim, këputje, zymtësi etj., duke nënkuptuar këto si pasojë e lodhjes së madhe nga ibadeti, ankimi për pozitën në të cilën ka ardhur feja dhe frikës nga bota e ardhshme;
Hipokrizia në pamje dhe veshmbathje - manifestohet në uljen e kokës në të ecur, lëvizje të ngadalshme, flokët e pakrehur. Nëse kjo bëhet me qëllim këto janë shenjë e hipokrizisë;
Hipokrizia në të folur - në shtirje para njerëzve të tjerë, këshilla paralajmërime, citim të thënieve të urta dhe shembuj nga tradita islame;
Hipokriza në raport me të tjerët - manifestohet në zgjedhjen e atyre që i fton në vizitë p.sh., ndonjë i shquar ose i ditur me qëllim që të flitet se filani kishte qenë te filani në vizitë etj.(18)
Ajeti i 4 i kësaj kaptine thotë: “E kur t’i shohësh ata, trupat e tyre të mahnisin, fjalës së tyre u vë veshin. Po ata janë si trungujt e zgavruar e të mbështetur, e çdo zë mendojnë se është kundër tyre. Ata janë armiq, pra ruaju prej tyre. Allahu i vraftë, ata që shmangen nga e vërteta(19).
Për të qenë një shoqëri e shëndoshë kërkohet drejtësi dhe besim reciprok mes vete. Thuhet se nuk mund të paramendohet një shoqëri nëse në të mbisundon rrena dhe nëse fjalës së dhënë i bëhet padrejtësi. Ndër virtytet pozitive morale në Islam bën pjesë edhe:

Durimi

Njerëzit ndryshojnë sipas temperamentit, disa janë më të qëndrueshëm ndaj situatave të padëshirueshme e disa më pak. Për të parët thuhet se janë temperamentë flegmatikë. Ndërsa për të dytët temperamentë kolerikë. Karakteristikë e kolerikëve është se reagojnë shpejt, nuk mund ta frenojnë veten, e humbin kontrollin, sa që shumë herë bëhen qesharakë për opinionin. Sipas mendimit tim rezultat i këtij reagimi janë: edukata familjare, rrethi social, vetaktiviteti dhe përvoja në jetë. Durimi është aftësi e dikujt, për të përballuar vështirësitë, shqetësimet, pa u ankuar, pa u rrëmbyer e pa u ligështuar. Veti e dikujt që tregon maturi e gjakftohtësi në situata të ndryshme(20).
Ndërsa disa durimin e kanë definuar “si virtyt të mirë dhe vlerë etike e njeriut, e cila nuk e lë të bëjë atë që nuk është e mirë, fuqi shpirtërore, e cila rregullon karakterin e çdo individi”, ndërsa disa të tjerë durimin e konceptojnë si e gëlltitur e mllefit, pa treguar shenja të hidhërimit(21).
Durimi ndahet në 3 lloje:
a) Durimi në kryerjen e urdhrave dhe veprave të mira, në mënyrë që të kryhen si duhet;
b) Durimi ndaj ndalesave dhe mëkateve, në mënyrë që të mos zhytet në to;
c) Durimi kundër përcaktimit të fatit, në mënyrë që ndaj saj të mos zemërohet.
Me këto lloj durimesh, njeriu duhet të dëshmohet në zbatimin e urdhrave, largimin dhe ndalesat dhe durimin e fatit(22).
Sikur dihet Imani është themeluar në 4 shtylla: në bindje, në durim, nëxhihad dhe drejtësi(23).
Pra një nga shtyllat kryesore të Islamit është durimi, gjë që për këtë virtyt pozitiv moral në librin e shenjtë Kur’anin në ajetet dhe hadithet e tij jepen këshilla dhe udhëzime se si kultivohet ky virtyt. Aty besimtarët e fesë myslimane porositen si të jenë të durueshëm e të qëndrueshëm në punët e tyre, në rrethin ku jetojnë dhe punojnë, si të jenë të përgatitur fizikisht dhe shpirtërisht kundër armikut etj.
Një ajet kuranor thotë: “Ju patjetër do të sprovoheni si në pasurinë tuaj, madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre ... po në qoftë se duroni dhe ruheni, ajo është gjëja më vendimtare.” (ALI IMRAN 186).
Do të thotë njeriu në jetë gjendet para shumë peripecive dhe kalon shumë sprova të ndryshme. Mirëpo nëse ai di të ruhet dhe të jetë i durueshëm para këtyre sprovave ai çdoherë do të jetë fitimtar.

