Forca e mbështetjes në Zotin gjatë komunikimit në dave (1)


Ndër elementet më qenësore në predikimin e thirrjes islame është autoriteti (besimi) dhe mbështetja në Allahun xh.sh., për faktin se Ai është që i krijoi dhe i lehtësoi rrethanat për të arritur deri në subjektin e caktuar në jetën tonë.
Koncepti i mbështetjes në Allahun xh.sh., nënkupton që ne të kërkojmë ndihmë që Ai të na japë suksese që të vazhdojmë e të qëndrojmë stabil në rrugën e fesë dhe në rrugën e së vërtetës. Mbështetja në Allahun do të thotë, që Atij t’ia lësh çështjen në dorë, pasi që të kesh marrë të gjitha masat e duhura. Do të thotë të kesh besim tek Allahu dhe t’ia lësh Atij në dorë atë që mbetet pasi të kesh përmbushur të gjitha shkaqet materiale dhe shpirtërore, si dhe të kesh marrë të gjitha masat derisa të mos ketë mbetur asgjë tjetër për t’u bërë. Ky tregues nuk është më pak i rëndësishëm se sa treguesit e tjerë gjatë komunikimit në dave. Këto dy elemente rafinojnë shpirtrat, disiplinojnë veprimet, vënë nën kontroll gjuhën dhe po ashtu bëjnë që njeriu t’i shohë gjërat më me maturi e urtësi. Gjatë jetës, njeriu mund të shpenzojë energji të shumta për të realizuar një sukses, por ajo që vendos vulën e çdo suksesi është ndihma e Krijuesit Fuqiplotë. Në këtë aspekt dhe mbi këtë koncept, Kurani ndërtoi kuptimit e mësimit të fesë mbi zemrën e Muhamedit a.s.. Në këtë vazhdë, Allahu xh.sh. thotë: “E kur myslimanët e panë ushtrinë aleate thanë: “Kjo është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij na premtuan neve, e Allahu dhe i Dërguari i Tij e thanë të vërtetën. Ajo (ushtria e armikut që e panë) vetëm ua shtoi atyre besimin dhe mbështetjen.” (El Ahzab, 22); “E atyre (shokëve të pejgamberit) që dikush u tha: “Populli (idhujtarët) është tubuar t’ju sulmoja, pra kini frikë!” Ajo, vetëm ua shtoi edhe më shumë besimin e thanë: “Neve na mjafton që kemi Allahun, Ai është mbrojtësi më i mirë!” Dhe atë pa i gjetur kurrfarë e keqe fituan begati e mirësi të mëdha nga Allahu dhe e arritën kënaqësinë e Tij, Allahu është dhuruesi i madh.” (Ali Imran, 173174); “...e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që mbështeten.” (Ali Imran, 159).
Edhe nga jeta e Muhamedit a.s., mësojmë se ai kishte pasur një mbështetje shumë të fortë tek Allahu, e kjo sigurisht që lidhet tepër ngushtë me besimin e tij të patundur. Mbështetja tek Zoti (tevekkuli) është një prej shenjave që tregojnë pjekurinë e besimit dhe të myslimanllëkut. Për këtë gjë, aludohet në Kuranin fisnik, kur përmendet fjala e Musait a.s.: “Musai tha: “O populli im, nëse i keni besuar Allahut, vetëm atij mbështetuni, nëse jeni të dorëzuar (vendimit të Tij)!” (Junus, 84).
Mbështetja tek Allahu, sidomos kur kemi të bëjmë me predikimin dhe vështirësitë që i hasim gjatë rrugës së mundimshme është fenomen i besimit, i cili del në pah si rezultat i besimit të Allahut si Krijues dhe si furnizues i gjithçkaje, i pavdekshëm dhe gjithmonë i gjallë, i mëshirshëm dhe që u ndihmon robërve të Tij. Nga ana tjetër, Muhamedi a.s., tërheq vërejtjen për këtë konceptim, në këshillat drejtuar Ibën Abasit r.a.: “O djalosh! Do të mësoj disa fjalë: Ruaje (të drejtën) Allahun, që edhe Allahu të ruaj ty. Kujdesu për të drejtën e Allahut që gjithnjë ta kesh Atë me vete. Kur të kërkosh diçka, kërkoje prej Allahut. Kur të kërkosh ndihmë, kërkoji ndihmë vetëm Allahut. Duhet ta dish se sikur e tërë bota të bëhet bashkë për të ndihmuar ty, mund të të ndihmojnë vetëm nëse e ka shkruar Allahu. Dhe sërish, sikur e tërë bota të bëhet bashkë që të dëmtojnë, mund të të dëmtojnë vetëm nëse e ka shkruar Allahu.”(1)