Mirësia

Në këtë botë ka llojlloj njerëzish. Te disa në zemrën e tyre zë vend mëshira e te disa jo. Te këta të fundit sikur dihet janë zhveshur nga mëshira dhe janë të ulët shpirtërisht dhe moralisht.
Mëshira është një ndjenjë morale që e lartëson njeriun, i cili duke poseduar këtë virtyt fiton respekt ndër njerëz dhe kalon jetë të lumtur në këtë botë.
Ndërkaq në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, mirësia definohet: veti e një njeriu të mirë, si zemërbardhësi, butësi, dashamirësi, sjellje e njerëzishme(24).
Për të pasur njeriu sjellje të butë me të gjithë njerëzit njëlloj, ai patjetër duhet të ketë në kontroll veprimet e veta. Sipas kësaj kusht kryesor për mirësinë është të kontrolluarit e vetvetes edhe kur hidhërohemi.
Në një nga hadithet e Muhamedit a.s., thuhet: ”Nuk konsiderohet njeri i fortë ai që mund kundërshtarin në mejdan, por njeri i fortë është ai, i cili kur hidhërohet e kontrollon vetveten(25).
Nga ana tjetër, ashpërsia në karakterin e njeriut është rezultat i arrogancës së tij, është instikt i lig shtazarak, i cili ngopet prej të këqijave dhe ofendimeve, koincidon me egoizmin ekskluziv dhe pasionin e verbër(26).
Mirëpo, mëshira nuk është butësi pa logjikë apo sentimentalizëm që e mohon drejtësinë dhe ligjin, por ajo është ndjenjë, e cila i respekton të gjithë këto të drejta(27).
Kjo nënkupton që jo edhe vrasësin apo maskarain që për të dalë nga situata, në të cilën gjendet, bën disa gjeste dhe veprime prekëse, që për momentin mund të jemi të ndjeshëm dhe ta falim, mirëpo nga ana tjetër sikur t'i përgjigjeshim kësaj ndjenje të shpejtë dhe ta lëshojmë, ta supozojmë vrasësin në liri, atëherë bota do të ishte e mbushur plot me trazira.


Përfundimi


Formimi dhe zhvillimi i vetëdijes morale është proces i gjatë dhe i ndërlikuar, që varet nga faktorë të rëndësishëm si familja e sidomos atmosfera e familjes stabile është një nga ambientet më të përshtatshme për zhvillimin e tipareve morale si dhe vënia e bazës etike të personalitetit të individit, ndërsa nga ana tjetër, familjet jo të shëndosha dhe jostabile, ku janë prezent konfliktet e shpeshta, sjelljet negative të prindërve janë hendikep i pashmangshëm për zhvillimin dhe formimin moral të predikuesit.
Ndërkaq, në formimin dhe zhvillimin e vetëdijes morale ndikon edhe shkolla si vatër e organizuar e edukimit dhe arsimit të brezit të rinj. Kësisoj qysh në ajetin e parë të Kuranit thuhet: ”Lexo në emër të zotit tënd”, do të thotë, qysh para 14 shekujsh në librin e shenjtë Kur’an i është kushtuar kujdes shkollimit dhe arsimit të brezit të rinj, për arsye se shkolla për nga vlera që ka është faktor i pazëvendësueshëm, është burim i fuqishëm që kultivohen vlerat morale të individit. Në këtë tempull të dijes dhe të shkencës bëhet humanizmi i raporteve mes njerëzve, formimi i karakterit të moralshëm etj.

Shtojcë

Jam e vetëdijshme se punimi në fjalë i ka të metat e veta. Këtë e dëshmon fakti se gjatë hartimit të tij kam hasur në vështirësi të ndryshme të terminologjisë Islame. Prandaj, do t’ju jem mirënjohëse ekspertëve të kësaj fushe, për ndonjë vërejtje apo sugjerim eventual, për arsye se është punimi im i parë i kësaj natyre.



1. Ebul-Aëla El Maududit: ”Parimet e islamizmit”, 1984, faq.6
2. Muhamed Fet’hiRifai: ”Mendimi Islam”, Furkan,Shkup, 2003,faq.21
3. dr.Xhemalutin Llatiq: ”Bazat e pedagogjisë kuranore”, Prizren, 2002
4. VAHJ, nga gj.arabe, d.m.th.frymëzim, me anë të së cilit njeriu frymëzohet për ndonjë punë ose për ndonjë vepër (cituar sipas Kur’anit).
5. Sekuenca nga studimi i Hasan Kaleshit me titull, ”IZ KURANA CASNOG SVETU CELOM OPOMENE” i botuar në revistën “IZRAZ” në gjuhën sërbokroate në vitin 1967 (cituar sipas revistës “Edukata Islame”, nr.27, Prishtinë, 1980.
6. Po aty faq.65
7. Naim Tërnava: ”Morali islam” Prishtinë, 1993, faq.26.
8. Po aty, faq.28.
9. dr. Xhemaludin Llatiq: ”Bazat e pedagogjisë kuranore”, Prizren , 2002 faq 4.
10. Po aty, faq. 6.
11. Etimologjia e fjalës moral dhe edukatë morale në fjalorët enciklopedik pedagogjik është interpetuar në këtë mënyrë: Në Fjalorin Pedagogjik të Shkup, nocioni moral është definuar si “përmbledhje rregullash dhe normash të caktuara të një shoqërie, që përfshin përmbajtjen dhe mënyrën e raporteve në mes të njerëzve dhe shoqërisë në përgjithësi; apo tendencë për të këshilluar, udhëzuar”. Ndërsa edukatën morale e përcakton si: ”formim dhe zhvillim i vetëdijes morale, si ndjenjë dhe vullnet i përcaktuar dhe i drejtuar me përmbajtje që kontribon në ndërtimin e karakterit dhe sjelljes së njeriut në shoqëri në pajtueshmëri me miratimin moral” (“PEDAGOSHKI RECNIK”, SHKUP, 2000, FAQ.189). Ndërkaq në Fjalorin Pedagogjik të Beograd, nocioni moral definohet si: ”një prej formave të vetëdijes shoqërore, i cili i rregullon raportet ndërmjet njerzve si raportin e shoqërisë ndaj individit dhe të individit ndaj shoqërisë, raportin e meshkujve ndaj femrave dhe anasjelltas, raportin e prindërve ndaj fëmijëve, raportin e të rriturve ndaj të rinjve” etj. Ndërsa edukatën moralee përcakton si: ”proces i formimit të personalitetit të moralshëm, i cilësive morale të njeriut, i formimit të vetëdijes të tij, pikëpamjeve, qëndrimeve, vullnetit e karakterit të individit” (PEDAGOSHKA ENCIKLOPEDIJA, ZAVOD ZA YDZHBENIKE I NASTAVNA, BEOGRAD,1989.
12. Në redaktimin e H. Sherif Ahmetit “Kurani”, Tiranë 1992, faq.14.
13. dr.Rexhep Këllëç: ”Njeriu dhe morali”, Tetovë, 2005, faq.1011
14. dr.Xhemalutin Llatiq: v.p.e cituar, Prizren, faq.7
15. Sipas “Fjalorit të shqipes së sotme”, Tiranë, 1985, HIPOKRIT, është njeriu, i cili shtiret sikur është i mirë, i vyrtytshëm e i dashur me qëllim që të gënjejë të tjerët, individ që nuk shpreh haptas ndjenjat,bindjet ose qëllime të vërteta.
16. Naim Tërnava: ”Morali IslamAHLAKU, Prishtinë, 1993, faq.72.
17. Po aty...transmetuar sipas Buhariut dhe Muslimit, faq.73.
18. Ahmed Ferid: ”Deti i kthjellët i devotshmërisë dhe suptilitetit, Tiranë, 2002, faq.144.
19. Cituar sipas Librit të shenjtë KUR’ANIT.
20. “Fjalor i shqipes së sotme”, Tiranë 1985, faq.235
21. Ahmed Ferid: v.p.e cituar... faq.211
22. Po aty...
23. Naim Tërnava, v.p.e cituar, faq.101
24. “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë,1985, faq. 722.
25. Dr.Rexhep Këlleç: ”Njeriu dhe morali”, Tetovë, 2005, faq. 57.
26. Muhamed Gazali: ”Karakteri i muslimanit”, faq.254.
27. Po aty.


______________

Literatura e shfrytëzuar dhe e konsultuar

• Ebul-Aëla El Maududit: ”Parimet e islamizmit”, 1984, faq.6.
•Muhamed Fet’hiRifai: ”Mendimi Islam”, Furkan, Shkup, 2003, faq.21.
•Ebul-Aëla El Maududit: ”Parimet e islamizmit”, 1984, faq. 6.
•Muhamed Fet’hiRifai: ”Mendimi Islam”, Furkan, Shkup, 2003, faq.21.
•dr.Xhemalutin Llatiq: ”Bazat e pedagogjisë kuranore”, Prizren, 2002.
•Sekuenca nga studimi i Hasan Kaleshit me titull,”IZ KURANA CASNOG SVETU CELOM OPOMENE” i botuar në revistën “IZRAZ” në gjuhën serbokroate në vitin 1967.



Rrezhana Hysa
Edukata Isalem 80


Artikulli i kaluar
Ligji i edukimit

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Fjalimi i drejtorit të Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri ef. Bajgora me rastin e përurimit të këtij Instituti