Po ashtu, edhe në disa transmetimit të tjera, Muhamedi a.s., porosiste kështu. Sipas transmetimit të Omer ibën Hatabit r.a., i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse do t’i mbështeteshit Allahut siç duhet, do të furnizoheshit ashtu si zogjtë që dalin të uritur në mëngjes dhe (në mbrëmje) kthehen të ngopur.”(2)
Kjo porosi profetike vë në dukje se mbështetja për të arritur qëllimet vjen pasi të bësh gjërat që duhen, dhe që duhet bërë me nënshtrim të plotë ndaj Allahut, si i vetmi zotërues i forcës dhe fuqisë. Mbështetja e besimtarit në këtë mënyrë e shpëton atë nga cytjet dhe mashtrimet e shejtanit dhe nuk e lejon atë të bëhet rob i pasioneve. Në hadithin të cilin e transmeton Imrani, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Shtatëdhjetë mijë njerëz nga ymeti im do të hyjnë në xhenet pa u marrë në llogari.” Ata që ishin të pranishëm pyetën: “Kush janë ata, o i Dërguari i Allahut?” Pejgamberi a.s., tha: “Janë ata që nuk e kanë shpuar trupin e tyre me hekur të nxehtë, që nuk merren me fyerje (ekzorcizëm) dhe që i mbështetën Zotit të tyre.”(3)
Shprehja “shtatëdhjetë mijë” në këtë hadithi sherif, nuk nënkupton një numër të caktuar, por shpjegon se shumë njerëz, të cilët i posedojnë këto cilësi, do të hyjnë në xhenet. Edhe kur të dalë njeriu nga shtëpia, mësimet profetike na mësojnë edukatën e lutjes së daljes nga shtëpia. Sipas transmetimit të Enes bin Malikut, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur të dalë njeriu nga shtëpia dhe të thotë: “Bismilah, tevekkeltu al Allah, la havle ve la kuvete illa bilah” (Me emrin e Allahut, i mbështetem Allahut. Forca dhe fuqia vjen vetëm nga Allahu), atij i thuhet: “Tani, ti udhërrëfehesh, të plotësohen nevojat dhe mbrohesh.”(4)
Së këtejmi, këto tekste fetare, ne në jetën tonë të përditshme, na mësojnë që vazhdimisht të kemi besim e të mbështetemi në Krijuesin Fuqiplotë. Kështu do të mundemi t’iu bëjmë ballë vështirësive e sfidave të jetës sonë. Kjo bindje jonë në fuqinë e Allahut, na bën që ta kujtojmë Atë e të mos e harrojmë se Ai është me ne dhe përfundimin ia lëmë Atij. Durimi dhe mbështetja tek Allahu janë dy karakteristika që ndodhen bashkë në personalitetin e besimtarit. I Dërguari a.s., është quajtur edhe mutevekkil (i mbështeturi), ngaqë është mjaftuar me pak dhe ka treguar vlerën e durimit ndaj gjërave të papëlqyeshme për të. Po ashtu, Allahu i ka përgëzuar besimtarët muhaxhirë, duke vënë në dukje se ata edhe kanë duruar edhe i janë mbështetur Allahut. Në një ajet kuranor thuhet: “Ata që migruan për hir të Allahut, e pasi që u torturuan, atyre gjithsesi do t’u mundësojmë vendbanim të mirë edhe në këtë botë, po shpërblimi i botës tjetër është edhe më i madh, sikurse njerëzit ta dinin (për atë shpërblim). Janë ata që bënë durim dhe vetëm Zotit të tyre iu mbështetën.” (En Nahl, 4142)
Në fushën e predikimit të daves, po ashtu është me rëndësi të mësojmë edhe nga rrëfimet dhe ngjarjet e vërteta që kanë u ndodhur edhe halifëve të drejtë, siç është rasti me Omerin r.a., i cili ndeshi disa njerëz që shpresonin se do të arrinin diçka me mbështetje të thatë e pa përpjekje. Kjo nxjerr në pah se ç’është mbështetja dhe si duhet të jetë botëkuptimi ynë për të. Një ditë, hazreti Omeri, takoi disa njerëz që vinin nga Jemeni (që shëtisnin kot). I pyeti: “Kush jeni ju?” “Ne jemi prej të mbështeturve (mutevekkilun)” – thanë ata. “Përkundrazi, ju jeni parazitë (muteekkilun)” – iu tha Omeri. “Të mbështeturit e vërtetë janë ata që e hedhin (mbjellin) farën në tokë dhe pastaj i mbështetën Allahut.(5)
Nga ana tjetër, edhe mësimet kuranore na rrëfejnë rrugën e duhur se si duhet të mbështetemi në Allahun xh.sh.. Ja se si Kurani na e rrëfen këtë rrugë: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falua atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që mbështeten.” (Ali Imran, 158159)

Njeriu duhet të bëj atë që i takon

Besimtarët e dinë se atyre mund t’iu bien në kokë vetëm ajo që Allahu e ka përcaktuar për ta, ndaj edhe kanë besim tek Ai dhe i mbështeten Atij. Prandaj, ndërmjet mbështetjes tek Allahu dhe nënshtrimit ka një lidhje të ngushtë. Por, nuk është mbështetja që njeriu të thotë se është nënshtruar dhe se është pajtuar me kaderin pa bërë atë që i takon. Sepse besimi në kader nuk përbën kurrfarë pengesë për punën që duhet bërë. Qëndrimi që duhet të mbajë besimtari është nënshtrimi tek Allahu pasi që të ketë bërë atë që i takon, ta pranojë Zotin si mbështetës, të ndjejë siguri të pafund tek Ai dhe t’i mbështeten pa u shqetësuar për përfundimin e punëve të bëra. Reflektimi i nënshtrimit ndaj vullnetit të Tij është siguria që ndjen tek Ai dhe shpresa e pashtershme që i jep kjo siguri.(6)
Në një ajet kuranor, Allahu xh.sh., ka thënë: “Po nëse refuzojnë, thuaj: “Më mjafton Allahu, s’ka zot pos Tij, tek Ai mbështetem, e Ai është Zoti i Arshit të madh.” (Et Tevbe, 129)
Po ashtu, ngjarjet profetike janë ato që duhen marrë si model nga thirrësit dhe nga to të nxirren mësime që do t’u bënin dobi në këtë mision. Më pas, kjo do të reflektonte në dave, që fjala e Zotit të përfshinte të gjithë ata që dëshirojnë të ndriçohen me dritën e imanit dhe të jetojnë në paqe, siguri e mëshirë në të dy botët. Tregohet se një ditë, gjatë një bisede me sahabët, ashtu siç kuptohet rreth çështjeve të kiametit, ai tha: “Si mund t’i shijoj unë begatitë, kur mbajtësi i surit/bririt (Israfili) e ka vënë surin në gojë, ka ulur kokën dhe ka ngrehur veshët në pritje të urdhrit për t’i fryrë?” Si duket, kjo fjalë u ra rëndë sahabëve, me ç’rast i Dërguari a.s., u tha: “Na mjafton Allahu, sa mbështetës i mirë është Ai! Thoni: “Ne i mbështetemi vetëm Allahut!”(7)
Enes bin Maliku përcjellë se Pejgamberi a.s., ishte thellë i mbështetur në Allahun, ashtu siç shkruhet në këtë hadith, ku ai thoshte: “Zoti im, Ti je mbështetja ime e vetme, Ti je ndihmësi im i vetëm dhe bashkë me (ndihmën Tënde) Ty luftoj.”(8)
Islami ka sqaruar se si duhet të nënshtrohemi dhe të mbështetemi në të Gjithëfuqishmin edhe kur bihet për të fjetur. “Zoti im, veten time ta dorëzova Ty, punën time ta kam lënë Ty. Me frikë prej dënimit Tënd, me shpresë për sevapin Tënd, të jam mbështetur Ty. Rruga e vetme për t’u mbrojtur nga (dënimi Yt) Ti dhe për të qenë i sigurt, është strehimi tek Ti (në mëshirën Tënde). I besova Librit që ke zbritur dhe Pejgamberit që ke dërguar. Nëse ma merr shpirtin, ma merr në natyrën (e pastër). Këto fjalë të mia le të jenë të fundit.”(9)


(vijon)


1. Tirmidhiu, sifatu’lkijame, 59 nr. 2516.
2.Tirmidhiu, Zuhd, 33, nr 2344 dhe Ibën Maxhe, Zuhd,14, nr. 4164.
3. Muslimi, Iman,371,nr.524.
4. Ebu Davudu, Edeb,102103,nr,5095.
5. Ibën Rexheb, Xhamiu’l ulum,I,441 nr. 441.
6. Islami nëpërmjet haditheve, Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë,botim i dytë, v.3, Istanbul 2017, f.315.
7. Tirmidhiu, sifatu’lkijame, 8nr.3243.Tirmidhiu, tefsiru’l Kuran, 39.
8. Tirmidhiu, deavat, 121,nr.3584.
9. Buhariu, deavat, 6, nr.6311.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?